Postuar më : 27 Shtator 2017

Shqipëri-Kosovë, përshpejtim axhendës së përbashkët të dy qeverive

Kryeministri Edi Rama mikpriti sot, në Pallatin e Brigadave, Kryeministrin e Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj dhe delegacion që e shoqëron. Pas ceremonialit ushtarak të pritjes u mbajt takimi kokë më kokë, i cila u pasua nga takimi dypalësh mes dy delegacioneve dhe mbledhja inaugurale e komisionit për organizimin e Vitit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit Skënderbeut, nën kryesinë e dy kryeministrave.

Në mbyllje, Kryeministri Rama dhe Kryeministri Haradinaj dolën në një konferencë të përbashkët shtypi:   

Kryeministri Edi Rama: Vizita e parë jashtë Kosovës e Kryeministrit Haradinaj këtu në Shqipëri është një gjest domethënës që e çmoj posaçërisht, por edhe një shenjë e qartë e ndërveprimit tonë të patjetërsueshëm. Duke i përsëritur edhe njëherë Kryeministrit, shprehjen e kënaqësisë së veçantë për vizitën e tij, si dhe duke nënvizuar të gjithë mbështetjen tonë për programin qeverisës të Kosovës dhe objektivat e tij ambiciozë, që me shpresë do të mundësojnë fitimin e një kohe të çmuar, të humbur, në periudhën e fundit, dua të nënvizoj se nga takimi i sotëm jam shpresëplotë për një përshpejtim të domosdoshëm të axhendës së përbashkët të dy qeverive tona.

Nuk ka dyshim se hapat e ndërmarrë deri më sot, në kuadër të rrëzimit të barrierave të natyrave të ndryshme, që e kanë penguar dhe vazhdojnë ta pengojnë integrimin e plotë të dy shteteve tona, në një proces lehtësimi përfundimtar të marrëdhënieve të të gjitha natyrave, përbëjnë një premisë, por ende jo një platformë zgjidhesh. Prandaj, në mënyrë të veçantë, mbledhja e 4-rt e dy qeverive në 27 nëntor, në Korçë do të fokusohet ekzaktësisht tek fitimi i kohës së humbur.

Sot kemi rënë dakord për ta vendosur fokusin në fushat ku ka nisur një proces, por ku progresi ka qenë larg së qeni i mjaftueshëm.

Së pari, në lehtësimin e procedurave administrative për shtetasit që punojnë, studiojnë, apo jetojnë në të dy anët e kufirit, çka nënkupton më të thjeshtën, që për vite të tëra ka qenë më e komplikuara dhe mbetet më e komplikuara, lëvizjen e lirë në kufij, ku qytetarët e Shqipërisë, por më shumë akoma qytetarët e Kosovës ndeshen me një mur absurd. Këtë mur, ne duam bashkërisht ta shembim, për ta filluar vitin e ardhshëm me një kufi simetrik, në ngjashmëri me kufijtë midis vendeve të Bashkimit Europian, një kufi europian për Shqipërinë dhe Kosovën, ku natyrisht nuk do të hiqen fare kontrollet, por kontrollet do të jenë aq të rralla, saqë shumëkujt mund t’i bjerë që të mos ketë asnjë kontroll për gjithë jetën, siç ndodh në kufijtë e Bashkimit Europian.

Po ashtu, ekuivalentimin e diplomave dhe lehtësimin e aksesit në tregun e punës, që sot janë vështirësi evidente për të rinjtë në të dy anët e bjeshkëve shqiptare.

Së dyti, kemi një dakordësi të plotë që unifikimi i tregut tonë duhet t’i paraprijë si model unifikimit të tregut rajonal. Në kundërshtim të hapur me të gjithë zërat dhe me të gjitha teoritë e konspiracionit për zonën ekonomike rajonale, unë dua të nënvizoj se Shqipëria dhe Kosova i kanë të gjitha mundësitë të jenë modeli që i paraprin me shembullin e vet krijimit të zonës ekonomike rajonale. Për çfarë diskutojmë kur kundërshtojmë këtë ide, kur marrëdhëniet tregtare në rajon iu kushtojnë sipërmarrjeve të rajonit 3800 vite pritje në vit nëpër dogana! Brenda këtyre 3800 viteve pritje në vit, të kalkuluara nga Banka Botërore, janë dhjetëra, në mos qindra vite pritje të sipërmarrjeve shqiptare që duan të lëvizin nga kjo anë, apo nga ajo anë, për këndej, apo për andej.

Sot kemi dakordësuar që ta mbyllim një proces të mirëstudiuar, të miëprogramuar të bashkimit doganor në Portin e Durrësit. Porti i Durrësit nuk është vetëm porti i Shqipërisë zyrtare. Është edhe porti i shqiptarëve të Kosovës. Është porti që duhet të kthehet në doganë të njehsuar të Shqipërisë dhe të Kosovës. Është e padrejtë, është e pandershme dhe mbi të gjitha është e pajustifikueshme që sipërmarrjet shqiptare që çojnë mall në Kosovë përmes Portit të Durrësit të kontrollohen dy herë dhe të përballen me dy palë procedura, me dy palë doganierë. Këtë kemi rënë dakord ta finalizojmë në mbledhjen e 27 nëntorit. Ministrat tanë të Financave kanë marrë udhëzimet e qarta dhe kanë dakordësi të plotë që procesi është vonuar pa asnjë justifikim të qëndrueshëm.

Së treti, Shqipëria dhe Kosova duhet të përfitojnë së bashku nga mundësitë e ofruara përmes Procesit të Berlinit dhe nga fondet IPA. Sot kemi folur specifikisht për rolin që ministrat e Jashtëm ndërmarrin në këtë proces, në mënyrë që përmes koordinatorëve tanë kombëtarë në Procesin e Berlinit, ne të mundemi përsëri të jemi shembullorë nga përfitimet nga Procesi, jo thjesht si shtete më vete, por si dy shtete të interesuara strategjikisht për të funksionuar së bashku.

Po ashtu kemi rënë dakord të fillojmë t’i japim fund historisë së shpenzimeve tërësisht të paarsyeshme të buxheteve tona, për të mbajtur seli diplomatike dhe seli përfaqësuese konsullore veç e veç. Për çfarë arsyeje?! Kemi folur për një plan të përbashkët veprimi në funksion të ndërtimit të një fondi imobiliar shqiptar në Europë, duke filluar nga kryeqendrat e diplomacisë europiane, për t’u shtrirë pak nga pak, më tej. Një fond shqiptar imobiliar që do të jetë një aset i përbashkët i të dy shteteve dhe njëkohësisht do t’u japë shqiptarëve një adresë.

Kosova ka një sërë sfidash përpara saj, që nga procesi i integrimit në BE, deri tek marrëdhënia me NATO-n dhe krijimi i Forcave të Armatosura. Unë nuk mund veçse ta risiguroj edhe Kryeministrin e Kosovës sot, se Shqipëria është e gatshme të mbështesë të gjitha zgjidhjet që janë në favor të Kosovës dhe që e nxisin më tutje udhëtimin e saj euroatlantik. Shqipëria është gatshme të jetë pjesë e zgjidhjes së problematikave që has Kosova, si një aktor garant. Diplomacia jonë ka qenë dhe do jetë edhe më aktive për njohjen ndërkombëtare të Kosovës në anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare.

Ajo çka besoj është e rëndësishme të theksohet është se Shqipëria e ka mbështetur dhe do ta mbështesë me të gjithë fuqinë e vet dialogun midis Prishtinës dhe Beogradit, duke qenë qartësisht në anën e Kosovës, në funksion të gjetjes së një zgjidhjeje realiste dhe të një çlirimi përfundimtar të vetë Serbisë nga makthi i të shkuarës që e mban peng Serbinë, në radhë të parë dhe që pengon njohjen përfundimtare të Kosovës edhe nga vetë Serbia.

Natyrisht, ne e shikojmë me shqetësim, - këtë e kam ndarë edhe me Kryeministrin, - çështjen e demarkacionit me Malin e Zi, ku është e domosdoshme të gjendet rruga për ta përshpejtuar zgjidhjen përfundimtare të një ngërçi që po krijon jo pak probleme me bashkësinë ndërkombëtare, e cila, në këndvështrimin tonë të përbashkët ka qenë dhe mbetet garanti kryesor i Kosovës dhe një procesi ku Kosova duhet të ketë çdo ditë e më shumë miq dhe ku nuk ka asnjë llogari të humbasë qoftë edhe një mik të vetëm.

Duke e mbyllur, më vjen shumë mirë që sot, së bashku me Kryeministrin kemi lançuar procesin për përgatitjen e Vitit të Skënderbeut, si një nismë shtet-konsoliduese për Shqipërinë dhe Kosovën, si një nismë frymëzuese për të ardhmen dhe jo si një arsye për qokat e dikurishteve të të shkuarës.

Shumë faleminderit Kryeministër, që sot jeni këtu me ne!

Ju e thatë vetë që jeni në shtënë tuaj, madje jeni edhe banor i Njësisë Nr. 5 në Tiranë, ku ne kemi deputet Pandeli Majkon. Por, për sa kohë jemi dy shtete, kemi detyrimin të zhvillojmë në bazë të protokolleve të gjitha ceremonitë e nevojshme dhe nuk është as e rastit dhe as e tepërt që juve sot ju presim këtu, në këtë Pallat të rëndësishëm për historinë tonë, për të dhënë një sinjal shumë të qarë të respektit dhe njëkohësisht të vlerësimit të madh që ne kemi për mënyrën sesi në gjithë në këto vite, Kosova po zhvillohet si një realitet që iu tregon të gjithëve se sa më shpejt të mbyllet procesi i njohjeve, aq më mirë do jetë për të gjithë! 

Kryeministri Ramush Haradinaj: Kryeministër dhe mik Edi, faleminderit!

Unë dhe Kosova jemi çdo herë, jo veç të vetëdijshëm, por ndihemi mirë se në krejt rrugëtimin e Kosovës ndër etapa, ne s’kemi qënë kurrë vetëm. Kuptohet, më së afërmi na ka qëndruar Shqipëria, vëllezërit dhe motrat tona shqiptare dhe këtë e ndjejmë edhe sot.

Jemi të gëzuar që në rrugëtimin tonë si Kosovë, edhe shqiptarët i kemi sot shumë aleatë të çmuar. Unë nuk përtoj të them që i takojmë botës që udhëheq Amerika, por po ashtu jemi shumë të vendosur që rrugëtimin tonë drejt BE-së ta bëjmë së bashku si Kosovë me Shqipërinë. Kosova është e përgjegjshme, është anëtare e re e familjes, por është e përgjegjshme. Kosova ka treguar në vazhdimësi, - populli i Kosovës, - respekt për komunitetet që jetojnë në Kosovë. Ne jemi të gatshëm që këtë respekt ta zgjerojmë për të gjithë fqinjët.

Rrugëtimi ynë si shtet tani ka për sfidë dhe këtu e ndiejmë Shqipërinë, e ndjemë qeverinë e Shqipërisë, Kryeministrin me përkujdesjen ndaj Kosovës, në proceset që ndodhin në rajon, ndërshqiptare, ne e përcjellin Tiranën, përcjellim qeverinë, përcjellim Kryeministrin, pra, jemi të gatshëm të përcjellim, njëkohësisht edhe në këtë ngjarje të sotme, nderin që iu bë popullit të Kosovës me pritjen, me respektin, por edhe më shumë ato punë, të cilat sot ramë dakord dhe do të marrin epilog. Është fjala për atë, siç e thatë Kryeministër, kalimin kufitar ta kthejmë në një kalim të zakonshëm që është mes vendeve të BE-së, pastaj, që të mos kemi dyfishim të procedurave doganore në Durrës, që të mos kemi pengesa administrative për qytetarët tanë, për shkak se një diplomë apo një certifikatë nuk përputhet me tjetrën, janë më se të nevojshme dhe është koha.

Ne e mirëpresim mbledhjen e përbashkët të dy qeverive më 27 nëntor, në Korçë. Besoj se deri në këtë mbledhje, ne do të kemi një axhendë të përbashkët të mëtejme për diçka që na bën shumë krenarë, që edhe ju përgëzoj për këtë ide kaq të madhe, edhe të mirë për shqiptarët, Vitin e Skënderbeut, por edhe në funksion të gjetjes së veprimeve të ndërsjella, që jo vetëm ne na ndihmojnë, duke e përjetësuar atë ‘kush jemi, kush kemi qenë’, por veçanërisht edhe për veprimet që përmirësojnë jetën e qytetarëve tanë në të gjitha anët e atdheut, jo vetëm në trojet tona, por edhe kudo ku jetojnë shqiptarë.

Edhe njëherë, faleminderit shumë Edit! 

 

RTK: Kam një pyetje për të dy kryeministrat. Normalisht, kur takon dy kryeministra, publiku pret gjëra të mëdha. Megjithatë ju përmendët disa nga deficitet përsa i përket realizimit me plotni të marrëveshjeve të arritura deri tani midis dy shteteve. Z. Kryeministër Rama, ju kohët e fundit keni promovuar filozofinë e ashtuquajtur të bashkëqeverisjes, ndërkohë Kryeministri Haradinaj, si pikë reference vazhdimisht merr Shqipërinë dhe vetëm Shqipërinë. A do të thotë që këto marrëveshje që ju i arrini ndërmjet dy qeverive do të kenë edhe mbështetje ligjore përkatëse? Së dyti, a mund të shkohet drejt një bashkëqeverisjeje, për të shmangur të gjitha ato kosto që ju sapo përmendët? Ju faleminderit!

Kryeministri Rama: Nuk e kuptova mirë këtë çështjen e mbështetjes ligjore, por ju siguroj që nuk ka asgjë të paligjshme në këtë përpjekje, sepse nuk ka si të ketë dhe për më tepër, kur kemi këtu edhe Kryeministrin e Kosovës që është pjesë e një historie të lavdishme, që filloi si një atentat i paligjshëm dhe u kthye në një lëvizje çlirimtare të ligjëruar me lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Natyrisht, unë e di që publiku pret gjëra të mëdha. Unë besoj që çdo gjë e madhe arrihet duke bërë çdo ditë një gjë të vogël. Janë shumë gjëra të vogla, që do të kishin bërë sot një gjë të madhe, nëse ne do të kishim qenë shumë më të fokusuar dhe shumë më të vendosur për t’i bërë gjërat e vogla, pasi, le të themi, është gjë e vogël që diplomat të jenë të ekuivalentuara, por nuk janë të ekuivalentuara dhe në fund kthehet në një problem të madh. Është gjë shumë e vogël që kufiri midis Shqipërisë dhe Kosovës të jetë të paktën si kufiri midis Zvicrës dhe Italisë, apo Gjermanisë dhe Francës, nuk po them si kufiri midis Kukësit dhe Tropojës, por ja që nuk është bërë dhe është një problem i madh për të gjithë ata që ndeshen me atë mur. Po ashtu është një gjë e vogël që Porti i Durrësit te jetë hyrja e vetme për sipërmarrësit që çojnë mallrat deri në Prishtinë, por nuk është bërë dhe ja që është një problem i madh. Pra, janë shumë e shumë si këto, që në fund bëjnë atë që ne e quajmë bashkim kombëtar dhe që rëndom, fatkeqësisht e imagjinojmë si një luftë tjetër, që në fakt s’është gjë tjetër, veçse një luftë e përditshme për të unifikuar një hapësirë të përbashkët, ku fakti që ka dy shtete, dy qeveri nuk mund të përbëjë në asnjë mënyrë as pengesën më të vogël për ata që jetojnë në dy anët e kufirit. Unë besoj që nismat janë të thjeshta, por problemet që zgjidhen përmes këtyre nismave janë realisht probleme të mëdha. Sigurisht që ne nuk do ndalemi këtu, pasi aspirata jonë është që kjo hapësirë të jetë një hapësirë tërësisht e unifikuar, - kjo nuk diskutohet, - por e unifikuar në shekullin 21-të, duke pasur parasysh që qoftë shqiptarët e Shqipërisë, qoftë shqiptarët e Kosovës kanë në dorë një instrument të patjetërsueshëm dhe të pazëvendësueshëm për të bërë shtet, që është instrumenti i integrimit në Bashkimin Europian.

Kryeministri Haradinaj: E ndaj mendimin. Një qytetar i Prishtinës në Tiranë, nëse ka një termin në orën 12:00, ai nuk di kur të niset se nuk e di si është gjendja në kufi dhe anasjelltas. Nëse kjo është jo e vlefshme, atëherë mund të flas, nëse flasim se ka 3800 vite pritje të bizneseve dhe qindra vjet pritje të bizneseve shqiptare, kjo për fat të keq iu ndodh edhe qytetareve. Kemi pritur shumë vjet me u hap mes vetes. Është koha të mos presim më. Unë vërtet jam i inkurajuar me këtë gatishmëri, që edhe në afat të caktuar kohor, kjo të ndodhë, pra, u paralajmërua fillimi i vitit që po vjen. Unë për vete do ta festoj këtë. Mendoj se është një festë.

 

Top Channel: Kryeministër Haradinaj, Presidenti Aleksandër Vuçiç, pak ditë më parë në OKB u duk i alarmuar, kur iu bëri thirrje vendeve të OKB-së të mos votojnë Kosovën në UNESCO, pasi, sipas tij, ka informacione që Kosova i ka votat për të hyrë në UNESCO. A i ka Kosova votat për të hyrë në UNESCO?

Për Kryeministrin Rama, çfarë ka bërë Shqipëria dhe diplomacia shqiptare që të mos përsëritet dështimi i para gati dy vitesh me UNESCO-n? Faleminderit!

Kryeministri Haradinaj: Kosova është një anëtare e vërtetë, e vlefshme për UNESCO-n, do të jetë për shkak se ka në vete shumë trashëgimi kulturore që është vërtetë e larmishme, pra, ka diversitet kulturor të jashtëzakonshëm, ashtu si ka Shqipëria. Kurdo që të ndodhë anëtarësimi i Kosovës në UNESCO, do të fitojë ajo trashëgimi kulturore e çmuar, që nuk është vetëm e Kosovës, ajo është e botës. Pra, ne po punojmë për anëtarësim. Nuk mund tani të precizoj si do të vazhdojnë procedurat. Nëse do të anëtarësohemi këtë vit, do të ishte fitore, po e them, për trashëgiminë kulturorë të botës, nëse jo, do të anëtarësohemi në etapën tjetër.

Kryeministri Edi Rama: Unë ia kam thënë sa herë që më është dhënë rasti, në takimet që kemi pasur, Presidentit aktual dhe Kryeministrit të deridjeshëm të Serbisë, që personalisht e kam të pamundur ta kuptoj logjikën e refuzimit serb për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO. E kam të pamundur ta kuptoj logjikën, sepse, nëse për serbët ka një rëndësi të posaçme trashëgimia e tyre kulturore, monumentet e tyre të kulturës në Kosovë, atëherë, ata duhet të ishin të parët që duhet të vraponin për ta vënë nën mbrojtje këtë trashëgimi përmes UNESCO-s, në një vend ku pa dashjen e tyre qeverisin shqiptarët dhe është krijuar një shtet i ri fqinj, sovran dhe i pavarur. Nuk e kuptoj! Kush humbet në këtë rast nga ky proces? Kosova humbet më pak se Serbia, me thënë të drejtën, në këndvështrimin tim, sepse UNESCO dihet se çfarë është dhe dihet se për çfarë duhet. I duhet Serbisë që të jetë në Kosovë për të mbrojtur atë që ata e quajnë trashëgimi të tyre kulturore. Natyrisht, për Kosovën është e rëndësishme UNESCO, në kuadrin e të gjitha njohjeve dhe proceseve integruese të shtetit të Kosovës në organizata, institucione etj., por është absurd qëndrimi serb. Këtë unë e kam ndarë me Presidentin serb, i cili e ndjek në kohë reale jetën politike në Shqipëri dhe në Kosovë dhe jam i bindur që sot do të japë një përgjigje për këtë në orët që pasojnë. Nëse nuk do ta jepte, do të isha i inkurajuar që ai po reflekton. Përsa i përket votave, askush, në botën demokratike, kur vota është e fshehtë, nuk thotë dot i ka votat. Ju e keni parë, jo në një rast, që kush thotë i ka votat, nga vota e fshehtë pastaj i dalin mangët. Kështu që nuk është çështje “i ke, nuk i ke votat”.

 

TV 21: U përmend çështja e demarkacionit këtu. Kam një pyetje për kryeministrin Haradinaj dhe për ju Z. Rama. Z. Haradinaj, ditë më parë, përfaqësuesit e Malit të Zi thanë që çështja e demarkacionit është e kryer për ta. Cili është plani juaj për këtë çështje? Z. Rama, cila është mbështetja juaj në këtë aspekt?

Kryeministri Haradinaj: Kosova ka një traditë të mirë të bashkëpunimit të saj dhe ndjenja të mira me popullin e Malit të Zi. Me thënë të drejtën, këto 20 vitet e fundit, populli i Malit të Zi nuk është korit me Kosovën, me shqiptarët dhe në kohërat e vështira të krizës. Por edhe Kosova ka qenë shumë e kujdesshme nëpër momentet kyçe të Malit të Zi, përfshi edhe pavarësimin, pastaj dhe momente të tjera dhe i gëzohemi sukseseve të Malit të Zi. Tema e shënjimit të kufirit Kosovë-Mali i Zi është në një situatë ku Kosova po procedon në përputhje me rregullativën e vet, në përputhje me obligimet politike që ka. Kur kemi një situatë të re, me siguri që do t’i drejtohemi vendit fqinj, pra, kur të kemi një situatë më të qartë të të gjeturave tona. Deri atëherë besoj që të gjithë mund ta çojmë një porosi, që interesimi ynë është që këto marrëdhënie të mira me Malin e Zi t’i forcojmë.

Kryeministri Rama: Në ketë pikë, unë dua të jem i hapur dhe i sinqertë. Interesi i Kosovës është zgjidhja sa më parë i këtij problemi, i cili është kthyer në një ngërç në marrëdhëniet me bashkësinë ndërkombëtare. Natyrisht ka një proces të natyrshëm fiziologjik kalimi nga opozita në qeveri. Kështu që, Kryeministri kërkon dhe pak kohë, besoj, që të ndahet nga pozicioni i tij opozitar i këtij problemi. Ashtu sikundër, unë do të dëshiroja që të mos shikoja Kryeministrin e deridjeshëm të Kosovës që të shkonte tek një pozicion opozitar në raport me një çështje për të cilën ai ka qenë dakord dhe madje ka fajësuar opozitën e deridjeshme. Është një problem, i cili nuk është problem i Malit të Zi, është një problem politik brenda Kosovës dhe do ta zgjidhë Kosova, në funksion të ardhmërisë së vet. Përsa i përket asaj që Kryeministri tha për Malin e Zi, unë nuk mundet veçse ta përforcoj, duke thënë që Mali i Zi është një vend dhe një popull mik i padiskutueshëm, me të cilin shqiptarët kanë pasur marrëdhënie të shkëlqyera. Shqiptarët e kanë shpëtuar dy herë Malin e Zi, në kuptimin më të mirë të fjalës dhe janë aty një faktor garant për të gjithë procesin ku Mali i Zi ka hyrë me një kurajo të jashtëzakonshme, me një lidership të jashtëzakonshëm, si një model frymëzues se çfarë një vend shumë i vogël mund të bëjë, kur i thërret dinjitetit të vet në momente udhëkryqesh historike.

Shumë faleminderit!

Shkruaj Mesazh

Kontakto me Kryeministrin

Shkruaj Mesazh

Reportazhe Eksklusive

Dokumentarë

Reportazhe Eksklusive

Për Gazetarët

Hapësira Mediatike

Për Gazetarët

Raport publik

300 Ditë

Raport publik