Postuar më : 20 Korrik 2017

Bashkëqeverisje me qytetarët për ndërtimin e një administrate në shërbim të publikut

Nga fjala e Kryeministrit Edi Rama në dëgjesën publike me qytetarë në Lezhë:

 

Është e mundur që ky komunikim që bëjmë në këto dëgjesa, të kthehen në një komunikim të përditshëm dhe problemet e njerëzve në zyrat e shtetit të shkojnë në moment më lart, kur ngec cilido qoftë në nivelin më poshtë. Për këtë, ne po ndërtojmë një platformë bashkëqeverisjeje dhe do të jetë e hapur sapo të krijohet qeveria e re. Kushdo që bëhet pjesë e këtij koalicioni do mund të regjistrohet në atë platformë, pa dallim partish, për të marrë pjesë aktive në procesin e bashkëqeverisjes, jo vetëm përsa i takon ankesave konkrete personale, apo të komunitetit, por edhe për proceset e politikëbërjes, apo për problematika më të gjëra.

Njësoj, siç për anëtaret e qeverisë vihen në dispozicion materialet përpara mbledhjes dhe pastaj merren vendimet e qeverisë, ashtu do të ndodhë edhe për të gjithë anëtarët e këtij koalicioni, që do ta marrin online informacionin, nëpërmjet adresës së tyre, për politikat, vendimet, projektligjet e me radhë.

Platforma nuk do jetë vetëm një ekran, por pas ekranit ne po ndërtojmë një ushtri të tërë njerëzish që do merren me çdo problem. Ka raste kur njerëzit kanë shumë të drejtë, siç ka dhe raste kur nuk kanë të drejtë. Këto zgjidhen duke ndjekur rrugën e duhur dhe duke bërë verifikimet e duhura ligjore, që do ta bëjë pikërisht kjo ushtri njerëzish prapa ekranit. Në fund, përgjigja do të jetë për qytetarin. Në rast se qytetarit i takon, ata që e kanë vonuar, nuk kanë më punë në zyrën e shtetit.

Vetëm kështu, ne mund të krijojmë një situatë presioni të vazhdueshëm për administratën, për të gjithë ata që i shërbejnë publikut, në radhë të parë, në mënyrë që kur dikush i shkon në sportel, ai që është tek sporteli dhe është mësuar t’ia përplasë derën në fytyrë, ta mendojë shtatëherë përpara se të sillet keq, sepse mund t’i ndodhë që personi që ka përballë është një anëtar i koalicionit.

Në Kryeministri, shumë njerëz ankohen dhe Kryeministria jep gjithmonë përgjigje, i përcjell tek instancat e duhura. Në atë moment mbaron puna me Kryeministrinë dhe instanca e duhur duhet të zgjidhë problemin. Por në atë moment, qytetari ngec, sepse instanca e duhur mund të mos përgjigjet. Këtë boshllëk që krijohet, ne duhet ta mbushim dhe mund ta mbushim pikërisht me këtë urë komunikimi të përditshëm, përmes platformës ku secili do hyjë me identitetin, adresën dhe numrin e vet të telefonit dhe i del për zot asaj që thotë me fakte dhe është i gatshëm të ballafaqohet, nëse duhet të bëjë një ballafaqim me “x” zyrtar.

Nga dëgjesat, problemi i furnizimit me ujë të pijshëm në Lezhë është kryesor. Natyrisht, ne nuk mund ta zgjidhim çdo gjë, që jo nuk është zgjidhur, por që është bërë mbrapsht, apo që është shkatërruar për çerekshekulli, sa hap e mbyll sytë. Por ama ne nuk mund të lejojmë më, që uji i pijshëm të jetë mall pa zot, sepse nga shpërdorimi masiv i ujit të pijshëm, nga lidhjet e paligjshme, ne jo vetëm shpërdorojmë një pasuri të madhe, por një pjesë e njerëzve nuk e marrin atë që iu takon. Është e njëjta histori si me energjinë elektrike. Disa paguajnë, disa bëjnë një lidhje të paligjshme dhe e shpërdorojnë ujin te dera e dyqanit për t’u freskuar. Kjo s’mund të vazhdojë. Po ashtu, edhe mënyra sesi është administruar sistemi i ujit të pijshëm duhet të ndryshojë. Edhe mënyra se si është investuar në sistem duhet të ndryshojë.

Po ashtu është e vërtetë që ka ende shumë probleme me ujitjen e kullimin, por është po aq e vërtetë që në Lezhë është rritur ndjeshëm sipërfaqja që sot ujitet, në krahasim me qershorin e vitit 2013. Nuk mjafton! Duhet bërë më shumë! Për të bërë më shumë, jo vetëm për ujitjen dhe kullimin, por për të gjithë sektorin e bujqësisë, ne do të thërrasim “nën armë” të gjithë ata që janë ekspertë të vërtetë të bujqësisë. Nuk mundet të trajtohen Drejtoritë e Bujqësisë, apo strukturat e bujqësisë si vende pune për lloj-lloj njerëzish, që mund të kenë gjitha të mirat, por nuk janë specialistë të fushës. Kemi 27 vjet që iu gjejmë punë njerëzve, por nuk i gjejmë punës njeriun. Nëse nuk i gjejmë punës njeriun, rregullojmë në punë një njeri, por i prishim punë mijëra e mijëra njerëzve të tjerë. 

Ne duhet t’i adresojmë si duhet këto probleme dhe nëse arrijmë sëbashku që ta vendosim administratën e shtetit, duke filluar nga zyrat e shërbimeve për publikun, në pozitën normale, shumë gjëra të tjera përmirësohen për rrjedhojë. Po të mendosh vetëm energjinë negative që prodhon marrëdhënia me administratën, sa shumë njerëz dëshpërohen, sa shumë njerëz inatosen, sa shumë njerëz sfiliten dhe nuk e kanë mendjen të bëjnë punë tjetër, apo të shohin për gjëra të tjera, imagjino sesa shumë energji i merr shteti popullit çdo ditë, vetëm nëpërmjet marrëdhënieve mizerabël të zyrtareve të shtetit me njerëzit.

Kjo është një re e madhe mbi kokat e njerëzve që ne sëbashku mund ta tresim. Jo menjëherë, por hap pas hapi. Ama kushti është që njerëzit duhet të marrin pjesë. Nuk e bën dot një qeveri, po të rrijë lart atje dhe në mes të qeverisë e njerëzve të jenë gjithë këta parazitë e grabitqarë që vazhdojnë punën e vetë, sikur nuk ka ndodhur asgjë. Po të shikosh sesi i marrin njerëzit në punë me libër shtëpie, me kushëri e krushq; po të shikosh sesi shumëkush paguhet me rrogë për të bërë një punë e në fakt nuk është fare aty, mund të jetë në një qytet tjetër duke bërë biznes, janë gjëra të paimagjinueshme.

Ajo që ne duam të bëjmë është të fillojmë një orë e më parë punën për të vazhduar aksin kryesor rrugor Milot - Lezhë, për ta shmangur këtë xhepin fals këtu, ku futen të gjithë në një vrimë për të ikur në Shkodër dhe për të lidhur Shëngjinin me Velipojën e për të dalë lart në Mal të Zi. Kjo është një domosdoshmëri, për t’i dhënë një impuls të madh ekonomisë.

Qasja jonë në bujqësi do jetë komplet e re. Ajo që ka munguar vazhdimisht, që është mungesa e një marrëdhënieje me fermerët, që ai të ketë informacion sa shumë gjëra mund të bëhen bashkërisht. Ky do të jetë në fokus për ne. Është koha që fermerët të kuptojnë që nuk mund të rrinë e të presin çdo gjë nga shteti. Ne kemi krijuar një fond garancie kombëtare për të financuar iniciativa të fermerëve, të grupeve të fermerëve e për t’i dhënë mundësi që të ndërtojnë pika grumbullimi, pika përpunimi, ku do mundohemi të tërheqim edhe bashkitë si partnere me fermerët, në mënyrë që kostoja e këtyre iniciativave të jetë shumë e ulët dhe përfitimi afatgjatë të jetë maksimal për çdo fermer. Mund të flasim për vreshtat e rrushit, për çfarë të duam, por që t’i bëjmë realitet duhet të kemi një qasje biznesi e jo një qasje prit sa të vijë shteti të të hedhë ndonjë lëmosh apo subvencion. Sigurisht, ne do vazhdojmë me subvencionet, por ajo që është kryesore është se ne duhet ta kthejmë gjithë përpjekjen e fermerëve në fshat në sipërmarrje, në biznes, jo thjesht në mbijetesë.

Ne nuk kemi luftë apo betejë me opozitën politike. Ne betejën e kemi me parazitët e me grabitqarët që marrin lekët e taksave si rroga dhe rrinë çdo ditë nëpër zyra si nëpër “prita”, për të marrë nga njerëzit pikën e fundit të gjakut, mundësisht. Me ata e kemi luftën. Ata janë dhe do të jenë në katër vitet e ardhshme, armiku publik numër një i qeverisë tonë. Kush nuk e meriton rrogën që merr dhe rri atje me lekët e taksave dhe i bie në qafë njerëzve, me ata e kemi ne luftën.

Shkruaj Mesazh

Kontakto me Kryeministrin

Shkruaj Mesazh

Reportazhe Eksklusive

Dokumentarë

Reportazhe Eksklusive

Për Gazetarët

Hapësira Mediatike

Për Gazetarët

Raport publik

300 Ditë

Raport publik