Postuar më : 26 Gusht 2017

Bashkëpunimi rajonal, takim informal i Kryeministrave të Ballkanit Perëndimor

Konferencë e Përbashkët për Shtyp e Kryeministrit Edi Rama dhe Komisionerit Johannes Hahn, në kuadër të takimit informal të kryeministrave të Ballkanit Perëndimor, mbajtur sot në Durrës:

 

Kryeministri Edi Rama: Mirëdita të gjithëve!  E mora nismën për të ftuar në një takim miqësor dhe informal Kryeministrat e rajonit dhe po ashtu Komisionerin Hahn, Zëvendës Presidentin e Bankës Botërore Muller, ekipet e tyre, sepse besoj që është një moment shumë i rëndësishëm pas një sërë zgjedhjesh në rajon dhe në funksion të vijimit të një procesi që mban emrin e Berlinit, por që është një proces që duhet të jetë gjithmonë e më shumë i zotëruar nga aktorët e rajonit dhe sigurisht me mbështetjen e Komisionit Europian dhe të gjithë aktorëve të tjerë relevant.

Është e qartë tanimë që nga pikëpamja e çfarë duhet sistemuar në letër, ashtu siç e nënvizoi edhe Komisioneri në ndërhyrjen e tij është sistemuar. Kemi një plan veprimi me rreth 115 pika, në funksion të një transformimi rrënjësor në kuadrin e lëvizjes së mallrave, shërbimeve, të kapitalit të punonjësve të kualifikuar që do ta bëjnë rajonin shumë më tërheqës  për investime, shumë më fleksibël për shkëmbimet e brendshme tregtare, duke përshpejtuar afrimin me Bashkimin Europian dhe njëkohësisht duke përshpejtuar ritmet  e rritjes ekonomike dhe të mirëqenies.

E për ta mbyllur me këtë pjesë jemi vërtetë shumë të inkurajuar nga fakti që në nivelin politik ka një dakordësi të plotë. Në nivelin e marrëdhënieve me Komisionin ka një sinergji të plotë.

Banka Botërore është përfshirë me kërkesën tonë në mënyre të plotë dhe po ashtu edhe instrumentet e tjerë që burojnë nga bashkëpunimi më i ngushtë me BERZH-in, me BEI-in janë në dispozicion, çka do të thotë se, ky reflektim strategjik që po bëjmë sot, do të na vlejë për një axhendë më intensive dhe më agresive në funksion të një rajoni shumë  më tërheqës për investimet e huaja. Në funksion të një lëvizje shumë më të lirë të mallrave, me një transformim rrënjësor të procedurave kufitare, me një përmirësim rrënjësor të monitorimit, të performancës të korridorit të tregtisë dhe me krijimin e mekanizmave për reduktimin e kostove logjistike, për të rritur maksimalisht përfitimet nga lëvizja e lirë e shërbimeve dhe komponenti tjetër, jo më pak i rëndësishëm, për të fuqizuar ekonominë dixhitale, si një front të ri të rritjes ekonomike në rajon.

Nga ana tjetër, pata kënaqësinë të shkëmbej me Komisionerin në një mëngjes pune opinionet lidhur me statusin aktual të marrëdhënieve të Shqipërisë me Bashkimin Europian. Folëm për zgjedhjet, si një moment i rëndësishëm i kapërcyer me sukses, folëm për vullnetin dhe domosdoshmërinë që të vazhdojë ajo që u nis si një qasje e re dhe vullnet bashkëpunimi mes qeverisë dhe opozitës.

Nga ana tjetër, e njoha Komisionerin me planin e këtij mandati në funksion të reformave, në funksion të një transformimi rrënjësor të shërbimeve për publikun, si një aspekt i rëndësishëm i luftës kundër korrupsionit dhe ryshfetit, nënvizuam domosdoshmërinë e vazhdimit të procesit të vettingut, si një proces kyç për Shqipërinë, por edhe për përshpejtimin e procesit të integrimit.

Nga ana tjetër, ndamë pikëpamjen se, përpjekja për të kufizuar fluksin e azilkërkuesve po jep rezultate inkurajuese, dhe sigurisht që për sa më takon është e qartë që nuk ka shqiptar azilkërkues, por ka shqiptar në kërkim të një pune dhe  të një jete më të mirë në një treg pune ku shqiptarët dhe të tjerët në rajon nuk e kanë lirinë për të lëvizur dhe ky është kufizimi që vjen si pasojë e pozicionit ku gjendemi në  procesin  e  integrimit. E nga ana tjetër, unë dua ta them këtu për opinionin publik, që unë refuzoj të pranoj shenjëstrimin e shqiptarëve, qofshin ata azilkërkues, qofshin ata që kryejnë krime në zonën e BE-së, si një arsye për të treguar me gisht Shqipërinë.

Kriminelët janë kriminelë, kudo dhe pa dallim. Ata duhet të përgjigjen përpara ligjit kudo dhe pa dallim. Nuk ka flamur, nuk ka  kombësi, ka thjesht raport me ligjin. E në këtë aspekt unë e refuzoj me forcë çdo përpjekje politike, mediatike në vendet e BE-së për arsye të brendshme dhe për konsum të brendshëm për të treguar me gisht, një të ashtuquajtur ”krim shqiptar, apo “krim ballkanik”, apo “krim nacional”.

Nga ana tjetër, është e qartë që azili nuk është opsion dhe kushdo që e ndërmerr atë rrugë, thjesht hyn në një rrugë ku ka vetëm humbje.

Ndërkohë që, ajo që na takon është të bëjmë çmos që të përshpejtojmë procesin e integrimit dhe të bëjmë çmos që të kemi më shumë akses në tregun e lirë të punës.

Së fundi, së bashku me Komisionerin  ndamë pikëpamjen se po bëhet një punë fantastike në luftën kundër kanabisit. Ne jemi zotuar që ky do jetë viti që e mbyll përfundimisht këtë  histori me një sukses kuptimplotë të Policisë së Shtetit dhe të shtetit, kundër këtij fenomeni të shëmtuar.

Jemi sot, me rezultate në duar, të monitorimit ndërkombëtar, që tregojnë se praktikisht zotimi është duke u përmbushur.

Bashkimi Evropian do të financojë edhe një muaj më shumë fluturime monitoruese dhe jam besimplotë që në fund të këtij sezoni, mbjelljesh, korrjesh dhe goditjesh, Shqipëria do të dal përfundimisht nga harta e vendeve problematike lidhur me kultivimin dhe trafikimn e  lëndëve narkotike.

Duke ia kaluar fjalën Komisionerit, dua t’i shpreh një falënderim aspak protokollar apo formal, por shumë të ndjerë, për gjithçka ai bëri në funksion të zgjidhjes së një ngërçi të madh politik përpara zgjedhjeve të 25 qershorit dhe përmes tij dua të falënderoj të gjithë ata që u angazhuan, qoftë në nivelin e Komisionit Europian, qoftë në nivelin e Partive Popullore Evropiane, si miq të këtij vendi për të bërë të mundur atë që më në fund u bë e mundur, kryerjen e një palë zgjedhjeve që  ishin pa dyshim zgjedhjet më të mira që Shqipëria ka mbajtur ndonjëherë.

Komisioneri Hahn: Faleminderit zoti Kryeministër! Faleminderit për fjalët tuaja shumë të mira! Por mendoj se është një punë e shkëlqyer në ekip e shumë personave, e cila na dhanë mundësi të shkojmë drejt zgjedhjeve. Përfitoj nga rasti të uroj për fitoren edhe për faktin që u mundësuan zgjedhje që u njohën nga bashkësia ndërkombëtare që ishte edhe objektivi ynë kryesor. Kjo është e rëndësishme edhe për perspektivën e ardhshme europiane të vendit.

Së pari dhe mbi të gjitha dëshiroj t’ju falënderoj edhe për nismën që keni marrë për takimin sot, për të mbledhur këtu kryeministrat e rajonit, përfaqësuesit e Bankës Botërore dhe mua vetë, në këtë vend kaq të mrekullueshëm, në kushte të bukura për të diskutuar vijimësinë e Samitit të Triestes. Siç e dëgjuat, kryeministrat në Trieste ranë dakord për një dokument udhërrëfyes lidhur me krijimin e një tregu ekonomik rajonal që përbëhet me rreth 115 pika, i cili u përmend edhe këtu sot. Po diskutojmë se si ta vëmë  në zbatim sepse të biesh dakord për elementët është një gjë, por t’i zbatosh ato është një gjë tjetër. Tradicionalisht, ka qenë dhe pika e dobët, jo vetën në rajon, por edhe mjaft shpesh në politikë. Dobësia është tek zbatimi i gjërave për të cilën është rënë dakord. Prandaj dhe është dhënë angazhimi dhe siç e tregon dhe ky takim informal sot, - siç e përmendi që në fillim zoti kryeministër - kryetarët e qeverive i kanë dalë për zot këtij procesi, i ashtuquajtur procesi i Berlinit. Pra, nuk ka më nevojë që t’ju nxisim ne si Komision Europian, por gjithnjë e më shumë nisma vjen nga rajoni. Pra, ne na mbetet që t’ju mbështesim, të bashkëpunojmë më ju, për të ecur përpara përsa u takon aspiratave tuaja europiane. Por, kjo i ndihmon vendet dhe shtetasit ndërkohë edhe qytetarët tuaj që të përmirësojnë nivelin e tyre jetesës. Shpesh Bashkimi Europian shihet si një subjekt që ka vetëm kërkesa; kërkojmë zgjedhje të lira, kërkojmë reformë në drejtësi, kërkojmë këtë dhe kërkojmë atë. Ndonjëherë qytetarët këtë e presin mirë, por qëllon që edhe shpesh dhe kjo është njerëzore, ndihen disi nervoz le të themi, nuk ndihem mirë dhe mezi presin të shkojnë deri në fund të procesit që është një proces i vështirë sigurisht. Interesi ynë është që t’i  përfshijmë të gjitha këto vende, t’i presim të gjitha këto vende përfshirë dhe Shqipërinë sa më shpejt në Bashkimin Europian dhe për këtë nevojiten masa të caktuara, por në fund të fundit çdo gjë bëhet në interes të qytetarëve, jo për të na kënaqur ne europianëve për të bërë një reformë apo diçka tjetër, por qëllimi është që të përmirësohet jetesa e qytetarëve. Këtu po fokusohemi tani. Prandaj dhe po fokusohemi tek zona ekonomike e rajonale. Do ju jap dy shifra për tua ilustruar rëndësinë e kësaj. Gjatë dhjetë viteve të fundit eksportet në drejtim të Bashkimit Europian nga të gjashtë vendet të marra së bashku janë dyfishuar. Tani përbëjnë 46 miliardë euro. Por tregtia midis këtyre vendeve nuk është rritur, vazhdon të jetë në të njëjtin nivel, si para dhjetë vjetësh dhe sinqerisht iu them se kjo tregon se ka shumë potencial, i cili mund të shfrytëzohet. Kjo është ideja që qëndron pas konceptit të tregut ekonomik-rajonal.

Siç u pa sot, vendet janë dakord që të caktojmë koordinator të përbashkët, persona që të koordinojnë pra, në secilën kryeministri për t’u kujdesur që secili vend në veçanti  personat nëpër ministri, kryeministri apo dhomat e tregtisë të punojnë me angazhim për këtë axhendë të reformave. Në të gjashta vendet e Ballkanit Perëndimor do të caktojmë këta koordinatorë deri në mes të shtatorit për të ecur përpara dhe vënë në zbatim.

Edhe njëherë i jam mirënjohës për nismën që keni marrë, por edhe për frymën për të pasur zotërim mbi këtë proces në rajon, që tregon që nuk është diçka që është ideja jonë, nuk është ideja e ndonjë burokrati në Bruksel, por është diçka që vjen në interes të qytetarëve këtu. Prandaj dhe vetë kryeministrat i dalin për zot këtij procesi, dalin në krye të tij.

Në të njëjtën kohë kjo vlen për marrëdhëniet dypalëshe.

Zgjedhjet e drejta dhe transparente kanë qenë një kusht për të ecur përpara në rrugën e  Bashkimit Europian. Besoj se ka një rezultat. Mbase shumë veta nuk e prisnin që të ishin kaq të qarta dhe transparente. Tani nuk ka më asnjë justifikim që mund të përdoret. Vendimet politike janë të qarta. Pra vendimi nga votuesit erdhi. Tani mund të shkojmë drejt zbatimit dhe jam i sigurt që shumë shpejt do të shohim rezultatet e para konkrete lidhur me të famshmin proces të vettingut dhe çështjet e tjera që janë ngritur.

Siç e përmendi edhe kryeministri, disa vende anëtare të Bashkimit Europian janë prekur si të thuash nga azilkërkuesit, por këto vende po i njohin përpjekjet që kanë bërë autoritet shqiptare, të cilat i kanë filluar këto përpjekje për ta ulur, për ta kufizuar numrin e azilkërkuesve sepse dëshiroj ta them dhe publikisht nuk do të ishte fare realiste që të besohej se çdokush mund të merrte azil si shqiptar në Bashkimin Europian.

Është e  kotë të shkoni në vendet e Bashkimit Europian për të kërkuar azil sepse dëmtoni nga ana diplomatike edhe vendin tuaj.

Prandaj ne i mirëpresim përpjekjet e autoritet shqiptar për ta kufizuar numrin e azil kërkuesve, por edhe për të frenuar këdo që mendon se ka mundësi për të marrë azil në shtetet e Bashkimit Europian. Sepse përndryshe kjo do të tregonte se vendi nuk është pjekur ende për bashkimi euriopian, që nuk është e vërtetë. Megjithatë mbetet ende punë për të bërë.

Dua që të përsëris atë që tha zoti kryeministër, progresin e jashtëzakonshëm për luftën kundër kultivimit të kanabisit.  Kjo është dëshmi për shtetet anëtare të Bashkimit Europian.

Qëllimi ynë është që të punojmë së bashku me qeverinë shqiptare për të zbatuar disa prej elementeve dhe prioriteteve kyçe. Në përgjithësi shikoj progres. Tani duhet që të shikojmë për të ecur përpara, për të kryer dhe hapin tjetër. Mendoj se është në interes, pra që të ketë një rekomandim pozitiv. Edhe njëherë nuk dua të përmend një datë fikse sepse varet edhe nga zgjuarsia politike, që do të thotë që të bësh hapin e duhur në momentin e duhur për të paraqitur një raport nga ana e Komisionit  e shteteve anëtare, i cili të pranohet nga shtetet anëtare në momentin e duhur. Pra, rëndësi ka të jemi cilësor dhe jo të shpejtë. Pra, prioritet merr cilësia dhe jo shpejtësia.

Synimi tek e fundit është që të marrim mbështetjen e të gjitha shteteve anëtare për ta bërë dhe hapin tjetër, pra hapin e radhës.

Prandaj, dëshiroj dhe mirëkuptimin tuaj për të mos iu dhënë një datë fikse, por ju garantoj se ekipi im dhe unë vetë jemi shumë të interesuar që ta çojmë përpara Shqipërinë, përndryshe s’do kishim investuar kaq shumë energji për atë që kemi bërë, jo vetëm këto 2 muajt  e fundit, po edhe në vitet e mëparshme, në të shkuarën. Investim, do të thotë që  edhe të marrësh diçka, të kesh një kthim në investimin që bën. Ky kthim do të ishte  anëtarësimi në Bashkimin Europian në një moment të caktuar, i Shqipërisë.

Ju faleminderit!

***

-Zoti Hahn cili është opinioni juaj për sa i përket skandalit politik dhe diplomatik midis Maqedonisë dhe Serbisë këtë jave, nuk e di, a është përfshirë Brukseli për zgjidhjen e tij? Së dyti, si prisni që të ndërtohet besim në këto vende me çështje e probleme të tilla midis tyre? Zoti Rama, kur prisni të organizoni takimin formal pa ndërmjetësim nga Brukseli?

Komisioneri Hahn: Duket dhe kam përshtypjen që u sqarua, u  zgjidh shumë shpejtë e duke qenë se u zgjidh kaq shpejtë, nuk pati nevojë që të përfshiheshim. Natyrisht, jam i gatshëm të dëgjoj edhe më tepër se çfarë ka pas kësaj. Megjithatë, është mirë që ka tashmë një marrëdhënie besimi midis udhëheqësve të dy vendeve, të cilët me një telefonatë arritën të zgjidhnin gjërat. Në fakt, kjo është ajo gjë që unë vlerësoj dhe e vlerësoj si diçka pozitive. Ashtu siç mund të dini, unë bëj pjesë tek ata që e shohin gotën gjysmë plot dhe jo tek ata që e shohin gjysmë bosh.

Sa i përket mënyrës së zgjidhjes, mu duk një element pozitiv i mënyrës sesi funksionojnë gjërat në rajon dhe shpresoj që kjo gjë të vazhdojë, natyrisht të ketë dhe përfitimet e saj në të ardhmen.

Mendoj se fakti që pati një telefonatë kaq të shpejtë dëshmon se ka tashmë besim midis udhëheqësve.

Megjithatë, duhet kuptuar se kjo nuk është diçka që i takon vetëm nivelit të udhëheqësve por është besim midis popujve, midis vendeve. Kësisoj unë pres që këto ngjarje të jenë ngjarje që i përkasin të kaluarës, në të ardhmen.

Kryeministri Edi Rama: Së pari, do doja të thoja se nuk pres dhe nuk duhet të presim që Ballkani të bëhet kaq i mërzitshëm sa të mos ketë përplasje. Por në të njëjtën kohë, ka një ndryshim shumë të rëndësishëm, sepse në momentin që këto përplasje ndodhin, jeta vazhdon, njerëzit flasin në nivelet më të larta, takohen në nivel më të larta, njerëzit vazhdojnë të ndërtojnë punë mbi punë dhe përqendrohen tek e ardhmja. E kjo është e rëndësishme.

Së dyti, kjo nuk është e organizuar nga Brukseli. Kjo është e organizuar nga ne. Brukseli është  ftuar. Kështu që, këtu nuk jemi ne të ftuar nga Brukseli. Ata janë këtu me shpenzimet tona, që është shumë e rëndësishme. Është një kthesë e madhe edhe në këtë drejtim, që do të thotë nuk na duhet kujdestari për t’u takuar, për tu organizuar, për të diskutuar.

Por nuk duhet të harrojmë, - nuk duhet të harroni ju, se ne nuk e harrojmë, - që Brukseli është kyç, është një partner strategjik për të gjithë rajonin, për të gjitha vendet dhe jam shumë  mirënjohës që Komisioneri Hahn pranoi ftesën dhe që gjendet këtu me të gjithë ekipin e tij për të shoqëruar procesin. Kështu që, është një dallim i madh!

Gjëja e fundit që do të doja t’i shtoja të gjithë asaj që tha Komisioneri sa i  përket 115 masave dhe pjesës ndoshta jo të dukshme të procesit, që shpesh perceptohet nga ju, si mediat njësoj në të gjithë rajonin dhe nga aktorët e tjerë, si një bankomat që në çdo takim del menjëherë diskutimi se kush tërhoqi më shumë nga bankomati. Ky është  një keq orientim tërësor, i plotë i opinionit publik. Po kjo nuk është çështje bankomati. Nuk funksionon kështu.

Ka projekte që ekzistojnë, ka projekte që vazhdojnë, ka financime që janë për vendet dhe në asnjë mënyrë nuk është një situatë ku një vend merr më shumë sesa një vend tjetër. Thelbi i kësaj dhe i asaj që po flisnim sot është si vijon: do t’ju jap dy shifra.  Komisioneri e tha shumë qartë, në 10 vjet eksportet e këtyre vendeve drejtë Europës janë dyfishuar. Eksportet e secilit vend në baza dypalëshe në rajon, mbeten të njëjtë. Ndërkohë që ne duhet të ndërgjegjësohemi se çfarë po humbasim aty. Është një potencial i madh. Po ju sjell një shifër. Vetëm duke zbatuar disa prej këtyre 115 masave, ne mund të kursejmë të paktën 900 milion euro në buxhetet tona, që është jashtëzakonisht e madhe si shumë.

Dhe shifra tjetër është që ne kemi një ndërlidhje kaq problematike sa i përket tregtisë saqë brenda 1 viti ne humbasim 3 milion vite në kohë, në orë nëpër dogana. Po flas për mallrat. Pra, orë që humbasin në dogana në shkëmbimet dhe transportimin e mallrave që është e papërballueshme. Na duhet që të ulim 3 milion vjet burokraci, pengesash dhe mënyrash krejt të ndryshme të trajtimit nga ana administrative të mallrave dhe ta bëjnë sa më elastike. Kjo është ekonomia. Kjo është rritja. Kjo është ajo çka mund të bëjmë mbështetur në potencialin tonë.

Për ta përmbyllur, nëse secili prej nesh do të rrinte më vete, ne jemi tregje të vogla e ekonomi shumë të vogla. Nëse ne bëhemi sëbashku, ne bëhemi treg i rëndësishëm dhe mund të bëhemi ekonomi e rëndësishme. Natyrisht për nevojat tona. Kështu që, besoj se kjo pjesë e procesit është thelbësore dhe do të përqendrohemi shumë aty si qeveri shqiptare. Këtë gjë pashë edhe nga kolegët e tjerë. Do të ketë një përqendrim, një fokus shumë të madh me ndihmën dhe asistencën e BE-së, Bankës Botërore dhe të tjerëve, në mënyrë që të çlirojmë këtë pjesë të rritjes dhe të eksportit që është e bllokuar për shkak të këtyre pengesave të çmenduara dhe burokratike e administrative.

 

-Zoti Komisioner, bëhen 4 vjet nga nisja e Procesit të Berlinit dhe një sërë projektesh, shumë pak prej tyre për të mos thënë fare kanë nisur zbatimin. Kur prisni realisht që këto projekte të financuara nga Bashkimi Europian të nisin zbatimin në gjithë vendet e Ballkanit perëndimor? Ju në fakt jeni kujdesur në Tëitter-in tuaj të thoni që zona ekonomike rajonale nuk nënkupton anëtarësimin e Ballkanit në Europë. Ku e shikoni ju në këtë proces, Ballkanin? Zoti Kryeministër, ju cituat që refuzoni të pranoni etiketimet për shqiptarët si kriminelë, duke nënkuptuar ndoshta Holandën. Folët me komisionerin për problemin e ngritur dhe në media?

Komisioneri Hahn: Për sa i përket pyetjeve që më bëtë, jemi tashmë në samitin e katër apo të pestë, e në një farë mënyre unë kam qenë i ashpër me vendet. Në 2017 ne kemi pasur evenimente, të cilat kanë qenë shumë të rëndësishme për projektet, të cilat do të sigurojnë përshpejtim në dy muajt që do vijnë. Tashmë po fillojmë realisht të ndërtojmë hekurudha, autostrada, për sa i përket projekteve. Hapi tjetër është ekonomia digjitale apo në fushën e energjetikës për të pasur linja më të mira, të elektricitetit apo rrjete më të mira.

Ndërkohë që hapi i mëtejshëm është kjo zonë rajonale ekonomike. Meqë ra fjala, vitin e kaluar në Paris, ne ramë dakord për një nismë për rininë që do të thotë që të rinjtë do të kenë mundësi që të punojnë në pjesë të tjera të rajonit, në vende të tjera të rajonit. Kemi zyrën që është ngritur këtu në Tiranë dhe që tashmë po propozon dhe po prodhon rezultate konkrete.

Një tjetër nismë në Paris ishte që t’u ofronim nëpunësve civilë, të rinjve, mundësinë për të marrë pjesë në programe kualifikimi të financuara nga Franca, gjithashtu edhe për t’u dhënë mundësinë që për disa javë të shkojnë në vende të tjera të rajonit për të bashkëndarë përvojën, për të krijuar rrjete. Kjo ka qënë mjaft e suksesshme. Secili prej vendeve ka emëruar 5 persona dhe natyrisht duke qenë kaq e suksesshme, kjo do të përsëritet dhe do të kemi fazën e dytë të kësaj nisme e cila  pritet të fillojë shumë shpejt.

Pra, ka rezultate mjaft konkrete, disa janë më të dukshme, disa janë më pak të dukshme. Por në të vërtetë do të na duhet të punojmë tek ato që janë më të dukshme dhe në ato të tjerat, në mënyrë që të krijojmë besim mes qytetarëve, në mënyrë që ky proces të kuptohet. Ai duhet të mbështetet dhe duhet të kuptohet nga qytetarët si një kontribut i madh në përmirësimin e kushteve të jetesës.

Kryeministri Edi Rama: Unë besoj që është shumë e rëndësishme që të gjithë ta kuptojnë se ky është një proces historik për sa i përket një transformimi historik që mund të sjellë, jo vetëm politik, por edhe ekonomik dhe social. Nëse numërojmë 4 vjet dhe na duket shumë, rrugët, hekurudhat, ndërlidhjet energjetike, ndërlidhjet dixhitale dhe në tërësi projektet që bëhen me Bashkimin Evropian, nuk bëhen si rrugët që bënim ne deri para ca vitesh, duke thënë “rrugë, rrugë, rrugë”. Bëje sot, e nesër nuk e ke aty. Kërkojnë kohën e vet për t’i identifikuar, për të caktuar, për të studiuar dhe pastaj për të konkretizuar financimin dhe kontratat. Kështu që 4 vjet në këtë histori për ne janë shumë, sepse kemi shumë kohë që presim, por janë krejt normale për sa i përket asaj që ne po ndërtojmë së bashku me Bashkimin Evropian dhe po të kemi parasysh që para këtyre 4 viteve, kemi 40 vjet apo 400 vjet që nuk kemi bërë asgjë në këtë funksion.

Për sa i përket pyetjes lidhur me Holandën. Holanda është një shtet, është një mbretëri, kështu që nuk e marr fare pyetjen në këtë formë. S’kemi ne problem as me Holandën, as me një shtet tjetër. Unë flas për mënyrën se si në media, apo përmes zërave që kanë axhendat e tyre në vendet e Bashkimit Evropian, targetohen të ardhurit nga vendet e tjera dhe targetohen dhe shqiptarët.

Në momentin kur në një vend apo në një vend tjetër, një etni lidhet me kriminalitetin, kjo për mua është e papranueshme.

Nëse ka kriminelë në Europë, ata kanë të gjitha pasaportat e mundshme dhe çdo shtet duhet t’i trajtojë si të tillë, t’i çojë përpara drejtësisë, por identifikimi dhe propagandimi i etnisë së kriminelëve nuk ka lidhje me Europën që kemi dhe me Europën që duam. Ka lidhje vetëm me axhenda politike dhe mediatike në një Europë që kalon një periudhë turbullire në raport me të ardhmen e vet.

Kështu që me lejoni t’iu them, janë 700 mijë polakë në Britaninë e Madhe dhe janë vetëm 65 mijë njerëz nga gjithë Ballkani dhe për të propaganduar nevojën e daljes nga Europa, u përdorën shqiptarët dhe u përdorën ballkanasit si problemi i Britanisë. Kjo është e gjitha propagandë. Kjo nuk ka lidhje me realitetin e gjërave.

Në realitetin e gjerave ka një problem shqetësues që lidhet me faktin se qytetarët e këtij rajoni dhe qytetarët e Shqipërisë nuk kanë asnjë shans që të marrin azil politik në Europë. Asnjë shans!

Është thjesht rënie pre e rrjeteve kriminale që përdorin nevojën normale të njerëzve për të kërkuar një jetë më të mirë, për të kërkuar një punë, e kështu me radhë. Dhe kërkimi i një jete më të mirë dhe një pune jashtë vendit është gjeja më normale në botë. Ndodh në çdo vend, do të vazhdojë të ndodhi. E për ne problemi është se nuk jemi pjesë e tregut të lirë, të forcave të punës. Nuk ka shënim asgjëkund në ndonjë vend kur lëvizin polakët, kur lëvizin cekët, kur lëvizin hungarezët, me miliona e miliona dhe shkojnë për të punuar në vendet e  Bashkimit Europian, apo në vendet e Perëndimit. Apo ku lëvizin me qindra e mijëra nga një vend si jugu i Italisë drejt Gjermanisë, apo nga një vend si Portugalia drejt Britanisë. Nuk mban njeri shënim sepse janë forca pune që lëvizin.

Kur lëvizin shqiptarët, ose  lëvizin të tjerët që nuk janë pjesë e këtij tregu, atëherë mbahen shënim dhe fillojnë historitë.

Ne duhet të bëjmë pjesën tonë dhe po bëjmë pjesën tonë. Por as nuk bëhet fjalë që ne të pranojmë që të identifikohemi për propagandë si problem kriminal, apo ku ta di unë se çfarë. Kriminelët nuk kanë atdhe. Janë njerëz që bëjnë krime dhe të shkojnë të paguajnë sipas vendeve. Ne kemi për borxh të merremi me kriminelët në Shqipëri dhe nuk i ndajmë, a janë italian,  a janë shqiptar, a janë grekë, a janë brazilianë. Ata të merren me kriminelët në vendet e tyre dhe mos të na shqetësojnë me këto ndarje, sepse këto ndarje për ne janë pa lidhje me Europën ku jetojmë.

Shumë Faleminderit!  

Shkruaj Mesazh

Kontakto me Kryeministrin

Shkruaj Mesazh

Reportazhe Eksklusive

Dokumentarë

Reportazhe Eksklusive

Për Gazetarët

Hapësira Mediatike

Për Gazetarët

Raport publik

300 Ditë

Raport publik