Postuar më : 06 Prill 2017

Frika nga vetingu bllokon zgjedhjet

Fjala  e Kryeministrit Edi Rama në seancë plenare në Kuvend:

Unë besoj se ka shumë rëndësi të mos lejohet për asnjë sekondë, që të harrohet pikënisja e përpjekjes që i dha jetë çadrës.

Çadrës nuk i dha jetë përpjekja për të pasur zgjedhje më të mira. Çadrës i dha jetë frika nga Vetting-u.

Bojkoti i këtij Parlamenti nisi jo rastësisht në javën kur ky Parlament duhet të merrte në shqyrtim procedurën e ndjekur dhe të vazhdonte me zbatimin e ligjit themelor, për të bërë Reformën në Drejtësi, Vetting-un.

Në thelb, kjo nuk është një përpjekje për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme. Nuk ka  një përpjekje për të ndaluar opozitën të  hyjë në zgjedhje. Por kjo është një përpjekje për të mos lejuar Partinë Socialiste të hyjë në zgjedhje.

Partia Socialiste duhet ndaluar me çdo kusht të hyjë në zgjedhje, sepse Partia Socialiste nuk përbën thjesht një kërcënim si fituesja më e mundshme e zgjedhjeve, por Partia Socialiste përbën një kërcënim si garancia e vetme e shqiptareve, për të mos u ndalur me zbatimin e reformës në drejtësi.

Ky është thelbi!

Të gjitha të tjerat janë propagandë, janë politikë e ditës, janë përpjekje për të shmangur momentin e ballafaqimit me popullin në 18 qershor. Por është frika nga drejtësia që e motivon të gjithë këtë përpjekje. Dhe frika nga drejtësia nuk është një frikë e zakonshme, që prodhon reagime të zakonshme. Frika nga drejtësia - dhe këtë nuk ka nevojë të presim që ta shohim deri në fund, të shpërfaqet në gjithë përmasën e vet, sepse historia na e mëson, - është një frikë e jashtëzakonshme, që prodhon reagime të jashtëzakonshme.

Kur frika nga drejtësia ka një përmasë të tillë, ata, të cilët motivohen prej kësaj frike, nuk e kanë aspak problem të çojnë vendin në destabilizim. S’e kanë aspak problem, të çojnë deri në fund, çdo përpjekje që e pengon shtetin të bëhet  shtet, që e pengon drejtësinë të bëjë drejtësi dhe që e pengon popullin në një moment të historisë të realizojë një aspiratë kaq të madhe, saç është sot aspirata e popullit  shqiptar  për t’u çliruar më në fund, nga kthetrat e një kaste të korruptuar gjykatësish dhe prokurorësh, të cilët janë të lidhur me çadrën si mishi me thoin. Ndarja e çadrës nga kjo kastë është po aq e dhimbshme, sa ndarja e mishit nga thoi, sepse shënon fundin e një sundimi mbi sistemin e drejtësisë dhe fillimin e një epoke të re për drejtësinë.

Një epokë e re për drejtësinë është një epokë e re për politikën.

Një epokë e re për drejtësinë është një epokë e re për qeverisjen.

Një epokë e re për drejtësinë është një epokë e re për raportin e shtetit me qytetarin dhe e qytetarit me shtetin, sepse është një epokë që gjithçka është e shkruar në Kushtetutë apo në ligje për detyrimet e atyre që zgjidhen ndaj atyre që zgjedhin, nuk është më një faktor thjesht subjektiv, “dua unë ta zbatoj ligjin, e zbatoj, s’dua ta zbatoj ligjin, nuk e  zbatoj”, por është një detyrim, për të cilin përgjigjesh përpara ligjit, nëse ligjin nuk e zbaton.

Përpjekja për t’u thënë shqiptarëve se, pavarësisht të gjithave, zgjedhjet pa opozitën nuk mund të bëhen, është një përpjekje e sponsorizuar, e paguar. E paguar mbi dorë apo nën dorë. E paguar me para apo me peshqeshe, për të treguar një të pavërtetë që në thelbin e vet është qesharake, sepse nuk është opozita zyrtare ajo që e prodhon lirinë, është lira ajo që e prodhon opozitën.

Nëse do të ishim në kushtet, kur kjo qeveri do të kishte kufizuar lirinë për të prodhuar opozitën, atëherë me siguri nuk do të kishim çdo ditë një çadër bosh, që mbushet dy herë në ditë për shfaqje televizive, por do të kishim popullin në të gjitha rrugët e Shqipërisë. Sepse populli nuk do ta lejonte cenimin e hapësirës në të cilën partitë konkurrojnë, qofshin bashkë, qofshin veç, qofshin në aleancë, qofshin kundër njëra-tjetrës.

E vërteta e thjeshtë  është që opozita është liri, nuk është një parti që ka një emër, ka një flamur, ka ca njerëz. Një parti mund të jetë, mund mos të jetë. Disa parti  mund të jenë, mund të mos jenë. Por nuk ka shans që në një vend që bën zgjedhje dhe kur zgjedhjet garantojnë pjesëmarrjen, garantojnë procesin e vlerësimit nga populli të partive, të mbetet vendi pa opozitë. Madje, e kundërta është e vërtetë. Opozita mund të rigjenerohet në këtë proces. Vetë Partia Demokratike mund të rigjenerohet më në fund nga ky proces.

Në fund fare, unë nuk kam parë në histori, një qeveri që lind dhe jeton për të pasur besimin e  opozitës dhe për të pasur pëlqimin e opozitës. Kjo nuk ndodh. Nuk është as detyrë e qeverisë, as përgjegjësi e qeverisë. Aq më tepër është detyrë e përgjegjësi e partive që qeverisin.

Partitë që qeverisin nuk kanë detyrë të forcojnë partitë që kanë kundër. Kanë detyrë të garantojnë që partitë që janë kundër të kenë barazi në procesin e gjykimit nga populli. Këto janë terma kaq elementarë, sa vetë vënia në diskutim e tyre është në vetvete një përpjekje e dëshpëruar, në thelb qesharake, që realisht e bën qesharak debatin politik në Shqipëri dhe rrezikon të na bëjë qesharakë të gjithëve, nëse përfshihemi në këtë debat, duke u munduar të nxjerrin nga lumi, gurin e hedhur nga budallallëku.

Ajo që unë e kam thënë dhe e përsëris, është gjithçka që opozita konsideron të nevojshme, për të pasur ajo vetë një lehtësi më të madhe në hyrjen në këtë rrugë normale kushtetuese dhe ligjore, drejt ballafaqimit me popullin, është e mundur. Pra, gjithçka që ka të bëjë me legjislacionin, gjithçka që ka të bëjë me mekanizmat që lidhen me procesin zgjedhor, është e mundur.

Dua mirëkuptimin tuaj që sot të mos flas as për qeverinë teknike, as për datën e zgjedhjeve, për një arsye shumë të thjeshtë, se kam dy ditë që pres vendin dhe orën për të folur.

Nuk kam orë, nuk kam vend.

Shpresoj që ta kem orën dhe vendin, kudo qoftë, - unë preferoj në çadër, por nuk ka asnjë problem po të jemi diku tjetër - dhe në çfarëdo formati që të jetë; vetëm për vetëm, me shokë bashkë, me aleatë, pa aleatë, me të gjitha aleatët, si të jetë.

Mendoj se ia vlen të flas për çka ne vetë, me kujtesën e freskët të të qenit në opozitë, me kujtesën e freskët të të qenit në një çadër ku kemi kërkuar diçka shumë të thjeshtë, elementare, që ky Parlament të bënte një komisioni hetimor, jo për të rinumëruar votat dhe për të përmbysur qeverinë nga një proces ku rezultati u nda në fije të perit, por thjesht për të bërë transparencën e kutive të materialeve zgjedhore dhe të kutive të votimit në funksion të dy gjërave elementare, që janë kushtetuese dhe janë detyrime të Parlamentit; E para, në rast se verifikohet nga një komision parlamentar, siç u verifikua nga komisioni parlamentar për CEZ-in, shkelje të natyrës penale, gjetjet i çohen prokurorisë; E dyta, bazuar në analizën e procesit i propozohen Parlamentit, të gjitha ndryshimet ligjore që e bëjnë procesin më të qëndrueshëm ndaj fenomeneve të caktuara që mund të zbulohen.

E mbaj mend mirë historinë e asaj çadre, siç mbaj mend mirë edhe të gjitha streset, shqetësimet, por edhe rreziqet e parafytyruara nga të shkuarit në zgjedhje me armikun publik të votës së lirë në Shqipëri, Saliun!

Nga ana tjetër e mbajmë mend mirë, kur nuk kishte shans që të ngrije dorën për procedurë dhe të merrje fjalën për të hedhur gurë. Këtu, që ditën e parë që kam ardhur në këtë Parlament kërkohet fjala për procedurë dhe vetëm hidhen gurë. Nuk kishte shans që shumica atëhershme të pranonte një kërkesë shumë të thjeshtë, që kryetari i grupit të opozitës të kishte të drejtën e të njëjtit minutazh me kryeministrin në paraqitjen e ligjeve të caktuara, jo në çdo ndërhyrje të kryeministrit.

Ju kujtohen tre ligjet e famshme, në fakt nuk ishin tre ligje, por dy ligje dhe një rregullore, rregullorja e Parlamentit. Tek ajo rregullore, ne kërkonim as më shumë, as më pak, atë që bëmë sapo erdhëm në Parlament. Nuk ishim në opozitë, por e bëmë. E ndryshuam rregulloren dhe iu lamë opozitës, të drejta që as nuk i kërkuam për vete, që të flasin në kohë sipas rregullores, pikërisht për të garantuar këtu, një hapësirë lirie ku opozita ka të njëjtën të drejtë si shumica.

Ky parlament do hyjë në histori si parlamenti me qesharak i Republikës së Shqipërisë. Jo për kriminelët, as për injorantët, por për një gjë shumë të thjeshtë, është parlamenti më qesharak në botë, sepse kurrë nuk ka pasur rregull. Minutazhet janë këtu dhe opozita që është 1/3 ka folur më shumë sesa gjithë aleanca qeverisëse dhe lideri ka folur trefishin tim, që nuk shquhem për fjalime të shkurtra. Nga kjo pikëpamje, opozita ka pasur të gjitha mundësitë që ne nuk i kishim.

Nga ana tjetër, kur bëmë gjithë përpjekjen për reformën zgjedhore dhe e bëmë bashkë, ne si aleancë, - pavarësisht se ne kemi të mirën që brenda aleancës të kemi edhe opozitën tonën që thotë “thellohuni” - kemi propozuar jo vetëm mishërimin në Kod të të gjithë rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it, por dhe më shumë dhe jemi gati për edhe më shumë.

Sot ka një insistim për policinë. Ua kujtoj të gjithëve se policia ka qenë institucioni më i pabesueshëm në Shqipëri, bashke me gjykatat dhe prokurorinë, bazuar në anketimin e Komisionit Europian të vitit 2013. Ndërkohë që bazuar në anketimin e Komisionit Europian të vitit 2016, policia rezulton institucioni më i besueshëm në Shqipëri, edhe mbi liderët e komuniteteve fetare.

Megjithatë s’ka problem, ejani ta shikojmë ku lidhet policia me zgjedhjet në Shqipëri, sepse në Shqipëri, zgjedhjet nuk i bën policia. Në Shqipëri, zgjedhjet nuk i bën Ministria e Brendshme. Ministri i Brendshëm nuk ka lidhje fare me zgjedhjet.

Në Shqipëri, zgjedhjet i bën administrata zgjedhore që është 50% me 50 %.

Ka nevojë për të parë sëbashku se çfarë mund të lehtësojmë, pa e kthyer policinë në një vegël të politikës, të asnjë politike, ejani ta shikojmë.

Ne kemi propozuar që ditën e parë dhe e përsëris, jo komisione numërimi, por asnjë komision me përfaqësues partish. Jemi gati ta bëjmë sot, jo numërimin, por asnjë komision, as në qendër të votimit, as në KZAZ, as në numërim, me përfaqësues partish.

Kur Palestina, në zgjedhje që bëhen mes Hamasit dhe Fatahut, arrin të bëjë administratë zgjedhore pa përfaqësues të Hamasit dhe Fatahut, por me njerëz të zgjedhur nga mësuesit, nga mjekët, nga drejtësia, se bëkemi dot ne! Ne jemi gati ta bëjmë.

Ashtu sikundër, falë asaj çadrës së vjetër, sot, asnjë subjekt politik nuk vidhet dot në numërim, sepse, në qoftë se vidhet, është në gjendje që të kërkojë hapjen e kutive dhe kush fut duart atje, se ka emra çdo komision, shkon në burg. Ka nevojë ta rëndojmë, ejani ta rëndojmë.

Gjithë virgjëreshave të çadrës dhe mbi çadër ju them: Ejani të vendosim shtrëngesa penale, shumë më tepër seç kemi, për blerjen e votës. Kush blen votën dhe kush shet votën, të marrë një ndëshkim shembullor. Jemi gati ta bëjmë edhe këtë.

Po ashtu, si do ja bëjmë një traditë të vjetër që “më sill në telefon kaq vota, t’i shoh me sy, se ndryshe të heq nga puna”. Kush ka telefon në qendër votimi të marrë një ndëshkim ekzemplar.

Këto janë zgjedhjet e para që organizon kjo qeveri. Ne kemi kontestuar zgjedhjet që i bënin të tjerët, këta kontestojnë zgjedhje që s’janë bërë ende. Ne jemi mazhorancë, me zgjedhje që nuk i kemi organizuar ne. Nuk kemi pasur as policinë, as KQZ-në. Madje, KQZ-në, po të duan, le ta marrin të gjithën. Komplet!

Si do ja bëjmë një tradite tjetër të vjetër, si i bëhet fletës së votimit, që pasi del jashtë dhe aty është drejtori “X”, nëndrejtori “Y”, i riu apo i vjetri dhe të shkruan tek cila parti ta fusësh fletën në kuti, bën dhe fotografinë dhe të thotë tani sill fletën tjetër jashtë. Ejani ta shtrëngojmë maksimalisht edhe këtë. Do ketë njerëz që do e bëjnë, unë nuk e di. Unë di që e kanë bërë. Por ama di edhe një gjë tjetër, që zor se përpara masave ekstreme do ketë njerëz që do bëjmë sakrifica kaq të mëdha për partinë, për vendin e punës që kanë, apo për vendin e punës që u premtohet. Zor!

Intimidimi i votuesve, që nga burgjet deri tek administrata; Ejani të vendosim masa, çfarë të duan.

Këto janë të gjitha për diskutim.

Ndërkohë që besoj se në fund të ditës, asgjë nga këto nuk ndodh, sepse që të ndodhin këto, duhet të ndodhë Vetting-u, që të ndodhin këto, ata duhet të dalin nga çadra, të vijnë këtu në sallë dhe të votojnë Vetting-un.

Unë nuk e kam këtë një justifikim. Ua them të gjithëve, edhe deputetëve të PS-së, edhe të LSI-së, edhe të PDIU-së, edhe të tjerë që janë në sallë, unë jam gati, të gjitha këto t’i votojmë vetë. 80 vota janë këtu në sallë. Ejani t’i votojmë vetë të gjitha këto dhe pastaj të shohim kush e do demokracinë, kush e do lirinë, kush i do zgjedhjet pa kanabis dhe nuk e di se çfarë tjetër dhe kush në fakt, të gjitha këto i përdor ekzaktësisht për të kundërtën, që mos të lërë Partinë Socialiste të shkojë në zgjedhje.

Partia Socialiste nuk duhet të shkojë në zgjedhje dhe e dini pse? Se Partia Socialiste ne zgjedhje fiton dhe Partia Socialiste nuk i ndahet reformës në drejtësi.

Shkruaj Mesazh

Kontakto me Kryeministrin

Shkruaj Mesazh

Reportazhe Eksklusive

Dokumentarë

Reportazhe Eksklusive

Për Gazetarët

Hapësira Mediatike

Për Gazetarët

Raport publik

300 Ditë

Raport publik