Postuar më : 14 Prill 2017

Gati për dialog

Konferencë për shtyp e Kryeministrit Edi Rama:

Në situatën surreale që ka krijuar Partia Demokratike, duke u përpjekur të minojë themelin e jetës demokratike, lirinë dhe të drejtën e votuesve te saj për të zgjedhur, po ndodh ajo qe s'ka ndodhur kurrë në Shqipëri. Është opozita zyrtare dhe jo qeveria, që refuzon dialogun. 

Ka kaluar Shqipëria, kriza politike reale, edhe të rënda, të gjitha me një arsye të fortë ose shumë të fortë të lidhur me popullin apo me një pjesë të konsiderueshme të tij, por kurrë ky vend nuk ka parë një krize të tillë artificiale, ku populli s’është fare pjesë dhe krizën e ka provokuar dhe e promovon një elitë e korruptuar, e izoluar, e harbuar, politikanësh, gjykatësish, prokurorësh e analistësh. 

Edhe në krizat më të renda, ka qenë opozita që ka kërkuar me këmbëngulje dialog dhe qeveria që e ka refuzuar, penguar apo shmangur dialogun deri kur gjërat kanë shkuar fare në ekstrem, duke detyruar komunitetin ndërkombëtar të ndërhyjë me forcë. Po kurrë s'ka ndodhur deri më sot që qeveria të lutet për dialog dhe opozita ta refuzojë brutalisht dialogun, t'i trembet dialogut si djalli temjanit, të sabotojë çdo përpjekje të qeverisë për dialog.

Personalisht unë kam shprehur gatishmërinë time për dialog qysh në ditën e parë të qeverisjes sonë. Kam kërkuar me këmbëngulje dialog kur gjerat kanë ngecur dhe e kam nxitur dialogun e palës sonë sa kam mundur në çdo instance; kujtoj këtu gjithë rrugëtimin e reformës në drejtësi apo gjithë rrugëtimin e përpjekjes për një reformë zgjedhore që adreson minimalisht rekomandimet e OSBE/ODIHR, si momente kyçe të procesi legjislativ që në këtë mandat ka pasur domosdoshmërinë për këto dy reforma të mëdha.

Fatkeqësisht nuk ia kam dalë dhe nuk ia kemi dalë thuajse fare të kemi një dialog që mund të konsiderohet i denjë për këtë koncept bazë të bashkëjetesës demokratike. Sepse asnjëherë opozita s'ka dashur të përfitoje nga gatishmëria jonë dhe hapësirën e panjohur më parë që ka pasur në parlament prej tre vitesh e gjysmë, e ka abuzuar si mos me keq, për të nxitur dasinë e vjetër dhe një konflikt të vazhdueshëm. 

Megjithatë, sot përsëri jam këtu për dialogun dhe nevojën që të ulemi në tryeze pa kushte. Edhe pse kërkesat e opozitës dhe forma e zgjedhur prej saj për t'i imponuar ato, janë të padëgjuara në 27 vjet pluralizëm dhe të panjohura në historinë moderne të demokracisë europiane, prapëseprapë unë e kam pranuar diskutimin e atyre kërkesave në tryezë. Pa vënë asnjë kusht për kohën, vendin, formatin dhe i gatshëm që të pranoj zhvillimin e dialogut me media apo pa media, sipas dëshirës së Lulëzim Bashës, Partisë Demokratike dhe atyre që janë aty, të ngujuar në çadër.

E kam mobilizuar zyrën time për të komunikuar me zyrën e kryetarit të Partisë Demokratike, duke kontaktuar pa pushim për ditë të tëra. Pa sukses. Kam treguar gatishmërinë e menjëhershme për të mbështetur një nisëm të Presidentit të Republikës për dialog, pavarësisht rezervave te mëdha që kam për pozicionimet e anshme të Presidentit në momente kyçe, kur ky vend kishte nevojë për paanshmërinë e tij. Por mesa duket edhe nisma vullnetmirë e Presidentit nuk po sjell asnjë sukses për ta bindur Lulëzim Bashën të ulet në tryezë, edhe pse i është lënë Lulëzimit dorë e lirë të vendosë çfarë do të diskutojë në tryezë. 

Jam realisht i trishtuar, për gjithçka më dëgjojnë veshët nga miqtë e partnerët e Shqipërisë lidhur me këtë pozicionim krejtësisht të papranueshëm dhe të pakuptueshëm të Partisë Demokratike. Jo vetëm sepse kjo krizë artificiale po bllokon zbatimin e Vettingut e për pasojë po rrezikon edhe hapjen e negociatave për anëtarësim të Shqipërisë, por t’ju them të drejtën, edhe thjesht sepse nuk me pëlqen aspak që një parti e madhe shqiptare është bërë qesharake në sytë e botës, duke rrezikuar të na bëjë qesharakë të gjithëve, si vend, si shtet, si komb!   

E problemi i madh është që kësisoj, kjo krizë artificiale, krijon sidoqoftë një perceptim negativ për Shqipërinë, dekurajon jo vetëm miqtë dhe partnerët që duan të ndihmojnë dhe kanë treguar dhe tregojnë në vijimësi se e duan Shqipërinë në tryezën e familjes së Europës së bashkuar, por dekurajon investitorët dhe konsumatorët shqiptarë, godet imazhin dhe ekonominë e vendit, nxit paligjshmërinë, patjetër frymëzon kriminalitetin, ushqen edhe fantazinë e atyre që nuk e duan këtë vend, duke krijuar shtigje për të synuar një destabilizim të mundshëm e kthim me vite të tëra mbrapa të Shqipërisë.

Pavarësisht bindjes se këto shtigje ne do t'i mbyllim medoemos, me tolerancë zero ndaj çdo shkeljeje kushtetuese e ligjore; pavarësisht se ne nuk do të tolerojmë asnjë kthim mbrapa në kohët e zymta pa shtet, pa ligj, pa siguri për qytetaret tanë; pavarësisht se ne nuk do te lejojmë kurrë që populli sovran i Shqipërisë të merret peng nga kushdo qoftë brenda dhe jashtë vendit që mund të dojë të përfitojë nga kjo situatë për të goditur Shqipërinë, duke e kthyer atë në një tjetër vatër krize në rajon, - dialogu mbetet një domosdoshmëri. 

Prandaj, përsëri, i bëj publikisht thirrje arsyes së Lulëzim Bashës dhe i them, mos ki frikë nga dialogu; mos vazhdo të ecësh qorrazi në një marshim që çon në humnerë Partinë Demokratike dhe krijon një tymnajë të pamerituar për atdheun tonë të përbashkët, duke frymëzuar forca që nuk i duan të mirën Shqipërisë; mos shiko armiq aty ku s'ka dhe mos na turpëro të gjithëve, duke sulmuar miqtë e partneret e këtij vendi me gjuhen vulgare të Luftës së Ftohtë dhe mos e pengo më luftën tonë të përbashkët, të këtij populli, me luftën tënde për pushtet, mos e pengo Vettingun dhe rrugëtimin europian të Shqipërisë. 

Ulu në tryeze. Përcaktoji vetë gjithë modalitetet e uljes në tryezë. Nëse ke frike nga unë, propozo një rruge dialogu që ty të duket më e lehtë. Ke thënë që dëshiron të ulen të tjerë për të përgatitur uljen tënde me mua. Është absurditet, por s'ka problem. Cakto njerëzit e tjerë, kë të duash. Cakto vendin, ku të duash. Cakto orën, kur të duash.  Na lajmëro dhe njerëzit tanë do jenë aty. Vetëm mos u vono dhe mos na vono! Sepse nëse fati yt politik Lulëzim, mua nuk më intereson fare, ashtu sikundër nuk më intereson fare fati i PD. Ty dhe mua, socialistët dhe demokratët, të gjithë shqiptarët dhe shqiptaret duhet të na interesoje qetësia dhe siguria e zgjedhësve të këtij vendi që janë njerëz dhe mbi të gjitha meritojnë njerzillëk, në radhë të parë nga ana jonë, nga ana e lidershipit politik në shumicë apo në opozitë. Duhet të na interesoje imazhi e stabiliteti i Shqipërisë, e patjetër dhe respekti i miqve e partnerëve tanë për këtë vend. Duhet të na interesojë Shqipëria, pastaj partia, shqiptarët pastaj kanakarët e gazetarët (se kam me ju, ju e dini me kë e kam), liria dhe e drejta e popullit tonë për të zgjedhur e për t'u qeverisur nga ata që zgjedh, pastaj liria dhe e drejta jonë për të ikur në drejtim të paditur. 

Ti e ke numrin tim të telefonit Lulëzim. Zyra jote e ka numrin e telefonit të zyrës time. Ndaje mendjen dhe më njofto një orë e më parë. Për të mirën e të gjithëve në radhë të parë, por pa diskutim për të mirën e zgjedhësve të tu, të partisë tënde dhe tënden personalisht.

Harroje se mund ta marrësh peng popullin, drejtësinë, shtetin!

Zgjedhjet nuk ke për t'i ndaluar dot kurrë, as ti dhe as të gjithë ata që mund të vijnë pas berihait ku ti i fton.

Këtë qeveri nuk ke për ta rrezuar dot kurrë, nëse populli nuk do ta vendosë ta largoje me votë më 18 qershor. Por edhe njollën e kësaj krize artificiale, nuk ke për ta shlyer dot kurrë nga ndërgjegjja jote, ashtu sikundër koston e saj të hatashme për Partinë  Demokratike nuk ke për ta shmangur dot, përveçse përmes dialogut, zgjidhjeve të arsyeshme, marrëveshjes për Shqipërinë dhe jo për karrigen tënde në PD apo për karrigen e atyre që janë futur në çadër, në emër të PD-së, por në fakt për llogaritë e tyre, thjesht dhe vetëm personale.

Po pres Lulëzim! Mos na turpëro të gjithëve se realisht ka filluar të na qeshë bota! Dialogu është e vetmja rrugë ku mund të gjejmë pika të përbashkëta dhe asnjë rrugë që shmang dialogun, nuk e çon Partinë Demokratike dhe opozitën zyrtare të mbledhur në çadër, në drejtimin e duhur. Duke ditur diçka më shumë se sa ti dhe sesa ju për drejtimin e duhur, mund t’u siguroj të gjithëve për këtë.

Dialog, dialog dhe vetëm dialog, pa kushte, por sigurisht edhe pa humbur kohë.

 

* * *

-Kur flisni për skenarë të njerëzve që nuk e duan Shqipërinë, ju flisni për lajmin që u bë publik dje, për një skenar për të ekzekutuar kryetarin e opozitës? Çfarë masash ka marrë qeveria që kjo mos të ndodhë dhe destabiliteti mos të prekë Shqipërinë?

Kryeministri Edi Rama: Nuk ka asnjë skenar për të ekzekutuar kryetarin e opozitës. Ka pasur një informacion, që është trajtuar me seriozitetin më të madh dhe pavarësisht se gjithë ekspertiza tregon se informacioni nuk është mjaftueshmërisht i besueshëm dhe burimi është kontradiktor, janë marrë të gjitha masat njësoj sikur kjo ishte diçka realisht e vërtetë. Sepse patjetër që siguria e të gjithë njerëzve dhe pa diskutim dhe e kryetarit të Partisë Demokratike është prioritet numër një, nëse kërcënohet. Por, përtej çfarë pompohet në katundin mediatik ju siguroj se kryetari i PD është më i mbrojtur se asnjëherë dhe sigurisht që do të jetë tërësisht i mbrojtur deri në fund, me gjithçka që shteti ka për detyrë.

-Në qoftë se ju nuk ia dilni dot ta bindni kryetarin e opozitës  të ulet në tryezë me ju, do të kërkoni ndihmë nga ndërkombëtarët për të mundësuar një tryezë dialogu? Nëse, edhe për të shmangur gjithë këtë turp që ju përshkruat në fjalimin tuaj, jeni të gatshëm të bëni një sakrificë ju për të plotësuar ndonjë nga kërkesat e opozitës?

Kryeministri Edi Rama: Plotësimi i kërkesave të opozitës nuk është sakrificë, është detyrim. Të gjitha kërkesat e opozitës që shkojnë në drejtimin e duhur, në respekt të Kushtetutës dhe të së drejtës së popullit sovran, për të zgjedhur ata që populli vendos që ta qeverisin, janë të gjitha të realizueshme dhe ne jemi të gatshëm për t’i diskutuar dhe për t’i votuar. Kjo është detyrë. Nuk është sakrificë.

Ndërsa sa i përket miqve dhe partnerëve, unë nuk e kam zakon t’u kërkoj ndihmë, sepse unë besoj që ne mund t’i zgjidhim vetë gjërat. Por, sigurisht që ndihma e tyre është gjithmonë e mirëseardhur dhe mund t’ju them me sinqeritetin më të madh që ata janë sot në një pozitë shumë të vështirë. Sepse po ndalohen për të dhënë ndihmën e tyre, po pengohen për të dhënë ndihmën e tyre. Po refuzohen në përpjekjen për të dhënë ndihmën e tyre dhe kjo e vendos natyrisht Partinë Demokratike në një dritë shumë jo pozitive në sytë e miqve dhe partnerëve, e pa dyshim në radhë të parë në sytë e familjes së Partive Popullore Europiane, ku Partia Demokratike është pjesë. Por, sigurisht nuk e vendos Shqipërinë në një dritë fort të shkëlqyeshme. Kështu që, ata kanë qenë me Shqipërinë, janë me ne, me popullin shqiptar dhe përpjekjet e tyre ju siguroj që po i bëjnë, por si asnjëherë më parë janë të dëshpëruar pasi deri tani i bien një muri shurdh.

Faleminderit!

Shkruaj Mesazh

Kontakto me Kryeministrin

Shkruaj Mesazh

Reportazhe Eksklusive

Dokumentarë

Reportazhe Eksklusive

Për Gazetarët

Hapësira Mediatike

Për Gazetarët

Raport publik

300 Ditë

Raport publik