Postuar më : 09 Dhjetor 2016

Kryeministrja polake Szydlo: Shqipëria duhet të nisë negociatat

Kryeministri Edi Rama mikpriti sot Kryeministren Republikës së Polonisë, Beata Szydlo, në një vizitë zyrtare në Tiranë. Dy Kryeministrat patën një takim në frymën e miqësisë dhe marrëdhënieve të shkëlqyera që ekzistojnë midis dy vendeve, duke ndarë vullnetin e përbashkët për të thelluar bashkëpunimin ekonomik në fusha me interes dypalësh.

Takimi mes dy Kryeministrave u pasua nga bisedimet mes dy delegacioneve dhe ceremonia e nënshkrimit të marrëveshjes për bashkëpunimin kulturor midis dy vendeve. Në përmbyllje të takimeve në kryeministri, Kryeministrat Rama dhe Szydlo përcollën në një konferencë të përbashkët për shtyp bisedimet mes palëve:

 

Kryeministri Edi Rama:

Mirëdita të gjithëve!​

Është një kënaqësi e veçantë për mua që, sot, mikpresim Kryeministren e Polonisë! Dua ta falenderoj për këtë vizitë që është një shprehje kuptimplotë e marrëdhënieve të shkëlqyera që ekzistojnë mes Shqipërisë dhe Polonisë. Dua të nënvizoj për së pari, fatin se Polonia ka qënë dhe mbetet një mbështetëse e vendosur e procesit të afrimit të Shqipërisë me Bashkimin Europian dhe të integrimit të plotë të vendit tonë në Familjen Europiane.

Është fakt se ka një rritje të vazhdueshme të pranisë së turistëve polakë në Shqipëri, gjë që është një potencial i rëndësishëm, për të cilin ne diskutuam edhe në funksion të tërheqjes së më shumë investimeve nga Polonia drejt vendit tonë.

Nga ana tjetër, ne kemi firmosur edhe një marrëveshje të re bashkëpunimi në fushën e kulturës, duke konstatuar se qoftë në këtë fushë, qoftë dhe në fushën e arsimit, bashkëpunimi ka një peshë të veçantë dhe nxitja e mëtejshme e tij ka një interes reciprok.

Ne diskutuam edhe për situatën në rajon, për progresin e bërë për të çuar më tutje bashkëpunimin rajonal në një kontekst tërësisht të ri, që është krijuar falë çeljes së Procesit të Berlinit. Por patjetër, jemi të vetëdijshëm dhe e ndamë këtë vetëdije për domosdoshmërinë e forcimit të këtij bashkëpunimi, në kontekstin e përgjithshëm të avancimit të vendeve të rajonit dhe sigurisht të Shqipërisë, me më shumë shpejtësi në procesin e integrimit në Bashkimin Europian.

E falenderova dhe dua ta falenderoj edhe publikisht Kryeministren për faktin që Polonia në kuadrin e Grupit të Vishegratit është një vend që e kërkon me zë të lartë rritjen e shpejtësisë në këtë proces për Shqipërinë. Ndamë sëbashku edhe opinionin mbi Progres-Raportin shumë pozitiv të Komisionit Europian dhe domosdoshmërinë që Këshilli Europian, në ditët e ardhshme të shprehet qartësisht për vijimin e mëtejshëm të procesit, duke pasur në konsideratë domosdoshmërinë që në kushtet kur Komisioni Europian ka bërë një rekomandim pozitiv për çeljen e negociatave, ky rekomandim të mirëpritet nga Këshilli dhe Shqipërisë t’i jepet mundësia që në muajt në vijim të japë provën e prekshme të fillimit të zbatimit të Reformës në Drejtësi, duke nisur aty ku nënvizon Komisioni, zbatimin e ligjit të Vetting-ut të prokurorëve dhe gjykatësve, si kushti i vetëm për t’u rikthyer në Këshill, Komisioni përmes një raporti të ndërmjetëm, që do të çelte negociatat për Shqipërinë.

Patjetër që në ndërkohë, Shqipëria ka qënë dhe mbetet e vetëdijshme se duhet të vazhdojë të bëjë progres në të pesë fushat e përcaktuara si 5 prioritete kyçe të Bashkimit Europian.

Edhe një herë dua ta falenderoj Kryeministren për këtë vizitë.

Më vjen shumë mirë që e provoi përmes fluturimit të shkurtër nga Varshava në Tiranë se distanca është shumë e shkurtër dhe se mundësitë që në këtë distancë të shkurtër ne të forcojmë marrëdhëniet e bashkëpunimit janë të mëdha.

Ashtu sikundër më vjen shumë mirë edhe për faktin që Kryeministrja provoi sesi në dy orë e gjysmë mund të kalohet nga dëbora në diell, nga një vend i rëndësishëm i Bashkimit Europian, në një vend që është në zemër të Europës dhe që meriton të jetë pjesë e Bashkimit Europian.

 

 

Kryeministrja Beata Szydlo:

Faleminderit shumë Zoti Kryeministër!

Zonja dhe zotërinj!

Së pari do të doja të falenderoja Kryeministrin për këtë pritje kaq të ngrohtë, për ftesën dhe për bisedën mjaft të këndshme që kemi zhvilluar.

Ashtu siç u tha edhe nga Kryeministri, ne mbërritëm këtu, me delegacionin polak, në mënyrë që të thellojmë marrëdhëniet tona dypalëshe. Polonia dhe Shqipëria janë dy vende, të cilat i bashkon historia, i bashkon fakti se shumë qytetarë shqiptarë kanë studiuar në Poloni dhe po kështu, edhe për faktin se mamaja e Kryeministrit ka studiuar në Poloni. Kështu që janë lidhje, aspektesh shumë specifike, shumë të prekshme, të cilave mund t’ju kushtojmë vëmendje e bashkëpunimin tonë.

Jam gjithashtu mjaft e lumtur që për herë që prej vitit 2004, një Kryeministër polak viziton Shqipërinë. Ka kaluar një kohë e gjatë, por jam mjaft e lumtur që pata mundësi që ta bëja këtë vizitë dhe të fillonim këtë bashkëpunim edhe më të thellë.

Gjithashtu, shoqërohem nga përfaqësues të biznesit polak, duke qenë se kemi shpresa shumë të larta kur bëhet fjalë për thellimin e bashkëpunimit tonë ekonomik. Ne shpresojmë se marrëveshjet e nënshkruara në sektorë të ndryshëm dhe midis dhomave të ndryshme të tregtisë do të përkthehen shumë shpejt në veprime specifike konkrete dhe në zhvillim ekonomik për të dyja vendet.

Zoti Kryeministër përmendi se kemi një potencial të mirë të bashkëpunojmë në sektorin e turizmit. Po e vërtetë, turistët polakë gjithnjë e më shpesh zgjedhin Shqipërinë si destinacion për pushimet e tyre verore. Kështu që, ka një numër fushash të ndryshme që mund të diskutojmë.

Sot, gjithashtu, nënshkruam një marrëveshje midis ministrive përkatëse të kulturës. Është një marrëveshje shumë e rëndësishme, duke qenë se do të zbatohet përmes sipërmarrjeve të ndryshme kulturore në bashkëpunim midis Shqipërisë dhe Polonisë.

Polonia e mbështet aspiratën e Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Europian dhe do të doja ta përgëzoja Shqipërinë për reformat që ka zbatuar deri tani dhe besoj se Komisioni Europian i ka vlerësuar ndryshimet që janë bërë nga qeveria e Shqipërisë dhe vendimi pozitiv që ka marrë është mjaft i kënaqshëm për ne.

Po kështu shpresoj dhe mbështetem te Këshilli Europian që të konfirmojë vlerësimin e Komisionit Europian dhe të përshpejtojë procesin.

Negociatat duhet të fillojnë.

Po kështu, ne vlerësojmë nivelin shumë të lartë të koherencës së politikës ndërkombëtare të jashtme të Shqipërisë me politikën e përbashkët të sigurisë e të jashtme të Bashkimit Europian dhe ky është një nga faktorët që duhet të përshpejtojë proceset e anëtarësimit.

Polonia gjithmonë ka mbështetur dhe do vazhdojë të mbështesë Shqipërinë në aspiratat e saj për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian. Ne e perceptojmë këtë kryesisht si një element shumë të rëndësishëm nga këndvështrimi i sigurisë dhe stabilitetit në Europë dhe në këtë rajon.

Nga ana jonë, ne gjithashtu deklarojmë vullnetin tonë për ta mbështetur Shqipërinë. Në këtë proces jemi të gatshëm të bashkëndajmë përvojat tona nga periudha e paranëtarësimit. Po kështu, edhe neve na u desh të ndërmerrnim ndryshime, reforma të nevojshme, të cilat na bënë të mundur që ne të bëheshim anëtarë të Bashkimit Europian.

Do të doja gjithashtu të thosha se takimet e sotme kanë një dimension të thellimit të bashkëpunimit. Flasim për bashkëpunim ekonomik, kulturor, por gjithashtu kemi theksuar shumë edhe sigurinë. Shqipëria është një partner mjaft i rëndësishëm në NATO për Poloninë. Ne e vlerësojmë që Shqipëria garanton stabilitet dhe siguri në Ballkanin Perëndimor.

Kryeministër do të doja t’ju falënderoja shumë, sërish, për mundësinë që më dhatë për t’ju takuar këtu. Shpresoj se së shpejti do të jemi në gjendje që të vijojmë këtë bashkëpunim shumë të mirë.

Shkruaj Mesazh

Kontakto me Kryeministrin

Shkruaj Mesazh

Reportazhe Eksklusive

Dokumentarë

Reportazhe Eksklusive

Për Gazetarët

Hapësira Mediatike

Për Gazetarët

Raport publik

300 Ditë

Raport publik