Postuar më : 17 Mars 2017

Njëmijë legalizime të reja falas në Shkodër

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në shpërndarjen e 1 mijë lejeve të legalizimit në Shkodër:

 

Në dy vjet e pak që ka filluar të funksionojë si duhet ALUIZN-i, ne kemi bërë 1528 legalizime vetëm në komunën Rrethina. E fundit që vlen për të bërë një krahasim shumë të thjeshtë është se në 8 vjet, ata që iu thoshin njerëzve mos votoni për Edi Ramën se do t’ju prishë shtëpitë dhe do ju kthejë andej nga keni ardhur, bënë vetëm 21 mijë legalizime, nga të cilat, mbi 80% lokale, hotele, motele, pishina, trampolina, magazina dhe pjesa tjetër shtëpi. Në dy vjet e gjysmë, pasi kërkuam, gjetëm dhe sistemuam dosjet e lëna rrugëve, ne bëmë 115 mijë legalizime. Sot, me këto 1 mijë legalizime që shpërndahen këtu bëhen 116 mijë legalizime.

Flasin vetë faktet, flet vetë realiteti i familjeve që pritën me vite të tëra dhe sot janë jo pak, por 116 mijë familje që kanë më të fund titullin e tyre të pronësisë. Më në fund, investimin e jetës së tyre, kursimet, gjakun dhe djersën i kanë kapital të regjistruar, me të cilin mund të bëjnë çfarë të duan. Mund ta shesin, mund ta vendosin kolateral në bankë, mund ta japin me qira. Askush nuk mundet dot t’ua prishë, ose do duhet t’u japë atë që u takon si pronarë të rregullt.

Legalizimet janë një pjesë e rëndësishme e betejës tonë për të rilindur ekonominë familjare, për t’iu dhënë njerëzve mundësi të reja dhe për t’ua kthyer atë investim të madh, ato para që i kanë investuar për tulla, llac e tjegulla, në një kapital që mund ta përdorin sipas nevojës, duke qenë zotërues të një titulli të ligjshëm pronësie.

Patjetër që nuk kanë përfunduar të gjitha legalizimet, sepse nuk mund të bëheshin në një hark kohe kaq të shkurtër, krahasuar me sa vite e vite janë ndërtuar e janë ngatërruar ato që nuk u bënë për 20 e ca vjet. Ju dhe të gjithë ata që kanë sot shtëpinë të legalizuar, janë dëshmitarët më të mirë të të vërtetës se ky është një proces që mund ta bënim vetëm ne dhe mund ta përfundojmë për të gjithë, vetëm ne.

Ana tjetër e medaljes, jo më pak e rëndësishme është që, siç mund të dëshmojnë ata që sot marrin legalizimet, në vitet e mëparshme aplikuan, paguan mbi dorë e nën dorë dhe morën asgjënë. Ndërkohë, ju jeni dëshmitarë që sot legalizimin e merrni, pasi këto vajza e djem që punojnë në zyrën e ALUIZNI-t të Shkodrës ju kanë ardhur nëpër shtëpi, ju kanë ndihmuar të plotësoni siç duhet dokumentet dhe ju kanë mundësuar që të mos keni nevojë të shkoni tek dera e ALUIZNI-t e të prisni ditë e net. Ky proces që është bërë me asistencën e ALUIZNI-t, për të cilin ju nuk keni paguar asnjë lek, është fals, nga pikëpamja e gjithë procedurës administrative.

Kush e ka tokën e tij, gjithçka e ka falas. Kush e ka tokën e tjetrit, paguan një kontribut për tokën, në mënyrë që ne me këto kontribute të garantojmë se nesër a pasnesër nuk do ju vijë nipave e mbesave tuaja tek dera, nipi, mbesa apo stërnipi e stërmbesa e pronarit t’u thotë se shtëpinë jua ka dhënë dikur qeveria, por toka është e imja. Aq më tepër që me këto kontribute, neve na jepet më shumë mundësi, për të bërë më shumë edhe për lagjen. Nuk mbaron tek legalizimi, nuk mbaron tek regjistrimi në hipotekë i pronës, por duhet të vazhdojë edhe me përmirësimin e situatës në lagje.

Dje kam folur gjatë me Artan Lamen, për të marrë një raport për Shkodrën dhe kam parë që Bashkia e Shkodrës është bashkia më shembullore për gjumë dhe për moskokëçarje për qytetarët dhe familjet. Më vjen shumë keq që atë që i bënë Tiranës deri në 2015-ën, tani po ia bëjnë Shkodra. Më vjen shumë keq që gjumin nga Tirana e kanë transferuar në Shkodër. Thonë “ç’rëndësi ka se po na mërziten, në fund të ditës, prapë do na votojnë”.

Ju e dini vetë për kë e si votoni. Unë nuk kam ardhur këtu të bëj fushatë. Vetëm një gjë është e sigurt, zgjedhjet do bëhen në 18 Qershor. Deri në 18 qershor ka akoma kohë. Gjykojeni me qetësi dhe në fund vendoseni, a doni me ik nga shtëpia ku sapo u bëtë pronarë, me u fut në çadër, apo doni që sëbashku të vazhdojmë rrugën që kemi nisur.

Ky është vend i lirë. Kush do të punojë në çadër, punon në çadër. Kush do të punojë tokën, punon tokën. Kush do të punojë në një front tjetër të jetës, punon në një front tjetër të jetës. Ashtu sikundër, edhe ne e kemi ndarë mendjen, unë e kam ndarë mendjen, që për sa kohë ju dhe ata që s’janë këtu, mendojnë që unë dhe ne duhet t’ju shërbejmë juve, nuk ka forcë që e ndryshon këtë vullnet.

Shkruaj Mesazh

Kontakto me Kryeministrin

Shkruaj Mesazh

Reportazhe Eksklusive

Dokumentarë

Reportazhe Eksklusive

Për Gazetarët

Hapësira Mediatike

Për Gazetarët

Raport publik

300 Ditë

Raport publik