Postuar më : 03 Prill 2017

Rama-Markovic: Shkodra do të presë mbledhjen e dy qeverive

Deklarata e  Kryeministrit Edi Rama në konferencën e përbashkët për shtyp me homologun malazez:

Fqinji ynë i shtrenjtë, Mali i Zi, do të bëhet anëtari i 29-të i NATO-s. Është një arritje për të cilën Shqipëria ka bërë gjithçka ka mundur në mbështetje të Malit të Zi. Është një arritje historike jo vetëm për Malin e Zi, por  për vetë rajonin tonë. Me futjen e Malit të Zi në NATO, e gjithë vija bregdetare e këtij krahu të Jonit dhe Adriatikut është zonë e NATO-s.  

Jam shumë i inkurajuar për faktin se miku ynë dhe Kryeministri i Malit të Zi, sëbashku me forcat e tjera të këtij koalicioni qeverisës i ka dhënë një shtytje serioze përpara marrëdhënieve me shqiptarët këtu në Malin e Zi, në drejtim të përmbushjes së të drejtave të tyre legjitime të përfaqësimit, të drejtave administrative, ekonomike, kulturore, si dhe një përfshirje edhe më të mirë të tyre në shoqëri. Ne jo vetëm e kemi mirëpritur marrëveshjen e arritur ndërmjet partive të koalicionit qeverisës dhe veçanërisht, marrëveshjes me faktorin politik shqiptar, por kemi bindjen se inkurajimi i mëtejshëm i kësaj marrëdhënieje është edhe një  faktor shumë i rëndësishëm stabiliteti për Malin e Zi. 

Ashtu sikundër i jemi mirënjohës, pasi ky është një diskutim që e kemi çelur prej disa kohësh, gjatë vizitës time të parë këtu në Podgoricë, lidhur me hapat e marra deri tani për marrëveshje të gjerë e me afate konkrete dhe dialogun demokratik me faktorin shqiptar, duke patur parasysh miratimin e planit hapësinor të Komunës së Ulqinit dhe miratimin e ndryshimeve, plotësimeve, për të organizuar territorin në funksion të hapjes së rrugës së krijimit të Komunës së Tuzit, si komunë e pavarur. 

Shumë faleminderit për këtë ndjeshmëri. Të jeni të bindur që shqiptarët e kuptojnë këtë ndjeshmëri, edhe si një detyrim për të qenë kontribuues të fuqishëm në rrugën e Malit të Zi si anëtar i NATO-s dhe drejt integrimit të plotë në Bashkimin Europian. 

Nuk dua të përsëris ato që u thanë në planin e një sërë punësh të përbashkëta që kemi përcaktuar në kalendarin tonë, por dua të nënvizoj edhe njëherë, se kemi vendosur të organizojmë mbledhjen e përbashkët të dy qeverive në Shkodër në muajin tetor, si fillimin e një cikli të ri marrëdhëniesh dhe e një përpjekjeje të re për të intensifikuar marrëdhëniet, në funksion të përmirësimit të jetës ekonomike dhe sociale të qytetarëve tanë, duke shfrytëzuar potencialet e përbashkëta që janë të mëdha dhe posaçërisht, duke i dhënë gjithë kësaj hapësire ndërkufitare një vëmendje më të madhe, të përbashkët, në funksion të rritjes ekonomike dhe cilësisë së jetës shoqërore. 

Nuk ka diskutim se ne mbetemi fqinj të dashur dhe të afërt me njëri-tjetrin dhe se rruga jonë e përcaktuar qartë, për të qenë krahpërkrah në koalicion e shteteve të botës së lirë demokratike, është një rrugë pa kthim, ku ne jemi të vendosur të çojmë përpara këtë marrëdhënie që është strategjike, në funksion të ardhmërisë së fëmijëve këtu në Malin e Zi dhe pak më tutje, në Shqipëri. 

Shumë faleminderit! Shumë faleminderit për mikpritjen, sepse realisht kur vijmë në Mal të Zi ndihemi si në Shqipëri.

Shkruaj Mesazh

Kontakto me Kryeministrin

Shkruaj Mesazh

Reportazhe Eksklusive

Dokumentarë

Reportazhe Eksklusive

Për Gazetarët

Hapësira Mediatike

Për Gazetarët

Raport publik

300 Ditë

Raport publik