Postuar më : 08 Tetor 2017

Sfidat e skuadrës qeverisëse në 100 ditët e para

Fjala e kryeministrit Edi Rama në mbledhjen me ministrat dhe zëvendësministrat e kabinetit qeveritar:

 

Mirëmbrëma,

Së pari, ju uroj mirëseardhjen katër kolegëve nga Kosova, Besës, Ilirianës, Valbonës dhe Hajrullahut, me mirënjohje për pranimin e ftesës sime që të bëhen pjesë e skuadrës drejtuese të Shqipërisë për katër vitet në vazhdim, e me besimin e madh se do të sjellin vlerë të shtuar në qeverisjen tonë, me idetë, pasionin dhe energjinë e tyre të veçantë.

Mirësevini të gjithë, në këtë rrugëtim të vështirë, me sfida sa të rënda, aq edhe frymëzuese, ku kam shumë besim se secila e secili prej jush, do të jetë një krah i fortë e produktiv për ministrat e ministret e qeverisë së re.

Asnjëherë më parë, në të vërtetë në kujtesën e këtyre 27 viteve, nuk është bërë një proces si ky që zhvilluam këtë herë për të mbledhur propozime, hulumtuar curriculm vitae dhe seleksionuar kandidatura zëvendësish të ministrave.

Asnjëherë më parë, një qeveri e Shqipërisë, nuk ka pasur në drejtimin e dikastereve qendrore skuadra si këto që krijuam në një proces ku shkuam përtej kufijve të vjetër politikë e partiakë, me qëllimin e mirë që të identifikojmë dhe të përhedhim pjesëtarët e duhur të çdo skuadre edhe në frymën e mandatit kuqezi që kemi marrë.  

Asnjëherë më parë, anëtarët e kabinetit qeveritar, nuk kanë pasur në tavolinën e vendimmarrjes së tyre një rreth njerëzish si ekipet që do të kenë nga sot e tutje, për katër vjet me radhë.

Thënë të gjitha këto, dua të nënvizoj se sidoqoftë jemi vetëm tek premisa e mirë, e cila kërkon dëshirë të mirë, vullnet të mirë, durim të madh, nga ministrat në radhë të parë, po edhe nga çdo zëvendës dhe zëvendëse e tyre, për të krijuar skuadër, menduar në skuadër, vendosur me skuadrën, punuar si skuadër. 

Nuk është e lehtë sepse tradita është kundër kësaj frymë e qasjeje të re, që ka përcaktuar jo vetëm procesin e zgjedhjes së zëvendësministrave, po krejt procesin e reformës strukturore të qeverisë e të institucioneve të varësisë ku ne kemi hyrë. Tradita është kundër diskutimeve të brendshme në tavolinën vendimmarrëse te çdo ministrie. Tradita është kundër delegimit real të përgjegjësive tek ministrat për fusha, programe dhe projekte të caktuara.

Por është jo thjesht e mundur, po e domosdoshme për të bërë suksesin që duam dhe duhet me patjetër të bëjmë. Prandaj edhe kërkesa ime për çdo ministër është: Bëni të mundur që vizioni juaj të udhëheqë skuadrën tuaj; lidershipi juaj të diktojë rrugën dhe ritmin e skuadrës suaj; vëmendja juaj të bëjë që çdonjëri dhe çdonjëra nga zëvendëset dhe zëvendësit, të dëgjohet me predispozitë të plotë, të ketë akses të plotë në vendimmarrje, si edhe fuqi të plotë në fushën apo në operacionet ad hoc që do të mbulojë me porosinë dhe orientimin tuaj. 

Kemi 100 ditë për ta kolauduar plotësisht këtë mekanizëm të ri, po ju vetë duhet të uleni menjëherë për të diskutuar e vendosur mesveti, detyrat konkrete te çdo zëvendësministri dhe zëvendësministre në këtë rrugëtim.

Besoj se nuk do të jetë vështirë për vetë faktin se qysh në përzgjedhjen e bërë, janë menduar në tërësi rolet që do të mbulojë çdonjëri prej zëvendësministrave, kështu që tanimë mbetet përcaktimi i detyrave konkrete për çdo rol. 

Por, nuk do të doja të harrohej se ndarja e roleve dhe detyrave, ka rëndësi te posaçme për të mbuluar krejt fushën e përgjegjësisë dhe përballuar me sukses çdo detyrë të vetë dikasterit, ama në themelin e suksesit është fryma e skuadrës, ndërveprimi mes jush, nën lidershipin e titullarëve të çdo skuadre.

E njëjta gjë vlen për administratën nën drejtimin tuaj, e cila duhet të njihet me vizionin, objektivat dhe strategjinë për arritjen e tyre, duke u informuar, motivuar, udhëhequr e menaxhuar si pjesë e pandashme e skuadrës. 

Jemi në një proces ristrukturimi të thellë, në funksion të vizionit dhe qëllimeve tona të mëdha, ku në çdo hap duhet të na udhëheqë parimi t’i gjejmë punës njeriun e duhur dhe jo t’i gjejmë punë njeriut të njohur. Administrata jonë ka probleme jo të vogla, por ka plot njerëz të mirë, të talentuar, të dëshiruar për punë, të zotë në punë. Ata duhen identifikuar, trajnuar, motivuar e trajtuar me respekt në vazhdim, sepse janë kyç i pazëvendësueshëm për suksesin tonë. 

Duhet të punojmë që të gjithë që, jo vetëm të çelim negociatat për anëtarësim vitin e ardhshëm, duke marrë një sinjal të qartë pozitiv nga Këshilli Europian në këto 100 ditë të para, por edhe që të jemi gati për negociatat, që janë një proces tejet i ndërlikuar me rrjetin e njerëzve në çdo ministri dhe me një sistem pune të mirë organizuar e gjithëpërfshirës nga niveli i ministrave. 

Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme do ta udhëheqë këtë proces, por duhet mbështetur nga të gjitha ministritë dhe nga çdonjëra prej skuadrave tuaja drejtuese.

Duhet të iniciojmë në këto 100 ditë, fazën e dytë, atë më sfiduesen, në luftën me krimin dhe për rindërtimin e Policisë së Shtetit. Pas rilindjes së Policisë së Shtetit e shfarosjes kanabisit si një fenomen epidemik, duhet të zhvillojmë me të njëjtin sukses, Operacionin Kombëtar kundër Rrjeteve Kriminale dhe pastrimin e plotë të radhëve të Policisë nga elementët e inkriminuar, të korruptuar apo të paaftë, përmes Vetingut në Policinë e Shtetit.

Skuadra e re drejtuese e Ministrisë së Brendshme, mund të quhet pa asnjë ngurrim fit for purpose.

Duhet të fitojmë betejën kundër informalitetit, të çlirojmë biznesin nga çdo zinxhir e litar pengues burokratik, të rrisim punësimin e fuqizojmë më tutje arsimin profesional, si edhe të krijojmë kapacitetin e munguar auditues brenda piramidës së pushtetit ekzekutiv. Janë objektiva shumë ambicioze, për të cilat kam bindjen se skuadra e re e Financave dhe Ekonomisë ka njerëzit e duhur.

Duhet të hapim një tjetër faqe progresi në shëndetësi dhe të fuqizojmë më tej rrjetën e mbrojtjes sociale, duke garantuar shërbim më të mirë në çdo hallkë të sistemit shëndetësor, transparencë të plotë në sistemin e ndihmës ekonomike, lehtësim të ndjeshëm të procedurave për çdo kategori, duke filluar nga ajo e personave me aftësi të kufizuar. Skuadra e Ministrisë së Shëndetësisë e Mbrojtjes Sociale është në këndvështrimin tim, e duhura për t’ia dalë mbanë këtyre objektivave. 

Arsimi është një kantier i hapur, ku të gjitha reformat janë ende në zhvillim e sipër dhe me skuadrën e re, i kemi te gjitha arsyet të besojmë se disponojmë idetë, eksperiencën dhe energjinë e nevojshme për t’i thelluar reformat e për të konkretizuar të gjitha planet ambicioze të këtyre katër viteve, qoftë për arsimin, qoftë për sportin dhe rininë.

Tanimë kemi në dorë ta tregojmë se çfarë do të thotë infrastrukturë rrugore kombëtare me standarde europiane. Si mund të ndërtohet më në fund një sistem funksional ujësjellësish në Shqipëri. Sa mund të fitojë ende populli shqiptar nga burimet natyrore dhe sigurisht, sa më shumë akoma duhet e mund të bëhet për energjinë si burim parësor për ekonominë tonë. Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, ka një barrë të madhe, por ka edhe një skuadër drejtuese që është plotësisht në nivelin e sfidave në fushën e përgjegjësisë së saj.

Po njësoj, besoj qe e ka skuadrën e duhur drejtuese edhe Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, e cila ka barrën të sigurojë në këto katër vite një zhvillim historik në fushën e përgjegjësisë së saj, përmes modernizimit strukturor të krejt organizmit të saj e të organizmave te varësisë në këtë sektor, strukturimit të një mbështetjeje cilësore ndaj fshatit për të maksimizuar efektin e fondeve në dispozicion të sektorit, garantimit përfundimtar të titujve të pronësisë për fermerët si edhe të ujitjes e kullimit në çdo metër toke buke në territorin e vendit, progresit të domosdoshëm në fushën e peshkimit si edhe natyrisht, krijimit të nivelit të duhur të bashkëpunimit e të ndërveprimit me pushtetin vendor të dalë nga reforma administrative territoriale.  

Drejtësia e re kërkon një Ministri Drejtësie me vizion të ri, aftësi të reja, energji të re, për të cilat skuadra e re e këtij dikasteri i ka besoj, atributet e duhura. Kjo ministri duhet të jetë mbështetëse konstante e Reformës ne Drejtësi si edhe e aksesit të qytetarëve në shërbimet që kontrollohen prej saj, garante e cilësisë së legjislacionit te këtyre katër viteve të ardhshme, si edhe e transformimit të sistemit të hipotekës e të burgjeve, nga gropa të zeza të një llumi të trashëguar, në sisteme të sigurta funksionale për qytetarët dhe për shtetin.

Ministria e Mbrojtjes duhet të garantojë vazhdimësinë në gjithçka pozitive është bërë dhe të rrisë më tej cilësinë në çdo vendimmarrje të saj, të natyrës organizative e administrative, duke pasur parasysh faktin që tanimë emergjencat civile do të jenë përgjegjësi e kësaj ministrie.

Turizmi dhe mjedisi kërkojnë një forcë të re lëvizëse, për të çuar në një nivel te ri zhvillimin e një industrie që ka një potencial të jashtëzakonshëm dhe ende të pashfrytëzuar për Shqipërinë që duam, me punë e me mirëqenie, si edhe për të ngritur në një nivel të ri mbrojtjen e pasurive të natyrës sonë. Skuadra e re drejtuese e turizmit dhe mjedisit ka jo vetëm një sfidë të madhe, po edhe cilësitë e nevojshme për ta përballuar sfidën.

Po ashtu edhe kultura, për të cilën Ministria duhet të sjellë ende më shume kontribut në tërësinë e rezultateve të qeverisë dhe përmes të cilës kombi ynë po edhe ekonomia e shoqëria jone, duhet te përfitojnë ende më shumë.

Por, thënë të gjitha këto, kjo skuadër e re është sot për sot, vetëm në letër një skuadër e gatshme për t’i fituar sfidat, të cilat duhen fituar përditë në realitet. Kjo do të thotë se nuk mjafton një grup individësh të zotë e të motivuar për ta bërë fituese një skuadër. Duhet fryme skuadre, lojë skuadre, vetëdije për rëndësinë e skuadrës dhe sakrificë për hir të skuadrës.

Na ishte njëherë, një skuadër që për nga cilësia e individëve, u quajt skuadra e galaktikëve, por “galaktikos” nuk fituan asnjë trofe pikërisht sepse nuk u bënë kurrë skuadër, grup, frymë në fushën e lojës.

E kundërshtaret tanë në fushën tonë qe vetëm lojë nuk është, s’janë aspak të dobët, përkundrazi, janë të egër e të rrezikshëm!

Papunësia! Korrupsioni! Cinizmi! Sa për të përmendur kryesoret.

Kemi edhe një opozite të dobët, që ulëret e shan si ai frikacaku që bërtet për të kaluar pyllin natën, por ky është një rrezik më vete për skuadrën tonë dhe jo një lehtësi.

Kemi vetëm dy aleatë të mëdhenj në këtë betejë aspak të lehtë, popullin, të cilin duhet ta fitojmë përditë me vepra e rezultate konkrete dhe dëshirën tonë për ta bërë Shqipërinë që duam, me shtet, pune, mirëqenie, një dëshire që duhet ta ushqejmë përditë, duke qenë sa më pranë njerëzve te zakonshëm dhe mbështetur sa më shumë njëri-tjetrin.

Forca të gjithëve! Urime kolegëve e kolegeve të rinj që na bashkohen në këtë rrugëtim aspak të lehtë dhe qofshim në lartësinë e privilegjit të pakrahasueshëm për t’i shërbyer vendit dhe popullit tonë.

Kjo është kaq ekskluzive sa që për herë të parë dhe të fundit, unë bëj dhe një fjalim në sallën e qeverisë, gjë që ka qenë traditë më parë e jam zotuar të mos e bëj asnjëherë, por është sot e nuk përsëritet një herë tjetër, çka nënvizon besoj thjesht e vetëm rëndësinë që ka ky moment kur kemi formësuar skuadrën, që e përsëris, uroj të ketë gjithë pasionin e vullnetin për të fituar në fushën e betejës reale, atë që duket se mund ta fitojë po të nisemi nga cilësitë individuale në letër. 

Shkruaj Mesazh

Kontakto me Kryeministrin

Shkruaj Mesazh

Reportazhe Eksklusive

Dokumentarë

Reportazhe Eksklusive

Për Gazetarët

Hapësira Mediatike

Për Gazetarët

Raport publik

300 Ditë

Raport publik