Postuar më : 07 Prill 2017

Legalizimet falas, punë reale për Shqipërinë që Duam

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në shpërndarjen e lejeve të legalizimit në Cakran të Fierit:

 

Përpara sesa të vinim këtu isha për të parë kantieret e Rilindjes Urbane në Fier. Kryetari i Bashkisë po më tregonte që sa herë nis një kantier i ri dhe publikohet në FB, menjëherë hidhen ata që mezi presin të fillojë një kantier i ri aty ku ata jetojnë, duke thënë “po unë”. Kjo është krejt e natyrshme, siç është krejt e natyrshme që sot, ndërkohë që ne flasim, plot e plot njerëz edhe nga qarku i Fierit, por edhe nga gjithë Shqipëria thonë “kur do bëhet edhe këtu?”  

Ajo që duhet pasur parasysh është se këto janë punë reale, janë punë serioze që kërkojnë kohën e tyre dhe që nuk mund të bëhen sa hap e mbyll sytë. Mjafton fakti që këtu në Cakran, në 8 vjet u bënë 3 legalizime. Ndërkohë që ne sot në një ditë bëjmë 1001 legalizime. Mjafton fakti që në Fier janë bërë në 8 vjet, të pushtetit të atyre që janë ngujuar në çadër 1274 legalizime. Ndërkohë që në pak se tre vjet, qysh se ka filluar punën institucioni i riorganizuar i ALUIZNI-t, është bërë dhjetëfishi, janë bërë 11 200. Këtu në Cakran janë bërë 3 në 8 vjet dhe 1001 në një ditë, pra, llogariteni vetë sesa i bie.

Ajo që është më e rëndësishme është se edhe ato legalizime që janë bërë, janë bërë në kurriz të njerëzve, në kurriz të komunitetit në të shumtën e herës. Janë legalizuar godinat mbi Gjanicë. Shumica dërrmuese e atyre legalizimeve që bëri pushteti i “çadrës” kanë qenë legalizime për lokale, hotele, motele, restorante, pishina, magazina, trampolina,  pra, për biznese. Shumica kanë qenë legalizime, aty ku kurrë nuk duhet të legalizoheshin, në parqe, në zona arkeologjike, mbi kolektor, mbi infrastrukturë kombëtare dhe lokale, duke rritur në mënyrë marramendëse kostot për të rindërtuar gjithë këto zona të pushtuara dhe të legalizuara.

Kanë bërë pronarë në zona ku absolutisht nuk mund të pranojmë që të mbeten të përjetshëm. Si mund të pranojmë që  Gjanica në mes të Fierit të mbetet njëherë e përgjithmonë, siç ishte Lana në Tiranë, nga ku Saliu filloi ndërtimin e Shqipërisë si Zvicra!

Ne jemi zotuar që Gjanicën do ta kthejmë në një hapësirë që të jetë vlerë e shtuar për qytetin, në një park për qytetin dhe ne do t’i rrafshojmë të gjithë ato godina. Por, nëse Saliu, Shabani dhe gjithë të ngujuarit sot në çadër nuk do t’i kishin legalizuar, ne nuk do paguanim nga arka e shtetit për t’i shpronësuar. Një kosto marramendëse! Kemi bërë llogarinë e shpronësimit të godinave të legalizuara në Gjanicë dhe është e barabartë me aq sa ne na duhen për të ndërtuar të gjitha rrugët dytësore të lagjeve në Fier.

Është e tmerrshme sesi procesi i legalizimit u kthye në një proces abuzimi. Ndërkohë po ju them një shifër që tregon sesa të ndryshëm janë këto procese. Nga 11 mijë e disa qindra legalizime që janë bërë në gjithë qarkun e Fierit, 93 % janë shtëpi, janë pronë e familjeve që sakrifikuan, që kursyen gjakun e djersën e emigracionit dhe ndërtuan një shtëpi. 7 % të tjera, pjesa me e madhe janë godina të legalizuara në funksion të bujqësisë.

Ju jeni të gjithë dëshmitarë se legalizimi deri dje ishte një hata, me para mbi dorë e nën dorë dhe rrezik të mos merrje prapë asgjë. Ndërkohe që ju jeni dëshmitarë që gjithë procedura dhe procesi është bërë falas. Ju jeni dëshmitarë që ALUIZNI ka ardhur nëpër shtëpi dhe i falënderoj me në krye drejtorin e ALUIZNI-t të Fierit, që është shembullor. Ju kanë ndihmuar të mbushni të gjithë dokumentet dhe jua sjellin këtu certifikatën në dorë.  

Ka shumë njerëz që thonë, del kryeministri dhe shpërndan tapi. Ne nuk e bëjmë këtë për të dalë dhe për të shpërndarë tapi. Ne e bëjmë për të komunikuar dhe për të shpjeguar shumë aspekte të këtij procesi, që njerëzit duhet t’i dinë.

Njerëzit duhet ta dinë se çfarë dëmesh kolosale i ka bërë qeveria e shkuar këtij vendi, vetëm me këtë proces, se çfarë fature i ka lënë fëmijëve tanë, pasi këto janë paratë ë fëmijëve tanë, janë paratë e kopshteve, të shkollave. Por edhe çfarë fature i kanë lënë gjyshërve, se janë edhe paratë e tyre. Janë paratë e spitaleve, janë paratë e kujdesit social, ato që duhen përdorur në vite për të shpronësuar dhe për të shembur godina që iu marrin frymën qyteteve, si godinat që i kishin marrë frymën Universitetit të Tiranës.

Këta që cohën e flasin për vlerat, për historinë, për trashëgiminë, për gjithçka, sa herë që ne ndërtojmë diçka të re, e patë se çfarë bënë me stadiumin në Tiranë. 100 metra nga stadiumi, ngjitur me universitetin, kishin legalizuar të gjitha ato godina mizerabël, qoftesh e diskosh, mu në park. E jo vetëm askush nuk u tha gjë kur e bënë, por sot hidhen përpjete, siç hidhen përpjete edhe për lirinë e zgjedhjeve, edhe për demokracinë.

Kanë ngulur çadrën aty, njësoj siç ngulën godinat në Gjanicë. Gjetën shesh, bënë përshesh, u bënë pronarë në mes të Fierit, në mënyrën më të padrejtë, duke u grabitur njerëzve pronën e tyre të përbashkët, duke u marrë frymën njerëzve dhe duke e kthyer atë mrekulli që e ka fat një qytet, një lumë që kalon në mes, në një kanal ujërash të zeza.

Kështu duan ta bëjnë demokracinë. Vënë çadrën në mes të Bulevardit dhe thonë “Tokë e zënë’. Thonë o siç themi ne, o s’ka zgjedhje, s’ka liri, s’ka demokraci, s’ka asgjë, se ne jemi liria, ne jemi demokracia, ne jemi gjithçka.

Ata janë ca të mjerë për të ardhur keq, por njëkohësisht janë edhe për të qenë të gjithë të revoltuar, edhe socialistët, edhe demokratët, njerëzit e ndershëm që shkojnë nëpër gjyqe dhe lënë qimet e kokës tek gjykatësit, tek prokurorët, që këta duan t’i mbajnë me çdo kusht atje, që të shpëtojnë veten e tyre nga drejtësia.

Janë mbyllur në çadër se kanë frikë nga drejtësia. Nuk duan zgjedhje se s’duan që Partia Socialiste të shkojë në zgjedhje, se e dinë shumë mirë se çfarë do të thotë populli për punën tonë dhe çfarë mbështetjeje do të japë populli për patinë tonë.

Më falni se këtu ka dhe nga të PD-së. Të mos mërziten se është hera e parë që unë flas për partinë këtu, por dua t’ju them gjithë demokratëve, mos u mërzisni, ju na keni ne. Sepse nuk u lodhët duke votuar Saliun, se ju thoshte do ju legalizoj shtëpinë dhe ju la vetëm dy gishtat në gojë. Ne ju legalizuam shtëpinë, ne do kujdesemi për ju.

Të bashkohemi të gjithë bashkë, se Shqipëria nuk mund të mbyllet në çadër. Shqipëria duhet të bëhet pjesë e Bashkimit Europian. Shqipëria nuk mund të kthehet në kohën e çadrave, kioskave e ndërtimeve pa leje. Demokracia në Shqipëri nuk është as Gjanica, as Parku Rinia në Tiranë dhe as hapësirat e tjera publike në Shqipëri, që u pushtuan në kohën e Saliut të parë.

Shkruaj Mesazh

Kontakto me Kryeministrin

Shkruaj Mesazh

Reportazhe Eksklusive

Dokumentarë

Reportazhe Eksklusive

Për Gazetarët

Hapësira Mediatike

Për Gazetarët

Raport publik

300 Ditë

Raport publik