Postuar më : 26 Mars 2017

20 vjet nga tragjedia e Otrantos

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në ceremoninë përkujtimore të 20 vjetorit të tragjedisë së Otrantos:

 

Më lejoni që në emrin e të gjithëve ju, t’i shpreh mirënjohjen më të thellë kryetarit të Bashkisë së Brindisit të asaj kohe, Qytetarit më të ri të Nderit të Vlorës, për çka bëri atëherë dhe për faktin që sot është këtu me ne, në këtë moment kaq prekës, për të përkujtuar një tragjedi që asokohe tronditi Shqipërinë dhe Italinë.

Shumë faleminderit për praninë tuaj!

Është ky një moment për të kthyer kokën pas dhe për të përshkuar me sytë e imagjinatës të gjithë ato pamje, ato ngjarje, ata zëra të një periudhe kur Vlora u bë epiqendra e shpërthimit të një krize të jashtëzakonshme, e cila shtyu mijëra njerëz që të merrnin detin me shpresën e madhe se do gjenin në anën tjetër të detit atë që këtu e humbën plotësisht.

Janë plot 20 vite që nga ajo e premte, që ishte një ditë e shenjtë për të gjithë ata që besojnë, por që u kthye në një të premte të zezë për Vlorën, duke u bërë edhe tragjedia më e rëndë e ndodhur ndonjëherë në historinë e gjithë këtyre viteve të vështira.

24 të zhdukur dhe 81 viktima të regjistruara janë edhe sot, e do të mbeten gjithnjë një plagë e pambyllur në kujtesën e këtij qyteti, në radhë të parë, por dhe të të gjithë atyre që me këtë qytet kanë një lidhje shpirtërore.

46 gra dhe fëmijë, pjesëtarë familjesh të mbetura mes dy brigjeve, si simbol i një momenti të madh dëshpërimi dhe shprese, janë sot e gjithë ditën një arsye shumë e fortë për të kujtuar dhe për të guxuar të besojmë se, jo vetëm një tragjedi e tillë dhe tragjedi të tilla nuk do përsëriten më, por se Shqipëria që duam do bëhet, më herët se vonë, një vend ku gratë e fëmijët të mos kenë nevojën për të rrezikuar jetën dhe ardhmërinë e familjes së tyre, por të gjejnë këtu në atdheun tonë të përbashkët mundësitë që iu duhen për ta parë të ardhmen me shpresë dhe me besim.

Tragjedia ka pasur reflektimin e saj edhe në anën tjetër të Adriatikut, siç dëshmon edhe prania këtu e një artisti të njohur i cili i kushtoi “Katerit të Radës” një monument që sot gjendjet në Portin e Otrantos. Dua ta falënderoj Kostën, sepse vepra e tij, që titullohet: Ulja, një punë e dedikuar migrimit njerëzor”, është vërtetë një vepër që i kushtohet një ngjarjeje të veçantë, por është aty një shenjë që, sot e gjithë ditën, ka mesazhin e saj shumë aktual, pasi historia njerëzore e emigrimit vazhdon të përsëritet dhe tragjedi si kjo që ne përkujtojmë sot vazhdojnë të përsëriten, për fat të keq, në detin që ndan botën e varfër me botën e pasur.

Mjafton të kujtojmë fotografinë e djaloshit të vogël të shtrirë në rërë, në brigjet e Turqisë, në kërkim të kapërcimit të detit, për të pasur parasysh mijëra e mijëra, dhjetëra e qindra mijëra histori individuale njerëzish që edhe në periudhën e fundit të kësaj kohe që ne jetojmë janë përpjekur të kapërcejnë detin dhe jo pak prej tyre kanë lënë edhe jetën.

Në librin e tij “Anijembytja”, kushtuar tragjedisë së Otrantos, një tjetër mik italian, Alessandro Leogrande, shkruan se, është një nga mbytjet më të dhimbshme në Mesdhe gjatë 20 viteve të fundit, por mbi të gjitha, është tragjedia më e madhe e prodhuar në det nga politikat e refuzimit. Patjetër që koha më pas provoi se tragjedi të tilla do të përsëriteshin nga politika e refuzimit. Në një nga dëshmitë e kohës, rrugëtimi i dhimbshëm i viktimave përshkruhet në mënyrë shumë rrënqethëse: “Të gjithë ishin grumbulluar mbi qerre për të lënë pas një luftë civile. Të gjithë, shpresazvarritur dhe verbuar nga iluzioni i një jete të re, në saj të valëve të transmetuara nga kutitë e vogla në qendër të çdo shtëpie. Premtimet e lumturisë u mbytën 30 milje nga brigjet italiane. Vetëm dy persona u ndëshkuan për këtë tragjedi dhe të dy nga drejtësia italiane, kapiteni italian dhe ai shqiptar i dy anijeve që u përplasën.”

Ndërkohë që ne jemi sot e gjithë ditën dëshmitarë të një historie të gjatë pandëshkueshmërie që filloi, për hir të të vërtetës, të shfaqet në formën e saj më agresive dhe më përbuzëse ndaj drejtësisë dhe të drejtës së njerëzve të zakonshëm me mosndëshkimin e fajtorëve të vërtetë për piramidat e iluzioneve që shembën Vlorën dhe gjithë Shqipërinë, duke kthyer në fatkeqësi për një popull të tërë, një ëndërr të ushqyer nga vetë pushteti për t’u pasuruar me shpejtësi, jo përmes punës, por përmes një spekulimi katastrofik financiar. E më pas, ngjarje të tjera, ende sot të pandëshkuara, na bëjnë që, jo vetëm të ndjehemi larg Europës ku duam të bëhemi pjesë, por edhe gjithmonë e më të shqetësuar për të ardhmen e fëmijëve tanë, në një vend ku të gjitha kanë rëndësi, por asgjë nuk ka vlerën e merituar, nëse nuk ka drejtësi.

Edhe sot unë jam i bindur që prindërit, të afërmit e viktimave të kësaj tragjedie kanë në shpirt revoltën për mungesën, boshllëkun dëshpërues të krijuar nga drejtësia për të dhënë dënimin e merituar, jo thjesht për dy njerëz që ishin dy kapitenë, njëri italian e njëri shqiptar, i dy anijeve që u përplasën në një aksident, por për një politikë të tërë e cila i shtyu këta njerëz që sot nuk jetojnë më, drejt një aventure të paimagjinueshme.

Një barkë e projektuar për 9 vetë u kthye në anijen e ëndrrave të 115 njerëzve dhe u bë varri i tyre, në kushtet e boshllëkut të plotë të lënë nga shteti, nga pushteti që në fund të fundit, përgjegjësinë kryesore në çdo kohë, kanë sigurinë e jetëve njerëzore.

Prandaj sot, edhe këtu tingëllon shumë kuptimplotë interesi i madh kombëtar dhe publik për të zbatuar reformën në drejtësi.

Prandaj sot këtu tingëllon shumë cinike, përbuzëse dhe antikombëtare përpjekja për të penguar zbatimin e reformës në drejtësi, duke ngritur një bunker në mes të bulevardit në mënyrë që gjykatësit e prokurorët e korruptuar të mos kalojnë nga filtri i vettingut që do të ndajë këtë epokë pandëshkueshmërie nga epoka e re, që të gjithë sëbashku kemi detyrë të çelim për fëmijët tanë, duke ndarë pjesën e kalbur të sistemit të drejtësisë, që për fat të keq është edhe klikë sunduese në sistem, nga pjesa tjetër e atyre gjykatësve dhe prokurorëve me integritet dhe profesionalizëm që më në fund mund të bëjnë lirisht punën e tyre, duke u çliruar nga kthetrat e një sistemi që e ndalon gjithkënd të bëjë punën e vet.

Është e qartë që sot ky është një proces, i cili është vetë procesi i negociatave, për t’u bërë anëtarë të Bashkimit Europian dhe sot vlejnë për këtë ceremoni të organizuar mjeshtërisht nga miku ynë Fate Velaj, fjalët e Papa Gjon Palit të Dytë në vitin 1994 në Tiranë: “Drama që keni përjetuar është shumë e rëndësishme që të mos harrohet kurrë, as nga shqiptarët dhe as nga Evropa. Kujtesa është një hap i pashmangshëm për të ndërtuar të ardhmen, duke mos përsëritur gabimet e të shkuarës.” Fakti që pas tragjedisë së Otrantos ne numërojmë dhe disa tragjedi të tjera, jo në det, por në tokë, jo 30 milje nga brigjet e Italisë, por 30 metra nga dritaret e Kryeministrisë, apo pak kilometra nga qendra e Tiranës, është një dëshmi kuptimplotë e domosdoshmërisë për t’i ndarë njëherë e mirë këto dy botë: botën ku shqiptarët u detyruan të jetojnë në atdheun e tyre si qytetarë të dorës së dytë, për shkak se drejtësia u kthye në një pazar të shtrenjtë për më të privilegjuarit dhe botën ku çdokush, pavarësisht nga pozicioni ku është, përpara ligjit të jetë i barabartë dhe në dyert e gjykatës të gjykohet me të njëjtën kut drejtësie.

Pa i ndarë këto dy botë e kemi të pamundur të ndahemi njëherë e mirë nga varfëria që gjeneron padrejtësia e kthyer në sistem; e kemi të pamundur të kurojmë me sukses plagën e papunësisë, që lidhet edhe ajo me një sistem padrejtësie; e kemi të pamundur që këtë atdhe të mrekullueshëm, këto pasuri të jashtëzakonshme, këto bukuri përrallore t’i kthejmë në mirëqenie për popullin tonë, duke pasur më shumë investime të brendshme dhe sidomos investime te huaja.

Sot, këtu, para se të vinim bëmë një vizitë përgjatë Lungomares dhe aty keni një simbol të përplasjes së botës që ne duam të ndërtojmë me botën që na ka zënë rrugën; një pikë karburanti që ndalon përfundimin e plotë të të gjithë Bulevardit të këmbësoreve në krah të Lungomares. Është një pikë karburanti që është lapidar i padrejtësisë, sepse kurrë nuk e kisha dëgjuar që, shpronësimi për interesa publike, që është e drejtë kushtetuese dhe ligjore e publikut përmes shtetit për të përfituar infrastrukturë publike, mund t’u rrëzoka me vendim gjykate.

Kurrë nuk e kisha dëgjuar që një pronë private në mes të një rruge që duhet transformuar në një infrastrukturë publike, në shërbim të qytetarëve, paska interes më të madh kombëtar dhe publik sesa interesi i vetë qytetarëve.

E keni atje, mu në mes.

Një kërpudhë e pandëshkueshmërisë, me vendim të Gjykatës së Lartë të Republikës së Shqipërisë, që thotë: “Jo. Kjo nuk shpronësohet”.

Kulmi i cinizmit është që, nuk është një shtëpi, nuk është një moment kulture, nuk është një statujë antike, është një pikë karburanti, atje, në mes, më e rëndësishme se interesi publik.

Si ajo pikë karburanti, më e rëndësishme se interesi publik, në Bulevardin e ri të bregut të Vlorës është dhe çadra në mes të bulevardit, atje në Tiranë, që i ka zënë rrugën popullit për të parë më në fund gjykatës dhe prokurorë që i kanë pirë gjakun 25 vjet që të shkojnë prapa hekurave dhe jo të rrinë përballë popullit me çekiç në dorë dhe të vrasin drejtësinë sa herë u vjen mundësia që të bëjnë padrejtësi, në këmbim të parave.

Ashtu sikundër, besoj shumë fort, që, fakti që reforma në drejtësi nuk është një çështje politike dhe fakti që vettingu nuk është një çështje partiake, por mishërimi i një aspirate 25-vjeçare që përputhet sot me interesin kombëtar dhe publik dhe me interesin e çdo qytetari, ashtu dhe s’ka pikë karburanti dhe s’ka çadër që e ndal.

Të reformosh këtë vend është një detyrim për të mos lejuar që fëmijët e sotëm të Shqipërisë të paguajnë pasojat e mosreformimit që paguan fëmijët që lindën kur ra regjimi i vjetër. Ata që sot janë 25-vjeçarë, të cilët kanë llogari të pamerituara me të ardhmen, për shkak të të shkuarës; për shkak të sistemit arsimor komplet farsë; për shkak të diplomave pa vlerë; për shkak të një historie të tërë që nuk u dha zanate, nuk i përgatiti për punë, apo i shtyu tutje. Kjo nuk duhet të ndodhë me të tjerët.

Çka ka filluar nuk mund të kthehet mbrapa.

Përkundrazi! Duhet vazhduar edhe me më shumë forcë, edhe me më shumë vendosmëri, edhe me më shumë kurajo.

Duhet vazhduar në mënyrë që Gjenerata Tjetër të mos ketë për të mos paguar kusure për politikën e ditës sot.

Prandaj zgjedhjet e 18 Qershorit nuk vendosin se kush do qeverisë. Vendosin se si do jetë Shqipëria pas 10 viteve.

Nga ana tjetër, duke qenë se jemi këtu dhe flasim për emigrim, dua t’i them dy fjalë lidhur me përpjekjen skandaloze për të lidhur shqiptarët që janë larguar gjatë kësaj periudhe që ne qeverisim, për shkak të nevojës së tyre për një punë dhe për një jetë më të mirë, tani, jo pasnesër, me qeverinë tonë.

E vërteta është që shqiptarët kanë ikur dhe janë kthyer. Pra, ka që ikin dhe ka që kthehen. Ikin dhe vijnë. Do të ikin dhe do të vijnë, sepse nuk jetojmë më në bunkerin prej nga dolën dhjetëra-mijëra njerëz dhe u nisën drejt Italisë, por jetojmë fatmirësisht në një Europë ku mund të lëvizim lirisht.

Problemi ndërlikohet kur shqiptarët, ashtu si dhe të tjerët në këtë rajon që ikin nga vende si Shqipëria, që nuk është anëtare e Bashkimit Europian, duhet të kërkojnë azil politik pa qenë refugjatë politikë, por sepse janë të ndaluar të lëvizin lirisht në tregun europian të punës.

Kjo është një arsye shumë e fortë për të kuptuar edhe njëherë tjetër rëndësinë e madhe të vettingut dhe të reformës në drejtësi, edhe në këtë funksion, sepse përmes vettingut hapen negociatat, përmes negociatave afrohet anëtarësimi dhe përmes anëtarësimit shqiptarët bëhen njësoj si polakët, si rumunët, si çekët, si hungarezët dhe të tjerët që lëvizin lirisht në tregun europian të punës. Janë krah pune i kualifikuar, ose më pak i kualifikuar që lëvizin lirisht. Kjo nuk është një tragjedi.

Ajo çka e bën dramatike këtë lëvizje sot, është pamundësia për të lëvizur si qytetarë të barabartë të Bashkimit Europian dhe nevoja për të kaluar nga një shteg shumë i ngushtë i kërkimit të azilit dhe pastaj për të kaluar gjithë ato kalvaret e procedurave të azilit.

Kjo duhet të mbarojë, jo ikja dhe ardhja, por kjo, sepse jo vetëm që është e pamundur, por është edhe e padrejtë t’i thuash një 22-vjeçari, apo një 20-vjeçari në një zonë të largët që, “ti rri atje dhe prit deri kur ndryshimi dhe oportunitetet të kenë ardhur deri tek fshati yt.” Nëse ai ëndërron që të ketë një jetë të re tani, është në të drejtën e tij ta kërkojë këtë jetë të re si qytetar i Europës, ashtu sikundër është në të mirën e këtij vendi, sepse kush flet për këtë histori si një histori që mund të kthehet në një instrument balte politike, harron një fakt shumë të thjeshtë dhe harrojnë në radhë të parë ata që deri dje qeverisën, që po të mos të kishin qenë emigrantët në këtë vend, Shqipëria do të ishte mbytur si “ Kateri i Radës” nja tre herë. Po të mos kishin qenë familjarët tuaj dhe të të gjithëve që të kishin mbajtur familjet në kohët më të vështira, me politikanët që kishte dhe mundësitë që kishte Shqipëria do ishte mbytur.

Janë miliona, dhjetëra miliona njerëz që në kohën e ndryshimit falë integrimit në Bashkimin Europian kanë lëvizur nga Europa Lindore ish-komuniste në Europën Perëndimore dhe që punojnë dhe sjellin të mira reciproke për familjen e tyre, për vendin e tyre dhe për vendin ku janë. Sjellin dije, sjellin ato të mira që sot i gëzojnë edhe italianët, të cilët këtë që ne e përjetojmë në këto 20 e ca vite e kanë përjetuar në kohën e gjyshërve të tyre.

Po të mos iu kishin ikur gjyshërit këtyre në Amerikë, Italia sot do ishte Llakatund.

Ne kemi një sfidë shumë të madhe. Këtë sfidë duhet dhe ta fitojmë, sepse sot, pavarësisht problemeve, sepse shumë është bërë, por jemi ne më të vetëdijshëm se të gjithë ata që na akuzojnë se sa shumë ka akoma për të bërë, një gjë është e sigurtë dhe këtë e tregon edhe Vlora, mjafton të dalësh në Vlorë dhe ta shikosh, që sot Shqipëria ka një qeverisje të njerëzve për njerëzit dhe me njerëzit.

Natyrisht, si njerëz, edhe ne që qeverisim jemi të gabueshëm. Kemi bërë edhe ne gabimet tona. Por ama, nëse sot është një vullnet i përbashkët i yni dhe i qytetarëve për të vendosur pikën mbi “i”, në këtë fazë të parë të procesit të të bërit shtet, duke filluar zbatimin e reformës në drejtësi, është njëkohësisht dhe misioni ynë bashkë me qytetarët që t’i japim më në fund Shqipërisë mundësinë e drejtësisë.

Shumë faleminderit!

Shumë respekt për zonjën që mori fjalën në emrin e familjeve të viktimave!

Shumë respekt për Faten, që e pati këtë ide të mrekullueshme, por pati edhe atë këmbënguljen e vet proverbiale që ma nxiu jetën derisa arriti t’i bënte të gjitha siç donte, jo se unë nuk doja t’i bëja, por duke pasur shumë besim te Fatja i them “ik bëje tani, se unë e di që do e bësh, mos më kërko mua leje, a ta bëj kështu a ta bëj ashtu”, për Dritanin që i qëndroi pranë Fates dhe ndihmoi në mënyrë konkrete që kjo ceremoni e bukur të bëhej, për Ambasadorin që foli këtu në emër të qeverisë së tij që është gjithnjë pranë Shqipërisë, për miqtë nga Puglia, të cilët janë dëshmitarë të një historie tanimë të gjatë, të nisur me njerëz të ftohur dhe të uritur përballë dhe pak nga pak të transformuar në një histori bashkëjetese ku shqiptarët në Puglia, por edhe në të gjithë Italinë janë sot komuniteti i dytë i huaj në Itali për kontribute në sistemin e taksave të Italisë.

Janë mbi 40 mijë kompani shqiptare, të mesme dhe të vogla, që kanë vetëpunësuar shqiptarët dhe i kanë bërë ata punësues në Itali, që i paguajnë taksa shtetit italian.

Është, në radhë të parë, merita e njerëzve si miku ynë Giuseppe Marchionna, miqve që janë këtu dhe të tjerëve që patën kurajon e madhe dhe largpamësinë për t’i parë këta njerëz jo si të ardhur të dalë nga ndonjë film i epokës së bronzit, por si një potencial i madh miqësie dhe ekonomie.

Nëse do të përfytyronim sot në mënyrë mekanike që shqiptarët të tërhiqen të gjithë nga Italia, do të ishte diçka që do ndihej shumë fort në ekonominë italiane, që do të thotë, Ambasador, ju duhen më shumë shqiptarë, jo më pak.

Shumë faleminderit!

Shkruaj Mesazh

Kontakto me Kryeministrin

Shkruaj Mesazh

Reportazhe Eksklusive

Dokumentarë

Reportazhe Eksklusive

Për Gazetarët

Hapësira Mediatike

Për Gazetarët

Raport publik

300 Ditë

Raport publik