Postuar më : 08 Tetor 2017

Rijetësim i qendrës historike të Vlorës

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në ceremoninë e Inagurimit të fillimit të punimeve për projektin “Restaurimi dhe rikualifikimi urban i ansamblit ndёrtimor, Qendra Historike Vlore”:

 

Më në fund, pas një periudhe si zakonisht diskutimesh me miqtë e “Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim”, jemi këtu për të filluar punën konkrete për ta rilindur qendrën historike të Vlorës, një zonë e cila mbart shumë histori, por tërësisht e fshehur pas rrënojave dhe harresës shumëvjeçare.

Pavarësisht se për ata që e imagjinojnë Vlorën kur e shqiptojnë, ose për ata që e jetojnë Vlorën këtu, Vlora është deti dhe Sheshi i Flamurit, faktikisht përtej këtyre dy imazheve që e përkufizojnë Vlorën, qëndron kjo zonë, rruga këtu e pagëzuar me emrin e juristit francez Justin Godar, i cili mbrojti të drejtat tona në Konferencë e Paqes në Paris dhe e gjithë zona e cila ka rrugë të ngushta, me ndërtime karakteristike 2-3 katëshe edhe pse goxha të dëmtuara dhe për më tepër edhe të cunguara për shkak të ndërhyrjeve të njëpasnjëshme pa kritere, pa karar të të gjithë këtyre viteve, ka një arkitekturë neoklasike të pasur me dekore dhe vedrata të mëdha druri në katet përdhe të dyqaneve. Ka banesa e zyra patriotësh e luftëtarësh të shquar të Çlirimit Kombëtar dhe Luftës së Vlorës, si dhe rilindës të njohur dhe është e gjitha pjesë e një projekti që e ka zanafillën në vitin 1940, ku i njëjti grup arkitektësh italianë që punuan dhe për Tiranën, të udhëhequr nga Gherardo Bosio, realizuan edhe këtë plan rregullator të qytetit, duke u munduar të kombinojnë arkitekturën post mesjetare me atë bashkëkohore për atë kohë.

Sot, projekti i Bosios është pothuajse inekzistent, për shkak të dy faktorëve kryesorë, fabrikave të pasluftës dhe ndërtimeve pa plan dhe pa asnjë vetëpërmbajtje të pas ’90, e në vazhdim. Megjithatë, qyteti ka arritur me shumë vështirësi t’i trashëgojë disa gjurmë të vjetërsisë së vet, që nga pjesët e murit antik, tek Xhamia e Muradies, Kulla e Sahatit, rrugët tregtare, lagjet e vjetra me emra historikë dhe një strukturë urbane mesjetare.

Xhamia e Muradies dhe, edhe pse disa banesa të vjetra janë shkatërruar tërësisht e në vend të tyre janë ndërtuar banesa të reja që nuk i përkasin fare traditës së zonës, madje në disa raste janë shkatërruar monumente të mirëfillta të trashëgimisë kulturore për të ndërtuar metra katrorë për leverdi të pronarëve, prapë se prapë, ne besojmë fort që këtu ka një potencial të jashtëzakonshëm për një tjetër impuls të rëndësishëm, jo vetëm në funksion të ruajtjes së vlerave të mbetura, por edhe për një impuls të jashtëzakonshëm në funksion të ekonomisë së qytetit, në funksion të zhvillimit të turizmit, në funksion të atij transformimi që ne e kemi nisur e që do ta vazhdojmë me këmbëngulje të Vlorës, nga një qytet i rënë pre e një inercie zhvillimi pa kokë e pa këmbë, në një pikë referimi për Shqipërinë që duam.

Prandaj, jemi sot këtu e prandaj kemi zhvilluar disa diskutime me mikun tonë të çmuar Michael Granoff, me anëtarët e bordit, me drejtuesit e Fondacionit për rëndësinë e kësaj zone dhe pastaj kemi dakordësuar, e kështu Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim ka financuar projektin dhe do të financojë praktikisht edhe një pjesë të zbatimit të projektit.

Si në të gjitha rastet e tjera, i kemi ndarë dhe detyrat edhe barrën e përgjegjësisë, qoftë për financimin, qoftë për koordinimin e të gjitha operacioneve brenda këtij operacioni sepse këtu bëhet fjalë për një punë që nuk është thjesht ajo që do të bëhet mbi këtë që kemi, por ka të bëjë edhe me gjithë rindërtimin e rrjetit elektrik, ka të bëjë me gjithë rindërtimin e rrjetit të ujësjellësit. Kështu Fondi do financojë rreth 4 milion euro, qeveria rreth 7 milion dhe me një volum të konsiderueshëm, por plotësisht të arsyeshëm, ne do t’i japim gjithë kësaj zone të Vlorës një pamje dhe një përmbajtje tërësisht të re dhe besoj që do t’i krijojmë, jo vetëm të gjithë banorëve të zonës, por gjithë komunitetit, një tjetër burim të rëndësishëm zhvillimi ekonomik dhe mirëqenie sociale, përveç se edhe një tjetër arsye për të qenë krenarë për Vlorën.

Përpjekja për të ruajtur gjithçka që ka mbetur nga e shkuara, do të materializohet edhe në restaurimin e thellë të shtëpisë së Marigosë ku u qëndis flamuri kombëtar e që sot është në një gjendje të mjerueshme, Xhamisë së Tabakëve, rrugës së Hebrenjve, Sheshit të Sahatit. Përpara Bashkisë do krijohet një shesh i konsiderueshëm që do t’i japë dhe rëndësinë e duhur edhe godinës kryesore administrative të qytetit, por edhe do t’i japë një frymëmarrje të re gjithë asaj pjese të kësaj zone ku është Bashkia.

Shtëpia e qeverisë, e cila sot ka mbetur vetëm skelet muresh të jashtme, do të ringrihet gjithashtu duke ruajtur arkitekturën ekzistuese e me radhë pastaj deri tek ish sinagoga e vjetër, të gjitha do të preken, - klubi Labëria patjetër, se pa klubin Labëria nuk kemi ku shkojmë, - në mënyrë që në fund, të jemi vërtet të gatshëm që të themi se ia rikthyem Vlorën, Vlorës, atë që në fakt është dhe zemra e këtij qyteti të zhvilluar në vite e të transformuar përmes deformimesh dhe për një periudhë të gjatë zhvillimesh pa kriter e pa karar.

Së fundi, besoj që nuk është thjesht për arsye protokollare por është legjitime që të falënderohet përzemërsisht Fondi, të falënderohen përzemërsisht të gjithë të pranishmit duke filluar nga Michael e të gjithë miqtë e tjerë që nuk po i marr emër për emër sepse fatmirësisht janë shumë.

Një falenderim shumë i sinqertë sepse jo vetëm kanë financuar fonde të konsiderueshme, por mbi të gjitha kanë ndihmuar e kanë mbështetur për të krijuar një kulturë të re të projekteve të përbashkëta. Të projekteve të përbashkëta ku përfshihen dhe të tjerë protagonistë, duke filluar nga qeveria, pastaj pushteti vendor e pastaj vetë ata që do ta shfrytëzojnë gjithë këtë territor si tregtarë, si sipërmarrës të vegjël, që do t’ia ndiejnë vërtet të gjithë vlerën në punën e tyre të përditshme. E pikërisht për këtë kulturë bashkëpunimi, kulturë projekti, kulturë realizimi besoj që Fondi meriton falenderimin më të veçantë, pastaj sigurisht dhe për financimet, sepse edhe ato janë shumë të rëndësishme megjithëse aty mendoj që mund të financojnë edhe më shumë akoma, por ky është një debat i hapur që vazhdon dhe jam i bindur që pavarësisht se janë shumë të matur në xhep, do të vazhdojnë të rrisin financimet sepse e vërteta është se fondi në tërësi është një histori suksesi, fondacioni është një histori suksesi, por edhe këto projekte, siç e përmendi me krenari e të drejtë Michael, janë një histori suksesi.

Vlora është e teta në një zinxhir projektesh që kanë bërë diferencën dhe kanë qenë në fakt edhe kartëvizitat më prestigjioze të “Rilindjes Urbane” dhe kanë sjellë punësim, kanë sjellë zhvillim, kanë sjellë turizëm më shumë, kanë sjellë më shumë vizitorë e kjo është një arsye për të vazhduar më tutje.

Kështu që pas këtij momenti celebrimi, me siguri ne do vazhdojmë diskutimet se çfarë do bëjmë më tutje, ndërkohë që sigurisht nga ana jonë duhet të garantojmë që projekti të mbarojë në kohë e që financimi të mos mungojnë për asnjë nga elementët e projektit, i cili nuk është thjesht një projekt restaurimi, por është një projekt transformimi, restaurimi i asaj që ka mbetur si vlerë e të shkuarës dhe zhvillime të reja brenda frymës dhe kornizës së projektit e kritereve të veta njësoj siç është bërë dhe me Pazarin e Tiranës.

Unë kam shumë besim që në përfundim, ky do të jetë projekti më kompleks dhe pa u hyrë në hak të tjerëve e pa dashur të krijojmë akoma më shumë xhelozi seç është krijuar për Vlorën, do të jetë edhe projekti më i bukur për shkak të kompleksitetit të vet, për shkak se ka shumë histori, për shkak se ka shumë detaje historike brenda vetes, ka shumë kultura që ndërthuren, por edhe për shkak sepse ndërhyrjet e reja që do të bëhen janë vërtetë të një cilësie shumë të lartë e do të jenë godina pioniere të një zhvillimi ndryshe dhe më tutje për Vlorën që duam.

Shumë faleminderit! 

* * *

Vlora është qyteti i radhës, qendra historike e së cilës do të rilindë pas një harrese shumëvjecare. Kjo zonë me vlera të veçanta arkitektonike dhe kulturore do të rijetëzohet, falë një projekti të posaçëm për restaurimin dhe rikualifikimin urban të saj.

Projekti, me vlerë prej 11 milion eurosh, është konceptuar sipas të njëjtit model me të cilin është punuar për rijetëzimin e Pazarit të  Korçës, të Krujës, Gjirokastrës.

Ai parashikon restaurimin e objekteve në zemër të Vlorës, aty ku qyteti  ende ruan identitetin, me gjurmë të ndërtimeve të fundit të shekullit të 19‐të dhe fillimit të shekullit të 20‐të. Do t'i nënshtrohen restaurimit në: Rrugën “Justin Godar”, ish-pazari, “lagjja e hebrenjve”, klubi “Labëria” dhe ish-Sinagoga, xhamia e Tabakëve, më e madhja e qytetit, etj. Ndërsa infrastruktura nëntokësore është një projekt që do të zhvillohet paralelisht nga Bashkia Vlorë.

Sot u zhvillua në këtë qytet ceremonia e inaugurimit të fillimit të punimeve për projektin në fjalë, ku morën pjesë Kryeministri Edi Rama, Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro, Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri, Drejtuesi i Fondacionit Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit Michael Granoff, si dhe Kryetari i Bashkisë së Vlorës Dritan Leli.

Shkruaj Mesazh

Kontakto me Kryeministrin

Shkruaj Mesazh

Reportazhe Eksklusive

Dokumentarë

Reportazhe Eksklusive

Për Gazetarët

Hapësira Mediatike

Për Gazetarët

Raport publik

300 Ditë

Raport publik