Postuar më : 23 Maj 2017

“Shtëpia me Gjethe”, Muzeu i kujtesës kolektive për të mos harruar të kaluarën

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në çeljen e Muzeut Kombëtar të Përgjimeve “Shtëpia me Gjethe”:

Ky është një moment, në këndvështrimin tim shumë i rëndësishëm, i kurorëzimit të një pune aspak të lehtë për t’i dhënë jetë këtij Muzeu, në një vend ku historia e përcaktoi si pikën ku duhet të lindnin fëmijë nënat e reja dhe pastaj e transformoi në pikën ku lindte çdo ditë frika që rrezatonte shtëpia fantazmë e gjetheve.

Ka shumë të thëna për raportin e të shkuarës me të ardhmen. Unë zgjodha një prej tyre, që thotë: “Lum ai që e di se çfarë duhet të kujtojë prej së kaluarës, çfarë duhet t’i gëzojë të tashmes dhe çfarë duhet të planifikojë për të ardhmen.”

E duke menduar për fjalën që do thosha këtu sot, po reflektoja që në fillim, një mësim që besoj se është themelor nga këto 20 e kusur vite ballafaqim me të shkuarën tonë, nga njëra anë dhe me sfidën e integrimit europian, nga ana tjetër. Një mësim që thotë se në fund, dallimin mes nesh dhe atyre andej në Bashkimin Europian, nuk e bën klima, nuk e bën gjeografia, nuk e bën as historia e njerëzve, por e bëjnë ende shumë të dukshëm institucionet, historia e institucioneve, tradita e shtetit, pavarësisht nga njerëzit, pavarësisht nga brezat që i lënë radhë njëri-tjetrit. Këtu është edhe nyja gordiane që do të këpusim për t’u bashkuar me ata andej e në këtë përpjekje është e domosdoshme që ne të përputhim raportin tonë me të shkuarën, në funksion të së ardhmes.

Shpesh herë kemi qenë dëshmitarë të mënyrës sesi reagohet ndaj këtyre përpjekjeve, duke filluar nga Bunk’art 1, duke vazhduar me Bunk’art 2, që janë hallkat e një zinxhiri, të cilit i shtohet sot ky Muze, që për nga gjithë procesi, nga përfshirja e njerëzve që i dhanë jetë dhe nga muzeografia si themel i punës së bërë, është padyshim guri më i çmuar i kurorës.

Është një shtëpi ku fshihet një thesar shumë i rëndësishëm i kujtesës tonë kolektive, një thesar që na jep mundësi të zbulojmë pjesëza të tjera të këtij mozaiku që mbetet ende për t’u zbuluar plotësisht, me ngjarje, me personazhe, me lidhje mes shtetit, njerëzve, periudhave, që janë deri këtu, sot, të mbuluara nga pluhuri i harresës.

E për shumëkënd, për fat të keq, këto hapësira janë si rikthim i errësirës, ndërsa për mua, hedhja e dritës në këto errësira është ushqim i shpresës që lidhet me plotësimin e vrimave të zeza të kujtesës tonë kolektive dhe kujtesës së gjithsecilit.

E thashë në fillim që Muzeu lindi si një klinikë për lindje dhe u shndërrua më pas, në një ndërtesë që, për ne që e kemi jetuar qytetin, edhe pse ndoshta në një periudhë më pak të rëndë se periudha kur Dauti [Gumeni] filloi shkollën e partisë, ishte një prezencë shumë misterioze dhe shumë imponuese, me një oborr të pakapërcyeshëm dhe e fshehur pas gjithë atyre perdeve të gjetheve.

Ajo që unë mësova nga eksperienca e Bunk’art1 dhe 2, është raporti fizik me kujtesën, si një mundësi për t’ju treguar më të rinjve apo vizitorëve të huaj që nuk kanë qenë pjesë e kësaj historie, një histori që kur tregohet, sa më shumë vite ikin, aq më pak, ne vetë që e kemi jetuar, e besojmë deri në fund. Prandaj besoj që gjithë deformimi i madh i gjithë këtyre viteve, mungesa e vizionit, mungesa e kurajës, mungesa e vullnetit për ta parë këtë pjesë të historisë sot, me sytë e të vërtetës dhe për të kuptuar se sytë e të vërtetës mbi këtë pjesë të historisë janë shumë të rëndësishme për institucionet demokratike dhe për shtetin që duam të bëjmë, nuk mund të luftohen dot me kundërpropagandë. Por mund të luftohen me mënyrë shumë të efektshme, me takime fizike mes njerëzve dhe kujtesës kolektive.

Është një pasuri e madhe që sot kthehet në funksion të këtij procesi, duke i dhënë mundësinë të gjithëve që të kenë një takim fiks me të shkuarën e ta përballin të shkuarën pa ndërmjetës, pa përkthyes, të cilët bëjnë secili përkthimin e tyre në funksion të axhendave të tyre, në radhë të parë politika, por pastaj dhe personale. Sepse e Dauti e tha, shoh Maks Velon aty më poshtë, me siguri ka dhe të tjerë që kanë kaluar nga labirintet e kësaj errësire, që në pamundësi për t’u përballur publiku me kujtesën e pafutur në filtra pas filtrash, shumëkush nga bashkudhëtarët e tyre në këto labirinte ka fshehur të vërtetën e tij. Ashtu sikundër, shumëkush nga torturuesit e tyre në këto labirinte është fshehur dhe është bërë një bashkë me të torturuarit. 

Drama që keni përjetuar është shumë e rëndësishme të mos harrohet kurrë, as nga shqiptarët e as nga Europa.

“Kujtesa është një hap i pashmangshëm për të ndërtuar të ardhmen, duke mos përsëritur gabimet e të shkuarës,” janë fjalët e Papa Gjon Palit II, gjatë vizitës së tij në Shqipëri.

E pothuajse 25 vjet nga vizita historike e të parit At të Shenjtë në Shqipëri, ne sot shikojmë dhe jetojmë deficitin e madh që kemi akoma në raportin tonë të shkurtër dhe në raportin e më të rinjve me kujtesën kolektive të kësaj pjese shumë të rëndësishme të së shkuarës.

Nëse përpjekja jonë për të bërë shtet është një përpjekje e sinqertë, nuk ka gjasë të ketë sukses të plotë në vijim, pa ju mundësuar më të rinjve një takim fizik me kujtesën në stacione të ndryshme, në pika të ndryshme. Dauti solli këtu shembullin e Muzeut të Krimeve të Komunizmit në Shkodër. Është monumenti i deformimit të raportit me të shkuarën dhe është muzeu i manipulimit të këtij raporti, që nuk ju lejon atyre që nuk kanë kaluar nga labirintet e kësaj historie, që ta kuptojnë këtë histori.

Njësoj siç bënin dikur në kohën e diktaturës muzeologët dhe muzendërtuesit që seleksiononin çfarë u duhej dhënë njerëzve, duke bërë ndërhyrjet e tyre deri dhe me stilolaps, për të fshirë fytyra apo për të zhdukur njerëz nga fotografitë, kështu është dhe ai Muze. Një kopje e njëjtë, por e një kohe tjetër, që tregon në fund fare se ne në gjithë këto vite nuk patëm gatishmërinë, përveçse vizionin dhe kujdesin ndaj të ardhmes, që të përballemi si duhet me këtë pjesë të historisë sonë, që sot e gjithë ditën është pengesa jonë kryesore në përpjekjen tonë për të bërë shtet, për të ndërtuar institucionet demokratike, në përpjekjen për të zbatuar një reformë në drejtësi që të sjelli një drejtësi të re dhe funksionale dhe në përpjekjen për të krijuar një raport të shëndetshme midis shteti dhe qytetarit.

Natyrisht nuk dua të mendojë askush që kjo Shtëpi dhe ky Muze modest në përmasa do të zgjidhi këtë problem të madh, por është një kontribut më shumë në përpjekjen për të zgjidhur këtë ngërç në raportin tonë me të shkuarën.

Ky është Muzeu, ku pavarësisht statusit të Kryeministrit, duhen dëgjuar ata për të cilët në fund të ditës është shumë e rëndësishme sot që hapen dyert e tij dhe unë mund të bëj Kryeministrin jashtë këtij oborri, ndërsa brenda këtij oborri është Dauti që vendos për axhenden dhe për kohën e fjalës time. Kështu që në fund të fundit Daut, jeta prandaj është kaq e bukur, ti hyre në burg dhe nuk e di sa vite mbete brenda se u talle me fotografinë e një sekretari partie, por ja ku je gjallë, ndërkohë që ai tjetri është në botën tjetër dhe ke mundësinë që t’i thuash Kryeministrit, “boll tani se shumë e zgjate”.

Një ngushëllim që nuk mjafton për gjithë e gjithë ato tmerre dhe jam i bindur që po të të pyesnin tani, a do t’i kaloje prapë ato tmerre që të vije këtu e t’i thoje Kryeministrit boll e zgjate, mbase do thoshe “jo faleminderit!” Por, sidoqoftë, unë jam shumë i gëzuar që të mund të bëj ty nderimin që të më mbyllësh gojën.

Shkruaj Mesazh

Kontakto me Kryeministrin

Shkruaj Mesazh

Reportazhe Eksklusive

Dokumentarë

Reportazhe Eksklusive

Për Gazetarët

Hapësira Mediatike

Për Gazetarët

Raport publik

300 Ditë

Raport publik