Postuar më : 05 Qershor 2017

Zhvillohet mbledhja e parë e Task-Forcës e kryesuar nga zv/Kryeministrja Mandija

Sot u zhvillua mbledhja e parë e Task-Forcës (grupit ndërinstitucional) së ngritur me Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 473, datë 01.06.2017 “Për marrjen e masave dhe monitorimin e veprimtarisë, sjelljes apo përdorimit të burimeve njerëzore, financiare dhe logjistike të administratës shtetërore, gjatë procesit zgjedhor për zgjedhjet në Kuvendin e Shqipërisë për vitin 2017”. Kjo Task-Forcë ka në përbërje të saj titullarë të ministrive të ndryshme si dhe përfaqësues të institucioneve të pavarura, konkretisht nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Prokuroria e Përgjithshme, Komisioneri për Mbikëqyrjen e  Shërbimit Civil dhe Avokati i Popullit.

Qëllimi i ngritjes së kësaj Task-Force është marrja e masave dhe monitorimi i veprimtarisë, sjelljes apo përdorimit të burimeve njerëzore, financiare dhe logjistike të administratës shtetërore, gjatë procesit zgjedhor për zgjedhjet në Kuvendin e Shqipërisë për vitin 2017, me qëllim nxitjen e paanshmërisë dhe trajtimin e barabartë të kandidatëve e partive politike në marrëdhëniet me administratën shtetërore dhe burimet e saj, për krijimin e kushteve të drejta e të barabarta për të gjithë kandidatët dhe partitë politike në procesin elektoral, si dhe për mospërdorimin e fondeve dhe burimeve publike për qëllime partiake.

Task-Forca do të mblidhet periodikisht dhe gjatë mbledhjeve të saj do të diskutohen çështje dhe problematika që lindin gjatë procesit zgjedhor. Lidhur me këto problematika Task-Forca pritet të miratojë masa dhe rekomandime të ndryshme të cilat do t’u dërgohen për ndjekje ministrive dhe organeve të tyre të varësisë me qëllim garantimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme.

Në kuadër të zbatimit të VKM-së më sipër ministritë dhe institucionet e tyre të varësisë ftohen të nxjerrin sa më shpejt aktet përkatëse nënligjorë. Gjithashtu, inkurajohen të ndjekin administrativisht pa vonesë çdo referim/kallëzim nga qytetarë apo punonjës ose zyrtarë të ndryshëm si dhe, sipas rastit të referojnë në prokurori rastet kur ka dyshime të arsyeshme për kryerje të veprave penale që kanë lidhje me zgjedhjet.

Sillet në vëmendje të nëpunësve civilë, në nivel qendror e vendor, se kanë të drejtën e pjesëmarrjes jashtë orarit zyrtar në veprimtari politike, por gjithmonë duke respektuar kufizimet e përcaktuara nga kuadri ligjor në fuqi për të mos shprehur publikisht bindjet dhe preferencat e tyre politike duke ndërmarrë veprime që konsistojnë në bërjen fushatë për një subjekt politik/zgjedhor apo kandidat, qenien protagonist në aktivitete/veprimtari politike apo manifestimin me pankarta, parulla apo çdo mjet tjetër të shkruar dhe të ekspozuar publikisht.

Përsa i përket, punonjësve të tjerë të administratës shtetërore, janë të lirë të manifestojnë hapur bindjet e tyre politike dhe të mbështesin, jashtë orarit zyrtar, çdo subjekt politik apo kandidat.

Gjithashtu punonjës të caktuar të administratës shtetërore si ushtarakët aktivë, punonjës të gardës, policisë, shërbimit informativ shtetëror dhe punonjës të tjerë, sipas rastit, kujtohen të respektojnë kuadrin ligjor që rregullon posaçërisht veprimtarinë e tyre.

Njëkohësisht kërkohet mirëkuptimi dhe ftohen institucionet e pavarura dhe personat e zgjedhur të marrin masa për garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme dhe kryerjen e fushatës zgjedhore në përputhje me kuadrin ligjor e nënligjor. Njësitë e qeverisjes vendore ftohet të veprojnë në përputhje me Kodin Zgjedhor dhe aktet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në rastet e përdorimit të materialeve propagandistike në kundërshtim me aktet në fjalë.

Gjithashtu, dëshirojmë të kujtojmë që gjatë orarit zyrtar të punës çdo pjesëmarrjeje në veprimtari politike apo fushatë zgjedhore për një parti politike ose kandidat është e ndaluar për çdo punonjës të administratës shtetërore nëpunës civil, administrativ apo me kontratë pune.

Së fundmi, inkurajohen titullarët e ministrive dhe institucioneve të varësisë të zbatojnë rregullat e VKM-së më sipër dhe kuadrit ligjor në fuqi, për të siguruar zgjedhje të lira dhe të ndershme. 

Shkruaj Mesazh

Kontakto me Kryeministrin

Shkruaj Mesazh

Reportazhe Eksklusive

Dokumentarë

Reportazhe Eksklusive

Për Gazetarët

Hapësira Mediatike

Për Gazetarët

Raport publik

300 Ditë

Raport publik