Postuar më : 08 Maj 2017

Një linjë e re ajrore shqiptare

Konferenca për shtyp e Kryeministrit Edi Rama me Drejtorin e Bordit Ekzekutiv të Turkish Airlines, Ilker Ayci:

Kryeministri Edi Rama: Mirëdita dhe mirë se keni ardhur!

Është një moment i bukur. Pata nderin të mikpres një mik dhe një drejtues të jashtëzakonshëm të një sipërmarrjeje fantastike si Turkish Airlines, Zotin Ilker Ayci. Me Zotin Ayci diskutuam për projektin që kam bërë me dije më parë, për ngritjen e një linje të re ajrore shqiptare, e cila ka nisur të projektohet falë mbështetjes së posaçme të Presidentit Erdogan dhe asistencës teknike të ekipit të Turkish Airlines.

Ne jemi të gjithë të vetëdijshëm për faktin se cilësia e shërbimit të transportit ajror të shqiptarëve që lëvizin qoftë jashtë atdheut, qoftë kur kthehen në atdhe, por dhe të të gjithë të tjerëve, lë shumë për të dëshiruar. Natyrisht nuk flas për kompanitë e mëdha që operojnë në Shqipëri, por flas për shërbimin që u jepet njerëzve në shumë drejtime, me një cilësi dhe me një kosto bilete që realisht lë shumë për të dëshiruar.

Ka qenë objektivi ynë, që në fillim, që të punojmë për ngritjen e një linje ajrore shqiptare. I jam shumë mirënjohës, qoftë Presidentit të Turqisë, qoftë Drejtuesit Ekzekutiv të Turkish Airlines që po na japin një ndihmë shumë të vyer. Faktikisht, sot, ne pamë konkretisht që jemi afër finalizimit të këtij projekti dhe jemi shumë shpresëplotë se në harkun e këtij viti do të fillojnë edhe fluturimet e para.

Nuk dua të flas për data e për afate sot, por është e sigurt që me asistencën e miqve tanë, që nuk është thjesht një asistencë teknike, në kuptimin e përgatitjes së një projekti në letër, por është një asistencë që do të shtrihet në të gjithë spektrin e shërbimit, si një mbështetje shumë e fortë për kompaninë e re shqiptare, ne më në fund do të bëjmë realitet një linjë ajrore shqiptare me flamurin tonë, ku të shërbehet me të njëjtën cilësi, siç shërbehet nga Turkish Airlines.

Sigurisht, ne nuk mund të krahasohemi, as në përmasa dhe as në intensitetin e volumit të punës me një superfuqi siç është Turkish Airlines, por, patjetër, në këtë mikrobotën tonë, ne do t’iu japim shqiptarëve një mundësi të re dhe jam i bindur se do të hyjmë në një epokë të re, edhe në këtë drejtim.

Duke e falenderuar edhe njëherë mikun tim dhe sot, mikun tonë, që mes 1001 punëve dhe takimeve të axhendës së tij globale erdhi në Tiranë, me shumë kënaqësi i jap fjalën.

Drejtori i Bordit Ekzekutiv të Turkish Airlines, Ilker Ayci:  Shumë i nderuar Kryeministër i Shqipërisë, Zoti Edi Rama!

Shumë të nderuar përfaqësues të shtypit!

I nderuar Zoti Ambasador i Republikës së Turqisë në Tiranë!

Të nderuar përfaqësues të Ambasadës Turke në Tiranë!

Të nderuar kolegë!

Fillimisht ju përshëndes të gjithëve me dashuri. Sot ndodhem në Tiranë, qytet me të cilin kemi lidhje të vjetra historike. Falenderoj Zotin Kryeministër për fjalët e bukura. Dëshiroj të theksoj se ai është një lider i shquar, por edhe vizionar i madh. Ne dëshirojmë të shprehim se jemi të kënaqur për fjalët tepër të veçanta që tha për ne. Edhe ne përcjellim nga Turqia përshëndetjet më të mira për vëllezërit tanë shqiptarë.

Presidenti ynë, Zoti Recep Tayyp Erdogan, bashkë me Zotin Edi Rama kanë zhvilluar bisedime të ndryshme dhe një ndër çështjet që kanë trajtuar më shumë ka qenë bashkëpunimi në fushën e Aviacionit Civil, për të zhvilluar bashkëpunimin në këtë fushë dhe në udhëheqjen e fuqishme të Kryeministrit të Shqipërisë, bashkë me vizionin e tij, edhe ne si “Turkish Airlines” do të mbështesim arritjet e mëdha që ka arritur Shqipëria në këto vite.

Në bazë të vendimit të përbashkët që ka arritur Presidenti turk dhe Kryeministri shqiptar, ne kemi përveshur mëngët dhe po punojmë për të realizuar vendimin që kanë marrë ata bashkërisht. Ne kemi realizuar për këtë çështje disa vizita në Shqipëri dhe po përgatisim fizibilitetin e projektit.

Ne sot takuam Kryeministrin shqiptar, ndamë mendime me të, dëgjuam sugjerimet e tij vizionare dhe dëshiroj ta falënderoj atë që na krijoi këtë mundësi. Ju faleminderit Zoti Edi Rama!

Unë jam i sigurt që sapo të kthehem në Turqi, bashkë me kolegët e mi do të diskutojmë për mendimet që u shprehën këtu. Ashtu siç tha zoti Kryeministër, ne do të rrisim cilësinë e shërbimit, qoftë në aeroport, qoftë në avionë. Do të bëjmë ndryshime të rëndësishme në mbështetje të të gjithë udhëtarëve për destinacionet ku mund të shkojnë.

Ne do të bëjmë të pamundurën, me gjithë eksperiencën e akumuluar që kemi si kompani, që gjithçka ta ndajmë me miqtë dhe vëllezërit tanë shqiptarë. Ne po vazhdojmë me shpejtësi të madhe të hedhim të gjitha hapat e nevojshëm për realizmin sa më parë të këtij projekti. Edhe ambasadori ynë na mbështet shumë në këtë drejtim.

Unë mendoj se miqësia turko-shqiptare, vëllazëria turko-shqiptare do jetë edhe në bashkëpunimin në fushën e Aviacionit Civil. Prandaj, si kryetar i Bordit Drejtues të Turkish Airlines, unë jam i përgjegjshëm për këtë dhe ne do të ofrojmë popullit shqiptar shërbime që do ta lumturojnë.

Në çdo fushë, në çdo drejtim jemi të gatshëm të japim mbështetjen tonë maksimale.

Jam tepër i lumtur që ndodhem në Tiranë, në kryeqytetin e vendit mik. Në emër të vendit tim, në emër të gjithë kolegëve të mi ju përshëndes juve dhe përshëndes Zotin Kryeministër.

Kryeministri Edi Rama: Shumë faleminderit për këtë shprehje entuziaste miqësie, të materializuar hap pas hapi në realizmin e këtij projekti shumë ambicioz, që jam i bindur që do marrë trajtën e vet përfundimtare, me sukses të plotë, në një hark kohe të shkurtër. Ndërkohë që paralelisht shoqërohet me projektin tjetër madhor, të ndërtimit të aeroportit të ri rajonal të Vlorës. Një aeroport që përbën jo vetëm një objektiv, por dhe një domosdoshmëri për zhvillimin e mëtejshëm ekonomik dhe për nxitjen e mëtejshme të truizmit në Shqipëri. Puna vazhdon dhe edhe në këtë rast, me mbështetjen e Presidentit Erdogan dhe falë konsorciumit, tanimë të sprovuar të kompanive që ndërkohë ndërtojnë dhe aeroportin e tretë të Stambollit, shumë shpejt do të jemi në momentin kur do bëjmë të njëjtën gjë, do paraqesim publikisht shprehjen e vullnetit për të çuar drejt realizimit projektin.

Sigurisht që janë projekte që kërkojnë kohën e tyre, por më vjen shumë mirë që qoftë njëri, qoftë tjetri janë projekte që po shkojnë drejt finalizimit nga pikëpamja e konceptit. Me fillimin e fluturimeve të një linje ajrore shqiptare kuq e zi do të hapim një epokë të re, ku aeroporti i Vlorës do të jetë një vlerë e jashtëzakonshme e shtuar.

Aktualisht në Shqipëri kemi dy kompani “low cost”. A ka ndonjë pikë në programin Rama që do t’i fuqizojë më tej kompanitë “low cost”, duke qenë se sjellin më shumë para dhe më shumë turistë në vend. Me projektin e ri që ju sapo lançuat, a kemi një numër, sa të punësuar do të ketë?

Kryeministri Edi Rama: Unë besoj që në një kohë të arsyeshme, prej maksimumi 90 ditësh, ne do të paraqesim të gjithë pasqyrën e plotë të kësaj ambicieje të materializuar në detaje, për si do të jetë, çfarë do të bëjë fillimisht, si do të zgjerohet vit pas viti, sa të punësuar dhe sa rritje progresive të punësimit do të ketë linja e re ajrore shqiptare. Natyrisht, unë e kuptoj padurimin e njerëzve, sepse shumëçka nga këto gjëra që ne po bëjmë duhet të ishin bërë vite më parë, por ju siguroj se po punojmë me shumë intensitet në të gjitha drejtimet, edhe në këtë projekt. Të jeni të bindur që prania këtu e Drejtorit të Bordit Ekzekutiv të Turkish  Airlines është shumë domethënëse, pasi Zoti Ilker është njësoj si një kryetar qeverie që ka një axhendë super të ngjeshur dhe i duhet të fluturojë në katër anët e botës. Por rëndësia e këtij projekti dhe domosdoshmëria e vendosur përpara tij nga Presidenti dhe nga unë e ka sjellë këtu dhe do ta sjellë përsëri këtu. Unë shpresoj dhe besoj brenda vitit, për të bërë fluturimin e parë.

Përsa i përket pjesës tjetër, ne sigurisht që jemi shumë të vetëdijshëm për të gjitha pengesat e trashëguara nga e shkuara. Të mos harrojmë që trashëgojmë një kontratë koncesionare problematike, pavarësisht rinegocimeve që ne kemi bërë për aeroportin e Rinasit dhe me të drejtë, pasagjerët shqiptarë, por jo vetëm, shpeshherë janë të palumtur me çmimet që rrjedhin dhe nga kjo kontratë. Kjo ka bërë që hyrja e kompanive “low cost” të jetë më e vështirë seç duhet të ishte për një vend si Shqipëria. Nga ana tjetër jam i bindur se me aeroportin e ri të Vlorës, si dhe me aeroportin turistik të Sarandës, që edhe ai është në proces, por është një projekt më i vogël, edhe në këtë rrafsh do të kemi një normalizim të situatës.

Zoti Rama, nuk mund t’i shmangemi dot pyetjeve politike, për aq kohë sa situata është e pazakontë. Dje në mbledhjen e grupit parlamentar...

Kryeministri Edi Rama: - Ju lutem, ju keni të drejtën tuaj të mos i shmangeni pyetjeve politike, por në këtë konferencë po flasim për qiellin që duam të arrijmë dhe nuk mund të zbresim nën tokë dhe të merremi me problemet e nëntokës. Shumë faleminderit!

Zoti Ayci: Zoti Kryeministër! Kam pasur një lider, të cilit unë i kam dhënë raporte gjithmonë, por dua të lumturoj tani dy liderë. Për cilësinë që ka kërkuar dhe kohën që ka kërkuar Zoti Kryeministër, për punën tonë të suksesshme, ne do të kontribuojmë maksimalisht. Ashtu siç tha edhe Zoti Kryeministër, ne do takohemi së shpejti këtu. Ne do bëjmë të pamundurën. Kam bindjen se ne nuk do t’ju turpërojmë. 

Shkruaj Mesazh

Kontakto me Kryeministrin

Shkruaj Mesazh

Reportazhe Eksklusive

Dokumentarë

Reportazhe Eksklusive

Për Gazetarët

Hapësira Mediatike

Për Gazetarët

Raport publik

300 Ditë

Raport publik