Postuar më : 28 Shkurt 2017

Reforma në Drejtësi - Vettingu, hap themelor për më shumë investime, punësim dhe të ardhura për familjet

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në takimin me sipërmarrës:

 

Mirëdita të gjithëve!

Dua ta nis këtë fjalë me disa fakte që janë të dokumentuara dhe që, nëse nuk do të ishin të dokumentuara, do të dukeshin pjellë e imagjinatës së shfrenuar të dikujt.

- Rasti i parë; Prona ndodhet në Dhërmi, Himarë. Komisioni i kthimit dhe kompensimit të pronave nuk e merr parasysh pretendimin për 39 hektarë, me argumentin që nuk ka origjinë prone. Gjykata e Shkallës së Parë vendos kthim dhe kompensim, duke e rritur sipërfaqen nga 39 hektarë që kërkojnë pretenduesit, në 43 hektarë. Çështja ndodhet aktualisht në Gjykatën e Apelit në Vlorë. Komisioni i kthimit dhe i kompensimit të pronës ka vendosur mosnjohje të sipërfaqes së pretenduar prej 392.550 m2, kullotë, ullishte dhe vreshtë, në mungesë të plotë të dokumentacionit. Ndërsa gjykata ka vendosur njohje të pronësisë, duke detyruar ose me kompensim me 42.691.777 lekë shtetin dhe duke e pakësuar fondin e tokës në pronësi të shtetit, me një vlerë prej 52.883.419 lekë. 

- Rasti i dytë; Prona ndodhet në zonën e Velipojës. Pretendimin për 4.8 hektarë, Komisioni e rrëzon, sepse nuk ka asnjë dokument të origjinës së pronës. Gjykata e Shkallës së Parë vendos që pretenduesit që kërkon 4.8 hektarë, t’i japë 15.2 hektarë. Dhe jo vetëm i jep 15.2 hektarë, por i ndryshon tërësisht pozicionin e pronës, duke e vendosur atë në breg të detit. Rasti në fjalë, jo vetëm që është një vjedhje e pronës haptazi, përmes vendimit të gjykatës, por vendimi i gjykatës i sjell një dëm ekonomik buxhetit të shtetit dhe pasurisë publike, duke vendosur një detyrim për kompensim në vlerën 7.863.792 lekë dhe duke e pakësuar fondin e tokës në pronësi të shtetit me 18.170.128 lekë.

Rasti i tretë; Pretendimi përsëri në një zonë sipër në Velipojë, për 49.8 hektarë. Asnjë dokument për origjinën e pronës për sipërfaqen e pretenduar. Gjykata vendos kthim, kompensim për 498 hektarë, pra, 49.8 ia heq pikën dhe e bën 498 hektarë, duke i grabitur faktikisht shtetit, as më shumë e as më pak, por një pronë me vlerë 897.623.760 lekë dhe buxhetit të shtetit, një dëm ekonomik me një vlere të përafërt prej 28.460.700 lekë.

- Rasti i katërt; Një pronë në zonën e Durrësit, tek Ura e Dajlanit. Komisioni i kthimit të pronës përsëri thotë “nuk e njoh” për shkak të një mbivendosje të pronës midis dy pretenduesve, pasi të parët kanë marrë një tjetër vendim më parë nga Komisioni. Argumenti është përsëri “nuk ka dokument të origjinës së pronës”. Gjykata vendos kthim dhe kompensim për sipërfaqen 9000 m2 dhe ndryshon tërësisht pozicionin e pronës nga pretendimi i paraqitur përpara Komisionit. I kthen një pronë në një territor tjetër, natyrisht, përsëri shumë pranë bregut të detit dhe e pakëson fondin e tokës në pronësi të shtetit me një vlerë ekonomike prej 27.236.280 lekë.

-Rasti i pestë; Një pronë në zonën e Beratit. Kërkohen 740 hektarë  truall. Komisioni refuzon ta njohë kërkesën, e bazuar vetëm në një vërtetim fakti juridik dhe pa asnjë dokument të origjinës së pronës. Gjykata vendos kthim dhe kompensim të sipërfaqes 740 hektarë, në kundërshtim të plotë me ligjin dhe duke mos bërë asnjë njoftim për t’i hapur rrugë të drejtës së ankimimit në Gjykatën e Apelit. Këtu zhvillohet një histori e pafundme mes gjykatash, që përfundon me dëmin për shtetin 687.240.000 mijë lekë. Të gjitha këto janë të paraqitura në hartat përkatëse.

-Rasti i gjashtë; Një tjetër pronë në bregdet, në Zvërnec të Vlorës. Kërkohen 167 hektarë tokë me një vërtetim fakti juridik dhe asnjë dokument me origjinë prone. Gjykata në këtë rast vendos mosnjohje. Çuditërisht, Gjykata e Shkallës së Parë e mbështet vendimin e Komisionit të kthimit  të pronave. Në Gjykatën e Apelit, prona grabitet e gjitha, 167 hektarë në breg të detit. Po të thellohemi është edhe më absurde, sepse Gjykata e Shkallës së Parë e vendos rrëzimin ,pasi thotë se nuk është pozicionuar saktë, natyrisht është pozicionuar pranë bregut të detit, ndërkohë që edhe mbi vërtetimin e faktit nuk është pranë bregut të detit. Gjatë këtij gjykimi, ndërhyrës dytësorë depozitojnë në gjykatë vendime të prokurorisë, ku rezulton se dokumentacioni ligjor i paraqitur nga pala paditëse dhe me të cilin kërkon të provojë të drejtën e pronësisë, është i falsifikuar. Ndërhyn prokuroria dhe bllokon praktikisht një vendim të mundshëm të shkallës së parë për grabitjen e pronës. Megjithëse Gjykata e Apelit në Tiranë ka bllokimin nga Gjykata e Shkallës së Parë dhe dokumentacionin e prokurorisë që vërteton falsifikimin, njeh këtë pronë dhe 156 hektarë ia kalon nga shteti këtij privati, me një dëm 257.400.000 mijë lekë. 

-Rasti i tetë. Spektakël! Komisioni i kthimit të pronave rrëzon kërkesën, këtu në qarkun e Tiranës, për kompensim financiar nga buxheti i shtetit. Argumenti është lidhur me një sipërfaqe prone, për të cilën Gjykata e Shkallës së Parë vendos kompensimin e plotë financiar. Gjykata e Apelit vendos lënien në fuqi të vendimit për kompensimin financiar, ndërkohe që shfaqet një pronar tjetër, me vendime gjykate, që është kompensuar financiarisht në të njëjtën pronë. 

- Rasti i nëntë; Një histori në zonën e Vlorës. Në këtë rast, pretenduesit kërkojnë 2.28 hektarë. Komisioni i kthimit të pronës njeh 2.28  hektarë. Gjykata vendos kthim dhe kompensim 228 hektarë. E heq një pikë dhe 2.28 e bën 228. Por ajo që e bën heqjen e pikës gabim jo ortografik, është se harta bashkëngjitur nuk është 2.28, por është 228 hektarë. Dhe një pronë, e cila i takon shtetit, përsëri ikën e grabitur nga gjykata. Ajo çka figuron më pas është se në ZRPP, prona regjistrohet, pas regjistrimit bëhen transaksione, ndërkohë gjykata e rrethit me një vendim tjetër ndryshon një vendim të ish Komisionit të kthimit dhe kompensimit të pronave të falsifikuar dhe kryen një zhvendosje të pronës, e cila e çon pronën që folëm më parë në një shifër edhe më të madhe si hektarë dhe i godet financat e shtetit me 446.600.000 mijë lekë.

- Rasti i dhjetë; Pretendimi për 20 hektarë pyll dhe 1.3 hektarë livadh dhe ajo që është interesante, është vendndodhja e ndryshme, një copë këtu, një copë atje. Komisioni i kthimit dhe kompensimit të pronave vendos të njohë pronësinë për 200 dynymë tokë pyll, jo për gjithë sasinë e kërkuar dhe çështja shkon në gjykatë. Në gjykatë, 200 dynymët bëhen 200 hektarë. Ai kërkon 20 hektarë, shkon dhe përfundon me 200 hektarë.

Për ta mbyllur me një tjetër pretendim në zonën poshtë të Sarandës, ku Komisioni i kthimit të pronave nuk njeh 1087 hektarë kullotë dhe pyje, pasi nuk kanë asnjë dokument të origjinës së pronës. Gjykata e Shkalles së Parë vendos të japë 440 hektarë nga këto 1087 të kërkuara dhe kështu historia vazhdon. Kjo histori është kuptimplotë, se flet shumë për pengesën e jashtëzakonshme që ka ekonomia jonë dhe rruga jonë për të rritur punësimin për shkak të këtij terreni të minuar që pengon rritjen e investimeve të brendshme dhe të huaja, posaçërisht në sektorin e turizmit ku potenciali është jashtëzakonisht i madh.

Më lejoni t’ju sjell në vëmendjen tuaj që sot, vendi i parë në rajon për investime të huaja direkte është Mali i Zi dhe të gjithë diferencën mes Malit të Zi dhe vendeve të tjera të rajonit, në volumin e investimeve të huaja e bëjnë investimet në komplekset turistike. Ne kemi një potencial disa herë më të madh sesa Mali i Zi në kuptimin e sasisë dhe të shumëllojshmërisë së portofolit të investimeve në turizëm, sepse ne kemi një natyrë shumë më diverse dhe me potenciale të jashtëzakonshme. Problemi i madh i paqëndrueshmërisë juridike të gjendjes faktike dhe i pasigurisë për shkak të një sistemi drejtësie që i kërcënon kontratat, bën që investitorët të jenë jashtëzakonisht skeptikë. Eksperienca e këtyre viteve na bën që jo vetëm t’i japim atyre të drejtë, por të jemi shumë të vendosur për ta shembur pallatin e vjetër të drejtësisë. 

Asnjë mundësi tjetër nuk ka. Asnjë rrugë tjetër nuk ka.

Nëse duam ta rrisim ekonominë më shumë sesa rritja e qëndrueshme dhe e përcaktuar nga faktorët që aktualisht kemi në fushën e zhvillimit ekonomik, kjo rritje e mëtejshme kalon përmes  shembjes së sistemit të vjetër të  drejtësisë, kalon përmes goditjes së këtyre gjykatësve dhe prokuroreve që e kanë shkatërruar bazën e shtetit shqiptar, për 25 vjet, me vendime të tilla. Këto janë disa  vendime flagrante, por janë me mijëra e mijëra vendimet që kanë sjellë konflikte pronësie në nivelet më të ulëta, në kuptimin e metrave katrorë.

Ne kemi qenë këtu, kur ishim në opozitë dhe Luan Bregasi bashkë me shumë nga ju kërkonin me insistim Gjykatën Administrative, a thua se Gjykata Administrative do t’ju zgjidhte hallin e tmerrshëm të proceseve gjyqësore. Le të çohet njëri këtu e të thotë se ka fituar një proces në gjykata pa paguar lekë. Ju kam thënë atëherë se nuk është çështja të shtojmë një gjykatë, por duhet të përmbysim këtë sistem, sepse një gjykatë më shumë do jetë një kasap më shumë, ku ju do shkoni dhe do lini lëkurën.

A jeni sot të kënaqur me Gjykatën Administrative? Keni parë gjykatë më aventuroze në mënyrën sesi i merr vendimet?

Thjesht është shtuar një kasap më shumë në rrugën e “tregut të mishit” të sipërmarrësve dhe qytetarëve. Në ligj thuhet se duhet të punojmë më shpejt, duhet të veprojmë më shpejt, - sepse ky ishte edhe argumenti, - por thjesht rrjep më shpejt.  E meqenëse rrjepja është më e shpejtë dhe më e sipërfaqshme, edhe pagesa është pak më e ulët. Tek “kasapët” e nivelit të lartë, ju e dini vetë sesi bëhen transaksionet.

Sot jemi në një pikë ku kemi bërë atë që nuk imagjinohej në tre vjet e ca më parë. Kemi bërë ndryshimet kushtetuese për reformën në drejtësi. Ne e kishim në programit tonë dhe pothuajse të gjithë thoshin se pse duhet ta shkruajmë ne në program, një çështje që nuk është në mundësitë e një shumice. Kjo reformë që kërkon ti, më thanë, kërkon ndryshime kushtetuese. Këmbëngulja ime ishte se ne do ta vendosim në program, pasi kjo është një aspiratë e njerëzve dhe popullit që u ka ardhur në majë të hundës dhe në një mënyrë apo tjetër, kjo do të realizohet. Kur të gjithë mendoni se ishte një ndërmarrje e destinuar të falimentonte, e patë vetë sesi 140 deputetë erdhën dhe e votuan, sepse nuk mund të shtyhet nga asnjë forcë e pjesshme, një çështje e një populli të cilës i ka ardhur koha.

Tani jemi në momentin kur duhet të zhbllokojmë vetting-un.

Vetting-u nuk është një çështje politike, nuk është asnjë çështje partiake, nuk është një çështje interesash të pjesshme, por një çështje e një interesi të madh kombëtar. Këta mjeshtër, që për 20 e ca vitesh e kthyen drejtësinë në tregun më të madh në këtë vend, ku e drejta blihet ose shitet, njësoj siç blihet dhe shitet mish tek “EHË”, duhet të marrin përfundimisht atë që meritojnë, duhet të zhduken nga rruga e këtij populli dhe e sipërmarrësve të këtij vendi, që nuk kanë asnjë arsye të vazhdojnë të kenë në buxhetin e tyre vjetor, zërin gjykata, çështje gjyqësore.  

Ju këtu, për fat të mirë, jeni zgjedhës të të dy palëve. Ka jo pak prej jush këtu që as nuk na kanë dhënë votën mua dhe Partisë Socialiste dhe as nuk do na e jepni dhe kjo është e drejta juaj. Unë ju falënderoj shumë që jeni të pranishëm në çdo tryezë dhe ju inkurajoj që të kërkoni tryeza me të gjitha palët, edhe me opozitën, për të gjitha çështjet tuaja. Ka ikur koha kur të shfaqeshe në tryezë me opozitën, të sillte nga mbrapa një bandë tatimorësh. Por unë ju kërkoj që  ju të bëheni pjesë e kësaj përpjekjeje, për të rritur në maksimum presionin publik për të zhbllokuar vetting-un dhe për të çuar përpara reformën në drejtësi.

Është një reformë që nuk e votuam sot dhe nesër do ta bëjë Shqipërinë lule, por çdo ditë që humbim sot, është një vit që humbim në rrugën e të ardhmes.  Për ketë arsye, besoj se kush ka një fije logjike dhe jo më ju që keni shumë fije, nuk  e vë në dyshim se kjo është një çështje kombëtare, është një çështje publike, nuk është një çështje politike dhe se politizimi i kësaj çështje me lloj-lloj argumentesh pa lidhje, është vetëm një mënyrë për ta lënë pa zgjidhje. Ky është problemi i madh.

Nëse, sot, sistemi bankar ka një problem në Shqipëri dhe nuk është problem i sotëm, por një problem i trashëguar, ky problem nuk vjen as nga qeveria, as nga sipërmarrja, por vjen nga gjykatat. Nga gjykatat që vendosin në mënyrë të paligjshme si trajtojnë çështjen e kolateraleve. Është e paimagjinueshëm që në një vend që kërkon të bëhet shtet dhe të bëhet anëtar i Bashkimit Europian, gjykatat të bllokojnë bankat, ndërkohë që gjykatat janë aty, për të bllokuar asetet e atyre që nuk i përgjigjen marrëveshjeve kontraktuale me bankat. Këtu gjykata bllokon bankat.

Ne kërkojmë me të drejtë një rritje ekonomike më të shpejtë, më shumë investime të huaja, më shumë punësim. Do vijë nga qielli një rritje e kuajve të fuqisë së motorit të ekonomisë  tonë? Ekonomia jonë sot rritet me 3.5 % nga 0 presje asgjë tre vjet e gjysmë më parë, por ndërkohë, ne te gjithë e dimë që 3.5% është  statistikë, nëse flasim për familjet më të varfra, apo qoftë edhe për familjet me të ardhura mesatare. Na duhet një rritje ekonomike mbi 5% dhe është plotësisht e mundshme. Është plotësisht e mundshme aq me tepër me programin “Një miliardë për rindërtim”, ku, e përsërisë, jeni të gjithë të ftuar të financoni, ndërkohë që bankat kanë shprehur gatishmërinë. Por asnjë program e asnjë projekt nuk zëvendëson atë që sjellin në ekonomi, investimet e huaj direkte.

Tre projekte të mëdha në turizëm, për të cilat punojmë prej vitesh dhe që do të na sillnin, apo do të na sjellin, shpresoj, të njëjtin impakt që kanë sjellë investimet në turizëm në Mal të Zi, janë të kërcënuar nga kjo situatë historish me prona. Mbi të gjitha janë të kërcënuar nga frika e investitorëve, të cilët thonë se kjo që i ka ndodhur “x” mund të më  ndodhë dhe mua.

Kemi bërë dy vjet punë me një investitor, për të bërë një kompleks turistik dhe një marinë, në një pronë shtetërore. Një marinë për herë të parë në Shqipëri. Jemi i vetmi vend në Mesdhe pa marinë. Kur ne ishim në fund, gati për të firmosur, na vjen vendimi i gjykatës dhe fluturojnë të gjithë hektarët e pronës shtetërorë ku do të ndërtohej resorti turistik. Gjë që menjëherë e bën investitorin të ikë, ose të paraqitet tek grabitësi, i cili i thotë ndalu “beg se ka hendek,” tani jam unë këtu dhe jo shteti, ndaj eja të flasim bashkë.

Faleminderit!

Shkruaj Mesazh

Kontakto me Kryeministrin

Shkruaj Mesazh

Reportazhe Eksklusive

Dokumentarë

Reportazhe Eksklusive

Për Gazetarët

Hapësira Mediatike

Për Gazetarët

Raport publik

300 Ditë

Raport publik