Postuar më : 25 Prill 2017

Punësim nëpërmjet turizmit

Fjala e  Kryeministrit Edi Rama në ceremoninë e nisjes së punimeve për resortin turistik në Gjirin e Lalzit, Durrës:

 “Shqipëria është aq e pasur në bukuri, saqë duket e pabesueshme që iu deshën 25 vjet pas rënies së komunizmit për t’u shndërruar në një destinacion të vërtetë turistik”, shkruante “Lonely Planet”, pak vite më parë.

Ajo që revistës më të madhe turistike në botë i dukej e pabesueshme, për fat të keq e gjen shpjegimin tek mungesa e plotë e vizionit dhe tek zhvillimi kaotik i Shqipërisë. Një zhvillim që me paqëndrueshmërinë e vet shkatërroi jo pak vlera të rëndësishme peizazhistike, vlera të rëndësishme të trashëgimisë kulturore dhe turistike.

Për fat të keq, e vetmja strategji që shteti pati për turizmin për 25 vjet ishte çorganizimi i organizuar, lejimi i ndërtimeve pa leje buzë detit, madje edhe brenda detit, ngritja e strukturave hoteliere që nuk përmbushnin asnjë lloj kriteri minimal për të pritur turistë të huaj dhe jo më ndonjë strukturë hoteliere që të mund të shërbente si kartëvizitë e Shqipërisë turistike. Një turizëm i zhvilluar me gjeneratorë, me plazhe të rrethuar me tela me gjemba e gardhe dhe nga më të çuditshmit, me ujëra të zeza që derdheshin në det, me gropa septike që e kthenin rërën në një terren vegjetacioni dhe përgjithësisht, me një varfëri të jashtëzakonshme të ambicies për Shqipërinë.

Në këto 3 vite e gjysmë nuk janë bërë mrekulli, sepse objektivisht është e pamundur të zhbësh në 3 vite e gjysmë, gjërat që janë bërë mbrapsht për çerekshekulli, por e vërteta është se sot jemi në një situatë të re, kemi një bazë të rëndësishme për të mundur të ndërtojmë më tutje turizmin e së ardhmes për Shqipërinë që Duam.

Ardhja e “Melia Internationals Hotels” është një lajm jashtëzakonisht i mirëpritur, sepse është thyerja e akullit, e një akulli prej shumë vitesh, për të hapur rrugën për turizmin e cilësisë së lartë dhe për të bërë të mundur që të tjera struktura me 5 yje të ndërtohen në Shqipëri.

Nuk do e harroj kurrë, çfarë më ka thënë Kryeministri i Malit të Zi, kur jemi takuar herën e parë, pasi isha zgjedhur. Kur e kam pyetur për strategjinë e ndjekur për ndërtimin e strukturave cilësore me 5 yje, që e kthyen Malin e Zi në një destinacion shumë atraktiv më Mesdhe, më tha mos harro që unë jam Kryeministër prej 20 e kusur vitesh dhe më janë dashur 10 vjet që të thyej akullin, për të sjellë strukturën e parë. Pasi ka ardhur struktura e parë me 5 yje, është krijuar besim dhe është krijuar bindje tek të tjerët që edhe Mali i Zi mund të jetë një vend ku mund të ndërtohen struktura turistike me një ambicie të tillë, sepse është çështje besimi dhe sigurisht, për një investitor, që të jetë i pari në një vend ku ka njëmijë e një arsye për t’u paragjykuar, për t’u frikësuar, për t’u zmbrapsur, duhet një guxim më vete.

Fakti është që sot, ne jemi në rrugë për të çelur një sezon të ri në kuptimin e historisë së turizmit, pasi përveç grupit “Melia” janë edhe një sërë grupesh të tjera me të cilat ne kemi më shumë se dy vjet që kemi filluar të punojmë. Bindja ime është që në 3-4 vitet e ardhme nuk do jetë më i vetmi kantier, por do kemi 3-4 kantiere të rëndësishme, që do të sjellin në ekonomi një injeksion shumë të rëndësishëm të ardhurash.

Vetëm ky resort me 5 yje është një investim prej 90 milionë eurosh. Ndërkohë, paralelisht me këtë, duke llogaritur paketën e investimeve të mundshme nga grupet me të cilat ne jemi vazhdimisht në kontakt dhe me të cilat ministrja e Turizmit po punon për të mundësuar futjen e procedurave të investimeve strategjike, ambicia jonë është që të kalojmë 1 miliardë dollarët, të paktën.

Fakt është që në vitin 2016, turizmi prodhoi këtu në Shqipëri 1.5 miliardë euro, duke u shndërruar në një shtyllë shumë të fortë të ekonomisë shqiptare dhe vetëm në një vit, krahasuar me vitin 2015, kontributi i turizmit në ekonomi u rrit me 200 milionë euro. Një shifër goxha inkurajuese kjo, por më shumë sesa vetë shifra, është inkurajues vetë potenciali, sepse potenciali është ende shumë i madh.

Vitin e shkuar, ne kemi pasur 25% më shumë kërkesë se çfarë është oferta jonë turistike, në kuptimin e shtretërve dhe të infrastrukturës. Kjo përbën një shtytje shumë të fortë që të vazhdojmë me një ambicie të madhe, pasi këtu kemi një nga instrumentet më të rëndësishme, jo vetëm të rritjes ekonomike, por edhe të rritjes ekonomike me punësim. Ajo që duhet thënë është se sipas statistikave edhe të agjencive dhe të infrastrukturës tonë hoteliere, deri në vitin 2015, ne arritëm që përmes turizmit të gjenerojmë 51 mijë vende pune. Por projekti ynë, i diskutuar dhe i vlerësuar edhe nga Banka Botërore, edhe nga FMN, flet për mundësinë e krijimit të 250 mijë vendeve të punës në turizëm, vetëm në një periudhë prej 7-8 vitesh të ardhshme.

Në këtë resort turistik, menjëherë punësohen 600 persona dhe me vënien në punë të resortit, këtu do të jenë të punësuar në mënyrë të drejtpërdrejtë, ose indirekt, 1500 persona. Kjo, thjesht për të kuptuar se çfarë potenciali i madh punësimi është turizmi.

Nga ana tjetër, më vjen shumë mirë të theksoj se falë këtij investimi, ne do të jemi në gjendje që të nxisim përmirësimin e mëtejshëm të infrastrukturës së zonës. Kemi diskutuar edhe me grupin që ndërton këtë resort, kemi diskutuar dhe me grupet e tjera të interesuara për zhvillimin e gjithë kësaj zone, për të përfshirë në programin tonë “1 Miliardë të rindërtimit” edhe rindërtimin e plotë të të gjithë infrastrukturës të aksit që lidh autostradën me gjithë zonën. Ajo që Zoti Dulaku e quajti në mënyrën e vet origjinale “express way”, por për të cilën, Zoti Dulaku duhet të nxjerrë edhe disa para që në bazë të programit do shlyhen nga shteti në një afat, sipas kontratës.

Janë të mirëpritur investitorët që të investojnë duke shfrytëzuar skemën e Project Financing, që është dhe baza e programit tonë kombëtar “1 Miliardë për rindërtim”. Për të investuar në këtë skemë, ju mund të inkurajoheni edhe nga masa më e fundit që ka marrë qeveria për uljen e TVSH-së së turizmit, nga 20% në 6%, që e bën Shqipërinë shumë kompetitive. Nga vendi me taksën më të lartë të turizmit në rajon, sot jemi vendi me taksën më të ulët të turizmit në rajon. Kështu, paratë që kurseni nga ulja e kësaj takse, mund t’i konsideroni si para të fituara papritur e pakujtuar, që mund t’i hidhni në investimin në infrastrukturë.

Shumë faleminderit për këtë ftesë!

Realisht e çmoj shumë fillimin e kësaj pune, sepse për mua nuk është thjesht se po ndërtohet një resort, apo diçka që është ndërtuar edhe më parë, por po ndërtohet për herë të parë një resort me 5 yje. Kështu po thyhet akulli për të dhënë modelin, provën, shembullin për të tjerët që kanë nevojë të inkurajohen dhe të kuptojnë se në Shqipëri është jo vetëm e mundur që të ndërtohen struktura të tilla, por nga ndërtimi i strukturave të tilla mund të kihen përfitime të posaçme. Shqipëria përbën sot, një vend gjithnjë e më atraktiv dhe ka një avantazh, nëse mund ta quajmë, që është në zhvillim e sipër dhe mund të përfitojmë shumë nga gabimet e të tjerëve, për të mos i përsëritur ato. Por jemi edhe në një konjukturë të përgjithshme gjeopolitike, që ka sjellë që 100 milionë turistë që normalisht shfrytëzonin vendet e Afrikës së Veriut për turizëm, po kërkojnë destinacione të tjera për shkak të problemeve, konflikteve dhe situatave të paqëndrueshme në ato vende, në këtë periudhë kohe.

Më vjen mirë t’ju them se mezi presim të shohim investimin tjetër të grupit në zonën e Dhërmiut. Edhe aty ambicia është po kjo, për të ndërtuar një tjetër resort me 5 yje. Jemi afër finalizimit edhe të disa proceseve të tjera, që nga Divjaka deri poshtë në Kepin e Stillos, gjë që do ndryshojë në mënyrë përmbajtësore dhe themelore hartën turistike të Shqipërisë e do fusë në Shqipëri, një kategori të re turistësh, nga ata që vijnë me shumë para për t’i shpenzuar këtu, gjë që do t’i japë jo vetëm mundësi rritjes së punësimit, por edhe gjallërimit të mëtejshëm të zonave rurale rreth e rrotull, për të stimuluar prodhimet bujqësore dhe blegtorale vendase dhe agropërpunimit.

Sukses, mbarësi dhe shpresoj që të vijmë në kohën e parashikuar nga leja, për të inauguruar fillimin e jetës aktive të gjithë këtij resorti kaq të shumëpritur dhe të mirëseardhur në Shqipëri.

Shkruaj Mesazh

Kontakto me Kryeministrin

Shkruaj Mesazh

Reportazhe Eksklusive

Dokumentarë

Reportazhe Eksklusive

Për Gazetarët

Hapësira Mediatike

Për Gazetarët

Raport publik

300 Ditë

Raport publik