Postuar më : 05 Maj 2017

Nderim e mirënjohje për ata që për atdheun dhanë jetën

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në takimin me veteranë të LANÇ-it dhe familjarë të të rënëve në nderim të 5 Majit, Ditës së Dëshmorëve: 

 

Përshëndetje të gjithëve!

“Vetëm shqiptarët e kanë ndjenjën e të bukurës aq të fuqishme, sa e paguajnë me jetën e  tyre kënaqësinë për të qënë vetë rrufeja në furtunat njerëzore të luftës,” - thoshte Faik Konica.

Për shumëkënd, këto mund të ngjajnë fjalë të bukura të një njeriu të madh të letrave, por për ata që janë dëshmitarë të një epopeje si ajo e luftës nacionalçlirimtare, apo pasardhës të tyre që janë rritur me historitë e asaj lufte, këto fjalë janë të goditura në shenjë, sepse flasin për një provë të gjallë të historisë sonë.

Më vjen shumë mirë që jemi këtu, sot, sëbashku dhe përsëri përkujtojmë 5 Majin, një ditë të shënuar, e cila na mbledh nën emrin e Qemal Stafës, por edhe na jep mundësinë e këtij momenti për të evokuar një histori guximi dhe për të rishprehur mirënjohjen dhe respektin tonë ndaj asaj historie.

Më vjen shumë mirë, po ashtu, që ne jemi këtu sëbashku me Presidentin e zgjedhur, deri para pak ditësh kryetar i një aleance qeverisëse, e cila është krenare për shumëçka, por edhe për vendosjen në vend të dinjitetit të nëpërkëmbur të veteranëve të luftës për vite me radhë, patjetër edhe për vendosjen në vend të raportit që duhet të këtë çdo qeveri e Shqipërisë, pavarësisht kaheve politike, me atë luftë që e rreshtoi Shqipërinë e vogël në anën e duhur të historisë dhe që përbën sot e gjithë ditën, një arsye për t’u ndjerë natyralisht pjesë e familjes europiane dhe patjetër edhe e NATO-s.

Besoj se sot, fjalët e shumta janë vërtetë fukarallëk dhe madhështia e ditës që na ka mbledhur është me një peshë shumë të rëndësishme, por më vjen shumë mirë që sot, përtej të gjithë aspekteve që kanë të bëjnë me ceremonialin e nderimit të luftës, e nderimit të ditës së çlirimit, e nderimit të ditës së dëshmorëve, ne kemi mundur të bëjmë edhe disa gjëra konkrete lidhur me trajtimin e veteranëve dhe në tërësi me trajtimin e pensionistëve.

Më vjen po ashtu shumë mirë të them sot se, nëse, kur ne e filluam punën për të qeverisur vendin, ishin mbi 12 mijë pensionistë që merrnin shpërblim për kontributin e dhënë gjatë luftës dhe çuditërisht, shumë nga ata që e merrnin këtë shpërblim kishin lindur në vitin 1944 e mbrapa, ne kemi arritur ta pastrojmë këtë skemë dhe realisht ta çojmë këtë shpërblim aty ku duhet, tek ata që e meritojnë, kështu kemi mundur dhe ta rrisim.

Natyrisht do të kishim dashur ta rrisnim shumë më tepër, ashtu siç do kishim dashur të rrisnim shumë më tepër edhe pensionet në tërësi, sepse jemi të vetëdijshëm për vlerën e tyre të vogël në kushtet e ditëve të sotme. Por ju siguroj se kemi bërë gjithçka që kemi mundur dhe jam i bindur se do kemi mundësi të bëjmë më shumë, duke vazhduar reformat, duke rritur të ardhurat dhe duke krijuar kushte për të shpërblyer më mirë, jo vetëm ata që janë sot në punë, por, mbi të gjitha, ata që kanë punuar një jetë të tërë dhe që nuk e kanë për hir të vërtetës, ende një pension dinjitoz.

Në mbyllje, më vjen mirë që kam privilegjin që t’i jap fjalën Presidentit të zgjedhur, i cili për hir të të vërtetës, falë talentit të tij politik ka arritur të jetë sot, jo vetëm përfaqësuesi juaj dhe i yni, por edhe përfaqësuesi i palës tjetër, gjë që pala tjetër nuk e pohon, por nuk e mohon. Unë jam i bindur që me kohë do të fillojë ta pohojë.

Kështu që, Zoti President i zgjedhur jeni i ftuar të merrni fjalën dhe unë po ulem pranë bashkëkryetarit të ri të Aleancës për Shqipërinë Europiane, shokut tim, Petrit Vasili. 

Shkruaj Mesazh

Kontakto me Kryeministrin

Shkruaj Mesazh

Reportazhe Eksklusive

Dokumentarë

Reportazhe Eksklusive

Për Gazetarët

Hapësira Mediatike

Për Gazetarët

Raport publik

300 Ditë

Raport publik