Postuar më : 18 Korrik 2017

Rezultate mbresëlënëse drejt objektivit për t’i dhënë fund kultivimit të kanabisit

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në takimin raportues në Zyrën Operacionale të Situatës të Task Forcës për zbatimin e Planit Kombëtar të Luftës për Parandalimin e Kultivimit dhe Trafikimit të Kanabisit:

 

Falënderimet për Policinë e Shtetit, duke filluar nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, për Prokurorinë dhe Shërbimin Informativ, si dhe për partnerët tanë italianë, nuk janë thjesht formalitet në këtë moment, por janë detyrim ndaj një pune të jashtëzakonshme e rezultateve mbresëlënëse, që po kryhet në një proces aspak të lehtë. Është e qartë që, ashtu sikundër e kemi paraparë, Plani Kombëtar, i cili në bazën e vet ka bashkëpunimin ndërinstitucional, qasjen e integruar dhe ritmin e lartë operacional, e ka ngushtuar në maksimum hapësirën, veprimin e krimit në fushën e nxehtë të kultivimit të kanabisit.

Unë besoj se kjo është një shprehje kuptimplotë jo vetëm e një pune sistematike dhe konsekuente nga ana e qeverisë dhe e Policisë së Shtetit, qysh prej ditës së parë që ne e kemi nisur këtë betejë të gjatë e jo të lehtë, por është edhe një shprehje kuptimplotë e të vërtetës se pavarësisht trashëgimisë shumë të rënduar negative, për shkak të mungesës së shtetit dhe të ligjit, suksesi spektakolar që policia arriti në Lazarat, tanimë po bëhet sukses në të gjithë hartën e territorit të vendit.

Nuk është pa domethënie edhe fakti se nga të gjitha raportimet e derisotme, Gjirokastra është një qark me shifrat zero në kultivimin e kanabisit, ashtu sikundër në nivel zero ka mbërritur Elbasani dhe Korça, ndërkohë që në të gjithë vendin kemi një rënie drastike, janë shifra krejt minimale të kultivimit.

Duhet  nënvizuar edhe njëherë ajo që doli qartësisht nga raportimet këtu, që përpjekjet për kultivim tani janë shtrirë në skutat më të largëta e më të thella të vendit dhe Polica ka këmbëngulur këtë vit, duke marrë parasysh edhe rreziqet për shkak të terreneve shumë të vështira, duke pësuar edhe dëmtime, fatmirësisht të lehta, në njerëz.

Ne jemi shumë të vetëdijshëm se prania e gjatë e kanabisit, 27 vjet, në territorin e vendit, pavarësisht zhdukjes së rrjeteve kriminale të kultivimit dhe fshirjes nga harta të këtij fenomeni, do të lërë gjurmët e veta, që është një sfidë më vete të trajtohen me kujdesin dhe përgjegjësinë maksimale, në raport me gjithë ata njerëz që kanë nevojë krejt të natyrshme për alternativa, për të pasur një mundësi jetese të ndershme.

Një element shumë kuptimplotë në këtë proces është dhe aftësia reflektuese dhe vetëkorrigjuese e vetë Policisë së Shtetit, e cila paralelisht me pastrimin e kanabisit nga harta e Shqipërisë po kryen me vendosmëri edhe pastrimin e radhëve të veta nga punonjësit e lidhur me këtë veprimtari kriminale. Jam i bindur që vendosmëria në kryerjen pa asnjë kompromis të këtij vetëpastrimi është një ndër arsyet themelore të suksesit ndaj tij.

Besoj se ndani me mua, jo shqetësimin, por opinionin që ky proces duhet të vazhdojë deri në fund. Muajt që kemi përpara janë potencialisht muaji rreziku, kështu që nuk duhet mbyllur për asnjë moment syri dhe duhet në çdo moment të vazhdojë intesivisht qasja e integruar me institucionet e tjera. Vlen të nënvizohet që edhe roli i Shërbimit, edhe roli i Prokurorisë në përgjigjen e shpejtë ndaj kërkesave të Policisë së Shtetit ka qenë dhe mbetet i rëndësishëm deri në fund të këtij procesi.

Po ashtu duhet ta vlerësoj Policinë e Shtetit edhe për goditjen, më në fund, të zyrtarëve publikë që kanë dështuar në ushtrimin e përgjegjësive të tyre në këtë fushë dhe që tanimë janë vënë përpara përgjegjësive ligjore për moskallëzim të këtij krimi. Është një nen i vjetër në Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë, por që tanimë vjen në zbatim me vendosmëri dhe është një mesazh i qartë për të gjithë ata, të cilët janë drejtorë dhe implikohen në këtë aktivitet, duke menduar se do ta hedhin përsëri lumin, siç e kanë hedhur në të shkuarën.

Unë besoj se njëkohësisht duhet të angazhohemi shumë fuqishëm, për të adresuar edhe një shqetësim jo të parëndësishëm të opinionit publik, opinionit më kompetent lidhur me këtë fenomen, që ka të bëjë me kthimi në përparësi absolute të goditjes së krerëve të këtyre grupeve kriminale dhe të sekuestrimit të aseteve. Policia e Shtetit ka bërë një progres në këtë drejtim gjatë këtyre 46 muajve që ne jemi në detyrë, por ne jemi të vetëdijshëm se në kuadrin e goditjes së “kokave” dhe të sekuestrimit të aseteve kriminale ka shumë akoma për të bërë. Në vijim, suksesi i Policisë së Shteti, në kushtet kur ky fenomen po çrrënjoset nga harta në formën e bimës që nuk do të jetë më përmbajtja themelore e këtij fenomeni, do të matet me goditjet ndaj rrjeteve kriminale dhe masën e sekuestrimit të aseteve të tyre. Objektivi i parë themelor në këtë proces pastrimi të territorit nga bimët duhet të jenë kriminelët dhe pastaj bimët. Jo bimët dhe pastaj shohim e bëjmë për kriminelët.

Ka një fazë të dytë Plani Kombëtar që duhet të fillojë paralelisht, së shpejti, për të angazhuar edhe institucione të tjera, që nga Çështjet Sociale tek Arsimi, Shëndetësia, Bujqësia e Mjedisi. Një fazë jo vetëm për studimin dhe ofrimin e alternativave për një punë të ndershme për viktimat e prekura nga kjo veprimtari kriminale, por edhe për të vazhduar një proces ndërgjegjësimi, në mënyrë që puna parandaluese e suksesshme e policisë në këtë vit kyç të bëhet edhe më përpara akoma, në mendjen e gjithkujt, për të rritur ndjeshmërinë maksimale ndaj dëmeve serioze që sjell jo vetëm për shoqërinë, por edhe për çdo individ e jo vetëm penalisht, po në çdo pikëpamje, ky fenomen kriminal.

Ka qenë e rëndësishme, pjesëmarrja e madhe e publikut si parakusht për suksesin e kësaj përpjekjeje, por besoj se duhet të shtrihemi më tej në këtë rrjetëzim të komunikimit me publikun. T’i zgjerojmë kontaktet e Policisë së Shtetit me publikun, që të mos jenë thjesht fushata sezonale, por të jenë kontakte të qëndrueshme dhe jo vetëm lidhur me këtë veprimtari, por në tërësi.

U nënvizua këtu me të drejtë që edhe autoritetet vendore kanë një rol të rëndësishëm. Unë do ta nxisja Drejtorin e Përgjithshëm që të inkurajojë dhe të monitorojë një rritje të frekuencës së raporteve mes drejtuesve të Policisë së Shtetit në gjithë territorin dhe kryetarëve të bashkive e drejtuesve të njësive administrative. Është shumë e rëndësishme që kjo lidhje të shkojë duke u forcuar dhe duke u bërë një lidhje e qenësishme, jo thjesht për kanabisin, po në tërësi për të bashkërenduar përpjekjet në luftën kundër kriminalitetit të çdo niveli.

Falenderime shumë të sinqerta dhe aspak formale për gjithë punën që po bëhet. Është një sukses i shumëpritur dhe i mirëpritur që do të japë një tjetër mesazh të fuqishëm të Shqipërisë që duam edhe në arenën ndërkombëtare. e padiskutim e çon Policinë e Shtetit në një nivel tjetër, edhe në sytë e publikut, por edhe në sytë e armiqve të saj, që janë grupet kriminale dhe gjithë elementët kriminalë, të cilët është shumë e rëndësishme ta marrin çdo ditë e më fort mesazhin se me Policinë e Shtetit askush nuk mund të bëjë shaka.

Shumë faleminderit për praninë tuaj, Zoti Prokuror, përfaqësuesi i Shërbimit, përfaqësuesi i Ministrisë së Mbrojtjes, gjithë të tjerët dhe miqtë e partnerët tanë. Në momentin tjetër, pas një tjetër analize dhe gatishmërie për të raportuar ecurinë e këtij operacioni mbarëkombëtar, do të jemi përsëri këtu për të dhëna të mëtejshme, që është e rëndësishme t’i ndajmë dhe me publikun.

Shumë faleminderit Zonja zëvendësministre për gjithë kohën tuaj dhe përshëndetjet e mia më të ngrohta për gjithë drejtuesit e Policisë së Shtetit që nuk janë këtu të pranishëm dhe për gjithë trupat e Policisë së Shteti që meritojnë përgëzime maksimale për atë që po bëjnë, duke jetësuar një plan shumë ambicioz, por të domosdoshëm për ecurinë e mëtejshme të vendit në rrugën e një zhvillimi të qëndrueshëm dhe të shëndetshëm ekonomik dhe social dhe në rrugën e afrimit të mëtejshëm në familjen europiane.

Shumë faleminderit!

Shkruaj Mesazh

Kontakto me Kryeministrin

Shkruaj Mesazh

Reportazhe Eksklusive

Dokumentarë

Reportazhe Eksklusive

Për Gazetarët

Hapësira Mediatike

Për Gazetarët

Raport publik

300 Ditë

Raport publik