Postuar më : 08 Mars 2017

Njoftim për Media

Njoftim për Media
Mbi procedurën kombëtare të përzgjedhjes për pozicionin e gjyqtarit shqiptar në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut
 
Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës, voton brenda muajit prill 2017, kandidaturën për gjyqtarin e ri të Shqipërisë në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ). Këshilli i Evropës ka ftuar qeverinë shqiptare të paraqesë brenda datës 20 mars 2017, listën me propozime për tre kandidaturat më të përshtatshme për këtë pozicion.
 
Për kryerjen e procedurave në përputhje me udhërrëfyesin e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës CM (2012) 40-add, datë 29.3.2012, procesi është paraprirë  edhe nga një studim mbi praktikat më të mira të ndjekura nga vendet e tjera anëtare, për të përzgjedhur gjyqtarët e tyre kombëtarë në GJEDNJ.
 
Për përzgjedhjen e kandidatëve sa më të përshtatshëm, me Urdhër nr. nr. 7044, datë 6.12.2016, u ngrit Komisioni ad-hoc për kryerjen e procedurave përzgjedhëse për kandidatët për pozicionin e gjyqtarit të Shqipërisë në GJEDNJ, (Komisioni), me anëtarë që gëzojnë integritet dhe përvojë të konsiderueshme profesionale në fushën e së drejtës, si më poshtë:
 
Kryetar i Komisionit:
-Z. Luan Omari, konstitucionalist, ish-anëtar i Komisionit të Venecias
Anëtarë të Komisionit:
-Z. Kristaq Traja, ish-gjyqtar në GJEDNJ
-Z. Bashkim Dedja, Kryetar i Gjykatës Kushtetuese
-Z. Artan Hoxha, Dekan i Fakultetit të Drejtësisë, Universiteti i Tiranës, ish- gjyqtar në Gjykatën e Lartë
-Z. Artur Metani, Drejtor i Departamentit të Legjislacionit, Monitorimit të Programeve dhe Antikorrupsionit, Kryeministria
 
Çdo hap i procesit u ndoq në konsultim të plotë me Panelin Këshillues të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës (Paneli Këshillues).
 
Për të garantuar se procedura kombëtare e përzgjedhjes së gjyqtarit shqiptar në GJEDNJ të realizohej në përputhje me standardet e Këshillit të Evropës, u ndërmorën hapat si më poshtë: 
 
-         U dërgua për publikim, nëpërmjet shkresës me nr. 6335 prot., datë 31 tetor 2016, Njoftimi për aplikim, pranë: Qendrës së Botimeve Zyrtare, Ministrisë së Drejtësisë, Ministrisë së Punëve të Jashtme, Gjykatës Kushtetuese, Gjykatës së Lartë, Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Prokurorisë së Përgjithshme, Shkollës së Magjistraturës dhe të gjithë fakulteteve juridike të Universiteteve publike, Dhomës Kombëtare të Avokatisë, Dhomës Kombëtare të Noterëve, gazetave kombëtare me tirazh të konsiderueshëm dhe mediave me shikueshmëri të lartë.
 
-         Më 1 nëntor 2016, Njoftimi për Aplikim u botua pothuajse në të gjitha burimet e lartpërmendura. Afati për pranimin e aplikimeve u caktua 30 (tridhjetë) ditë.
 
-         Sipas thirrjes për aplikim, aplikantët duhet të plotësonin këto kritere: 
Të jetë shtetas shqiptar;
 
Të ketë arsim të lartë juridik;
 
Të ketë të paktën 15 vjet përvojë pune si gjyqtar, prokuror, avokat, profesor ose lektor i së drejtës, nëpunës i nivelit të lartë në administratën publike, me një veprimtari të spikatur në fushën e së drejtës, kryesisht në fushën e të drejtave të njeriut. Përparësi do të kenë kandidatët me përvojë praktike në sistemin e drejtësisë;
 
Të mos ketë mbajtur funksione politike në administratën publike ose pozicione drejtuese në një parti politike gjatë 10 vjetëve të fundit përpara kandidimit;
 
Të ketë karakter të lartë moral në përputhje me pikën 1, të nenit 21, të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut;
 
Të zotërojë një nga gjuhët zyrtare të Këshillit të Evropës (anglisht ose frëngjisht) si dhe së paku të ketë njohuri bazë të gjuhës tjetër. Do të konsiderohet përparësi zotërimi i të dyja gjuhëve zyrtare të Këshillit të Evropës.
 
-         Numri i kandidatëve që aplikuan ishte 11 (njëmbëdhjetë).
 
 
-         Lista e kandidatëve (sipas rendit alfabetik) që aplikuan për pozicionin e gjyqtarit shqiptar në GJEDNJ:
 
1.      Aleksandër Muskaj
2.      Asllan Karaj
3.      Aurela Anastas
4.      Elira Kokona
5.      Ermal Frashëri
6.      Gent Ibrahimi
7.      Marjana Semini Tutulani
8.      Markeljan Koça
9.      Oriona Muçollari
10. Sokol Berberi
11. Suela Mëneri
 
-         Pas marrjes së aplikimeve të plota dhe të dorëzuara brenda afatit 1 mujor që u la në dispozicion, Komisioni vijoi punën me shqyrtimin e dosjeve të aplikantëve. Të ndërgjegjshëm për rëndësinë e integritetit dhe pastërtisë së figurës së gjyqtarëve në sistemin e drejtësisë shqiptare, por edhe të përfaqësuesve shqiptarë në trupat ndërkombëtare gjyqësore, Komisioni, gjatë kryerjes së procedurave përzgjedhëse për kandidatët për pozicionin e gjyqtarit të Shqipërisë në GJEDNJ, veç vlerësimit të kandidatëve bazuar mbi kritere profesionale, zbatoi edhe parimet kushtetuese që qëndrojnë në themel të procesit të kontrollit (vetting-ut), të cilat lidhen me çështje të verifikimit të deklarimit të pasurisë dhe integritetit, bazuar në  kuadrin ligjor që rregullon këto çështje; për pastërtinë e figurës së funksionarëve të lartë; për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike; për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë; për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike.
 
 
-         Pas realizimit të vlerësimeve nga çdo anëtar i Komisionit për dosjet e aplikantëve, bazuar në kriteret e thirrjes për aplikim dhe karakteristikat e tyre, kandidatët u ftuan për fazën e intervistës së strukturuar me gojë sipas një formati të standartizuar, ku kandidatët u vlerësuan edhe për aftësitë gjuhësore. 
 
Pas përfundimit të dy fazave të procedurës së përzgjedhjes, Komisioni, bazuar në vlerësimet përkatëse dhe pas realizimit të fazës së plotë konsultative me Panelin Këshillues të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, propozoi listën me 3 kandidatë për pozicionin e gjyqtarit të Shqipërisë në GJEDNJ, si më poshtë:
1.      Aleksandër Muskaj
2.      Aurela Anastas
3.      Sokol Berberi 
 
Kjo listë u paraqit për njohje dhe shqyrtim nga Këshilli i Ministrave.
 
 
Pas njohjes dhe shqyrtimit nga Këshilli i Ministrave, lista me 3 kandidatët, bashkë me praktikën përkatëse, përcillet pranë Asamblesë Parlamentare (KiE) brenda datës 20 mars 2017, për procedurat e mëtejshme. ​
Shkruaj Mesazh

Kontakto me Kryeministrin

Shkruaj Mesazh

Reportazhe Eksklusive

Dokumentarë

Reportazhe Eksklusive

Për Gazetarët

Hapësira Mediatike

Për Gazetarët

Raport publik

300 Ditë

Raport publik