Postuar më : 07 Shkurt 2017

Në rrugën e Rilindjes së Fshatit

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në ceremoninë në Portin e Durrësit për dorëzimin e flotës së ekskavatorëve të rinj qeverive vendore:

Dua t’ju jap pak të dhëna historike, të pabesueshme në fakt, që tregojnë se këtu  jemi në një moment me një rëndësi të madhe dhe se kjo flotë e re është një risi e pamenduar dhe e paimagjinuar.

Nga viti 1993, kur është bërë investimi i parë për logjistikën në mbështetje të bujqësisë, deri në vitin 2001, kur ka ndaluar përfundimisht investimi në këtë drejtim, janë sjellë në Shqipëri 56 ekskavatorë për bujqësinë, 16 nga të cilët ishin jashtë përdorimit. Të tjerët kanë ardhur me shumë vite pune, pra, pasi kanë dalë në “pension” nëpër vende të tjera, kanë ardhur këtu. Mosha mesatare e flotës që ne trashëguam ishte 21 vjeçare. Nga viti 2001 deri kur Ministria e Bujqësisë mori 10 ekskavatorët e rinj krahëgjatë, për t’ia vënë në dispozicion bordeve rajonale të kullimit, nuk ka hyrë më asnjë ekskavator në Shqipëri.

Ministri i Bujqësisë, i pari dhe më pas, gjithë të tjerët që janë përfshirë në këtë sektor e dinë shumë mirë se çfarë hiqej për t’iu përgjigjur nevojave në raste përmbytjesh dhe as nuk bëhej fjalë për të pastruar kanale në të gjithë territorin, sepse ishte mision i pamundur.

Këtu janë praktikisht 61 ekskavatorë, të cilëve, po t‘iu shtojmë edhe 10 ekskavatorët që tanimë janë në punë për magjistralet e ujit për bujqësinë, bëjnë 71. Në vetëm 2 vjet, ne, jo vetëm që iu vëmë në dispozicion fermerëve, bashkive dhe sektorit, 31 ekskavatorë më shumë sesa nga viti 1993 në vitin 2014, por edhe të gjithë akull të rinj për të pasur cilësi maksimale në punë.

Nëse Shqipëria në gati çerek shekulli punoi e gjitha me 40 ekskavatorë të përdorur, që mezi “merrnin frymë” kur niseshin për punë, flota e 61 ekskavatorëve, që është ekskluzive për pushtetin vendor, do të mjaftojë për këtë fazë.

Synimi ynë është që bashkitë e reja me këto mjete të krijojnë bërthamën e ndërmarrjeve të pastrimit dhe të mirëmbajtjes sistematike të kanaleve të ujitjes dhe të kullimit, që të mos kemi më, jo mijëra kilometra, por asnjë metër kanal ujitës dhe kullues të bllokuar nga dherat, plehrat, inertet, nga gjithë sedimentet, siç praktikisht ishin me mijëra dhe kur them me mijëra nuk e ekzagjeroj.

Vetëm në vitin 2016, falë kësaj pune të organizuar bashkërisht, duke vënë në jetë një reformë që është baza e suksesit që duam dhe që do të bëjmë në fshat me Ministrinë e Bujqësisë, me bordet e kullimit dhe me bashkitë, ne kemi hequr nga kanalet, që duhet të çonin ujin në tokat ku dhjetëra e mijëra familje në të gjithë territorin jetojnë me të, 3.5 milion metër kub dhera, plehra, inerte, sedimente, që kishin lënë pa punë dhe pa asnjë shpresë dhjetëra e mijëra familje nga veriu në jug të Shqipërisë, vetëm për shkak të ujit. 

E gjithë kjo është një punë e jashtëzakonshme, jo vetëm për të mos krijuar stresin e ujit që ka shoqëruar sezon për sezon fermerët, por edhe për të lehtësuar në mënyrë të konsiderueshme familjet në zonat rurale apo periferike, deri edhe në qendra qytetesh, nga përmbytjet që vinin si rezultat i bllokimit gjithandej të arterieve që mundësojnë qarkullimin e ujit në Shqipëri. Një punë e bazuar mbi fakte, në një analizë të bërë bashkë me ministrin, me hartën e gjithë këtyre arterieve përpara.

Nëse ne nuk do të kishim pastruar, vetëm përmes bashkive, - pa llogaritur punën që ka bërë Bordi i Kullimit me magjistralet, edhe ato të bllokuara dhe ku vazhdon puna në një magjistral të rëndësishëm në zonën e Vaut të Dejës që shkaktonte përmbytje pas çdo vese, - më shumë se 2 mijë km kanale, dimri ku jemi do të kishte qenë një dimër i tmerrshëm përmbytjesh.

Përmbytjet që patëm ishin minimale në raport me çfarë do të na kishin parë sytë. Ishim të gjithë dëshmitarë, por veçanërisht kryetari i Bashkisë së Vlorës, kryetarët e bashkive në pellgun e Vjosës dhe ai i Bashkisë së Fierit, se çfarë përmbytjesh patëm para dy vjetësh. Me reshjet e vitit të shkuar, nëse nuk do të ishte bërë kjo punë, përmbytja e para dy viteve do të dukej një shaka në raport me çfarë do të kishim parë në gjithë atë pellg dhe sa  shumë më tepër familje e prona do ishin prekur, për të shkuar deri në qendrat e qyteteve.

Një element tjetër është shumë i rëndësishëm. Siç e thashë, kemi hequr 3.5 milionë metër kub plehra, dhera, inerte, sedimente vetëm në harkun e këtij operacioni. Objektivi është që ne të bëjmë të mundur që në vit të kemi një kapacitet pastrues të menjëhershëm nga 7-10 milionë metra kub, nga Tropoja deri në Konispol, kudo ku ka një familje fermere që jeton me tokën.  

Operacioni nuk ka mbaruar. Kemi ende shumë punë për të bërë në këtë fazë. Jam shumë i kënaqur që më në fund do shpëtoj dhe unë, edhe ministri nga telefonatat, mesazhet, e-mail-et, letrat, alarmet e kryetarëve të Bashkisë, që me shumë të drejtë kërkonin ekskavatorët, pasi tani është periudha kur përgatisin sezonin e ardhshëm.

Kryetari i Bashkisë së Beratit solli shembullin e 300 hektarëve që ujiten normalisht, për herë të parë, në një zonë të Beratit, jo në të gjithë Beratin. Si mundet ekonomia jonë, vendi ynë t’ia lejojë vetes luksin që të ketë me dhjetëra mijëra hektarë jashtë përdorimit! Dhe kjo, për shkak të mungesës së një komponenti të natyrës, që ne e kemi me bollëk: ujit. Por edhe si rezultat i faktit se deri kur kjo qeveri mori përsipër të hyjë në rrugën e Rilindjes së fshatit dhe të bujqësisë nuk e çau kokën kush për 20 e kusur vite të pastronte kanalet. 

Janë 40 mijë hektarë që kanë hyrë nën ujë dhe kanë çliruar, llogariteni vet se çfarë numri të madh familjesh fermerësh. Ambicia jonë, objektivi ynë që do të realizohet brenda këtij viti është që të mos ketë më një parcelë ku uji të mos shkojë dhe ku kullimi  të mos jetë i garantuar.

A mund të imagjinohej kjo deri 3 vjet e pak më parë, duke pasur parasysh historinë e  20 e kusur viteve?! A mund të imagjinohej deri 3 vjet e pak më parë, duke ju referuar vetëm një shifre, ky operacion nga pikëpamja financiare është tre herë më i madh, sesa  financimi që qeveria e  mëparshme ka bërë në këtë sektor në 4 vite të marra së bashku, 2009-2013.

Por nëse është tre herë më i madh nga pikëpamja e fondeve, është 30-fish më i madh nga pikëpamja e efiçencës. Ne nuk kemi shpërndarë para për të arnuar lartë e poshtë, duke iu kaluar lekët firmave apo të tretëve  për pak metra këtu e pak metra atje, por kemi bërë një studim analitik me Ministrinë e Bujqësisë. Kemi parë të gjitha arteriet, kemi parë ku janë burimet, ku janë magjistralet, ku janë kanalet e dyta, kanalet e treta, si është raporti mes atyre që janë funksionale dhe atyre të bllokuara dhe çfarë kërkohet për të çliruar këtë organizëm të mbytur nga sedimentet, në mënyrë që përfitimi i fermerëve  dhe i ekonomisë nga ky operacion të jetë maksimal. Në vend që të hidhnim para lartë e poshtë, e kemi përqendruar punën me prioritete dhe në bazë të prioriteteve kemi pasur po ashtu vizionin që të fusim fuqimisht në lojë, një aktor deri dje komplet jashtë loje, pushtetin vendor.

Reforma administrative-territoriale është një reformë për ekonominë, përveçse është një reformë  për të bërë shtet. Në vend të 400 njësive vendore, të lëna secila në punë të vet, sot kemi një nivel të dytë të qeverisjes që është kompakt dhe na jep mundësi që në vend të bashkive dhe komunave të vjetra, që thjesht mbijetonin, si ata që rrinë në buzë të rrugës e kërkojnë lëmoshë,  të krijojnë 61 njësi ekonomike.

Kjo që bëjmë sot është vazhdim i një rruge që ka ende shumë punë për t’u hapur, në të cilën ata që e ndjejnë sot janë fermerët, deri dje të prekur nga thatësira dhe të detyruar për shkak të thatësirës të braktisin shtëpitë e tyre. Po  shumë shpejt do jetë ekonomia që do ta ndjeje dhe do jetë tregu që do ta tregojë, siç ka filluar ta tregojë edhe sot. Kemi një rritje eksponenciale të eksporteve, ku me siguri ka ndikuar edhe ky aspekt. Kemi një rritje të  pranisë së produkteve vendase në tregun tonë, në raport me produktet e importit,  por potenciali është i jashtëzakonshëm. Nëse krahasohemi me 3 vjet e gjysmë më parë, nuk kemi se çfarë krahasojmë, por, nëse matemi me potencialin, unë jam plotësisht i pakënaqur dhe ne duhet të jemi të gjithë të pakënaqur, sepse kemi një mundësi të pashtershme për ta transformuar fshatin dhe për t’i dhënë ekonomisë një shtysë të fuqishme përmes bujqësisë.

Do të shpërndahen ekskavatorët e rinj, do mbështetet më tutje procesi i një reforme që synon të fuqizojë nivelin e dytë të qeverisjes në këtë sektor jetik, do të inkurajohen bashkitë që të krijojnë ndërmarrjet e tyre për pastrim dhe mirëmbajtje të kanaleve, që deri dje bëhej e gjitha me firma, me tenderë, etj.. Sot mund të bëhen lehtësisht nga njësitë vendore, që duke pasur mjetet, kanë edhe një shpenzim shumë më të vogël. Kështu lehtësojnë edhe buxhetin e shtetit, që të fuqizojë më shumë mbështetjen e politikave të reja që ne kemi marrë në këtë sektor. Patjetër që do të shfuqizohet edhe kjo lidhje mes Ministrisë së Bujqësisë dhe aktorëve vendorë, duke lehtësuar në mënyrë shumë të ndjeshme një dhimbje të madhe koke që e ka shoqëruar shtetin dhe sektorin për çerek shekulli, për mend e kokës së shtetit në fakt. Sepse kjo flotë  sigurisht është e kushtueshme, por në raport me përfitimin është një shpenzim që shteti duhet ta kishte bëre 20, 15 apo edhe 10 vjet përpara.

Kemi humbur gjithë këto vite dhe kur dëgjoj që broçkullisin dhe na tregojnë dhimbjet e vuajtjet e fshatit, - a thua se ato i krijuam ne! - duke na  treguar gishtin e akuzës, pikërisht ata që janë krijuesit dhe ushqyesit  e atyre plagëve shumë  të rënda, është kulmi. Ne do të fokusohemi në punën tonë dhe do të vazhdojmë të bëjmë shtet, duke fuqizuar institucionet. Në këtë rast, duke fuqizuar hap pas hapi institucionin kyç për zhvillimin, që është bashkia. Duke bërë që qeveria të fokusohet gjithmonë e më shumë tek politika dhe bashkia të fokusohet gjithmonë e më shumë tek mbështetja e drejtpërdrejtë e komunitetit  në qytet apo fshat. Në këtë sintoni dhe sinkroni, ne të marrim fryte shumë më të konsiderueshme në sasi dhe cilësi edhe në këtë sektor, që është një sektor strategjik për Shqipërinë dhe një prioritet strategjik për qeverinë tonë.

Punë të mbarë të gjithë kryetarëve të bashkive! Faleminderit të gjithë atyre që punuan për ketë projekt  dhe  që mundësuan këtë moment, duke na hequr të paktën, një nga dhimbjet kokës që na rëndohej përditë nga insistimi i përditshëm dhe i natyrshëm i kryetarëve të bashkisë. Unë e di që ju do vazhdoni të kërkoni. Të jesh kryetar bashkie, do të thotë të kërkosh e të mos kënaqesh kurrë nga qeveria, por të paktën, këtë aspekt kaq të rëndësishëm për kryetarët e bashkive, që janë  brezi i parë i reformës dhe të cilët u gjendën përpara një komuniteti aq të madh sa komuniteti i zonave rurale, me duart lart dhe pa asnjë mjet, e kemi sistemuar si bazë. Natyrisht, shumë akoma mbetet për t’u bërë për fuqizimin e kësaj baze.

Faleminderit!

Shkruaj Mesazh

Kontakto me Kryeministrin

Shkruaj Mesazh

Reportazhe Eksklusive

Dokumentarë

Reportazhe Eksklusive

Për Gazetarët

Hapësira Mediatike

Për Gazetarët

Raport publik

300 Ditë

Raport publik