Postuar më : 09 Tetor 2017

“4 herë Kampionë”, në vigjilje të ndeshjes miqësore Shqipëri-Itali

Përshëndetja e Kryeministrit Edi Rama, në çeljen e ekspozitës “4 herë Kampionë”, në Teatrin “Migjeni” të Shkodrës, në prag të ndeshjes miqësore “Shqipëri-Itali”:

 

Përshëndetje të gjithëve!

Unë preferoj të flas në italisht, për të nderuar miqtë tanë, shumë të dashur, që janë këtu të pranishëm dhe do të doja të thosha që nuk jam Kryeministri i vetëm që jam këtu sot, por jemi të gjithë sëbashku me një tjetër Kryeministër, që është paraardhësi im edhe në parti, Fatos Nano.

Mirëmbrëma President!

Mirëmbrëma zoti Ambasador!

Zonja kryetare e bashkësisë!

Shumë të dashur miq!

Mirëmbrëma dhe drejtorit të madh teknik të Lazios, që është edhe flamuri ynë në serinë A, Igli Tare.

Nuk e di, nëse Presidenti është i informuar tashmë për një fakt. Në këtë qytet ka lindur skuadra e parë e futbollit shqiptar. Përfytyroheni zoti President, sesi quhej: Juventus!

Në 1913-n, “Juventus” ka lindur këtu si skuadër e parë e futbollit shqiptar në Shkodër, që është “atdheu i futbollit” brenda atdheut tonë, Shqipërisë dhe që me të drejtë, edhe kryetarja e bashkisë është shumë krenare që po mirëpret kombëtaren italiane sot.

Pastaj ka dhe një tjetër arsye të rëndësishme për të qënë këtu sot, me më shumë emocion se zakonisht, sepse luan Kombëtarja jonë, por luan edhe Kombëtarja që është në zemrën e shumë shqiptarëve. Në këto çaste më kujtohet një slogan që tifozët shqiptare, që kanë ndjekur një ndeshje miqësore me Italinë, e kanë ekspozuar në stadium: “Italia në zemër, Shqipëria dashuri”. Pra, është një ndeshje që falë Zotit, ashtu sikundër do thoshte edhe Presidenti Tavecchio, nuk ka të bëjë me kualifikimin, sepse përndryshe nuk do ishte fort e lehtë, nuk do kishim as forcën për të vendosur, nëse do të thërrisnim për fitoren tonë si shqiptarë, sepse do na vinte shumë keq që të mos  shikonim Kombëtaren tonë në Rusi.

Nuk duhet të bëjmë shaka, as për Kombëtaren shqiptare, as atë italiane, sepse përderisa nuk jemi ne, jeni ju ata që do ta çoni përpara atë kauzën e tifozëve shqiptarë të futbollit.

Ka dhe një arsye të tretë. Duhet të mundni gjermanët në Rusi, sepse një pjesë e tifozerisë këtu janë të Gjermanisë. Kur nuk është Shqipëria, Derbi që luhet këtu zakonisht është Itali-Gjermani.

E në fund do doja të falënderoja vërtetë Presidentin Duka për ftesën që më bëri për të qënë këtu dhe u kujtova, duke parë kupën e ’82-shit, për atë ditë, sepse tifozi i parë italian që unë kam njohur ishte gjyshja ime dhe ajo ishte nga ky qytet, kishte rrënjë italiane dhe kur isha i vogël më mësoi italishten, më mësoi që të kaltrit tanë, pra, Kombëtarja italiane ishte një gjë shumë e rëndësishme. Dhe pak nga pak, unë dhe shumë miq të tjerë jemi rritur më këtë dashuri për futbollin italian që nëpërmjet emisionit “Minuta e 90” dhe me ato zërat e përtejme, - se Shqipëria në ato kohë ishte e izoluar – dhe Sandro Ciotti, Bruno Pizzul ishin zërat që na vinin përtej. Çdo të diel dukej sikur dëgjonim zërat sikur vinin nga marsi apo nga hëna dhe ajo fitore më bëri të mendoja për gjyshen time. Ishte një prej ditëve më të bukura të jetës së saj, si një tifoze e çmendur e Italisë.

Faleminderit edhe njëherë, le të fitojë më i miri, por edhe po të fitojë Shqipëria do na bëhej qejfi. Një humbje në Shqipëri mund t’ju sjelli fat, sepse ju pastaj fitoni në ndeshjet që kanë rëndësi vërtetë për kualifikim.  

Shkruaj Mesazh

Kontakto me Kryeministrin

Shkruaj Mesazh

Reportazhe Eksklusive

Dokumentarë

Reportazhe Eksklusive

Për Gazetarët

Hapësira Mediatike

Për Gazetarët

Raport publik

300 Ditë

Raport publik