Postuar më : 14 Prill 2017

TIRANA030 Plani i Kryeqytetit të Gjeneratës Tjetër

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Territorit, ku u miratua Planin e Përgjithshëm Vendor për Tiranën:

 

Ky është një moment me një rëndësi të veçantë për kryeqytetin, natyrisht edhe për qytetet e tjera, bashkitë e reja, të cilat hyjnë më në fund në rrugën e qytetërimit evropian, përsa i përket vizionit dhe planifikimit të së ardhmes.

Sot, falë kontributit të çmuar të njërit prej arkitektëve më në zë të Europës ku jetojmë dhe ekipit të tij, Stefano Boerit, që e falenderoj për praninë e tij këtu, si dhe falë punës voluminoze të kryer nga Bashkia e Tiranës, ekipi përkatës, por edhe falë koordinimit të garantuar nga Agjencia Kombëtare e Planifikimit, si dhe Sekretaria Teknike e këtij Këshilli, kemi përballë një punë të shkëlqyer, me rezultate shumë inkurajuese që vendos edhe bazën për Tiranën e Gjeneratës Tjetër.

E dimë të gjithë sesi ka shkuar historia e planeve dhe kundër-planeve në Tiranë. Por jam besimplotë se ky Plan që miratohet sot është pa kthim dhe se më në fund vendos stabilitet të plotë në themelet e Tiranës që duam.

Sa për të dhënë një shije të asaj që faktikisht e pengoi Tiranën të ecte në drejtimin e duhur, Plani i mëparshëm ishte një plan i bërë me të ashtuquajturat “forcat tona”, pa asnjë ekspertizë serioze dhe mbi të gjitha, pa asnjë tutorship ndërkombëtar, i domosdoshëm në këto raste edhe në metropole të mëdha, jo më këtu në Tiranë. Ky Plan parashikonte sipërfaqe ndërtimi brenda vijës së verdhë për 1.6 milionë banorë dhe sipërfaqe ndërtimi në territoret e komunave, në zonën rurale të bashkisë së re, për 3 milionë banorë të tjerë. Plani parashikonte një Tiranë me një popullsi më të madhe se popullsia e Shqipërisë, por nuk parashikonte shërbime të tjera, përveç shërbimeve në qendër të Tiranës, shërbime në të njëjtat spitale, në të njëjtat universitete, në të njëjtat shkolla, në të njëjtat komisariate e kështu me radhë, një dokument i spekulimit imobiliar më irracional që besoj, mund të gjendet në historinë e Europës. Fatmirësisht, ky dokument nuk u vu dot në jetë.

Sot merr jetë një model krejtësisht i ri ndërhyrjesh të mirëmenduara në një plan që, ndryshe nga planet klasike, është një adoptim i inteligjencës së territorit, duke shfrytëzuar më së miri potencialet e territorit dhe duke mirëkuptuar traditën, kohën e zhvillimit dhe mendësinë në këtë territor. Është një Plan, në kuptimin e plotë të fjalës, për qytetin dhe për qytetarët.

Natyrisht që Tirana ka sfida të mëdha, duke filluar nga sfida e transportit. Plani adreson këtë sfidë me kurajo dhe vizion, duke vazhduar me zhvillimin e mëtejshëm të arterieve që do t’i mundësojnë kryeqytetit një lëvizshmëri mjetesh, jo vetëm motorike, por edhe alternative.

Plani adreson sfidën e sipërfaqeve të gjelbra, të cilat kanë ardhur në rritje falë punës së bërë përpara 4-vjeçarit të gërhitjes dhe pas 4-vjeçarit të gërhitjes. Sot, Bashkia e Tiranës mbjell 1000 pemë në muaj dhe do të vazhdojë me këtë ritëm gjatë gjithë mandatit të parë të kryetarit të bashkisë. Ajo çka frymëzon në Plan është jo vetëm realizimi i mëtejshëm i parqeve të reja, si Parku i Kasharit, Parku i Vaqarit, Parku i Farkës, por edhe një unazë, një pyll orbital, siç e quan Stefano Boeri, që e bën Tiranën e Gjeneratës Tjetër një qytet europian shumë të ndryshëm nga ky që kemi.

Një sfidë tjetër është sfida e shërbimit më të rëndësishëm për familjet, çerdhet, kopshtet, shkollat. Bashkia e Tiranës ka rikonstruktuar çerdhe ekzistuese, ka nisur rikonstruksionin e kopshteve ekzistuese, është në proces për zbatimin e projektit ambicioz të 20 shkollave të reja që brenda dy vitesh do t’i japin fund mësimit me dy turne në kryeqytet. Ajo që Plani siguron është rrjetëzimi i këtij shërbimi në të tria nivelet, çerdhe, kopsht, shkollë në të gjithë territorin.

Plani i jep një perspektivë zhvillimi, përtej asaj që tanimë po kthehet në realitet me ripërtëritjen fenomenale të aksit të Brasini-t, me sheshin “Skëndërbej”, që është edhe xhevahiri më i çmuar i kurorës së Rilindjes Urbane, ku transformimi është fantastik.

Si dëshmitar okular i përpara disa ditëve në kantier mund të them se, edhe pse kam qenë qysh në fazën fillestare të projektimit të sheshit i vetëdijshëm për çfarë sheshi do të sillte, kam mbetur realisht pa gojë, kur kam parë se çfarë hapësire urbane po krijohet dhe së shpejti do të jetë në dispozicion jo vetëm të qytetarëve të Tiranës, por të të gjithë atyre që e vizitojnë Tiranën, si një surprizë e jashtëzakonshme nga kryeqyteti i shqiptarëve.

Me sheshin “Skëndërbej” i shtohen Tiranës 45 mijë metra katrorë gjelbërim, 900 pemë dekorative, 520 dru frutorë dhe 35 mijë lule nga të gjitha trevat, ashtu sikundër dhe gurët e të gjitha trevave shqiptare. Sheshi do të jetë padyshim një highlight në rajon dhe nuk diskutohet që do të jetë një ndër surprizat më të bukura të krijimtarisë së arkitekturës dhe të urbanistikës bashkëkohore europiane të këtyre viteve të fundit.

Në Planin e konceptuar me vizion e shumë kurajo nga Stefano Boeri dhe ekipi i tij, jo vetëm që integrohen më së miri hapësirat rreth stadiumit të ri kombëtar, rreth Parkut të ri Olimpik të Tiranës, Teatri i ri Kombëtar, Teatri i Operës dhe Baletit, por çelet perspektiva për kampusin e ri universitar, për stacionin e ri qendror të autobusëve, për një stacion të ri treni e me radhë.

Ky është një vizion afatgjatë. Ajo që është më e rëndësishme, është se Plani është një dokument, i cili është një instrument pune, duke filluar nga nesër, për të gjithë ata që duan ta përdorin, për bashkinë, për sipërmarrësit, për agjencitë shtetërore, për ministritë, që nga Ministria e Transportit e deri tek ministritë e tjera që kanë lidhje në punën e tyre me këtë nyje strategjike të të gjithë territorit, që është Tirana.

Ajo që po ashtu ka një rëndësi të veçantë është që Plani bën një ekspoze shumë të mirëmenduar të të gjithë historisë, duke harmonizuar strukturat e periudhës romane, të periudhës fashiste, të periudhës sovjetike, të periudhës kineze dhe gjithë strukturat e mëpastajme, përfshirë strukturat e ndërtimeve apo zonave informale, duke e kthyer Tiranën në një muze larmie metropolitane.

Ambicia është që kryeqyteti ynë i 2030-ës të jetë kryeqyteti me hapësirën më të madhe këmbësore ndër kryeqytetet e Europës Lindore, me 2 milion pemë më shumë, ku infrastruktura vendoset jo vetëm në funksion të zhvillimit ekonomik, por edhe në funksion të bashkëjetesës shoqërore. Bashkëjetesë për të cilën Tirana ka aq shumë nevojë, për shkak të mungesave të mëdha në gjithë këto vite të hapësirave të përbashkëta dhe të mjediseve ku individi është qytetar dhe ku qytetarët ndërveprojnë me njeri-tjetrin si familjarë, si njerëz të një komuniteti.

Një ndër propozimet më interesante të Planit është propozimi për 5 pole zhvillimi urban, që do të jenë qendra të reja të qytetit, të cilat u ngjajnë e satelitëve rreth qendrës kryesore që është Sheshi “Skënderbej”. I njëjti model përthyhet në hapësirën rurale me 5 pole zhvillimi rural, si qendra gjysmë-urbane që i shërbejnë të gjithë rajonit ku ndodhen, por njëkohësisht sjellin një bashkëjetesë surprizuese të Shqipërisë së hapësirës urbane me atë rurale, të zonës qytet me zonën fshat, të pjesës ku zhvillohet jeta e qytetit dhe pjesës ku zhvillohet jeta e fshatit, në të njëjtin vend.

Duke e falënderuar arkitektin e njohur, që është kthyer në një mik shumë të vyer, jo vetëm i imi, por edhe i Tiranës, unë shpreh konsideratën më të lartë për punën e bërë në një kohë relativisht të shkurtër, por mbi të gjitha, për marrjen në konsideratë me shumë respekt e modesti, që është modestia e të mëdhenjve, të të gjithë eksperiencës së të shkuarës, të të gjithë kontributeve të arkitektëve dhe urbanistëve që i dhanë jetë këtij qyteti dhe e zhvilluan atë, për mirë apo për keq, deri kur erdhi dita që ju të bëheshit pjesë e kësaj historie. Po ashtu për të gjithë opinionet e marra jo vetëm nga ekipi i bashkisë, apo ekipi i Agjencisë Kombëtare të Planifikimit, por dhe gjithë të tjerët që janë të përfshirë në këtë proces. Ka qenë Stefano dhe ekipi i tij që kanë kërkuar me shumë insistim që të kenë sa më shumë kontakte me grupet shoqërore, me komunitete të ndryshme, jo vetëm në qendër, por edhe në periferi, me organizata të ndryshme, për të arritur të formësojmë një Plan që nuk është një prezantim që mbetet i bukur në letër, siç jemi mësuar për fat të keq ta shohim shpesh edhe nga arkitektët e mëdhenj, që me një lloj arrogance imponojnë apo kërkojnë të imponojnë çka mbetet e parealizueshme.

Kjo e bën Planin vërtet një instrument shumë të bukur, shumë konkret, shumë praktik dhe shumë të afërt me  njerëzit, që e ndjejnë dhe do ta ndjejnë si pronë të tyre dhe jo si një imponim nga një krijues i madh dhe ekipi i tij.

Shkruaj Mesazh

Kontakto me Kryeministrin

Shkruaj Mesazh

Reportazhe Eksklusive

Dokumentarë

Reportazhe Eksklusive

Për Gazetarët

Hapësira Mediatike

Për Gazetarët

Raport publik

300 Ditë

Raport publik