Postuar më : 04 Maj 2017

Konferencë për shtyp e Kryeministrit Edi Rama

Konferencë për shtyp e Kryeministrit Edi Rama:

 

Faleminderit që jeni sot këtu. Mendoj se është një moment i volitshëm për të bërë një rezyme të situatës dhe për t’ju dhënë disa informacione, besoj unë të nevojshme, duke ndarë edhe me publikun që na ndjek në Facebook, atë çka është me interes në momentet e sotme.

Presidenti i Republikës dekretoi zgjedhjet në datën 18 qershor, me një dekret të fundvitit të kaluar dhe dua t’ju fus pak në botën tonë, të partive politike dhe të lidershipeve politike, për t’ju dhënë një ide si funksionon përgatitja drejt një beteje zgjedhore.

Në momentin kur bëhet e ditur data e zgjedhjeve, të paktën në partinë tonë, në lidershipin e partisë tonë, zhvillohet një punë e posaçme për të ndërtuar strategjinë. Kjo punë bazohet në anketimet e publikut, në fokus grupet e ndryshme, ku dëgjohen votues të Partisë Socialiste, votues të majtë, votues të djathtë, votues të Partisë Demokratike, votues të lëkundur, apo votues që nuk marrin pjesë në zgjedhje.

Kur ndërtohen fokus grupet, ata që flasin nuk janë në dijeni se kush po i pyet dhe merret një material goxha i gjerë, për të kuptuar ndjeshmëritë e publikut lidhur me çështje të ndryshme, lidhur me personazhet politike, me partitë politike dhe me pritshmëritë. Mbi këtë bazë dhe duke ndërvepruar në grupin që merret me ndërtimin e strategjisë, përcaktohet strategjia, përcaktohen mesazhet, përcaktohet kalendari i përshkallëzimit të aksionit politik deri ditën e zgjedhjeve dhe mënyra sesi shfaqen njëri pas tjetrit mesazhet dhe blloqet e ndryshme të strategjisë.

Kështu që ne bëmë kalendarin tonë dhe filluam punën tonë për zgjedhjet e 18 qershorit. Gjithkush bëri punën e vet.

Kam pasur një parandjenje të fortë, që e kam ndarë dhe me miqtë e partnerët tanë në periudhën kur votohej reforma në drejtësi, pjesa themelore e saj e ndryshimeve kushtetuese, që pika lidhur me Vetting-un do të na sillte probleme. Konkretisht, në të gjithë nivelet e përzgjedhjes, që i takojnë parlamentit, të individëve që bëhen pjesë e sistemit të ri të drejtësisë, ka një barazi 50% me 50% mes shumicës dhe pakicës në Kuvend.

I vetmi zë në gjithë këtë listë punësh të Kuvendit për të përzgjedhur njerëz në institucione të ndryshme kushtetuese të sistemit të ri të drejtësisë, ku mekanizmi zhbllokues nuk është, është Vetting-u dhe unë e kam ndarë shqetësimin ku Partia Demokratike do të kapet për të bllokuar zbatimin e reformës në drejtësi.

Kur diskutojmë për strategjinë, ajo ka dy anë; ka çfarë do bëjmë ne dhe çfarë do bëjë kundërshtari dhe sigurisht, atë që do bëjë kundërshtari përpiqesh ta përfytyrosh, duke e analizuar kundërshtarin, duke u munduar të kuptosh se ku ai mund të të bëjë surprizën.

Edhe pse surprizën e bllokimit të Vetting-ut, unë e kam pritur në një farë mënyre, nuk e kam pritur dhe nuk e kemi pritur bojkotin e Parlamentit dhe lidhjen e këtij halli, pra, atë të frikës nga Vetting-u që i hap rrugë zbatimit të reformës në drejtësi, me zgjedhjet. Që do të thotë se kundërshtari, përkatësisht Partia Demokratike, bëri një lëvizje surprizë dhe mori përsipër, në kuadër të strategjisë së vet, një aksion shumë të rrezikshëm për vetveten, por jo pa asnjë shans për të pasur sukses. E dimë të gjithë që shansi për të pasur sukses ishte mundësia potenciale për të destabilizuar koalicionin, duke u përpjekur të përçajë shumicën dhe duke mikluar Ilir Metën dhe LSI-në.

T’ju them të vërtetën dhe kam dëshmitarë për këtë, asnjëherë nuk kam besuar se do funksionojnë, se duke njohur shumë mirë Metën dhe mëryen e funksionimit të LSI-së, kam qenë i bindur që në sekondën e parë, se të gjitha përpjekjet e bëra nga Ilir Meta ishin pjesë e natyrshme e filozofisë së tij dhe e mënyrës se si është impostuar LSI në skakierën politike. Por jo ashtu siç u lexuan rëndom, apo u komentuan rëndom nga gjithë ata që donin çarjen e koalicionit, si përpjekje për të çarë koalicionin.

Faktikisht, presidenti i zgjedhur bëri çdo përpjekje, duke shkuar dhe përtej vijës që, sipas meje e sipas nesh, nuk duhej të kapërcehej nga askush në koalicionin tonë. Përpjekjet kulmuan me adresimin që ai i bëri, duke shfrytëzuar edhe marrëdhënien personale me Presidentin e Partive Popullore, me një letër Presidentit të Partive Popullore dhe disa personaliteteve të tjera, duke i ftuar që të jenë ata që të bëjnë përpjekjen e fundit për të tërhequr Partinë Demokratike në rrugën e arsyes dhe për të gjetur një kompromis të arsyeshëm, që do të mund t’i jepte fund kësaj situate surreale të PD-së, do të mund të zhbllokonte Vetting-un dhe do të mund të krijonte një bazë garancish për zgjedhje.

Ndërkohë, ne si koalicion dogjëm tre raunde të zgjedhjes së presidentit të ri, edhe pse votat i kishim, gjë që e konfirmoi edhe zgjedhja e Ilir Metës president, në raundin e katërt, me praktikisht 100% të votave të koalicionit, të pranishëm në sallë. Por vazhduam të kërkojmë që të përçojmë zërin e arsyes në murin absurd që Partia Demokratike ka vendosur mes vetes dhe sistemit demokratik në Shqipëri. Nuk patëm sukses në këtë përpjekje, edhe pse në momentin kur Partitë Popullore çuan këtu, një ndër figurat kryesore të tyre në shkalle europiane, Zotin McCallister, mundësia ishte akoma në tavolinë dhe pika e parë e platformës së kompromisit të propozuar nga Zoti McCallister me mbështetjen e BE dhe SHBA, ishte mundësia për një figurë sa më konsensuale të Presidentit të Republikës.

Unë besoj se ne e bëmë Presidentin e Republikës me votat e shumicës tonë, por duke respektuar maksimalisht nevojën e Partisë Demokratike për të pasur një president konsensual. President më konsensual, më me Partinë Demokratike, pa qenë anëtar i PD-së kuptohet, që të na bënte ne të votonim 100%, Partia Demokratike nuk kishte ku e gjente as në tokë, as në hënë. Në këtë aspekt, ne përmbushëm plotësisht detyrën për profilin e një presidenti që nuk përfaqëson Partinë Socialiste, nuk përfaqëson shumicën e 87 kartonave në sallë, por përfaqëson të gjithë spektrin politik shqiptar.  Madje le ta themi deri në fund, me më shumë komoditet për PD-në, të cilën e ka marrë shumë më tepër me të mirë, sesa ka marrë PS-në apo vetë partinë e tij, kur ka qenë puna për të drejtuar Kuvendin e Shqipërisë. 

Në këtë moment, strategjia e PD filloi të nxirrte ujë nga të gjitha anët. Ndërkohë që strategjia jonë për të shkuar drejt 18 qershorit me sukses funksionoi dhe funksionon.

Vijmë tek momenti i përpjekjes për kompromis nga ana e miqve tanë, përmes miqve të Partisë Demokratike të ardhur këtu. Patëm në tavolinë një platformë, e cila u mbyll nga ne në harkun e  30 sekondave. Qoftë nga Ilir Meta, qoftë nga unë. Pati një takim të mëpastajshëm, Zoti McAllister dhe Zoti Fleckenstein me Partinë Demokratike dhe u organizua takimi i famshëm apo famëkeq i Pallatit të Kongreseve. Famëkeq, sepse t’ju them të drejtën se kam ndierë veten ndonjëherë më keq, që dy përfaqësues politikë të dy partive më të mëdha në Shqipëri vijnë në një ndërtesë dhe shkojnë në dhoma të ndryshme, me një gjerman njëri dhe me një gjerman tjetri. Kjo ishte zgjedhja sigurisht e Lulzim Bashës, i cili nuk pranonte të ulej në tavolinë, pa pasur më parë dorëheqjen time të firmosur. Sidoqoftë aty, përveç platformës për të cilën ishim dakordësuar u vunë edhe 2 pika, si mundësi kompromisi.

Njëra pikë ishte mundësia për të shtyrë zgjedhjet deri më 16 korrik. Pika tjetër ishte mundësia për të bërë disa ndryshime në qeveri me disa figura teknike, që do të mund të garantonin sipas atyre që e kishin formuluar këtë propozim, më shumë opozitën.

Ilir Meta e ka pranuar menjëherë. Unë jam shprehur specifikisht kështu: Nuk i pranoj dhe nuk i refuzoj, por jam gati t’i diskutoj me kushtin që Partia Demokratike të votojë Vetting-un. Nëse votohet Vetting-u, edhe këto të tjerat mund t’i diskutojmë. Sigurisht kam nënvizuar se nuk mund të ketë shtyrje zgjedhjesh përtej asaj që lejon sot Kushtetuta dhe Kodi, pra, brenda qershorit. Megjithatë nuk ka qenë fare e nevojshme të diskutohej më gjatë, sepse në atë moment, Lulzim Basha ka ikur nga Pallati i Kongreseve, duke refuzuar këtë kompromis.

Politika është shah. Politika nuk është damë, që luhet si poker. Sigurisht që gjithkush zgjedh ta luajë siç e sheh të arsyeshme, por, nëse e luan politikën si damë dhe përdor metodën e pokerit, duke thirrur një blof, si blofi që thirri Lulzim Basha për 2 muaj, duhet të marrësh përsipër edhe koston që ka, nëse blofi zbulohet. Me blofin, thonë ata që luajnë poker, sepse unë nuk e njoh lojën, mund të fitosh shumë, por edhe mund të humbësh gjithçka.

Ndërkohë, për mua, politika është shah dhe shahu ka ligjësitë e veta, ka një strategji të tërë dhe lëvizje pas lëvizje fillon plani të shpaloset dhe kur plani zbulohet nga kundërshtari, kundërshtari është mat. Që do të thotë se sot jemi në kushtet kur nuk mundet dot të harrojmë se në fund fare nuk jemi këtu një palë, që veç të gjitha të tjerave duhet të bëjë edhe babysitter-in e palës tjetër dhe një palë që thotë prisni se jam dhe unë. Prisni se jam dhe unë e duhet të fillojmë lojën nga e para, meqë unë nuk e dija që ishte shah dhe e luajta si poker. Nuk funksionon!

Unë e di që kjo aventurë dhe ky blof patjetër që ka pasoja të rënda për Partinë Demokratike, por nuk janë çështja ime. Partia Socialiste dhe Partia Demokratike janë kundërshtarë. Unë nuk di ndonjë lloj sporti dhe asnjë ndonjë lloj ndeshjeje politike në ndonjë moment të historisë njerëzore, ku njëri kundërshtar i qan hallin kundërshtarit  tjetër dhe ku kundërshtari tjetër i thotë kundërshtarit më të fortë “ti nuk je këtu për të më mundur mua, por je këtu për të më bërë mua të fitoj”.

Këtë, unë s’e di si zhvillohet dhe ku bëhet.

Unë di që në cilësinë e Kryetarit të Partisë Socialiste mund të them se strategjia jonë ka funksionuar deri tani perfekt dhe strategjia e Partisë Demokratike ka dështuar me sukses. Partia Demokratike hyri në një aventurë për të marrë  peng qeverinë e vendit, qeverinë e zgjedhur me 1 milionë vota, për të marrë peng Reformën në Drejtësi, reformë që kërkohet nga 93% e shqiptarëve, pa dallim, për të marr peng procesin zgjedhor me idenë që e vetmja alternativë ku Partia Demokratike mund të barazohej me ne është kaosi, sepse në një proces normal zgjedhor, Partia Demokratike nuk ka asnjë shans të mundi koalicionin tonë.

Sot është dita për të  parë realitetin. Natyrisht që si Kryetar i Partisë Socialiste, unë ndihem shumë mirë që kemi zbuluar plotësisht panin blof të kundërshtarit. Si Kryeministër, patjetër që kam detyrimin të bëj gjithçka që zgjedhjet të jenë zgjedhjet më të mira që ka bërë Shqipëria. Ne nuk kemi bërë zgjedhje, si qeveri, deri më sot. Ne jemi një qeveri e dalë nga zgjedhjet që ka organizuar Partia Demokratike  në qeveri.

Partia Demokratike ka nuk e di sa kohë, që ka filluar të qajë për humbjen e zgjedhjeve që s’kanë ndodhur akoma dhe ka ngritur një mal me akuza për zgjedhje që akoma nuk janë bërë. Historitë me narko-republikën, me Noriegën, me kriminelë e me dreqin e shejtanin, janë strategjia e Partisë Demokratike, e përkthyer në mesazhe, për ata që duan t’i dëgjojnë dhe ata që duan t’i  besojnë. S’kanë lidhje me mua. Partia Demokratike mund të botojnë edhe në gazetën e Fahriut të Serbisë, në faqe të parë, që unë jam në krye të një narko-republike. Punë e saj!

Ajo që ka lidhej me mua dhe me ne është pjesa e arsyeve objektive që duhen adresuar, që të kemi zgjedhje të lira dhe të ndershme, më të mira se çdo herë tjetër në Shqipëri. Kjo është pjesa që më intereson mua nga gjithçka thotë Partia Demokratike. Për këtë arsye, unë si Kryeministër dhe ne si shumicë qeverisëse duhet t’i japim përgjigje pozitive disa pyetjeve;

A ka një problem në zgjedhjet në Shqipëri, në raportet mes atyre që kanë në dorë qeverinë dhe atyre që janë në opozitë, kur vjen puna tek avantazhet e të qenit  në pushtet?

Patjetër që ka. Ka pasur gjithmonë. Ju kujtohet përshembull, sesi në momentet e fundit, Sali Berisha u kuturis të hapë një tunel që ra pas zgjedhjeve. Qeveria ka një sërë instrumentesh që nuk i ka opozita. Instrumente që në zgjedhjet në Shqipëri janë përdorur rregullisht. Ne morëm një kritikë konkrete në zgjedhjet lokale të 2015-s nga OSBE/ODIHR, lidhur me përdorimin në zgjedhje të aktiviteteve të legalizimit.

Ata që janë në pushtet kanë logjistikë, kanë makina, asete që janë përdorur historikisht në zgjedhje në Shqipëri. Kjo është një pikë objektive dhe këtu, pavarësisht se shembullin më të shëmtuar të përdorimit të aseteve të shtetit e ka dhënë Saliu bashkë me Lulëzimin kur ishin në qeveri, ky është objektivisht problem.

A ka arsye për t’u shqetësuar për përdorimin e nxënësve dhe mësuesve, si një trupë shumë e madhe njerëzish dhe votuesish, në zgjedhje?

Nuk mund të përsëritet historia e Saliut, kur mbylleshin shkollat dhe shkonin të gjithë, mësues dhe nxënës, jo vetëm ata që votonin, por edhe ata që ishin ende kalamaj, për të duartrokitur Saliun dhe Jozefinën. Kjo nuk përsëritet!

Nuk përsëritet historia me Saliun që shkonte në oborr të shkollës, fliste me kalamajtë dhe u thoshte, thojuni  prindërve tuaj, sa i rrezikshëm është Edi Rama. Ju jeni dëshmitarë se gjëra të tilla, ne nuk bëjmë.

Por zakonet dalin me shpirtin dhe është hipokrizi të thuash se, sidoqoftë, pavarësisht vullnetit tonë absolut për të mos përfshirë shkollat në politikë dhe për të mos përfshirë nxënësit në aktivitete politike pa dëshirën e tyre, janë gjëra që ndodhin. Kishim një rast në Kavajë, të një mësueseje që në klasë u kërkonte nxënësve të dilnin të nesërmen  se do të vinte Edi Rama. Mësuesja u pushua nga puna po atë ditë, sepse urdhri i ministres është i qartë dhe është i vërtetë.

A ka një arsye për t’u shqetësuar për përdorimin e të burgosurve në zgjedhje? 

Ka pasur historikisht dhe nuk mund të themi që, meqë sot jemi ne në qeveri, kjo gjë nuk është problem.

A ka një arsye për t’u shqetësuar për policinë?

Unë mendoj që nuk ka, sepse nuk ka pasur arsye për t’u shqetësuar për policinë, as më parë. Ne kemi pasur zgjedhje në vitin 2009 dhe ju e dini shumë mirë që pollën një çadër, por policia nuk ka qenë pjesë e ankesave tona. Ne kemi pasur zgjedhje në vitin 2011 në Tiranë dhe ju e mbani  mend shumë mirë, ka pasur disa eksponentë të policisë që janë përfshirë në “hajvanllëqe”, por polica në tërësi nuk ka qenë pjesë e  ankesave tona. Në vitin 2013 jo e jo, në vitin 2015 as që bëhet fjalë. Kështu që policia vetë si trupë është shkëputur tanimë nga zgjedhjet në Shqipëri.

Megjithatë ka një arsye që unë nuk mund ta mohoj dhe nuk mund të them se nuk duhet marrë në konsideratë, që është gjithë kjo historia e kanabisit dhe e policisë që është treguar me gisht si bashkëfajtore. Një hiperbolë tipike për Saliun, por sidoqoftë,  një çështje që duhet adresuar edhe në sensin e zgjedhjeve.

Saliu dhe Lulëzimi, Saliu, në radhë të parë, se është shahist i vjetër, duhet të kuptojë se ajo që ishte në tavolinë para një jave nuk është në tavolinë gjithmonë. Ky është shahu. Nëse refuzon të hash një gur në momentin kur duhet ta hash, mos kujto se gurin e ke aty, gati për ta ngrenë sa herë të duash ti dhe ndërkohë e ke mendjen tek mbretëresha. Jemi kundërshtarë këtu, nuk jemi këtu për t’i treguar Partisë Demokratike se kur duhet të lëvizë.

Nga ana tjetër, duke pasur parasysh këto elemente që thashë, unë i kam bërë një propozim, besoj shumë realist, shumë garantist dhe mbi të gjitha, një propozim që, ju siguroj, në ëndrrën time më të bukur, në kohën kur isha kryetar opozite, nuk do të kisha guxuar ta shikoja si të mundshëm, për të na garantuar neve.

I kam propozuar një mekanizëm garancie të opozitës brenda qeverisë, për të vëzhguar nga afër, në kohë reale, zhvillimin e procesit në të gjitha këto drejtime: në administratë, trupë mësimore, polici dhe burgje. Një zëvendëskryeministër, i propozuar nga Partia Demokratike, por jo anëtar i Partisë Demokratike, i cili të vihet në krye të një Task-force për të garantuar mospërfshirjen në proces, në favor të shumicës, të të gjithë këtyre pjesëve të trupit të shtetit. Ky zëvendëskryeministër, së bashku me një përfaqësues të zgjedhur nga Bashkimi Europian, një përfaqësues të zgjedhur nga SHBA, një përfaqësues të zgjedhur nga OSBE-ja, do të ketë detyrën e monitorimit të plotë të sjelljes së shtetit në fushatë mbi bazën e një rregulloreje të dakordësuar, ku do të përcaktohen qartësisht të gjitha pikat detyruese për qeverinë dhe për agjencitë shtetërore, që s’duhen shkelur, duke filluar nga nafta e automjeteve shtetërore. Njerëzit që përfshihen në fushatë, historikisht kanë përdorur paratë e shtetit për të bërë xhirot nëpër Shqipëri. Asnjë pikë naftë, e paguar nga paratë e taksapaguesve, nuk do të shkojë për fushatë. Mjetet që do të lëvizin në fushatë do të financohen nga partitë që janë në qeveri dhe jo nga shteti.

Mora më elementaren dhe pastaj, me radhë të gjitha, se cilat aktivitet janë të ndaluara për Kryeministrin dhe ministrat që të mos përdoren për fushatë. Natyrisht nuk mund të ndalojë veprimtaria e qeverisë, por  legalizimet, përshembull, ne i ndërpremë vetë. Unë e deklarova se pas 1 majit që është praktikisht hyrja zyrtare në një proces zgjedhor nuk ka më legalizime me kamera dhe me fjalime. Ka dhe aktivitete të tjera që e ndalojnë Kryeministrin t’i përdori në kohë fushate, ose që Kryeministri mund t’i bëjë, por pa publicitet. Këto listohen dhe kjo Task-forcë monitoron këtë aktivitet.

Ndërkohë në Ministrinë e Brendshme, një zëvendësministër, i propozuar nga Partia Demokratike, jo anëtar partie, sëbashku me shefin e misionit amerikan dhe shefin e misionit europian që asistojnë Ministrinë e Brendshme dhe Policinë e Shtetit, si dhe me një përfaqësues të OSBE-së, drejtojnë të gjithë procesin e monitorimit të sjelljes së Policisë së Shtetit në 28 mijë kilometër katror të Shqipërisë.

Një zëvendësdrejtor i Përgjithshëm i Policisë dhe 12 zëvendësdrejtorë në qarqe janë në varësi të këtij zëvendësministri dhe të kësaj Task-force dhe ata, të shoqëruar me një përfaqësues të misioneve që folëm. Ju keni eksperiencë nga zgjedhjet dhe e mbani mend shumë mirë se çdo ditë del një përfaqësues partie dhe thotë se tek ne po bëhet nami, policia hyri këtej e doli andej, trembi këtë e atë etj..  Të gjitha këto partitë i bëjnë nëpër konferenca shtypi, i shkruajnë, ia çojnë ODIHR-it dhe në fund del raporti. Ajo që unë propozoj është që të gjithë këto të adresohen në kohë reale. Në momentin që diçka ndodh, apo pretendohet se ndodh, adresohet drejtpërdrejtë, verifikohet dhe në rast se del e vërtetë merren masa të menjëhershme për këdo që ka shkelur etikën e Policisë së Shtetit.

E njëjta gjë për arsimin. Një zëvendësministër apo zëvendësministre, e propozuar nga Partia Demokratike, jo anëtar partie, me monitorët e huaj në krah dhe me një përfaqësues, qoftë të vetin, qoftë të të huajve, në çdo drejtori rajonale arsimore merren në kohë reale ankesat. Nëse një nxënës ankohet se mësuesja i bëri presion, kjo verifikohet dhe nëse del e vërtetë, mësuesja ikën nga puna. Apo një çadrist dixhital thotë se u mbyll kjo shkollë, bëhet verifikimi, nëse është mbyllur shkolla, - çadristët nuk gënjejnë asnjëherë, sidomos në formë dixhitale - dhe atëherë merren masat, pushohet drejtori i shkollës dhe gjithë personat përgjegjës, në kohë reale.

E njëjta gjë për burgjet. Një zëvendësministër dhe zëvendësministre, e propozuar nga Partia Demokratike, që ka përsëri pranë monitorët e huaj, për çdo burg të Shqipërisë, për të ndjekur vetëm procesin zgjedhor dhe për të mos lejuar që në burgje të bëhen votime si në kohën e Enver Hoxhës, siç janë bërë historikisht. Kush ka pasur pushtetin i ka bërë si në kohën e Enverit, 99%, domethënë, nuk janë bërë zgjedhje. 

Këto janë ato çka unë i kam propozuar dhe ja propozoj përsëri Lulëzim Bashës dhe Partisë Demokratike.

Ndërkohë ju lutesha të mos e përsërisnin historinë “na dhanë më pak se ç‘kishim”. Ideja që mund të luash blofin dhe se “çfarë të dhanë e ke, tani lufto për më shumë”, është punë kalamajsh. Këtë zakonisht mund ta gjejmë si fenomen, kur luajnë fëmijët nëpër kopshte.

Për pjesën tjetër, votimin elektronik, kam dëgjuar një leksion teknologjie dje. Unë jam përdorues aktiv, - ju kujtohet kur thoshte Saliu ‘ciu, ciu’. Tani Saliu është bërë aq dixhital, sa bën “kra, kra, kra” 7 herë në ditë. Por kjo s’do të thotë që unë jam njohës i teknologjisë. Për fat të mirë kam një ekip që mi bën gati gjërat.

Dje u kam thënë se që nesër, Partia Demokratike mund të zgjedhë një ministër politik, cilido qoftë ai, s’kam asnjë rezervë, por mundësisht të njohë internetin, jo revolverin, ky do ishte kushti i vetëm dhe ta vendosim ministër Shteti Për Teknologjinë në Zgjedhje, i cili të ketë ekipin dhe buxhetin e vet dhe të përgatisë një projekt qeveritar për numërimin elektronik, votimin elektronik dhe jetën elektronike të PD.

Në qoftë se projekti është i besueshëm dhe i zbatueshëm, natyrisht i certifikuar nga ata që kuptojnë nga kjo punë dhe OSBE/ODIHR, ne jemi gati ta financojmë dhe ta zbatojmë në zgjedhjet vendore të vitit 2019. Histori me shtyrje zgjedhjesh, që të bëhemi ne gati për të bërë votime elektronike, natyrisht janë histori që duken si të vërteta kur i thua në çadër, por jashtë çadrës nuk funksionojnë. Kështu që edhe për këtë jemi gati. Direkt sot, të mos humbasim kohë, sepse nuk duam të vijmë te zgjedhjet e tjera lokale dhe të dëgjojmë prapë të njëjtin avaz.

Personalisht nuk jam partizan i votimeve elektronike. Siç e shikoni në botë, të gjithë po kthehen tek votimi manual. Por, në rast se kjo është e mundshme, pse jo! T’ia plotësojmë dhe këtë dëshirë Partisë Demokratike.

Këto ishin gjërat që doja t’ju thosha dhe shpresoj të kenë qenë sqaruese, për të vënë një kornizën mbi të cilën ne mund të bashkëbisedojmë.

Jam i hapur për pyetjet tuaja.  

 

* * *

 

Ju jeni shprehur se keni marrë 1 milionë vota në 2013-n, ndërkohë që reformat që keni bërë kanë prekur 3 milionë banorë, apo 2 milionë e gjysmë votues. Pra, jo vetëm 1 milionët e votave që keni marr në 2013-n. Në këtë kuptim, meqenëse reformat kanë prekur jo vetëm votuesit tuaj, për të qetësuar edhe votuesit e Partisë Demokratike, do të bënit një akt dorëheqjeje, ndoshta për të kuptuar edhe ne që nuk është kjo arsyeja e vërtetë që kërkohet ky akt?

Kryeministri Rama: Përpara pak ditësh u bë turi i parë i presidencialeve në Francë. Nëse nuk gabohem, presidenti  i ardhshëm i Francës mori 24%. Bëhet turi i dytë, ku shumëkush nga ata që nuk e donin, do ta votojnë dhe do të marri 50 plus 1, nëse nuk ndodh dhe aty ndonjë çudi, por ç ‘rëndësi ka, thelbi është ky.

Ndërkohë ju kujtoj se Kancelarja e Gjermanisë, partia e saj, koalicioni i saj në zgjedhje kanë marr më pak sesa koalicioni ynë. Në demokraci qeveris ai që fiton dhe fituesi është i pari. Ne ishim jo aq koalicioni i parë, por ishim një koalicion që morëm një lemeri votash. Domethënë, është e ndarë kjo punë dhe nuk jemi thirrur të rishpikim si funksionon demokracia, mbas shekujsh që këto gjëra bota i ka ndarë. Ne kemi raste edhe në ndonjë vend  fqinj, kur tentohet rishpikja e demokracisë, por këto janë raste fatkeqe që nuk sjellin asnjë të mirë. Kështu që historia “morët 1 milionë vota, por janë dhe 2 milionë të tjerë ” nuk funksion kështu. Në demokraci vendos shumica dhe pakica duhet të marrë vetëm një gjë, garancitë që në garë do të jetë e barabartë me shumicën.

Pakica nuk mund t’i imponojë shumicës ndërrimin e pushtetit në tavolinë. Kjo nuk funksion! Është shumë e rëndësishme të nënvizohet se këtu nuk bëhet fjalë për një lojë me top, me porta të vogla te fusha e qymyrit. As për një lojë basketbolli. Agim Fagu thoshte 5-ja e parë, unë po shkoj me këta kalamajt dhe të shohim kush fiton. Këtu bëhet fjalë për përgjegjësi. S’bëhet fjalë për “mirë, meqë ju s’na mundni dot kështu, ne po ikim dhe t’ju mundim prapë”. Qeveria është një përgjegjësi. Pavarësisht se jeta politike mund të fokusohet në një temë, qeveria ka shumë tema me të cilat merret. Po të shikoni axhendën time në zyrë, politika zë 30% të kohës, 70% i zë puna për të ndjekur sektorët e ndryshëm, për të kontaktuar me grupe të ndryshme, me sipërmarrës, grupe interesi etj..

Nuk është historia e jetës publike, një lojë me top midis dy skuadrave të lagjes, pallati 18 dhe pallati 6.  Është shumë më tepër se kaq, është përgjegjësi shumë e madhe dhe nuk mundet dot të lihet qeveria si një makinë pa shofer e pa motor dhe të dalim në fushë  e të lozim me top.

 

U shprehët që politika nuk është një lojë me fusha, me porta të vogla. Por pak më parë thatë se ju e shikoni politikën si një “lojë shahu”. Duke pasur parasysh që kundërshtari, Zoti Basha që erdhi të luante me ju, dje, në zyrën e Presidentit, erdhi vetëm 3 ditë pasi ju deklaruat se do të pranonit të diskutonit dhe të pranonit propozimet e ardhura nga europarlamentarët, përveç shtyrjes së datës së zgjedhjeve, që ju thatë nuk ka më kuptim, - këtë e thatë ditën e shtunë, - çfarë të keqe kishte që edhe në tryezën e djeshme  mos ta lejonit kundërshtarin “të hante oficerin”, nëse mund të ishte i tillë, propozimet e 4 ministrave teknikë, në funksion që e gjithë kjo lojë të përfundonte dhe gjithë shqiptarët, që janë shikuesit e kësaj loje, të vazhdonin jetën normale, sepse janë të ndikuar nga gjithë ky ngërç politik, që juve s’ju pëlqen ta quani krizë? Pse nuk e propozuat edhe dje, atë që ju thatë se mund ta diskutonit, 4 ministrat teknikë?

Kryeministri Rama: E para, kam thënë “mund ta diskutoj”, nuk kam thënë “ta pranoj”. Jam i gatshëm ta diskutoj, jo ta pranoj. Kam bërë një propozim që e kemi konsultuar gjerë e gjatë brenda nesh, duke marrë me sinqeritetin më të madh, pozicionin kur ishim në opozitë; Çfarë do ishte ajo që do të na bënte ne punë dhe ku janë realisht pikat që ne do të donim të kishim syrin tonë brenda sistemit të qeverisë. Propozimi është shumë i sinqertë dhe mbi të gjitha mekanizmi është shumë funksional. Nuk është merr ti ca, që të bëjmë sikur. Është funksional.

E dyta, nuk është se nuk kam qejf ta quaj “ngërç”. Unë thjesht e quaj siç e shoh, krizë nervore e Partisë Demokratike. Sepse krizë politike do të ishte nëse do të ishim në kushtet kur ne shumica do të ishim duke e penguar opozitën, me instrumentet e shumicës, që të ndikonte për mirë në rregullat e lojës. Por ne, jo vetëm që nuk kemi bërë asgjë për ta penguar, por më lejoni t’ju kujtoj që sot mbyllet parlamenti. Është i pari dhe i fundit parlament në historinë e Shqipërisë, ku opozita, duke qenë sa gjysma e shumicës, ka folur dyfishin e shumicës. Është i pari dhe i fundit parlament në botë, ku lideri  i opozitës ka folur 3-fishin e liderit të shumicës.

Ju e kujtoni shumë mirë që një nga pikat, që ne e kemi pasur pikë të nxehtë konfliktesh me Partinë Demokratike, ka qenë e drejta e liderit të grupit parlamentar të opozitës për të replikuar me të njëjtën kohë sa kryeministri, kur kryeministri paraqet ligjet, jo çdo herë. A ju kujtohet Saliu kur thoshte “Edi Rama nuk njeh Kushtetutën”. Ne jo vetëm që sapo erdhëm ndryshuam rregulloren, siç do ta donim vetë kur ishim në opozitë, por falë Kryetarit të Kuvendit që ka, siç e thotë publikisht, dobësi të madhe për doktorin dhe unë shtoj për Partinë Demokratike, u bë parlamenti një “klub” ku merrte fjalën, kush kishte më pak zor për të marr peng një proces legjislativ, që ka funksionuar në komisione, por s’ka funksionuar asnjë ditë në sallë. S’kemi folur dot për ligje në sallë, pasi parlamenti u bë çadër, vetëm se ishim edhe ne aty. 

Më vjen keq, por në momentin kur një forcë politike kërkon të provokojë një krizë, duke thënë “u çmenda”, kjo nuk është krizë politike. Kjo është një krizë e brendshme që tentohet të eksportohet jashtë çadrës në këtë rast. Eksporti, siç e shikoni, nuk po funksionon.

 

Çfarë do bëni ju?

Kryeministri Rama: Ne do bëjmë zgjedhje në 18 qershor. Ja çfarë do bëjmë!

 

Ju thatë pak më parë, duke marrë si shembull lojën e shahut, ju po luani shah, ndërsa kundërshtari juaj po luan damë ose poker. A nuk ju duket se po luani në fusha të ndryshme dhe vetëm? Pra, ju më vete dhe kundërshtari më vete. Do të vazhdoni të luani vetëm edhe në 18 qershor? Ose pallati 18 dhe pallati 6 do të ndryshojnë numra?

Kryeministri Rama: Fushën e përcakton Kushtetuta dhe e përcakton e gjithë korniza ligjore e sistemit që kemi zgjedhur. E dini si ka lindur rugby? Ka ndodhur në një ndeshje futbolli në Angli. Dikush mori topin, e futi poshtë bluzës dhe u fut me gjithë top brenda dhe tha është “gol”. Arbitri e nxori jashtë. Ai tha unë këtë lojë nuk e pranoj më. Kush do të vijë me mua të shpikim një lojë tjetër. Dhe kështu u shpik rugby. Ndërsa, një lojë tjetër nga demokracia nuk shoh që të jetë duke u shpikur në çadër. Ne respektojmë lojën demokratike dhe të drejtën e popullit që është  përcaktues i fituesit dhe i humbësit, për të gjykuar në ditën e popullit. Nuk është dita jonë. 

 

Përgjatë pasdites së djeshme, pas negociatave që pati mes jush në zyrën e Presidentit Nishani, Zoti Basha tha se ju jeni tërhequr nga oferta e McAllister, nga drafti i së martës i 25 prillit dhe tha se do të takoheni sëbashku në Kavajë. Ata nuk do të rrinë duarkryq dhe do të jenë atje masivisht. A ka PS ndërmend të tërheqë kandidatin për Kavajën?

Kryeministri Rama: Unë mund t’iu them vetëm një gjë, që sfida është 18 qershori. Kavaja, për ne nuk është sfidë, sepse në Kavajë, siç e dini, kryetari aktual i bashkisë, ose më saktë nënkryetari që bën detyrën e kryetarit, garon me një tjetër përfaqësues të pavarur, por s’ka garë me kundërshtarë dhe konkretisht, me përfaqësues të Partisë Demokratike. Nëse Partia Demokratike mendon që 7 majin mund të ketë okazionin e jetës, për të treguar sesa në gjendje është të bëjë rrëmujë, kjo është një tjetër shprehje e krizës nervore e Partisë Demokratike. Por, për ne, 18 qershori është data. 7 maji është një datë për konfirmimin e atij që drejton sot Kavajën. Unë nuk mendoj për 7 majin, si datë për të bërë në Kavajë një ballafaqim fizik. Unë mendoj për 7 majin si afatin e tejfundit të Partisë Demokratike për t’u regjistruar në zgjedhje. Këto dy ditë, PD-ja duhet t’i përdori për të marrë garancitë që jep mekanizmi i propozuar prej nesh dhe për të hyrë në zgjedhje, që të mos e kompletojë me duart e veta vetëvrasjen, që faktikisht ka organizuar, e pavetëdijshme që po hyn në një rrugë pa krye, duke bërë një blof spektakolar që nuk funksionon.

Kështu që nuk më shqetëson fare 7 maji, si moment ku Partia Demokratike kërkon të provojë sa shumë është në gjendje të çmendet. Më shqetëson nevoja për t’i garantuar realisht PD-së një mekanizëm të kontrollit të brendshëm të shtetit në zgjedhje dhe duke qenë se e shoh të plotësuar këtë nevojë, mendoj që Partia Demokratike, nëse do vërtetë të garantojë zgjedhjet, duhet ta marri këtë ofertë, të përcaktojë njerëzit. Gjë që 8 vjet në opozitë, e përsëris, në ëndrrën më të bukur të periudhës sime në krye të Partisë Socialiste në opozitë, nuk do kisha pasur guximin ta imagjinoja se mund ta shihja që ne të kontrollonim me një mekanizëm të tillë, me një zëvendëskryeministër, me disa zëvendësministra, me amerikanë, me europianë, gjithë sjelljen e qeverisë së Saliut në zgjedhje. Në qoftë se dikush nga ju më thotë se kjo do kishte qenë e lehtë, po ta kishit kërkuar, atëherë me siguri nuk mban mend Saliun. E në fakt s’ka faj që nuk e mban mend, se i përket të shkuarës.

 

Përshëndetje! Zoti Rama, a po jep efektet ngërçi politik ose kriza nervore, siç ju e quajtët, në treguesit e zhvillimit ekonomik në vend? E nëse po, a keni një plan për të ardhmen e afërt, sesi do ta zbusni këtë ndikim?

Kryeministri Rama: Nuk kemi akoma shenja shqetësuese, por brenda parashikimeve tona, nëse PD nuk hyn në zgjedhje, mund të kemi një fazë tremujore lëkundjeje, pastaj gjithçka do të jetë në normalitet. Mbajeni mend këtë dhe regjistrojeni. Në tetor mund ta përdorni prapë, nëse s’do jetë kështu.

 

Së pari dua të jem shumë e qartë, se cili është blofi që ka bërë Lulzim Basha? Është kërkesa për qeverinë teknike?

Kryeministri Rama: Ekzakt! Blofi është “ti do ikësh, se do të vijmë ne”. E gjithë lëvizja ka qenë e fokusuar tek krijimi i një atmosfere psikologjike, se populli është në çadër dhe jashtë çadrës është vetëm qeveria që i ka ditët e numëruara. Sigurisht është bërë një përpjekje serioze  për ta realizuar këtë, duke mobilizuar fuqimisht disa zëra nëpër këto klubet e katundit mediatik, duke mobilizuar fuqimisht faqe në letër dhe në eter, që kanë bërë çmos me një pasion destruktiv të jashtëzakonshëm, për të thënë “ja dhe nesër, ja dhe pasnesër, ja dhe dy ditë, ja dhe tre ditë”, duke bërë çmos për të shtrembëruar thelbësisht gjithë përpjekjen e Ilir Metës. Mirëpo sot jemi në kushtet kur blofi nuk ka funksionuar. Qeveria është këtu dhe do të jetë këtu.

 

Ju  e quajtët lidhjen kanabis-polici një hiperbolë, por në fakt janë shkarkuar disa drejtorë të policisë të qarqeve dhe akuza më e rendë ndaj jush, nga ana e PD, është se gjatë vitit të fundit dhe këtyre muajve janë zbuluar të paktën 200 ton kanabis. A mundet që vlera e kësaj sasie, e asaj që nuk është kapur të ketë ndikim tek zgjedhjet?

Kryeministri Rama: E kam shpjeguar dhe ia kam shpjeguar  Lulzim Bashës në sy, pse është një naivitet  i madh ekonomik të mendosh se ky aktivitet informal, kriminal ekonomik qenka një aktivitet që i sillka paratë në një kasaforte. Është komplet naivitet. Unë asnjëherë nuk e kam mohuar që  kanabisi është një problem. Ne kemi marrë masa shumë të forta në bazë të një plani kombëtar, që e kemi bërë publik. Ne e kemi bërë shumë të qartë, që, nëse një rrënjë e vetme kanabisi do të mbillet aty ku është mbjellë vjet, kush është përgjegjës dhe përgjegjësia është e përcaktuar me hartën përpara, nga Drejtori i qarkut deri tek polici i zonës do të shkarkohet nga Policia e Shtetit, sepse plantacionet e fotografuara, ne i kemi konsideruar vende krimi dhe aty ku ka ndodhur një krim, është detyra e policisë që krimi të mos ndodhë përsëri. Çdo metër katror i hapësirës së fotografuar vjet ka kujdestarin dhe përgjegjësin e vet. Përgjigjet personalisht dhe përgjigjet gjithë zinxhiri i komandës që lidhet me atë parcelë. Këtu, ne jemi të prerë dhe unë po e përsëris se në fund të këtij viti, historia e kanabisit të kultivuar masivisht do të jetë një tjetër histori që do i përkasë të shkuarës.

 

Ju thatë që lidhja mes Vetting-ut dhe zgjedhjeve ishte një lëvizje surprizë e PD-së. Në fakt, Basha jua ka propozuar që në prill ose në maj, nëse nuk gaboj, që bashkë me reformën në drejtësi të votonit edhe reformën zgjedhore, bashkë me votimin elektronik. Ju atëherë deklaruat se kjo është një lëvizje për të bllokuar reformën në drejtësi. A mendoni se keni pak përgjegjësi që nuk e kishit parashikuar këtë, apo që nuk e pranuat që atëherë propozimin e Lulzim Bashës?

Kryeministri Rama: Për reformën zgjedhore kemi pasur gjithë kohën e nevojshme, por nuk ka qenë çështja tek reforma zgjedhore. Ka qenë muhabet për të larguar vëmendjen nga thelbi dhe Partia Demokratike dhe Lulzim Basha, deri në 20 korrik po themi, nuk donin të votonin. E dini mirë këtë.  Si votuan, pse votuan, çfarë votuan, këtë e dinë të gjithë. Kështu që nuk është koha për t’i kujtuar atë moment, as Lulzim Bashës dhe as PD-së. Sepse unë nuk dua që sot të jem sikur jam në fushatë. Në fushatë do t’ua tregoj të gjitha. Kurse sot, thjesht dua që ta ftoj Lulzim Bashën të mos e dëgjojë Saliun, por të udhëheqë Partinë Demokratike dhe të bëhet më në fund, lideri që nuk është. Kjo është këshilla ime, që ia jap me shumë zemërgjerësi.

 

Ju thatë që i keni ofruar opozitës të gjitha garancitë për zgjedhje të lira dhe të ndershme. A është e gatshme qeveria dhe mazhoranca të ofrojë një tjetër zgjidhje të minutës së fundit?

Kryeministri Rama: Nuk ka asnjë zgjidhje tjetër. Propozimi është në tavolinë. Është një propozim që përmbush nevojën për  Partinë Demokratike që të ketë jo një sy, por të dy sytë brenda procesit dhe të kontrollojë në detaje sjelljen e qeverisë, të policisë, të drejtorive arsimore, të administratës, të administratës së burgjeve, gjatë gjithë procesit elektoral.

 

Pyetja e parë ka të bëjë më paketën McAllister, për të cilën ju thatë se jeni tërhequr nga kjo paketë.

Kryeministri Rama: Unë nuk thashë se jam tërhequr nga kjo paketë, se që të tërhiqesh nga një gjë, duhet të kesh qënë brenda.

 

Duke qenë se e keni pranuar në takime dhe negociata të përhershme...

Kryeministri Rama: Nuk e kam pranuar. Kam thënë jam i gatshëm ta diskutoj me kusht që të votohet Vetting-u. Kjo ka qenë përpara një jave. Mbas një jave kanë ndryshuar pozicionet, ua shpjegova. Ne jemi në fushë dhe jemi kundërshtarë. Ne nuk jemi në pritje, që çadra thotë “thellohu” dhe kujton se “këtë e mora tani, thellohu prapë”. Nuk funksionon kështu. Është përgjegjësi e lidershipit që të marrë vendimet e duhura në momentin e duhur, të bëjë lëvizjen e duhur. Nëse nuk e bën atë lëvizje, nuk mund të thuash ta kthejmë pak lojën përpara, se unë do bëj atë lëvizje, se ti më hëngre kalin. Kali iku.

 

Duke qenë se kanë ndryshuar pozicionet, siç po thoni juve dhe ka qenë një tjetër situatë në momentin që kanë qenë negociatorët në Tiranë dhe ku ju keni qenë pjesë e këtyre negociatave. A mendoni se keni luajtur blof në atë kohë, në atë tryezë që është negociuar? Ju i thirrët vetë ndërkombëtarët, përfaqësuesit e Partive Popullore Europiane dhe sot, a mendoni se jeni besëprere ndaj këtyre faktorëve, të cilët ju vetë i ftuat për të negociuar në Shqipëri?

Kryeministri Rama: Në radhë të parë, të presësh besën duhet të kesh dhënë besën njëherë. e në Gjermani “besa” nuk është nocion juridik. Po ju përsëris edhe njëherë se kam thënë se jam i gatshëm ta diskutojmë, sepse i kam qëndruar besnik deri në fund asaj që kam thënë prej 1 muaji e gjysmë, dua dialog, Lulëzim takohemi ku të duash, Lulëzim të vij te çadra dhe kam qënë i sinqertë. Kam thënë pa kushte. Imagjinoni që të uleshim me Sali Berishën këtu, ne nga çadra atëherë dhe të diskutonim pa kushte?

Një kryetar qarku në Fier na u bë arsye që nuk u takua dot kryeministri me kryetarin e opozitës 4 vjet. Çdo gjë, por jo Fierin. Si ai italiani te “Shtigje lufte” që thoshte “nuk dua të dëgjoj më fjalën Pezë”. Kështu që jemi komplet në një nivel tjetër. Kam thënë “pa kushte”, që do të thotë jam gati ta diskutoj qeverinë teknike, por kjo s’do të thotë që jam gati ta pranoj qeverinë teknike. Jam gati ta diskutoj çdo gjë. I kam qëndruar këtij parimi seriozisht dhe nuk është punë blofi kjo. Kjo është punë gatishmërie për të diskutuar, për të dëgjuar. Edhe dje kam dëgjuar 7 fjalime nga këto që i dëgjoj përditë këtu. Pse? Se kur ulesh në tavolinë, do dëgjosh. Të pëlqen a s’të pëlqen, ama s’do të thotë që do biesh dakord. Në fund kam bërë këtë propozim.

Zoti McAllister është paraqitur tek ne si Kryetar i Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian, nënkryetar i Partive Popullore dhe i dërguari i Kancelares. Ndërkohë që ne dhe unë kemi qenë në kontakt të vazhdueshëm gjatë gjithë kësaj kohe me Berlinin, me Brukselin dhe kemi diskutuar vijimisht për këtë çështje.

Por unë refuzoj që Shqipëria të konsiderohet nga shqiptarët, nga përfaqësuesit e partive politike shqiptare, nga përfaqësuesit e opozitës shqiptare si një shesh për të bërë përshesh dhe pa pikën e përgjegjësisë të merret si shembull Maqedonia, apo të merret si shembull Mali i Zi, apo ku di çfarë.

Është shumë e thjeshtë, nëse në rajon ka kriza që kërcënojnë destabilizimin për arsye gjeopolitike, apo për arsye etnike, Shqipëria nuk ka asnjë arsye që të ketë një krizë, përveçse luftës për pushtet me pushkë druri që ka filluar Lulzim Basha. Sepse ne jemi kundërshtarë, por qoftë PD, qoftë PS, qoftë koalicioni ynë, qoftë koalicioni i tyre, s’kemi vënë kurrë në diskutim përkatësinë në NATO, s’kemi vënë kurrë në diskutim domosdoshmërinë e integrimit në BE dhe nëse këtu i shikojmë krizat në vendet rreth e rrotull nesh, që janë kriza të stimuluara nga faktorë të jashtëm që nuk duan as NATO-n, as BE-në, si shembuj, atëherë kemi një problem shumë të madh.

Unë nuk akuzoj Partinë Demokratike që është bërë mashë e atyre që qëndrojnë prapa krizave të tjera në rajon, por nga ana tjetër mund të bëhesh mashë me vetëdije, mund të bëhesh mashë pa vetëdije. Që Partia demokratike ka një problem me vetëdijen, këtë e tregon dhe strategjia dritëshkurtër që ndoqi për të ardhur deri këtu, por që ky problem me vetëdijen të shtrihet deri në pikën sa të tjerë të destabilizojnë Shqipërinë, kur s’ka arsye etnike, kur s’ka arsye fetare, kur s’ka konflikte gjeopolitike dhe ta kthejnë në një tjetër arenë për interesa të kundërta me ato të familjes europiane ku ne duam të bashkohemi, kjo është diçka që unë nuk e lejoj kurrë.

E gjitha historia “të shtyjmë zgjedhjet, të bëjmë këto etj.” na çojnë drejt destabilizimit, nuk na çon asgjëkund tjetër. Destabilizim në Shqipëri nuk ka për të pasur. Kjo është pak, por e sigurt.

Ne bëjmë sondazhe, PD bën sondazhe. Media nuk bën sondazhe, siç bëhen në çdo vend të botës. Sigurisht, sondazhet profesionale kushtojnë. Jo sondazhe nga ato në internet, që turren të gjithë për tifozllek, por sondazhe profesionale. Ju ftoj të gjithëve, në fakt e kam bërë këtë ftesë disa herë, bëni sondazhe dhe shikoni të vërtetën, pasi sot që flasim, 68% e shqiptarëve nuk duan shtyrjen e datës së zgjedhjeve; Mbi 70% e shqiptarëve, ku hyjnë potencialisht jo vetëm votuesit tanë, - se ne nuk jemi 70% si PS, - janë të bindur që kjo është lojë për të mos lejuar zbatimin e reformës në drejtësi.

Bëni sondazhe dhe shikoni sot, a është e vërtetë që Partia Socialiste është më lart se në vitin 2013, apo jo. Shikoni a është e vërtetë që Partia Demokratike është më poshtë se në vitin 2013, apo jo.

Bëjini profesionale, të pavarura dhe shikojeni, a është e vërtetë që 15% e votuesve të Partisë Demokratike deklarojnë se nuk shkojnë mbrapa kësaj marrëzie.

Për të gjitha këto arsye, më vjen keq, por dikush duhet të paguajë kosto. E normalisht, koston e një strategjie të dështuar politike e paguan kush e ndërmerr atë strategji, jo të tjerët. Aq më pak vendi. Nuk mund t’i faturojmë Shqipërisë, koston e strategjisë hip në majë të pallatit dhe thuaj, hapni vendin se do hidhem ose me jepni pallatin! Nuk funksionon! Këto janë lojëra fëmijësh.

Propaganda është propagandë. Retorika është retorikë. Për fat të keq, retorika e nivelit më të ulët, ku fjala “kriminel”, “trafikant”, “narkoman”, “hajdut” përdoren nga një parti dhjetë herë më shumë se fjala “ekonomi”, “punësim”, “mirëqenie”, “barazi sociale” etj., ka marrë status në këtë vend. Ju ia keni dhënë këtë status, ne ia kemi dhënë këtë status, të gjithë ia kanë dhënë këtë status dhe është pranuar që këta kështu flasin, a thua se ky është dialekt më vete. Por kjo nuk do të thotë që, meqë këta flasin kështu, të marrin atë që nuk jepet në tavolinë. Nuk jepet!

Duhet të pranojmë që kjo është rruga, ky është procesi. Arsyeja, pse ne shkuam dhe pse unë bëra propozimin në fjalë, është vetëdija se ka disa çështje objektive që i kemi vuajtur edhe ne kur ishim në opozitë, por më shumë se kaq, për çfarë arsye? Për të ndihmuar Partinë Demokratike të kapërcejë krizën e lidershipit, krizën e programit, krizën e skuadrës, krizën totale ku është prej vitesh? Këtë nuk e bëjmë dot. S’jemi këtu për të ndihmuar PD-në, për të zgjidhur problemet e brendshme. Jemi këtu për të garantuar që cilado forcë politike të ketë sy në proces.

Sa për atë që thonë “me opozitë, pa opozitë”, edhe njëherë po ju them mos u bëni naivë. Është liria që prodhon opozitën. Nuk është Partia Demokratike që prodhon lirinë në Shqipëri dhe asnjë parti tjetër. Historitë e partive janë të shumëllojshme. Ka pasur parti shumë herë më të mëdha se PD-ja, që janë katandisur në zhurma statistikore, përgjegjësi lidershipi, rrethana historike, zgjedhje të gabuara, qëndrime të gabuara, por të jeni të sigurt që opozitë në Shqipëri do ketë gjithmonë, për sa kohë do ketë liri dhe zgjedhje. Të jeni të sigurt për këtë. Nuk kam asnjë pikë dyshimi dhe ta dyshosh këtë, do të thotë të mos kuptosh sesi funksionon demokracia.

 

Edhe një pyetje për 7 majin, Zoti Kryeministër. Pavarësisht se opozita ka paralajmëruar një protestë paqësore në këtë datë, a i trembeni ndoshta një skenari, apo nëse mendoni se mund të ketë diçka përtej kësaj?

Kryeministri Rama: Nga shkelja e ligjit duhet të tremben ata që shkelin ligjin. Jo ata që zbatojnë ligjin.

 

Për kuriozitet, lapsi i kuq është mesazh për Lulzim Bashën. apo është padashje...

Kryeministri Rama: Mesazhet që jepen me shenja janë mesazhe që nuk përkthehen me gojë. 

Faleminderit! 

Shkruaj Mesazh

Kontakto me Kryeministrin

Shkruaj Mesazh

Reportazhe Eksklusive

Dokumentarë

Reportazhe Eksklusive

Për Gazetarët

Hapësira Mediatike

Për Gazetarët

Raport publik

300 Ditë

Raport publik