Postuar më : 27 Dhjetor 2016

Sot u dha leja e 110.000-të e legalizimit

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në shpërndarjen e certifikatave të legalizimit në Tiranë:

Përshëndetje të gjithëve dhe Gëzuar Vitin e Ri! Shpresoj që ta kaloni sa më mbarë! Për të gjitha ata që sot marrin letrat e legalizimit do jetë një vit i ri ndryshe, sepse nuk jeni më thjesht në shtëpinë që keni ndërtuar, por jeni në pronën tuaj të patundshme.   

Dua ta filloj me ata që zakonisht më çojnë mesazhe, mbasi shohin nëpërmjet mediave këto aktivitete dhe ankohen se nuk janë akoma të legalizuar si banorë zonash informale. Dua t’ju them të gjithëve, mos kini asnjë dyshim, mos kini asnjë merak, legalizimet do të bëhen deri në fund, vetëm se jemi të detyruar t’i bëjmë me radhë, pasi nuk mund t’i bëjmë dot të gjitha përnjëherë.

Sot besoj, ne kemi dhënë provën e padiskutueshme që kush na besoi detyrën për të qeverisur dhe shpresonte që përmes votës të legalizonte shtëpinë, as nuk ka diskutim që falë këtij besimi po legalizon edhe shtëpinë.

Më lejoni t’ju kujtoj se ky proces realisht ka filluar vetëm dy vjet e gjysmë më parë, pasi përreth 10 muaj na është dashur që të gjejmë letrat, raftet në zyrat e legalizimit, ku faktikisht nuk bëhej  legalizim i shtëpive të njerëzve të nevojë, por bëhej një pazar i madh.

Një pazar i madh dhe torturues, për të cilin, jam i bindur, të gjithë ju keni kaluar dhe e keni provuar vetë në kurriz se gjëja më e pamundur ishte të legalizohej një shtëpi. Në 8 vjet të qeverisë së vjetër janë bërë gjithsej 21 mijë legalizime, nga të cilat mbi 80% nuk kanë qenë banesa, por lokale, hotele, motele, restorante, ndërtesa biznesi në anë të rrugëve, në parqe, në zona universitare, në zona arkeologjike.

Ndërkohë që ne, në dy vjet e gjysmë, sot arrijmë të japim këtu lejen e 110 mijtë dhe mbi 90% e lejeve të tona të legalizimit janë shtëpi dhe pjesa tjetër janë kryesisht godina, ngrehina, që kanë nevojë për legalizim, biznesesh, por asnjëherë në anë të rrugës, asnjëherë në zona universitare, asnjëherë në zona arkeologjike, asnjëherë aty ku është cenuar pasuria e përbashkët e shqiptarëve. Ky është një dallim shumë i madh.

Ashtu sikundër dua t’ju them se aq sa legalizoi qeveria e vjetër në 8 vjet, ne sot legalizojmë çdo 4 muaj. Besoj që nuk e teproj po të them se ky është dallimi midis nesh dhe tyre në çdo gjë, në çdo punë, në çdo sektor.

Me këtë nuk dua të them se ne kemi bërë mrekulli, apo se ne kemi arritur t’i zgjidhim të gjitha problemet. Me këtë dua vetëm të them se ne jemi shumë të vendosur që të vazhdojmë rrugën e nisur në këtë kthesë jashtëzakonisht të vështirë, siç e dëshmon edhe procesi i legalizimeve, për shkak të problemeve të rënda, të trashëguara. Ashtu siç është problemi  i të gjithë atyre banorëve të Tiranës, të Durrësit apo të qyteteve të tjera, që sot janë ende pa titullin e pronësisë së apartamentit të tyre, sepse kanë blerë apartamente nga sipërmarrës, të cilët kanë bërë shkelje të lejeve të ndërtimit dhe për këtë arsye, pallatet nuk janë hipotekuar.

Ne i kemi gjetur zgjidhje edhe këtij problemi të ndërlikuar, të cilin premtoi ta zgjidhte ish kryetari i bashkisë së Tiranës, madje bëri fushatë duke thënë që këto pallate nuk i legalizonte Edi Rama, ndërkohë që mua më ra goja duke thënë se legalizimi i këtyre pallateve mund të bëhet, vetëm nëse ndërhyn qeveria në një proces që nuk është aspak i lehtë. E megjithëse kishin edhe qeverinë, edhe bashkinë, bënë atë që dinë të bëjnë, vrimë në ujë! Kaluan 4 vjet, ish kryetari i bashkisë, ashtu hyri, ashtu doli dhe në fund fare nuk legalizoi asnjë pallat dhe nuk i dha dot hipotekën, asnjë familjeje në një apartament të vetëm të Tiranës.

Ndërkohë që problemi tanimë ka marrë rrugëzgjidhje. Ne do të bëjmë atë që jemi zotuar. Edhe banorët e Tiranës, të Durrësit apo të qyteteve të tjera që jetojnë në apartamente që i kanë blerë me kohë, por që nuk i kanë me hipotekë, do marrin lejen e tyre të legalizimit dhe do t’i hipotekojnë apartamentet e tyre.

Jemi shumë të kënaqur që 52 mijë familje e festojnë këtë vit të ri ndryshe nga viti i shkuar. E festojnë në shtëpinë e tyre, me lejen e legalizimit dhe me titullin e pronësisë në hipotekë. Jemi të kënaqur për ta, por nuk jemi të kënaqur me punë tonë, sepse momenti kur njeriu kënaqet me punën  e vet, është momenti kur njeriu duhet të gjejë  një punë tjetër.

Ne nuk kënaqemi me punën tonë dhe ky është treguesi më kuptimplotë për të gjithë ata që na besojnë, sepse kërkojmë shumë më tepër nga puna jonë, pasi ka shumë më tepër nevoja nga ato që ne kemi trajtuar, apo halle nga ato që ne kemi zgjidhur. Kjo është arsyeja pse ne jemi plotësisht të vetëdijshëm se çka mbetet për t’u bërë, është më tepër seç është bërë.

110 mijë legalizime ishte një objektiv i paimagjinueshëm deri tre vjet e pak më parë, kur ne erdhëm në qeveri. Sot është një objektiv i realizuar. Në fakt, sëbashku me Drejtorin e ALUIZNI-t e kishim diskutuar se duhet të synojmë 100-mijëshin në fund të vitit 2016. Sot jemi tek 110-mijëshi. Por nuk e kemi harruar se ka shumë më tepër se kaq për të bërë. Prandaj edhe puna jonë vazhdon dhe eksperienca e mbledhur në këtë proces është një eksperiencë shumë e vyer, pasi procesi përmirësohet vijimisht dhe nuk është një proces që nuk ka problemet e veta dhe për këtë ne jemi plotësisht të vetëdijshëm.

Nga ana tjetër, ne jemi shumë të kënaqur për faktin se funksionoi edhe ajo që në fillim u quajt si kërkesë e ekzagjeruar, për pagesën e energjisë elektrike në rastin e legalizimit të banesës. Kemi vënë një pagesë për energjinë elektrike, me një ulje 10%, për të gjithë ata që e paguanin. E dini sa janë ata që e kanë paguar plotësisht energjinë eklektike, nga ata që janë legalizuar? 92%!

92% e familjeve që janë legalizuar, sot nuk kanë asnjë borxh ndaj operatorit të energjisë elektrike. Falë këtij fakti, edhe investimet në rrjetin e shpërndarjes së energjisë po vazhdojnë intensivisht.

Unë e di shumë mirë që ka ende probleme, jo të vogla, probleme të mëdha, me shpërndarjen e energjisë elektrike, sidomos në periudhën e dimrit, në zona të caktuara më shumë, në disa zona më pak. Por më lejoni t’ju kujtoj se rrjeti i energjisë eklektike që ne trashëguam, në 85% të tijin ishte që në kohën e elektrifikimit. Kështu që ajo që nuk është bërë në 20, 30 apo 40 e ca vjet, nuk mund t’i kërkohet një qeverie që ta bëjë për tre vjet  e pak. Këtë e kërkojnë  vetëm ata që nuk kanë punuar ndonjëherë dhe nuk e dinë që gjërat bëhen me punë.

Për fat të mirë, këtu jemi mes njerëzish që e dinë shumë mirë çdo të thotë të ndërtosh një shtëpi. Një shtëpi nuk ndërtohet sa hap e mbyll sytë. Një shtëpi nuk ndërtohet se ke qejf të kesh një shtëpi. Një shtëpi ndërtohet me të gjithë ato mundime, sakrifica, kursime dhe më gjithë atë durim që ju keni ndërtuar shtëpitë tuaja. E njëjta gjë vlen edhe për shtëpinë tonë të përbashkët, Shqipërinë.

Si mundet një shtëpi, të cilën e gjetëm rrëmujë, me themele që rrezikonin të shembeshin, me çatinë që ishte përkulur gati për t’u thyer nga borxhet, të mund të rindërtohet dhe të bëhet shtëpia që të gjithë ne bashkë aspirojmë të kemi këtu në atdheun tonë, vetëm në tre vjet e pak! Këtë mund ta mendojnë vetëm ata që nuk dinë se çfarë është puna dhe kujtojnë se gjërat bëhen sa hap e mbyll sytë.

Ne do vazhdojmë ta mbështesim fuqimisht, edhe transformimin e zonave ku janë ndërtuar shtëpitë tuaja. Një transformimi i domosdoshëm, por që kush do ta bënte përveç nesh?! Askush tjetër! Por edhe në këtë aspekt, unë do kërkoja që secili ta shohë që ne nuk po pushojmë një sekondë. Në Tiranë, ju e shihni vetë që edhe bashkia po bën një punë shembullore. Kryetari i bashkisë po ashtu. Dhe si të gjitha punët e mira, edhe kjo është një punë  e mirë dhe e madhe, që kërkon kohën e vet, mundimet dhe durimin e vet.

Shkruaj Mesazh

Kontakto me Kryeministrin

Shkruaj Mesazh

Reportazhe Eksklusive

Dokumentarë

Reportazhe Eksklusive

Për Gazetarët

Hapësira Mediatike

Për Gazetarët

Raport publik

300 Ditë

Raport publik