Postuar më : 02 Mars 2017

Vettingu, koha është tani!

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në seancë plenare në Kuvend:

 

Ajo që ka rëndësi është të mos humbasim kohë, por të qëndrojmë të fokusuar tek sfidat reale që sot janë të gjitha të mbledhura bashkë tek sfida e sidave, fillimi i vetting-ut. Fillimi i vettingut është për mbi 90% të shqiptarëve që duan reformën në drejtësi dhe vetting-un, çelja e një kapitulli të ri në ekonomi.

Rritja ekonomike, që ne kemi siguruar përmes reformave transformuese që kemi ndërmarrë me kurajë dhe vendosmëri, është e pamjaftueshme. Kush ka sot pakënaqësi apo edhe inat për situatën në të cilën ndodhet, të vetmin aleat që ka, ka këtë shumicë qeverisëse. Edhe ne jemi të pakënaqur, edhe ne jemi të revoltuar në përpjekjen tonë për t’i hapur rrugë vetting-ut dhe për të bërë të mundur pastrimin e pallatit të drejtësisë dhe pastrimin e rrugës nga një pengesë e madhe. Kjo pengesë është një nga arsyet pse Shqipëria nuk ka bërë aq sa është dashur të bëjë dhe sa ka mundur të bëjë në 20 e ca vite dhe Shqipëria mund të bëjë shumë më tepër me potencialet e veta.

Historia e Zharrëzës tregoi edhe një herë që njerëzit që kanë halle, kanë vetëm një aleat në këtë vend dhe ky aleat është kjo shumicë. Përtej gjithë retorikave, përtej gjithë shfaqjeve dhe pengmarrjeve për qëllime nga më të ndryshmet, por që të gjitha sëbashku janë qëllime të ulëta, problemin e trajtoi dhe do vazhdojë ta trajtojë kjo qeveri.

Kjo qeveri ndaloi injektimet e ujit teknologjik qysh në fundvitin e shkuar, sapo u shfaq problemi. Kjo qeveri ndërmori të gjithë procesin e vlerësimit të dëmeve. Shumica dërrmuese e atyre që dolën në protestë fundvitin e shkuar ishin duke plotësuar formularët e tyre, në ndërkohë që disa tutorë politikë dhe pseudo aktivistë, të cilët vijnë nga kanali i korrupsionit dhe i zullumeve në industrinë e naftës, “morën peng” atje 7 vetë, të cilët nuk i linin të iknin. Qysh në momentin e parë në diskutim, ashtu siç dëshmojnë edhe minutat e takimit të shkruara dhe të firmosura, nuk kishte asnjë diferencë midis çfarë kërkonin ata dhe çfarë qeveria kishte në tavolinë, të përgatitur. Por as për të komunikuar me ta nuk ishte e mundur, se duhet të kaloje nëpërmjet një të ashtuquajturi avokat, që fliste dhe vendoste në emër të tyre, që i mbante atje me pahir. Unë kam kërkuar të flas me ta dhe më thoshin “fol me avokatin”. Me avokatin apo me tutorin që i morri zvarrë dhe i solli në Tiranë? Me tutorin nuk ka asnjë arsye për të komunikuar, përkundrazi, ka arsye për t’ua thënë dhe rithënë shqiptarëve, që ishte një mizanskenë e ngritur mbi një hall të madh dhe njerëz me plot të drejtë të dëshpëruar.

Nga ana tjetër, nëse ka një qeveri që ka vënë kontroll në emër të interesit publik, në sektorin e naftës, pas 20 e kusur vitesh, është kjo qeveri. Nëse ka një qeveri që ka kërkuar zbatimin rigoroz të kontratave dhe që ka rihapur rrugën e negocimit të kontratave për çështje të caktuara, duke u imponuar, është kjo qeveri.

Të thuash se Bankers i paska 500 milionë euro borxh shtetit është një gënjeshtër 500 herë më e madhe se e vërteta. Por shifrat janë shifra. Ne kemi imponuar mbi Bankers një regjim të ri detyrimesh, duke i vënë përpara përgjegjësisë për një sërë aspektesh që nuk funksiononin mbi bazën e kontratës. E vërteta është se qysh prej vitit 2014, buxheti i shtetit merr 40 milionë dollarë më shumë. Ashtu sikundër kemi mbledhur deri tani 37 milionë nga shuma që konsideronim detyrim ndaj shtetit. Por është frenuar mbledhja e e pjesës tjetër, që është pak a shumë edhe njëherë aq, për shkak të arbitrazhit ndërkombëtar. Kompanitë me ato kontrata mund t’i bëjnë shtetit shqiptar gjëmën, në qoftë se shteti shqiptar nuk është i kujdesshëm.

Është kjo qeveri që ka marrë mbrapsht fusha nafte të keqshfrytëzuara, me kontrata mizerabël, të shkelura edhe ato dhe sot i ka shteti shqiptar dhe publiku; Fusha e naftës në Vlorë dhe në zonën e Gorishtit, qoftë nga Stream Oil-i famëkeq, qoftë nga kompania tjetër me të cilën i lamë duar pak kohë më parë, por e ka bërë duke ndjekur të gjitha procedurat dhe jo duke mbajtur fjalime pa lidhje.

Sot, sektori është shumë herë më në funksion të interesit publik. Sot, buxheti i shteti ka të ardhura që nuk i kishte më parë, falë vendosjes së kësaj disipline fiskale mbi kompanitë. Sot, edhe vetë Alb-Petrol siguron të ardhura, jo si deri para 3 vjet e gjysmë, që ishte një gropë e zezë. Të gjitha këto janë rezultat i punës së qeverisë.

T’i kërkosh llogari për kancerin dhe për azmën, një qeverie që ka 3 vjet e pak në detyrë, siç bëjnë këta që vijnë këtu për të rrotulluar thikën në plagët e hapura prej 20 e ca vitesh, është një përpjekjeje e dëshpëruar, për të gënjyer njerëzit e dëshpëruar.

Çdo qytetar, çdo prind, çdo kompani, që mendon për të ardhmen ka vetëm një rrugë për ta garantuar të ardhmen dhe kjo rrugë është aleanca me këtë shumicë. Nuk ka aleancë tjetër që siguron vazhdimësinë në këtë rrugë reformash dhe siguron një rritje të mëtejshme ekonomike. Çdo aleancë tjetër është kthim mbrapa në historitë me të cilat kemi 3 vjet e gjysmë që luftojmë për t’u ndarë. Në çdo hap duhet njësoj si në një rrugë të re, ku duhen prishur të gjithë ndërtimet pa leje për të ndërtuar rrugën, në çdo sektor, në çdo hap duhet prishur një gjë e bërë keq dhe duhet rifilluar ndërtimi.

Nëse sot, njerëzit paguajnë energjinë elektrike në një vend ku 52% e konsumatorëve refuzonin ta paguanin ose e vidhnin, nëse sot, njerëzit respektojnë shumë rregulla që deri dje as nuk mund të imagjinoheshin të respektoheshin, nëse sot, pagimi  i taksave dhe baza e kontributeve është e zgjeruar, kjo vjen sepse ne po bëjmë shtet, sepse kemi një vizion të qartë, një program të qartë dhe një vendosmëri që nuk e lëkund dot asnjë gozhdë dhe asnjë vrimë. Kemi vendosmërinë për të shkuar më tutje dhe në këtë rrugë, Reforma në Drejtësi dhe vetting-u janë kyç, në funksion të ekonomisë dhe në funksion të punësimit.

Ne kemi bërë gati dhe kemi filluar punën për të vënë në jetë programin “Një miliard plus për rindërtim”, për rrugë, për shkolla, për qendra shëndetësore. Është e padiskutueshme që në tre vitet e ardhshme, ne do të shkojmë në më shumë se mbi 5 % rritje ekonomike vetëm nga impakti i këtij programi. Janë shifra, janë llogari, janë kalkulime. Por na duhet të rrisim investimet private, të huaja dhe të brendshme.

Nëse shohim hartën e investimeve të huaja në rajon, Mali i Zi është vendi i parë në volumin e investimeve të huaja. Po të shikoni diferencën e Malit të Zi me vendet e tjera në volum financiar, diferencën e bëjnë  tre investime në turizëm, në shumën e afro 1 miliardë dollarëve.

Shqipëria ka një potencial shumë më të madh se Mali i Zi, sa i përket sasisë dhe diversitetit. Shqipëria ka dy dete, një peizazh shumë më atraktiv, si dhe potencialin e turizmit malor. Eksperienca e këtyre tre viteve tregon qartë se siguria juridike është “A”-ja dhe “Zh”-ja.

Jemi i vetmi vend në gjithë Mesdheun pa një marinë turistike. Një investim për një kompleks turistik me 5 yje dhe me një marinë, e nisëm si procedurë mbi një truall pronë shteti, ish repart ushtarak, të bazuar në ligjin për investimet në turizëm, që ka miratuar ky Parlament. Bëmë dy vjet përgatitje. Në momentin e fundit, kur duhet të konkludonim kontratën, vjen vendimi i gjykatës që thoshte se shteti e kishte humbur ndërkohë atë pronë. E humbur në mënyrën më spektakolare që, po të mos shohësh vendimin, është shumë e vështirë ta besosh.

Pretendentë si pasardhës të një familje me emër, por që kurrë nuk ka pasur lidhje me atë zonë, kërkojnë 49.8 ha. Gjykata u jep 498 ha. Dhe 498 ha, pronë e popullit dhe e shtetit, kthehen në pronë private.

Ky nuk është i vetmi vendim skandaloz. Janë dhjetëra e dhjetëra vendime të tilla, të dhënë nga gjykatat. Ne humbën një investim, humbëm punësim, humbëm një instrument më shumë për zhvillim. Por ne mund të humbim edhe tre, katër investime të tjera, dy prej të cilave shumë më të mëdha sesa ky që sapo thashë dhe që janë në rrugën e diskutimit me grupe shumë serioze. Nëse siguria juridike nuk është 100%, nuk vjen grup të investojë 200, 300, 500, 1 miliardë në turizëm për komplekse me 5 yje.

Vetting-u i hap rrugë këtyre investimeve.

Vetting-u bën të mundur që të mos kemi më kriminelë që arrestohen nga policia, - janë mbi 100 raste, të cilat i ka bërë publike vetëm Ministri i Brendshëm, një vit më parë - për vrasje, për përdhunim, për grabitje me forcë dhe lirohen në sallën e gjyqit, sepse nuk ka prova. Ata kanë ripërsëritur krimet e tyre; vrasësi rivret, përdhunuesi ripërdhunon, grabitësi rigrabit. E këtë nuk ka polici, nuk ka qeveri dhe nuk ka popull që e zgjidh, nëse nuk ka gjykata që i zgjidhin, nëse nuk ka prokurorë dhe gjykatës që mbajnë anën e Kushtetutës, ligjit dhe popullit.

Vetting-u bën pikërisht këtë. Një ndarje me thikë brendapërbrenda të sistemit të drejtësie, ku kush është i përzier në krime duhet të largohet dhe duhet të japi llogari për krimet që ka bërë dhe kush kalon testin duhet të shërbejë në bazë të Kushtetutës dhe ligjit.

Ashtu sikundër janë të panumërta rastet  e nëpunëseve të shtetit, të vërtetuar dhe të larguar nga shërbimi civil ose nga administrata për kontrabandë apo korrupsion, që me vendim gjykate ose duhet të kthehen në punë, ose duhet t’u paguhet një rrogë. Çdo muaj duhet të vazhdojmë t’iu paguajmë rrogën, sepse sipas gjykatës, ata janë të pafajshëm. Ndërkohë që gjithçka që ka çuar në largimin e tyre, provon fajësinë e tyre dhe përfshirjen në kontrabandë, në ryshfet, në korrupsion. Si zgjidhet kjo, duke ia ndaluar rrogën me dhunë, apo duke hequr murin e padrejtësisë që është ngritur në sistem?! E dyta është e vërtetë!

Pa diskutim, aq sa kompleks është problemi i papunësisë, aq sa komplekse është lufta për të rritur punësimin, në këtë kompleksitet, një çelës absolutisht i domosdoshëm për të hapur një derë të bllokuar prej kaq  shumë vitesh është reforma në drejtësi përmes vetting-ut.

Nuk ka rastësi, nuk ka as nevojë për shkencë për ta kuptuar pse në këtë sallë, ana e djathtë, ana e gozhdës është bosh. Është bosh, sepse ata nuk e duan vetting-un.  Sepse lidhjet e tyre me pushtetin gjyqësor janë lidhje në mëkat dhe humbja e këtyre lidhjeve është ekspozim përballë mëkateve të tyre. Nuk ka asnjë mundësi tjetër për të arsyetuar këtë mungesë, kur e gjithë retorika lidhet me krimin, me kriminelët, me drogën dhe gjitha të zezat dhe mundësitë që ky parlament, kjo shumicë i ka dhënë për të pasur 50% të përgjegjësisë për të zgjedhur komisionet e vetting-ut, nuk e shfrytëzojnë. Si u zhvilloka lufta me krimin, me drogën e gjithë këto të zezat, nëse nuk jep kontributin që të detyron Kushtetuta, por që edhe duhet të burojë vetvetiu nga kjo panoramë shqetësuese për të pastruar pallatin e drejtësisë!

Kush mund t’i përjashtojë këto argumente dhe të thotë se lufta kundër krimit, kundër drogës, etj., nuk ka lidhje me gjykatat e gjykatësit, nuk ka lidhje me prokurorët, nuk ka lidhje me vetting-un, nuk ka lidhje me reformën në drejtësi, por ka lidhje me qeverinë. Ç’lidhje ka me qeverinë!

Ka lidhje me qeverinë, që kur ne morëm detyrën, policia ishte institucioni më i diskretituar dhe më i pabesueshëm për shqiptarët dhe sot është institucioni më i besueshëm në Shqipëri. Më i besueshëm për publikun shqiptar, jo se e themi ne, por bazuar në të gjitha anketimet ndërkombëtare dhe në anketimet e Komisionit Europian. Këtë e thonë shqiptarët. Natyrisht, shqiptarët që janë jashtë vorbullës së debatit të përditshëm  politik, ku të gjithë bëjnë sikur flasin në emër të tyre, sikur mbrojnë të drejtat e tyre, apo përvëlohen për ta. Në fund të ditës janë ata që vendosin dhe ata do të vendosin në 18 qershor. Këtu do të jemi prapë dhe do të shohim si do të vendosin.

Të thuash që në Shqipëri ka papunësi, thua diçka që e dinë të gjithë dhe e thonë të gjithë, por të luftosh me papunësinë dhe të rrisësh punësimin, nuk mjafton ta thuash, duhet të dish ta bësh. Vetëm kjo shumicë di ta bëjë, sepse janë faktet që tregojnë se di ta bëjë. Të thuash se në Shqipëri ka varfëri dhe të paraqitesh si paladin i të varfërve është gjeja më e lehtë, por të luftosh varfërinë është një histori krejt tjetër dhe të mendosh se kanceri i varfërisë luftohet me aspirina dhe pudër, është thjesht mendjelehtësi.

Reformat tona janë terapia e duhur për të luftuar  edhe varfërinë. Sot, Shqipëria është më e mirë seç ishte 3 vjet e pak më parë, por patjetër duhet bërë shumë më e mirë dhe kush e bëri më të mirë se 3 vjet e pak më parë, janë këto përpjekje, e bënë këto reforma, që janë vetëm baza për të bërë shtet. Nuk janë pikëmbërritje, por janë baza. Pastaj fjalët e tjera janë konsum i kohës dhe mënyrës për të siguruar një punë këtu në Parlament.

Shkruaj Mesazh

Kontakto me Kryeministrin

Shkruaj Mesazh

Reportazhe Eksklusive

Dokumentarë

Reportazhe Eksklusive

Për Gazetarët

Hapësira Mediatike

Për Gazetarët

Raport publik

300 Ditë

Raport publik