Postuar më : 07 Mars 2017

Reforma europianizuese në arsim, detyrim ndaj Gjeneratës Tjetër dhe themeltarëve të shkollës shqipe

Fjala e Kryeministrit Edi Rama me mësues në Korçë me rastin e 7 Marsit, Ditës së mësuesit:

Mirëdita të gjithëve!

Po e çel këtë fjalë me dhënien e Medaljes së Mirënjohjes së Kryeministrit për Muzeun e Mësonjëtores. Kjo mirënjohje i shkon të gjithë atyre që janë pjesë e një historie të lavdishme si ajo e Mësonjëtores dhe i jepet përmes medaljes, drejtorit të Mësonjëtores, të cilin përfitoj nga rasti ta falënderoj edhe për kontributin e tij të çmuar në  ndriçimin e rrugës time të  njohjes së historisë sonë të përbashkët. Nuk mund të jetë me sekret, ky është një nga furnizuesit kryesor të Amarcord-it në Facebook-un tim.

Një urim të posaçëm për 7 Marsin kam për një mësuese që është një shembull i jashtëzakonshëm, sipas meje, për të gjithë mësuesit; për Lindita Nikollën. Përmes urimit për Linditën që si Ministre e Arsimit po provon se një mësuese e mirë mund të bëjë për arsimin, atë që  një duzinë burrash me tituj dhe grada më të larta nuk e bënë dot në 20 e kusur vite, uroj të gjitha mësueset dhe mësuesit e Shqipërisë për këtë festë, një festë e një prej figurave më të rëndësishme të një shoqërie, figurës së mësuesit. Sfida jonë për arsimin është në thelb sfida për të rikthyer autoritetin e mësuesit dhe për ta rilindur figurën e tij, si një figurë qendrore në jetën e përditshme të fëmijëve dhe të rinjve tanë.

Nuk kishte vend më të mirë sesa këtu në Korçë, për të kremtuar 7 Marsin, i cili këtë vit përkon me 130 vjetorin e vendosjes së një guri këndor në vizionin shtetndërtues  të etërve  tanë, Mësonjëtores së parë shqipe. Kjo datë dëshmon se përmes gjuhës së tyre, shqiptarët mund të mbrothësojnë me kokën lart në mes gjithë popujve të tjerë, sepse gjuha shqipe ka qenë dhe mbetet një tingëllimë e veçante dhe moderuese në Ballkanin multietnik. Këtë e kuptuan edhe Kavaliotis, edhe Marko Boçari, - për  të marre vetëm dy nga plot shembujt,  të dyzuar në përkatësitë e tyre etnike, gjeografike dhe kulturore, - të cilët, përpiluan fjalorë të  shqipes, ndonëse me germa të gjuhës universale apo “lingua franca” të kohës, greqishtes, në mote kur shpata vlerësohej më shumë se pena.

Shqipja, e prirur për t’u lëvruar në autonominë e  saj, nuk ka qenë kurrë mbartëse sistemesh sundimi dhe ekskluzivizmi apo përjashtimi. Në  gurrën e  saj të pasur dhe rrjedhëzuese me gjithë simotrat e saj ballkanike dhe më gjerë, me të cilat shqipja ka dhëne dhe ka marrë pa u imponuar askund, gjuha jonë dëshmon se është bartëse ekuilibri dhe fqinjësie të mirë, si dhe përçuese mirëkuptimi, qytetërimi dhe hapje ndaj gjuhëve dhe kulturave të tjera. Kush nuk e kuptoi këtë të vërtetë të madhe, si në të kaluarën dhe të tashmen, mbolli fatkeqësi dhe kobe të mëdha në rajonin ku jetojmë, mbolli dasi dhe vëllavrasje mes fqinjëve, ndau në zjarre të një feje e të një gjaku me një fe dhe një gjak tjetër, njerëzit e të njëjtës tokë dhe krijoi mure dhe barriera që rajonin tonë, aq të ngjashëm për nga diversiteti, e kthyen në  një fuçi baruti. 

Hulumtimet historike të këtyre 20 viteve të fundit kanë nxjerrë në dritë qenësinë përpara datës që po përkujtojmë sot, edhe të disa dhjetëra shkollash të administruara nga kultet, sidomos nga ai katolik në Shqipërinë e veriut, ku qysh prej shekullit të XVII ekzistojnë gjurmë të mësimdhënies në shqip, shumë kohë përpara se të çelej Mësonjëtorja e Korçës.

Nëse kremtojmë Mësonjëtoren e Korçës si shkollën e parë, nuk është vetëm sepse këtu për herë të parë u lëvrua në bazë të një programi shkollor gjuha shqipe, por se këtu për herë të parë, një program shkollor, në përputhje me kërkesat e kohës, bëri që mësimdhënia në gjuhën shqip dhe nxënia e shqipes si gjuhë e shkruar të jetë një aktivitet i strukturuar. E kremtojmë, sepse Mësonjëtorja, shtëpia e saj e ofruar nga Diamand Tërpo, që nuk ishte as aneks dhe as një shkollë e mbajtur nga kleri, por ku u dhanë mësim nxënësve të të dyja besimeve, laikë dhe klerikë, të krishterë dhe myslimanë, është çerdhja  e parë edukuese dhe frymëzuese e të drejtës për dije dhe veprim, përkundrejt arbitraritetit të më të fortëve, apo më të kamurve prej paligjshmërisë, apo të dasinxitësve të çdo brumi, rreth e përqark.

Shumë kohë më përpara, sesa  flamuri kombëtar i republikës vetëqeveritare në 1916-n të skuqte qiellin e Korçës, çelja e Mësonjëtores i bëri jehonë një ofshame shpresëdhënëse që e gjejmë edhe në romanin “Patrioti “ të Andon Frashërit, i lindur disa hapa nga godina e Mësonjëtores, ish-nxënës dhe nip i shumë prej mësuesve të shkollës së parë shqipe; “Shqipëria e lirë do  të jetë mëmë dhe jo njerkë me anësi. Ajo s’do të njohë më turq dhe kaurë”.

Medalja e mirënjohjes sot nderon jo vetëm shkollën e parë shqipe, por shkollën e parë laike dhe institucionin e parë publik arsimor shqiptar, që është Mësonjëtorja e Korçës.

Kur një vit më parë na u dha mundësia të nderojmë të rënët në varrezën e Arlingtonit në Washington, përkujtuam edhe përpjekjet e shqiptaro-amerikanëve që u përpoqën dhe ranë, edhe për lirinë dhe vetëvendosjen e  atij vendit të madh. Një kontribut që Korça e di dhe e ruan në zemër më shumë se ndoshta çdo qytet tjetër i Shqipërisë.

Sot i shprehim mirënjohjen një institucioni që i është premtuar në një farë mënyre përjetësisë, sepse përbën yllin polar dhe tempullin ndriçues të mbarë programit të Rilindjes Kombëtare. Në Mësonjëtore shkrihen dhe kristalizohen në të njëjtën kohë, të gjitha vetëflijimet e shoqërive të diasporës si ajo e Rumanisë dhe Bullgarisë, pa harruar dhe Shoqërinë  e të Shtypurit të Shkronjave Shqip të Stambollit; Përpjekjet dhe sakrificat e panumërta individuale si ato të Anastas Laçkës dhe Naim Frashërit; Përkushtimi vetëmohues i klerit patriot, Hafiz Ali Korçës dhe Papa Kristo Negovanit; Vuajtjet dhe triumfi i heronjve, Jovan Cico Kosturi, Petro Nini Luarasi, Pandeli Sotiri, Nikolla Naço e shumë të tjerë.

Edhe  pse moti jo shumë premtues nuk na e dha mundësinë që këtë aktivitet ta zhvillonim në mjediset e hapura të godinës së Mësonjëtores, ku ruhet flaka e gjithë  kësaj kujtese, ajo që sidoqoftë mbetet gjithmonë në mend, sa herë që të kujtohet Mësonjëtorja, besoj për këdo që e ka vizituar, është se në gurët e saj, ajo mban kujtesën e ecejakeve çdo ditë, nga çdo cep shqipfolës, nga Tirana, Vlora, Gjirokastra, Shkodra, Prishtina, Manastiri, Struga e Janina. Hapa të rriturish dhe të miturish. Hapa që të kujtojnë atë pjesën e mrekullueshme të “Bagëti e bujqësi”, që një përkujdestar i madh i Mësonjëtores, Naim Frashëri, duket se ia la shkollës së parë si testament për të ardhmen:

 “A mos vjen nga Shqipëria, e ni vjen prej Çamërie,

me këto mijëra fjalë e me gluhë prej perëndie.

Apo vjen nga Labëria, pra më duke kaq trim,

dhe fjalët që thua më gëzojnë zemrën time,

që është thyer, bërë porsi një pasqyrë,

duke këputur nga çmangu që se kanë vartur mirë.

Apo vjen nga fusha e Korçës, nga vendi mirë e gjerë,

prej zemrës së Shqipërisë që del gjithë botë e tërë?

Apo vjen prej malësie, prej Skrapari, prej Dobreje,

nga Vjosa, nga Devolli, prej Vlore e prej Myzeqeje? 

Të mundja të fluturoja, e të kisha krahë si ti,

me gaz të madh do të t’i vija Shqipërisë brenda në gji.

Këtu, në gjithë këto radhë është edhe shprehja e një ndjesie që, pavarësisht se gjithsecili e shpreh ose jo, sipas mënyrës dhe natyrës së tij, krijohet kur kthen kokën pas, nga klasat dhe auditorët e sotëm tek ajo periudhë e lavdishme e brumosjes së arsimit shqip, në Mësonjëtoren e parë shqipe.

Sot jemi këtu në sallën e madhe të Universitetit “Fan Noli”. Besoj se është e udhës që në auditorin e këtij universiteti të përpiqemi të bëjmë lidhjen midis pasionit dhe vokacionit të brendshëm të mesazhit që sjell deri në ditët tona Mësonjëtorja dhe nevojës jetike që arsimi ynë kombëtar të mishërojë atë vokacion, të mishërojë ato vlera dhe të përmbushë atë amanet. Një arsim që nuk është thjesht një shkollë, por, siç mëson Mësonjëtorja, duhet të jetë një shkollë e shkollave, që formon nxënës të vegjël, por që në të njëjtën kohë edukon qytetarë të mirë.

E nëse Mësonjëtores i përkon pikë për pikë, cilësimi që latinët i qëndisnin universitetit “alma mater”, “nënë ushqyese”, arsimit tonë kombëtar nuk i përkon ende pikë për pikë, misioni për të qënë vijë e vazhduar e pikënisjes së Mësonjëtores. Prandaj duke ndërmarrë reformën e thellë dhe transformuese në arsim, që lëvizi shumë ujëra të ndenjur, krijoi shumë pështjellim dhe ngjalli shumë debat, ne nuk bëmë asgjë tjetër, veçse afirmuam vullnetin për të përputhur misionin e shkollës së sotme me vokacionin e Mësonjëtores së parë.

Natyrisht, nga e thëna në të bërë, është në mes një det i tërë. Nga 7 Marsi i 130 viteve më parë, në 7 Marsin e sotëm është në mes një histori e gjatë. Një histori e vështirë. Një histori me plot plagë, me plot rënie, me jo pak ngritje. Por, gjithsesi, një histori që nuk ka qenë bujare me fëmijët, me nxënësit, me studentët e këtij vendi. Një histori që në 25 vitet që pararendën marrjen e detyrës nga ana jonë ka qenë shprehja kuptimplote e një divorci rrënues me vokacionin dhe me vlerat që gjenden në gurët e themelit të arsimit tonë kombëtar, që gjenden në shpirtin e Mësonjëtores së  Korçës.

Përpjekja për t’u rikthyer tek ajo frymë, përpjekja për ta rilindur atë vokacion, përpjekja për të përputhur ëndrrat, shpresat, aspiratat e prindërve dhe të fëmijëve, në raport me shkollën, është një përpjekje që vazhdon. Ajo që ka rëndësi për ne, është që ta kthejmë në një përpjekje pa kthim.

Reforma në arsim është një nga reformat më të vështira dhe hyn tek ato reforma që qeveritë përpiqen ta shtyjnë dhe t’ia lënë atyre që vijnë pas. Sepse është një reformë që prek shumë interesa, që mund të lëndojë dhe trazojë shumë shpirtra. Është një reformë që frytet nuk i sjell në zgjedhjet e ardhshme, por i sjell në gjeneratën tjetër. Kjo, për politikanët që qeverisjen e konsiderojnë punë, njësoj si një zanat dhe jo detyrim në raport me shoqërinë, për politikanët që mendojnë për zgjedhjet e radhës dhe jo për gjeneratën tjetër, është një reformë që nuk ia vlen.

Mjafton të bëjmë vetëm një llogari të vogël. Ku do ishim sot, sikur reforma që ne kemi ndërmarrë, të mos ishte shtyrë, për të ardhur deri tek ne si një patate e nxehtë që qeveritë ia linin njëra-tjetrës!  

Ku do ishim sot, sikur të mos vuanim kaq dëshpërimisht mungesën e zanateve!

Ku do ishim sot, sikur kjo reformë për të ndarë qartësisht rrugën e arsimit të lartë me rrugën e arsimit profesional, për t’ju dhënë një perspektivë jete dhe pune, jo vetëm atyre që mund ta marrin me meritë një diplomë, por  edhe atyre që mund të mos e marrin dot me meritë një diplomë universiteti, por mund të marrin me meritë një zanat dhe përmes zanatit mund të bëjnë sukses dhe para, do të ishte bërë 20 e ca vjet më parë!

Ku do ishim sot, sikur 20 e ca vjet më parë të mos kishim filluar të mbillnim xhunglën e librave e teksteve pafund e pavlerë, por të kishim vendosur në sistemin tonë, ato libra që kemi vendosur sot për ato pjesë të mësimdhënies e mësimnxënies që kanë të bëjnë me shkencat e lëndët që janë njësoj, pavarësisht nëse je shqiptar, francez, gjerman apo çfarëdo tjetër në familjen e madhe europiane!

Ku do ishim sot, sikur për vite të tëra, nxënësit tanë t’i kishin marrë këto dije nga tekstet e Oxford-it, Pearson-it, Cambridge-t, siç i marrin sot! Besoj se do ishim në një realitet shumë më të ndryshëm në të gjitha aspektet. Sot nuk do shikonim me shqetësim një gjeneratë që lindi kur ra regjimi, por që politika dhe gjithë historia e këtij tranzicioni nuk e ngriti në të njëjtin nivel të bashkëmoshatarëve të vet në rajonin dhe botën përreth.

Ku do ishim sot, sikur mësuesit të mos ishin mish për top për zgjedhjet e ardhshme, për të gjithë ata që ia linin vendin njëri–tjetrit, duke i spostuar mësuesit brenda dhe jashtë sistemit, sipas nevoja elektorale!

Ku do ishim sot, sikur qysh 20 e ca vite më parë të kishim bërë reformën e portalit “Mësues për Shqipërinë” dhe të kishim bërë të qartë që, pavarësisht se kush vjen e ikën nga qeveria, mësuesit dhe mësueset e fëmijëve tanë nuk vijnë dhe nuk ikin sipas nevojave të politikës në pushtet dhe figurën shumë të rëndësishme e të çmueshme të mësuesit të mos e kthenim në një figurë të përkohshme, që shfaqej e zhdukej në sytë e fëmijëve, sipas tekave, nevojave dhe interesave që s’kanë të bëjnë me arsimin e fëmijëve!

Sikur të ishin bërë të gjitha këto, sot do kishim një trupë mësimore pa traumën e gjithë kësaj periudhe vështirësie dhe pasigurie. Ajo do ishte sot një nga gurët themeltarë të stabilitetit të shoqërisë dhe do të influenconte shumë më tepër në qëndrueshmërinë e shoqërisë.

Mund të përmend me radhë shumëçka tjetër, duke bërë pyetjen: Ku do ishim sot, sikur?

Mirëpo, koha iku dhe është e kotë që të zgjatemi, duke e vajtuar kohën që iku. E rëndësishme është të shohim përpara, duke mos lejuar më që koha të ikë siç iku, duke mos lejuar më që fëmijët e sotëm të Shqipërisë, kur të bëhen 20 e 25 vjeç nesër, të paguajnë koston e mungesës së përgjegjshmërisë dhe të dashurisë për këtë vend. Dashurisë që një qeveri, një forcë, shumë forca politike dhe politikanë nuk mund ta shprehin askund më qartë dhe më mirë, sesa tek raporti i tyre me arsimin dhe tek kurajo për të sakrifikuar edhe nga vetja, për të vënë në lojë edhe kreditë e tyre politike dhe elektorale, në funksion të arsimit dhe të reformës së domosdoshme në arsim.

Raporti me zgjedhësit është shumë i rëndësishëm, por po aq i rëndësishëm është raporti me historinë dhe me ata që nuk janë ende në moshë për të zgjedhur, me fëmijët. E nëse ndodh që shpeshherë, për arsye plotësisht të mirëkuptueshme, dikush që zgjedh, zgjedh me inatin, mërzinë, pakënaqësinë apo pasionin e momentit, pa menduar se tek zgjedhja e tij nuk po vendos vetëm për vete, por edhe për fëmijët e tij, këtë mund ta bëjë një zgjedhës, por nuk duhet ta bëjë asnjë burrë shteti, asnjë grua shteti që i shërben vendit të vet dhe që e kupton të qenit pjesë e vendimmarrjes dhe e qeverisjes, si shërbim ndaj vendit.

Kjo është fryma me të cilën ne e kemi nisur dhe do ta çojmë deri në fund, reformën në arsim. Kjo është fryma me të cilën ne do t’i qëndrojmë besnikë, edhe shpirtit të Mësonjëtores së parë shqipe.

Duke e mbyllur, dua t’ju kujtoj të gjithëve se Mësonjëtorja trupëzoi një zinxhir brezash, që sollën edhe kontribute të posaçme në strukturimin dhe sofistikimin e një drejtësie funksionale dhe të respektuar në autoritetin e vet. Prej saj dolën njerëz si Sabri Qyteza, që për fatin e tij të keq është stërgjyshi i Artan Lames, mikut tim, i cili në krahasim me Sabri Qytezën më duket një “ferrë” e dalë nga trëndafili. Një mësues që, megjithëse i pati humbur të gjitha diplomat e tij në jurisprudencë, të fituara me mund e sakrifica të mëdha, gjatë bastisjeve dhe luftërave, u mirëprit nga shteti i ri shqiptar për të kontribuuar në një transformim të madh, në vizion dhe në qëllim, të karakatinës së gjykatoreve ende mesjetare, ku juridiksioni i faktit, ai që quhet i shkallës së parë, quhej në atë kohë, gjykata e shëmtimit. Gjykatat e djeshme të shëmtimit ishin pjesë e një sistemi, i cili kishte ardhur në grahmat e tij të fundit, në momentin e një revolucioni të vërtetë shtetndërtues dhe kushtetues.

Sot, nëse kthejmë kokën pas e kujtohemi për Sabri Qytezën, si një nga krijesat e lavdishme të Mësonjëtores dhe për gjykatat e shëmtimit, si një prani shumë penguese e shqiptarëve të asaj kohe, na duket vetja sikur jemi në atë kohë, teksa kemi përpara gjithë shëmtinë e sistemit gjyqësor, gjithë gjykatat e shëmtimit, të cilat duhet t’ia lënë vendin, me patjetër, një autoriteti të rilindur të drejtësisë, ku të mos ushtrohet pushteti i drejtësisë sipas kërbaçit dhe haraçit dhe ku drejtësia të jetë mishërimi i barazisë përpara ligjit, për këdo.

Patjetër që është një sfidë, jo vetëm e domosdoshme, por dhe e mundur!

Më lejoni t’ju garantoj se është një sfidë e mundur, të cilës i ka ardhur koha të triumfojë.

Nuk është sfida e një partie.

Nuk është sfida e një grupi partish.

Nuk është as sfida e një, dy, tre, apo e të gjithë politikanëve, që sot kanë rastisur të jenë para jush në qeveri apo në opozitë.

Nuk është as sfida e partnerëve tanë ndërkombëtarë.

Është sfida e fëmijëve tanë, të cilën duhet ta fitojmë ne për ta, sot. Ta fitojmë që e nesërmja e tyre të mos jetë si e sotmja e atyre që ishin fëmijë kur u shemb regjimi i vjetër, kur unë e shumë të tjerë këtu dolëm për të kërkuar Shqipërinë si gjithë Europa, për të qenë të lirë dhe të barabartë, kur fëmijët tanë sapo lindën dhe sot janë në vitet e rinisë së tyre, jo në një Shqipëri si gjithë Europa, nëse i hedhim vështrim dyerve të gjykatave të shëmtisë, por në një Shqipëri si qëmoti, si vendi i Sabri Qytezës dhe i kohës së Mësonjëtores, kur gjykatat e shëmtisë e bënin ligjin, sipas haraçit e sipas kërbaçit.

Kjo nuk ka mundësi më të rrijë në këmbë!  

Kjo nuk rri dot më në këmbë!

Këtë nuk e mban dot më në këmbë, asgjë!

Ju siguroj, sikur ne të gjithë të mblidhemi bashkë, sikur ne të gjithë të biem dakord që kjo gjë të mos bëhet, kjo gjë do bëhet. Askush nuk e mban dot më në këmbë, sistemin e gjykatës së shëmtisë, sepse i ka ardhur koha. Një gjëje që i vjen koha, s’ka asgjë që e ndal.

Mirënjohje përjetë të gjithë atyre që e imagjinuan, e ndërtuan dhe i dhanë jetë Mësonjëtores së parë shqipe. Ndjesë, në emër të qeverisë dhe të kujtdo që na ka votuar, të gjithë themeluesve të Mësonjëtores, të gjithë atyre që sakrifikuan deri dhe jetën për një Shqipëri ku drejtësinë ta bënin të drejtët e ta vendoste e drejta, për Shqipërinë e sotme të gjykatave të shëmtisë!

Është një ndjesë që është edhe betim se nuk do t’i lëmë në këmbë.

Shumë faleminderit!

Shkruaj Mesazh

Kontakto me Kryeministrin

Shkruaj Mesazh

Reportazhe Eksklusive

Dokumentarë

Reportazhe Eksklusive

Për Gazetarët

Hapësira Mediatike

Për Gazetarët

Raport publik

300 Ditë

Raport publik