Postuar më : 17 Prill 2017

Bojkoti i parlamentit largon Shqipërinë nga BE

Deklaratë për shtyp e Kryeministrit Edi Rama dhe ministrit të Jashtëm gjerman Sigmar Gabriel:

Kryeministri Rama: Mirëdita! Është kënaqësi dhe nder i veçantë, që sot kemi një mik të posaçëm, ministrin e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Sigmar Gabriel. Përfitoj nga rasti ta falënderoj edhe publikisht për kohën që mori për të ardhur në vendin tonë dhe për kontributin e tij të vazhdueshëm në mbështetje të Shqipërisë, në mbështetje të Procesit të Berlinit për të rritur bashkëpunimin rajonal dhe rolin e Shqipërisë në këtë kontekst e padyshim, edhe në mbështetje të procesit të integrimit europian të Shqipërisë.

Ne i jemi shumë mirënjohës Gjermanisë, qeverisë gjermane, Kancelares dhe ministrit të Jashtëm, për kontributin e posaçëm në mbështetje të reformave transformuese në vend dhe padyshim të reformës në drejtësi. Një mbështetje e shprehur, por edhe e pasqyruar më së miri në ekspertizën dhe asistencën gjermane për forcimin e administratës publike, shtetin e së drejtës e po ashtu, për projektet në infrastrukturë, energjetikë, arsimin profesional dhe jo vetëm.

Pata mundësinë që ta informoj ministrin e Jashtëm për të gjitha hapat që qeveria shqiptare ka ndërmarrë në përmbushje të prioriteteve të anëtarësimit në Bashkimin Europian. Po ashtu, edhe për të gjithë sfidat që ne kemi, duke nisur nga sfida shumë e rëndësishme e fillimit të zbatimit të Vetting-ut për të çliruar sistemin tonë të drejtësisë nga gjykatësit dhe prokurorët e korruptuar dhe për t’i dhënë një mesazh të qartë dhe të prerë Bashkimit Europian, miqve dhe partnerëve tanë, se Shqipëria është gati të fillojë bisedimet për anëtarësim në Bashkimin Europian.

Patjetër që folëm për rajonin. I dëgjuam me shumë vëmendje vlerësimet e ministrit të Jashtëm të Gjermanisë, pas vizitës së tij në Serbi dhe Kosovë dhe ndamë pikëpamjet mbi ecurinë e mëtejshme të një procesi historik që ka nisur për rajonin, Procesin e Berlinit ku ministri Gabriel po luan një rol të veçantë që takimi i radhës në Trieste të jetë një takim frytdhënës, në vazhdën e takimeve të bëra më parë në Berlin, Vjenë dhe Paris.

Së fundi, ne rikonfirmuam vullnetin tonë për të shkuar më tutje me reformat, për të vazhduar të qëndrojmë krah për krah Gjermanisë në sfida të përbashkëta dhe për të bërë çdo gjë që në Shqipëri dhe në rajon të vazhdojë të afirmohet perspektiva europiane dhe të mbahen larg aktorë të tretë që kërkojnë të përfitojnë nga vakumi, por që në të njëjtën kohë nuk kanë lidhje me perspektivën europiane të Shqipërisë.

Shumë faleminderit Zoti ministër për gjithçka keni bërë dhe bëni ju dhe qeveria juaj për ta mbështetur vendin tonë, ku ekziston një miqësi e veçantë dhe e vjetër me Gjermaninë. Është, besoj, i vetmi vend ku goli i kombëtares gjermane ndaj kombëtares shqiptare është brohoritur nga gjithë shqiptarët, në një nga eliminatoret ku rrezikonit të mos hynit, po të mos mundnit Shqipërinë. Kështu që në atë kohë, ne kemi qenë dakord që ju ta mundni Shqipërinë dhe të shkoni në finale. 

 

Ministri Sigmar Gabriel: Shumë i nderuar Zoti Kryeministër!

Të nderuar zonja dhe zotërinj!

Nuk di të them nëse duhet të ketë një kufi në miqësinë mes Gjermanisë dhe Shqipërisë. Për sa i përket futbollit mund të bëjmë tifo dhe vetëm për skuadrat tona. Në familjen time unë kam një problem lidhur me këtë. Gruaja ime bën tifo për Bayern Munchen, ndërsa unë për Ëerder Bremen. Është një konkurrencë e ngjashme si ajo mes jush dhe Zotit Basha, vërtet kaq e fortë.

Fillimisht, shumë faleminderit për pritjen tuaj kaq miqësore! U pamë përpara pothuaj 5 javësh në Berlin. Mendoj se kemi diskutuar rreth një sërë temash që kanë një rëndësi mjaft të madhe për zhvillimin e mëtejshëm të vendit tuaj. Fillimisht dëshiroj të them që ajo çka po them këtu në Tiranë nuk është thjesht pikëpamja ime personale, por dhe pikëpamja e qeverisë federale, pikëpamja e zonjës Kancelare Merkel.

Ne të dy jemi anëtarë të partive social-demokrate dhe shpesh mund të interpretohet si pikëpamja jonë e përbashkët në këtë drejtim, por më lejoni dhe një herë të nënvizoj që ky është një pozicionim i qeverisë federale, i cili është mjaft i qartë rreth asaj çka duhet të ndodhë këtu dhe në vendet e Ballkanit Perëndimor.

Më lejoni të them që për vendet e Ballkanit Perëndimor jemi të bindjes se ata mund të ecin në rrugën e tyre drejt Bashkimit Europian. Forca e Bashkimit Europian për të krijuar dhe për të ofruar perspektivën e integrimit në BE vazhdon të mbetet e njëjtë. Ne ndihemi në një farë mënyre të detyruar të krijojmë mundësitë për të përshpejtuar dhe për të lehtësuar këtë rrugë.

Së dyti, ne të gjithë e dimë se Shqipëria dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor nuk mund të bëhen që nesër anëtarë të Bashkimit Europian, pasi për këtë rrugëtim do të duhet të përmbushen një sërë premisash. Por ne si qeveri federale jemi të mendimit që në periudhën midis sot dhe deri në momentin e anëtarësimit në BE, mund të bëjmë shumë më tepër për zhvillimin social-ekonomik të Shqipërisë dhe vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor. Sepse, nëse politikanët janë të qartë që një rrugë ka nevojë për kohën e vet, nuk duhet të besojmë që njerëzit të jenë përjetësisht të durueshëm, por për njëfarë periudhe duhet gjithsesi t’ju shpjegohet dhe në një farë mënyrë t’ju tregohet rruga që të çon drejt këtij destinacioni. Është një rrugë për të cilën ia vlen të angazhohesh. Në zhvillimet ekonomike duhet bërë më tepër. Po ashtu, në drejtim të sigurisë sociale duhet bërë më tepër dhe për këtë qëllim, sipas bindjes së qeverisë federale, duhet më tepër angazhim.

Ne pyesim veten prej shumë kohe, pse është kaq e vështirë që të përshpejtohen, apo të realizohen projekte të tilla infrastrukturore, siç është zëvendësimi i termocentraleve, apo përmirësimi dhe realizimi i projekteve të ndryshme infrastrukturore prej të cilave do të përfitonin shumë vende të rajonit si Shqipëria, Kosova, Serbia e të tjera. Mund të themi që ne kemi marrë seriozisht të gjitha shënimet, apo thëniet e Kryeministrit  Rama lidhur me entuziazmin fillestar të Procesit të Berlinit, por që ndërkohë ka një lloj dyshimi përsa i përket ngadalësimit të këtij Procesi.

Ndaj ne dëshirojmë që në kuadër të Këshillit të Ministrave të Jashtëm të Bashkimit Europian, në kuadër të takimit të radhës në Trieste, të bëjmë dhe njëherë të qartë se ku mund të ndihmojmë e kjo ndihmë mund të jetë hera-herës e natyrës financiare. Shqipëria ndërkohë na ka bërë të qartë që ka dhe mangësi të ndryshme teknike, për t’i realizuar konkretisht këto projekte. Ne ndihemi të nderuar të japim kontributin tonë në këtë drejtim.

Pika e tretë është që qeveritë e rajonit t’i inkurajojmë në rrugën e tyre drejt Bashkimit Europian dhe të mos i paralizojmë reformat e iniciuara tashmë. Ndonjëherë është e vështirë të bëhet kjo, sepse shpeshherë prekim interesa të caktuara e megjithatë nuk ka alternativa të tjera, përveç reformave. Për shembull, përkundrejt reformës në sistemin e drejtësisë, apo luftës ndaj korrupsionit, apo të krimit të organizuar kudo në rajon, nuk ka asnjë alternativë përveç tyre.

Ne kemi qenë jashtëzakonisht të kënaqur që ndryshimet ligjore dhe ato të Kushtetutës, të cilat ishin të nevojshëm për të vënë në rrugë të mbarë reformën në sistemin të drejtësisë këtu në Shqipëri, patën konsensusin të të gjitha palëve politike. Ishte një shenjë simbolike mjaft pozitive. Pikërisht në këtë moment, kur bëhet fjalë për realizimin e reformës në sistemin e drejtësisë apo procesin e Vetting-ut, na shqetëson kur vendi është i ndarë në dy pjesë, pra, kur deputetët e përzgjedhur për të qenë e për të zhvilluar punën e tyre në parlament e bojkotojnë atë. Kjo nuk është diçka e pranueshme, apo e kuptueshme nga ana jonë. E më lejoni ta përsëris se ky nuk është opinioni im personal, por është ai i qeverisë federale, sëbashku dhe Kancelares federale që përfaqëson CDU/CSU në Gjemani, të cilët kanë shkruar gjithashtu një letër përkatëse këtu në Shqipëri. 

Pra, fillimisht, ne mundet vetëm të apelojmë për rikthimin e opozitës në parlament. Së dyti, të realizojmë procesin e Vetting-ut dhe reformës në sistemin e drejtësisë. Nëse opozita ka shqetësime përsa i përket zgjedhjeve të lira e të ndershme, ka një mundësi për t’u kujdesur për t’i pasur këto zgjedhje të lira e të ndershme. Ne jemi të gatshëm të ndihmojmë për këtë. Të sjellim më tepër vëzhgues zgjedhorë, të diskutojmë më tepër sesi mund të formësohet dhe financimi i fushatave elektorale, por për këtë mund të diskutohet në parlament e jo në çadër. Ndaj ne këshillojmë me urgjencë që ky bojkot i parlamentit të përmbyllet në mënyrë që të shkohet në zgjedhje të lira e të ndershme.

Nëse zgjedhjet bojkotohen, apo nëse vendi kësisoj kalon në një situatë kaotike, sigurisht për këtë nuk mund të kemi mirëkuptim e nuk mund të ofrojmë mbështetje. Si politikan, secili prej nesh duhet të ndërmarrë vendime, të cilat ndonjëherë do duhet të kapërcejnë interesat tona personale, duke vënë në plan të parë interesat kombëtare.

Në fund do duhet të vendoset për interesat e qytetarëve të vendit. Mendoj që interesi kryesor i qytetarëve të vendit tuaj është vijimësia e rrugës drejt BE-së. Kush bojkoton parlamentin, ai largon vendin prej BE-së dhe dëmton interesat e qytetarëve të vendit të vet. Mendoj që kësisoj do të ishte me rëndësi maksimale që opozita të rikthehet në parlament, që reforma në sistemin e drejtësisë të zbatohet dhe të organizohet një proces zgjedhjesh të lira e të ndershme, në përfundim të të cilit do shikohet rezultati.

Proceset në të gjithë Europën bazohen në disa parime plotësisht të thjeshtë. E para, kufijtë për politikanët i ofron Kushtetuta e ligjet. Pse dëshirojnë njerëzit të shkojnë në Europë? Sepse Europa është një sinonim për shtetin ligjor, për forcën e ligjit dhe jo për ligjin e forcës. Së dyti, parimi i demokracisë bazohet në faktin se ata që janë në pakicë të mund të pranojnë shumicën, sepse në një farë mënyrë ushqejnë shpresën që dikur do bëhen shumicë. Sikurse Edi Rama që ka qenë dikur në pakicë e tani është shumicë qeveritare. Pra, pikërisht kjo përbën parimin e demokracive europiane.

Unë besoj që është e rëndësishme t’i qëndrojmë këtij parimi, edhe pse edhe ne si socialdemokratë në Gjemani, kemi përvojë në lidhje me këtë. Shpeshherë nuk kemi pasur premisat më të mira e megjithatë do duhet të merren parasysh premisat më të mira për zhvillimin e vendit.

Ne si gjermanë dëshirojmë t’ju ndihmojmë e t’ju shoqërojmë në rrugën tuaj, por kjo ka për kusht që zhvillimi i vendit të ketë për aktorë të gjithë forcat politike të vendit. E këtu duam t’ju inkurajojmë.

 

Kryeministri Rama: Shumë faleminderit për shpërfaqjen e qartë dhe të unifikuar të të gjithë qeverisë gjermane dhe me siguri ne do të jemi në gjendje ta kapërcejmë dhe këtë moment e të vazhdojë në rrugën tonë.

Shumë faleminderit! 

Shkruaj Mesazh

Kontakto me Kryeministrin

Shkruaj Mesazh

Reportazhe Eksklusive

Dokumentarë

Reportazhe Eksklusive

Për Gazetarët

Hapësira Mediatike

Për Gazetarët

Raport publik

300 Ditë

Raport publik