Postuar më : 05 Tetor 2017

Asnjë qindarkë dhe fund radhëve për certifikata e dokumente

Konferencë për shtyp e Kryeministrit Edi Rama:

 

Mirëdita!

Duke qenë se lajmet që kanë më shumë rëndësi për publikun, shpeshherë, rëndom madje, lihen në harresë, unë dëshiroj të bëj një përmbledhje të masave të marra deri sot, lidhur me një nga zotimet kryesore, por edhe me një nga rrugët kryesore që duhen hapur, për të çliruar sa më shumë energji pozitive e për të nxitur sa më shumë rritjen ekonomike, që ka të bëjë me uljen drastike të peshës së burokracisë mbi shpatullat e njerëzve.

Sot, ne jemi në një situatë të ndryshme nga ajo ku ishim vetëm pak ditë më parë, kur qeveria e re filloi punën, pasi ka një numër të konsiderueshëm letrash që përkthehen në rrugëtim, në pritje, në shpenzime, që nuk duhet t’u kërkohen më qytetarëve nga shteti në pikat e shërbimeve, duke filluar nga certifikatat personale dhe familjare. Dua ta përsëris thirrjen time  për të gjithë qytetarët e Republikës së Shqipërisë, që të refuzojnë çdo kërkesë të çdo zyre për certifikatë në letër dhe të kërkojnë aty në sportel, që cilido që u kërkon një gjë të tillë ta bëjë vetë. Certifikatat familjare, certifikatat personale janë në sistem dhe zyrat e shërbimeve të shtetit duhet t’i nxjerrin nga sistemi pa asnjë qindarkë, në kohë reale, për t’ju dhënë qytetarëve shërbim.

Vërtetimet e pensionit, po ashtu. Pensionistët nuk kanë më asnjë arsye të bëjnë as dhe një metër rrugë dhe të humbasin as dhe një sekondë në radhë për të marrë vërtetim pensioni.

Karta e shëndetit, po njësoj; Konfirmimet për gjendjen aktive të mjetit; autorizimet për rifitimin e lejes së drejtimit; vërtetimet për lejen e drejtimit; kopje e kartelës së pasurisë; Kopje e fragmentit të hartës kadastrale; vërtetimi i pronësisë, janë të gjitha dokumente që deri dje u nxinin jetën qytetarëve në rrugë, në radha, me shpenzime përkatëse mbi dhe nën dorë dhe që sot, qytetarët duhet të refuzojnë çdo zyrë dhe çdo nëpunës, madje ta denoncojnë çdo zyrë dhe çdo nëpunës që ua kërkon këto, të printuara, me vete. Aty, ku për shkak të shërbimit këto dokumente kërkohen, i takon zyrës së shtetit, nëpunësit përkatës që t’i sigurojë ato, për llogari të qytetarit, përmes kompjuterit.

Ndërkohë, për informacion për qytetarët dhe për sipërmarrësit, së fundmi, ministri i Financave dhe Ekonomisë ka urdhëruar të gjitha institucionet e varësisë që të mos kërkojnë dokumentet e mëposhtme:

Certifikatën e regjistrimit në QKB, përfshirë dhe Niptin e famshëm;

Ekstraktin historik të kompanisë;

Vërtetimin për pagimin e kontributeve nga subjekti;

Vërtetimin për përgjegjësitë tatimore;

Vërtetimin për regjistrin e investitorit;

Vërtetimin për pagim detyrimesh;

Vërtetimin për individë të paregjistruar;

Vërtetim statusi aktiv, përfshirë datën;

Vërtetim xhiro për tre vitet e fundit;

Vërtetim për pagimin e kontributeve për individin;

Dëshmi penaliteti dhe vërtetim i gjendjes gjyqësore të individit apo të subjektit përkatës që përfaqëson një sipërmarrje;

Të gjitha llojet e dokumenteve që gjenerohen nga sistemi i Gjendjes Civile.

Të gjitha këto janë të anuluara dhe për të gjitha këto është shteti, është administrata dhe zyra e nëpunësi përkatës që duhet të marrë masa që t’i garantojë në funksion të dhënies së shërbimit të qytetareve, përmes portalit e-albania, përmes sistemit të bazës së të dhënave të shtetit online.

Për të dhënë një shpjegim se çfarë do të thotë kjo: 56 vjet pritje në harkun e një viti. 56 vjet që konsumohen nga qytetarët, nga kompanitë, thjesht e vetëm për të marrë vërtetime, dokumente, certifikata.

Po ju jap konkretisht një shembull. Vetëm vërtetime nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve janë 275 702 në një vit, duke iu referuar vitit të shkuar. Janë 275 702 rrugëtime që dikush është nisur e ka shkuar të marrë vërtetimin. Janë 275.702 radha e pritje që të të vijë radha. E sigurisht janë 275 702 raste brenda të cilave ndodh rëndom që, për ta mbyllur këtë punë sa më shpejt, njerëzit detyrohen të japin bakshish.

Janë edhe 152 237 ekstrakte nga Qendra Kombëtare e Bizneseve. Nuk duhen më! Ose autorizime nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, 9 222 autorizime. Prit në radhë, paguaj. Për të gjitha këto duhen pagesa.

56 vjet pritje, radha për të marrë këto lloj vërtetimesh.

Të gjitha këto, sot që flasin, nuk ekzistojnë më për qytetarët, nuk ekzistojnë më për kompanitë. Për të gjitha këto, - e përsëris, meqë media merret me gjëra më të rëndësishme, siç është për shembull zënia e foltores së parlamentit, e ka kush e ka, - qytetarët dhe kompanitë duhet të refuzojnë. Pavarësisht se certifikata personale apo certifikata familjare është hequr si detyrim i qytetarit prej ditës së parë që ka filluar punë qeveria, edhe sot që flasim vazhdon Gjendja Civile prodhon certifikatë. Ia kemi kërkuar pushtetit vendor me dorë nga ministri i Brendshëm, mos kërkoni më nga qytetarët asnjë qindarkë për të prodhuar certifikata, inercia vazhdon, sa të shkojë fjala deri në zonën më të largët, sa të shkojë fjala dhe të depërtojë deri në veshin më të dyllosur të burokratëve, të punonjësve të administratës.

Unë do ju lutesha të gjithë ju që jeni këtu, që paralelisht me çështjet e mëdha të një kombi, siç është zënia e foltores “e ka kush e ka“, mundësisht të ndihmoni që të çlirojmë sa më shpjet, në kohë reale, nga burokracia dhe barra e gjithë këtij presioni të madh, që vazhdon prej 27 vjetësh, shto ujë e shto miell, shto autorizimeve e shko certifikata, shto dokumente e shto kërkesa për njerëzit, duke mbiprodhuar letër, duke mbingarkuar e stresuar gjithë këtë popull, rrugëve e radhëve.

Nuk mbaron këtu, ne do vazhdojmë, sepse ky është një proces që brenda 100 ditëve të para do të shkojë shumë më thellë dhe njëkohësisht do të shtrihet dhe në heqje dokumentesh e autorizimesh të tjera e me radhë.

Kemi një proces që vazhdon në çdo mbledhje qeverie, në mënyrë që me këtë derregullim, ne të arrijmë që të rregullojmë maksimalisht marrëdhënien mes qytetarit dhe shtetit dhe shtetit me qytetarin, në  funksion të qytetarit. Është folur për qytetarin gjithë kohën, “zëri i qytetarit”, “ne dhe qytetari”, “unë jam ju, më jepni votën” etj., por në 27 vjet i është nxirë jeta qytetarit të zakonshëm, i është nxirë jeta çdo familje të zakonshme, i është nxirë jeta të gjitha kompanive që operojnë në Shqipëri, me këto lloj absurditetesh, që medemek kanë rritur rregullin, por, në fakt, pas çdo rregulli kanë shtuar zullumin dhe kanë zgjeruar hapësirën për spekulim, për abuzim, për korrupsion.

Aktualiteti është ky dhe aktualitet tjetër nuk ka. Të tjerat janë dokrra hini, siç thoshte At Gjergj Fishta.

 

Certifikatat kërkohen edhe nga shkollat, kopshtet, çerdhet. A do të kërkohen më?

Kryeministri Edi Rama: Nuk ka të drejtë, asnjë zyrë shteti, asnjë institucion, asnjë çerdhe, asnjë kopsht, asnjë shkollë, asnjë universitet, asnjë azil pleqsh, asnjë pronar mediash të kërkojë certifikatë nga qytetari! Asnjë! Të gjithë mund dhe duhet t’i marrin drejtpërdrejtë, sepse certifikata duhet, në kuptimin, vërtetimi se je personi në fjalë,  por këtë vërtetim, nëse shteti  e kërkon për të dhënë një shërbim, e ka shteti. Ky vërtetim, nuk gjendet as  në hënë, nuk gjendet as matanë oqeanit, as përtej detit, por gjendet në regjistrat e shtetit shqiptar.  Atëherë vetë shteti, meqë e do këtë gjë  nga qytetari, le ta marri. S’ka pse t’i thotë qytetarit, mbaj radhë për certifikatë, paguaj lekë, ngarkohu me letra dhe hajde prapë këtu. Jo, askush nuk do ta kërkojë dhe që kjo të bëhet sa më shpejt, duhet që qytetarët të jenë aktivë, për ta implementuar një orë më parë këtë masë dhe të gjitha ato që thashë. Nëse duhet vërtetim pensioni, ta marri vetë zyra që e kërkon. Të hapi kompjuterin e të gjitha janë në sistem. Kemi ndërtuar prej 4 vjetësh, një bazë të dhënash që po  e pasurojmë çdo ditë, sepse kjo do të shkojë duke u thelluar. Ne do të arrijmë që edhe dokumenti hipotekor, do të vijë dita të merret në shumë pak kohë, punë minutash, për të mos thënë sekondash, drejtpërdrejtë nga sistemi digjital. Por kjo do të kërkojë kohën e vet, për shkaqe që dihen.

Ndërkohë këto që janë, nuk kanë pse të kërkohen më nga shtetit, por shteti duhet t’i garantojë për qytetarin. Zotimi ynë është që për çdo shërbim që shteti ofron, duhet të bëjë shteti punën dhe duhet të marri shteti përsipër të bëjë të gjithë atë që i kërkon qytetarëve. Ik këtu e ik atje, merr një letër këtu, rifreskoje, shko tek noteria, eja prapë këtu, apo ke ardhur me vonesë, ndaj duku edhe njëherë tjetër; të gjitha këto duhen të marrin fund. E në këto që thashë, iu kemi dhënë fund, për sa na takon. Çdo nëpunës i mësuar me atë avazin  e vjetër dhe i dëshiruar për të futur ndonjë dorë në xhep, ashtu si papritur, ëmbël -ëmbël, të tërhiqet nga kjo veprimtari abuzive 27 vjeçare dhe njerëzit të marrin normalisht shërbimin, pa qenë të detyruar të humbasin gjithë këto vite, - shekuj bëhen, nëse i mbledhim të gjithë bashkë, - brenda një viti, në formën e pritjes dhe në formën e zvarritjes.

 

Sportelet do të ekzistojnë, do të ketë ndryshime për sa i takon punonjësve, numrit të punonjësve dhe a mund të asistohet për kategoritë që ndoshta nuk janë të ambientuara me internetin?

Kryeministri Edi Rama: Nuk ka nevojë të ambientohet askush me internetin. Pensionistët nuk kanë nevojë të ambientohen me internetin. Pensionistët thjesht duhet të mos paraqesin vërtetimin e pensionit, kur ju kërkohet. E kush ia kërkon, t’i thotë hap kompjuterin, e nxire ti për mua, se ti je shërbëtori im dhe e ke këtë detyrë. Sigurisht, nëse do të nxjerrësh certifikatën tënde nga kompjuteri, është me aprovimin e vulës  elektronike, një dokument i vlefshëm zyrtar, pra, nuk ka nevojë as për noterë, as për shoferë, thjesht mjafton që t’i ta nxjerrësh. Nëse s’e ke me vete në atë moment, apo nuk ke mundësi ta nxjerrësh në atë moment, atëherë duhet ta bëjë zyra e shtetit dhe kjo është detyrë, nuk është propagandë, nuk është fushatë. Në fushatë u thanë, tani po bëhen. Duhet ta bëjë shteti, duhet ta bëjë çdo zyrë. Askush nuk duhet të lëvizi nga  sporteli, nëse nuk ia bëjnë. Të rrijë atje dhe të kërkojë t’i bëhet dhe ta denoncojë, nëse nëpunësi nuk ia jep. Nëse do të pyesni ku, nesër, ne do të bëjmë prezantimin dhe çeljen  e platformës së bashkëqeverisjes, që do të jetë në dispozicion të të gjithëve, për të bërë edhe këtë proces, për të shkuar drejtpërdrejtë lartë në qeveri, në fakt, kjo e zbret qeverinë poshtë tek qytetari. Në filan zyrë, unë e bëra këtë, siç më thatë dhe nuk më fishkëlleu njeri dhe pastaj  të shikojmë, ai nëpunës rri më, apo nuk rri më, jo në atë zyrë, po në cilëndo zyrë shteti.

 

A keni llogaritur ju një kosto financiare të këtyre lehtësirave për qytetarët?

Kryeministri Edi Rama: Çka do të përfitojë familja e zakonshme, çka do të përfitojë shoqëria shqiptare nga lehtësimi i të gjithë këtij stresi, i të gjithë kësaj marrëdhënie që gjeneron pjesën më të madhe të energjive negative, - jeni dëshmitarë, jeni protagonistë, ju dhe kolegët tuaj, të radhëve, sharje e dhunë nëpër zyra se ju vjen shpirti në maj të hundës njerëzve, - kjo nuk paguhet. E çfarë kjo do të gjenerojë në ekonominë dhe çfarë kjo do të gjenerojë për sipërmarrjen, është e pallogaritshme. 56 vite pritje janë fshirë vetëm me urdhrin e fundit të ministrit të Financave të Ekonomisë. 4.5 milionë certifikata, - më shumë se populli vetë, - brenda një viti. Asnjë qytetar tjetër në kontinentin tonë, por unë besoj edhe në botë, nuk është i detyruar të provojë që ekziston përballë shtetit të  tij, kaq shpesh sa duhet ta provojë çdo njëri  nga ne. E pra,  kjo ka marrë fund. Janë 4.5 milionë kontakte me shtetin. Janë 4.5 milionë rrugë dhe kur them rrugë, ne që jetojmë këtu në Tiranë, mendojmë thjesht rrugën deri tek gjendja civile e njësisë administrative, por ata që janë në fshat nuk e marrin  dot certifikatën tek njësia administrative, duhet të shkojnë tek bashkia  qendër. A e kuptoni sa rrugë i duhet një familjari nga një fshat i largët për të marrë një copë certifikatë? Nuk duhet më! Ai thjesht do të shkojë të marri shërbimin dhe për certifikatën  t’i thotë “e ke kompjuterin, nxirr certifikatën.”

Sigurisht është një proces që do  kërkojë kohën e vet, por ne do ta bëjmë sa më shpejt që të jetë e mundur këtë çlirim të njerëzve nga ky tmerr.

Shkruaj Mesazh

Kontakto me Kryeministrin

Shkruaj Mesazh

Reportazhe Eksklusive

Dokumentarë

Reportazhe Eksklusive

Për Gazetarët

Hapësira Mediatike

Për Gazetarët

Raport publik

300 Ditë

Raport publik