Postuar më : 01 Qershor 2017

Deklaratë për shtyp e Departamentit të Administratës Publike

Deklaratë për shtyp e Drejtores së Departamentit të Administratës Publike, Albana Koçiu:

Duke qenë se jemi në periudhën e fushatës zgjedhore për zgjedhjet parlamentare të qershorit, nën cilësinë e titullarit të Departamentit të Administratës Publike, dëshiroj të bëj disa sqarime të rëndësishme lidhur me të drejtat dhe detyrimet e punonjësve të Administratës gjatë kësaj periudhe.

Fillimisht do doja të theksoja se, e drejta e të gjithë individëve për t’u organizuar, për të marrë pjesë nëpër grupime, apo aktivitete politike është një e drejtë themelore e sanksionuar në Kushtetutë. Por, po në respektim të Kushtetutës kjo e drejtë nuk mund të ushtrohet nga nëpunësit në mënyrë të pakufizuar.

Sa i përket nëpunësit civil, ka disa parashikime në këtë kuadër të cilat përcaktohen në legjislacionin e shërbimit civil, si të drejtat politike të nëpunësve civilë:

Çdo nëpunës civil ka të drejtë të marrë pjesë në veprimtari politike, për sa kohë, kjo bëhet vetëm jashtë orarit zyrtar dhe pa u bërë protagonist në këto veprimtari.

Çdo nëpunës civil ka të drejtë të kandidojë dhe të zgjidhet në zgjedhjet për Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, apo për organet e qeverisjes vendore, por në momentin që regjistrohet si kandidat duhet të pezullohet nga ushtrimi i detyrës.

Nëpunësi civil, përjashtuar nivelin e lartë drejtues, kanë të drejtë të jenë anëtarë të partive politike, por nuk mund të jenë anëtarë të organeve drejtuese të tyre.

Në qartësim të detyrimeve dhe kufizimeve që nëpunësit e administratës kanë gjatë kësaj periudhe zgjedhore, Urdhri i Kryeministrit, i datës 12 maj 2017, ka të parashikuara rregulla të qarta të sjelljes dhe të veprimtarisë për të gjithë titullarët dhe nëpunësit e institucioneve të Administratës Publike, përfshirë edhe shërbimin civil.

Bazuar në këtë urdhër:

Ndalohet kategorikisht përdorimi i mjeteve, fondeve, materialeve të ndryshme, pronë e Administratës Publike, si dhe burimeve njerëzore të institucioneve të Administratës Publike të çdo niveli.

Përcaktohet qartë ndalimi i fushatës zgjedhore në institucionet publike, ndalimi i përdorimit të detyruar të administratës së institucionit për veprimtari të fushatës zgjedhore brenda orarit të punës, si dhe i nxënësve të sistemit shkollor parauniversitar brenda orarit mësimor.

Gjithashtu, në kuadër të këtyre masave, sot po finalizohet edhe Vendimi i cili do të miratohet nga Këshilli i Ministrave dhe që, ndër të tjera, parashikon edhe ngritjen e një strukture të posaçme monitorimi për administratën gjatë kësaj periudhe, në respekt të të drejtave dhe detyrimeve që të gjithë punonjësit e Administratës shtetërore në përgjegjësi dhe nëpunësit në veçanti duhet të kenë në konsideratë gjatë kësaj periudhe.

Është e rëndësishme të qartësoj edhe njëherë:

Të drejtat politike për punonjësit të Administratës Publike fillojnë pas orarit zyrtar dhe jashtë perimetrit të institucioneve të administratës.

Kushdo ka të drejtë të plotë dhe të pacenueshme të angazhohet me cilëndo parti politike. Mësuesit janë të lirë. Drejtorët janë të lirë. Por jashtë perimetrit të institucionit dhe jashtë orari zyrtar.

Departamenti i Administratës Publike, së bashku me strukturat monitoruese, do të vazhdojë të ketë në vëmendje çdo shkelje të rregullave dhe çdo presion që do t’u bëhet punonjësve të Administratës për të marrë pjesë, pa dëshirën e tyre dhe pa vullnetin e tyre në aktivitetet politike nëpërmjet kërcënimit me vendin e punës, apo dhe me forma të tjera presioni.

Jemi maksimalisht të organizuar për të siguruar mbarëvajtjen normale të punës në Administratën Publike, për t’iu shërbyer qytetarëve me korrektësi gjatë kësaj periudhe, duke u kujdesur njëkohësisht edhe për respektimin e të drejtave kushtetuese të çdo punonjësi, pa rënë ndesh me detyrimet dhe përgjegjësitë që ata kanë si funksionarë publikë të këtij shteti.

Faleminderit!

Shkruaj Mesazh

Kontakto me Kryeministrin

Shkruaj Mesazh

Reportazhe Eksklusive

Dokumentarë

Reportazhe Eksklusive

Për Gazetarët

Hapësira Mediatike

Për Gazetarët

Raport publik

300 Ditë

Raport publik