Postuar më : 10 Maj 2017

Statusi i Naftëtarit, 5 mijë naftëtarë përfitues

Deklaratë për shtyp e Ministres së Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Ermonela Felaj:

Me datë 2 shkurt 2017, Kuvendi i Shqipërisë miratoi ligjin “Për statusin e punonjësve të industrisë së naftës dhe të gazit”, i cili ka hyrë në fuqi më datë 9 mars 2017.

Sipas këtij ligji, Këshilli i Ministrave kishte detyrimin që brenda 3 muajve të nxirrte aktet nënligjore që sigurojnë zbatimin faktik të tij. Konform ligjit për Statusin e Naftëtarit, qeveria ka miratuar sot, vendimin që përcakton rregullat sesi do të përfitohet  konkretisht ky status, sesi do të veprohet për  pajisjen e çdo naftëtari ose ish naftëtari me dëshminë përkatëse të qenies naftëtar.

Theksojmë se ligji për Statusin e Naftëtarit është një ligj nga i cili përfitojnë rreth  5 mijë naftëtarë në të gjithë vendin dhe është produkt  sa i fjalës së mbajtur të kësaj qeverie, aq dhe i të gjitha reformave të rëndësishme  që qeveria jonë ka  ndërmarrë në vetëm 3 vjet e gjysmë.

Për plot 5 mijë naftëtarë, për të parën herë në 25 vjet, qeveria orientoi vëmendjen duke iu kthyer atyre atë çka meritojnë, përkundrejt asaj që kanë dhënë në vite dhe japin në naftë, duke sakrifikuar jetën, shëndetin, kohën me familjen, me bashkëshortët dhe fëmijët.

I pari status që nuk ka në përmbajtje vetëm parashikimin për të drejtën e pensionit të parakohshëm të pleqërisë, por një sërë parashikimesh që shkojnë drejtpërdrejtë si përfitime në pagë, në pensione, në trajtimin e atyre që janë të papunë, në të drejtën për ripunësim, në të drejtën për kurim, në të drejtat mbi privatizimet dhe koncesionet.

Ligji për Statusin e Naftëtarit u njeh përfitime naftëtarëve që janë aktualisht në punë përsa i takon të drejtës për të dalë në pension para kohe, naftëtarëve që janë të papunë, të cilëve u njihet përparësi në punësim dhe nëse plotësojnë kushtet e përcaktuara në ligj, edhe një pagesë sa 80% e pagës minimale në shkallë vendi.

Ligji u njeh përfitim edhe të gjithë atyre që kanë dalë në pension. Sipas viteve të vjetërsisë në punë, ata do të përfitojnë 1% deri në 40% shtesë në masën e pensionit që marrin aktualisht.

Të gjithë naftëtarët dhe ish naftëtarët për pajisjen me dëshmi zyrtare identifikuese duhet t’i drejtohen me kërkesën përkatëse, ndërmarrjes ose institucionit ku kanë punuar, përkundrejt paraqitjes së dokumentit të njësuar të librezës së punës. Do jetë ndërmarrja, ajo që do të pajisë naftëtarin ose ish naftëtarin me vërtetimin e posaçëm zyrtar, në të cilin do të përcaktohen punët ose profesionet e kryera dhe kohëzgjatja e tyre.

Vërtetimi i posaçëm do të dorëzohet në Ministrinë e Energjisë dhe Industrisë, pranë një komisioni të përbërë nga përfaqësues të kësaj ministrie, Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, si dhe Ministrisë së Financave. Komision ky, i cili do të bëjë edhe konfirmimin përfundimtar të statusit.

Ndërkohë ish naftëtarët që kanë dalë në pension, për të njëjtin qëllim do të duhet t’i drejtohen Degëve Rajonale të Institutit të Sigurimeve Shëndetësore, ku është depozituar libreza e tyre e punës. Në rast se ndërmarrja ose institucioni nuk ekzistojnë më si institucione për arsye të ndryshme, dëshmia do të lëshohet nga institucioni që mban arkivin me dokumentacionin përkatës.

Vendimi i Këshillit të Ministrave bën dhe rregullime të tjera të rëndësishme lidhur me sqarimin e mëtejshëm të termave të përdorur në ligj, si, për shembull, cili do të konsiderohet personel teknik, apo si do të trajtohen punonjësit (naftëtarë ose ish naftëtarë) në marrëdhënie pune në shtete të tjera, kuptohet ato shtete me të cilat Republika e Shqipërisë ka marrëveshje në fushën e mbrojtjes shoqërore.

Faleminderit!

Shkruaj Mesazh

Kontakto me Kryeministrin

Shkruaj Mesazh

Reportazhe Eksklusive

Dokumentarë

Reportazhe Eksklusive

Për Gazetarët

Hapësira Mediatike

Për Gazetarët

Raport publik

300 Ditë

Raport publik