Postuar më : 30 Dhjetor 2016

2017, viti i programit më të madh të investimeve, 1 miliardë euro

Konferenca për shtyp e fundvitit e Kryeministrit Edi Rama me gazetarët, e  kombinuar me pyetjet e drejtuara në rrjetet sociale, Facebook dhe Twitter:

Mirëdita!

Kjo është konferenca e fundit e vitit, ashtu sikundër është edhe në traditë, jemi këtu bashkë, por edhe me një risi që nuk jeni vetëm ju gazetarët profesionistë, por janë edhe gjithë gazetarët amatorë, që janë shprehje kuptimplotë e transformimit rrënjësor të aksesit në media dhe në informacion, miqtë e rrjeteve sociale. Kështu që do ta bëjmë  të kombinuar. Ndërkohë që unë nuk do bëj paraqitjen tradicionale të të gjithë arritjeve dhe sukseseve, por do të përqendrohem fillimisht, për ta hapur këtë bisedë, tek vetëm një aspekt që në këndvështrimin tim është aspekti më i suksesshëm i vitit që po ikën, - ekonomia.

 Ekonomia e vitit 2016 është pa asnjë dyshim, referuar shifrave dhe fakteve, aspekti më kuptimplotë i një procesi reformash që kanë filluar të çelin rrugën e re në drejtimin duhur. Kemi një ekonomi që rritet në mënyrë të qëndrueshme. Sipas gjithë parashikimeve, ky vit do të mbyllet me një rritje midis 3.3 dhe 3.5%. Nëse i referohemi pikës së hallit nga u nisëm, me një rritje ekonomike nga zero në zero presje diçka tjetër, pa asnjë diskutim kemi shënuar periudhën e një kthese kuptimplotë.

Nëse i referohemi ambicies tonë jemi ende larg kapërcimit të kufirit që i kemi vënë kësaj ambicie me 5% rritje ekonomike. Është viti që e përktheu këtë ndryshim thelbësor në bazat e ekonomisë, me spostimin e 100 milionë dollarëve nga arka e shtetit në arkën e familjeve të punonjësve të këtij shteti dhe të pensionistëve për një rritje të konsiderueshme rrogash dhe pensionesh.

Në asnjë vit, gjatë 25 viteve të këtij procesi kalimi nga diktatura e proletariatit  në një demokraci funksionale, nuk ka ndodhur që qeveria të bëjë një spostim kaq masiv të ardhurash në arkën e familjeve në formën e rritjes së rrogave dhe të pensioneve. Nga ana tjetër, asnjëherë më parë, rritja e rrogave dhe pensioneve nuk është shoqëruar me ulje të borxhit, por përkundrazi është bërë duke rritur borxhin.

Paketa e solidaritetit e fundvitit është një tjetër shëmbëlltyrë kuptimplotë e këtij aspekti themelor të vitit, që është ekonomia në rritje dhe në rimëkëmbje të qëndrueshme. Një paketë që shkoi në funksion të shprehjes së detyruar të mirënjohjes për të gjitha ata më në nevojë, që në të njëjtën kohë i kanë dhënë mbështetje vërtetë kuptimplotë reformave tona të dhimbshme, të vështira, kostot e të cilave janë ata të parët që i kanë ndjerë drejtpërdrejtë në jetën e tyre. Nuk po detajoj elementet e paketës së solidaritetit. Tanimë, të ardhurat e vendosura në dispozicion të 630 mijë pensionistëve; të familjeve në ndihmë ekonomike që për herë të parë marrin një mbështetje solidare për festat e fundvitit; të fermerëve që u goditën në ekonominë e tyre familjare nga epidemia vdekjeprurëse e lopëve; apo të familjeve të përmbytura, dëshmojnë sot një të vërtetë të thjeshtë, qeveria jonë nuk harron askënd dhe nëse mundësitë nuk janë që të përgjigjemi gjithmonë në çast, kur vjen momenti për të dhënë përgjigje, sepse krijohen mundësitë, ne japim përgjigje dhe këtë mund ta dëshmojnë të gjitha familjet në 18 bashkitë e Shqipërisë, që papritur dhe pakujtuar marrin atë që mendonin se nuk do e merrnin kurrë, dëmshpërblimin për pasojat e përmbytjeve.

Një aspekt tjetër që përsëri shkon në drejtim të ilustrimit të asaj që thashë që në fillim, të një ekonomie që është në një proces të shëndetshëm rimëkëmbjeje, është zerimi i kamatëvonesave për të gjithë pensionistët, për të gjithë familjet në ndihmë ekonomike, për të gjithë personat me status të veçantë social. 66533 njerëz, që pikërisht se pse kanë qenë qytetarë të mirë dhe kanë respektuar detyrimet e aktmarrëveshjeve me OSHEE, do t’i zerojnë kamatëvonesat e tyre, duke filluar nga janari i vitit të ri, duke paguar shumën simbolike prej dy lekësh. Nga ana tjetër, edhe 59461 të tjerë konsumatorë pa një status të veçantë, por me statusin e qytetarit të mirë, pikërisht për të njëjtën arsye, sepse kanë respektuar aktmarrëveshjet dhe kanë paguar detyrimet e tyre të prapambetura sipas aktmarrëveshjeve, do të zerojnë kamatëvonesat, me pagesën simbolike prej dy lekësh.

Ky zerim kamatëvonesash  do të thotë 155 milionë dollarë që lehtësojnë gjithë këtë shumë njerëzish, familjesh, konsumatorësh, në një volum të barasvlershëm me shumën që përpara reformës në energji paguhej nga arka e shtetit, pra, nga xhepat e taksapaguesve dhe paguesve të rregullt të energjisë elektrike, për të kompensuar vjedhjet dhe abuzimet me energjinë elektrike.

Një anë tjetër e këtij aspekti të rëndësishëm të këtij viti, që është fillimi i një ekonomie që prek me ndryshimin e saj në mënyrë graduale, por të qëndrueshme, të gjitha shtresat dhe grupet shoqërore, është gjithçka është arritur këtë vit nga pikëpamja e të bërit biznes. Kemi përmirësuar 32 pozicione në listën apo në klasifikimin global të Bankës Botërore për të bërin biznes. Kemi përmirësuar 45 pozicione në lehtësimin e pagimit të taksave. Kemi përmirësuar 13 pozicione në konkurrueshmëri. Kemi përmirësuar 20 pozicione në lirinë ekonomike. Kemi konsoliduar pozicionin përsa i përket rankimit të Shqipërisë nga “Standard and Poors”. Kemi një eurobond, që të mos harrojmë, vetëm 2 vjet më parë ishte në 5.75, - këtu bëhet fjalë për letrat me vlerë të qeverisë dhe për impaktin e vlerës së tyre në besueshmërinë e tregjeve dhe investitorëve - dhe sot jemi në 3.1, me perspektivën e padyshimtë që në 6 mujorin e parë të vitit të ri do të zbresin në 2.8. Me këtë qëndrueshmëri dhe besueshmëri të letrave me vlerë të qeverisë kemi të gjitha arsyet të besojmë se impakti i mëtejshëm në ekonomi do jetë  pozitiv.

Po ashtu kemi të gjitha arsyet të besojmë referuar shifrave të 9 mujorit se ky do të jetë viti me volumin më të lartë të investimeve të huaja në Shqipëri në 25 vjet, ndryshe nga çfarë kukuvajkohet në debatin e nxehtë dhe të paarsyeshëm politik dhe publik për rënie investimesh të huaja, për largim investitorësh, për vende të tjera në rajon që na tregojnë sesa mbrapa jemi. Në fakt jemi absolutisht në vitin më të mirë për investimet e huaja në Shqipëri dhe meqë është bërë e përsëritur kënga se duhet të marrim shembull nga Maqedonia, Maqedonia është shumë më ulët nga Shqipëria përsa i përket volumit të investimeve të huaja direkte. E këto që po them nuk janë opinione, këto të gjitha janë shifra, janë fakte të certifikuara nga institucionet financiare ndërkombëtare dhe nga Banka e Shqipërisë. Ashtu sikundër nuk është opinion, por është fakt që në sektorin jo bujqësor, punësimi ka shënuar shifrën e fundit zyrtare prej 187.594 individësh që janë sot më shumë në librin e taksave dhe të sigurimeve shoqërore të shtetit. Dhe shifra zyrtare është se vetëm në rrjetin e zyrave të punës se Republikës së Shqipërisë kemi 37 mijë vende të lira pune.

Nuk i thashë të gjitha këto, për të thënë sesa i kënaqur jam. Të gjitha këto i thashë, për të thënë sesa i pakënaqur jam. Jam i pakënaqur se sa më shumë të bëjmë, aq më shumë ndjej, besoj dhe kuptoj se potenciali është i jashtëzakonshëm. E përderisa në kushte kaq të vështira dhe nga një pikënisje aq dramatike e tre viteve më parë kemi arritur të bëjmë këtë që kemi bërë, mund të bëjmë patjetër shumë më tepër se kjo që kemi bërë  dhe do ta bëjmë. Në këtë drejtim shkon edhe programi i madh i investimeve publike prej 1 miliardë eurosh që do të çelet vitin e ardhëm, duke synuar një injektim financiar në ekonomi të një përmase që nuk ka ndodhur asnjëherë më parë në 25 vjet. Së pari, me një impakt transformativ në infrastrukturën rrugore nacionale, në infrastrukturën rrugore turistike, ku tanimë kemi përcaktuar edhe pikat ku do të bëhet injektimi, që nga zona e bregdetit të Jugut, gjithë zona e qarkut të Vlorës, Gjirokastra, Berati dhe zona lart e Thethit. Ashtu sikundër, edhe infrastrukturën rrugore, me impakt në konsolidimin e zhvillimit trasformativ që ka nisur  në Shqipërinë rurale në funksion të bujqësisë dhe të agropërpunimit, ku do të fokusohemi në dy territore, në qarkun e Fierit dhe në qarkun e Elbasanit kryesisht, pastaj në ato pika ku do të bashkëshoqërojmë, apo ku do të bashkërrugëtojmë me sipërmarrjen private dhe me bashkitë e interesuara.

Së dyti, në infrastrukturën shkollore. Programi do të financojë rindërtimin e plotë me të gjitha standardet të 100 shkollave dhe do të çelë po ashtu, rrugën për të hyrë në një fazë të dytë, në varësi nga shpejtësia e fazës së parë, për të  mbyllur përfundimisht nevojën për infrastrukturën shkollore të standardeve europiane në këto 28 mijë km2 të Republikës së Shqipërisë.

Së treti, në infrastrukturën shëndetësore. Fokusi kryesor do të jetë në ndërtimin  e një spitali ekselence rajonale në qarkun e Fierit dhe në ndërtimin e 10 qendrave shëndetësore ekselence në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë.

Së fundi, jo për nga rëndësia. Patjetër që ky ka qënë një vit shumë i rëndësishëm, përveçse për ekonominë dhe për drejtësinë, ku si në sektorët e tjerë thjeshtë janë vendosur gurët e parë të themelit të një ngrehine të re të sistemit të drejtësisë në Shqipëri.

Po e mbyll këtu paraqitjen time dhe po ua lë radhën juve, me lejen që herë  pas here tua u marrin radhën kolegët tuaj, jo profesionistë, nga Facebook-u dhe nga Twitter!

 

Mirëdita zoti Kryeministër. Ju lutem si do të vazhdojë bashkëpunimi me FMN-në vitin e ardhshëm. Ju faleminderit!

Kryeministri Edi Rama: Shumë faleminderit për pyetjen. FMN-ja pati një rol të pazëvendësueshëm në këtë proces daljeje nga tuneli ku u gjendëm me marrjen e detyrës. Të mos harrojmë që trashëguam një borxh publik që ishte jashtë kontrollit, pothuajse. Por më keq se borxhi publik, një deficit që kërcënonte qëndrueshmërinë makroekonomike të vendit dhe një borxh të fshehur prej 720 milionë dollarësh ndaj të tretëve, që kishte bllokuar të gjithë sistemin e bankave në raport me sipërmarrjen, duke kërcënuar falimentimin e një numri kritik sipërmarrjesh të rëndësishme e duke shkaktuar largime të konsiderueshme nga puna të punonjësve të këtyre sipërmarrjeve.

Sot, faza kritike ka kaluar edhe falë programit me Fondin Monetar Ndërkombëtar. Programi është në fund të tij, por marrëdhënia jonë me Fondin Monetar Ndërkombëtar nuk do të ndërpritet. Do të hyjmë në fazë të re me një program tjetër. Por duke iu referuar situatës, jemi mirëkuptuar edhe me FMN-në, që programi tjetër do ketë një natyre krejt të ndryshme nga ky program korrektimi masiv fiskal, që përfundon në fund të këtij viti.

 

Duke iu referuar faktit që jeni në bilancin e 3 viteve të qeverisjes tuaj, rezulton që këtë vit për herë të parë ka shpërblime për pensionistët, keni planifikuar rritje të pagave dhe pensioneve për qytetarët dhe për administratën vitin e ardhshëm, falje të kamatëvonesave, të cilat i cituat dhe më herët. A janë këto masa elektorale që po ndërmerren nga qeveria jua në kuadër edhe të faktit që jemi përpara zgjedhjeve të 18 qershorit?

Kryeministri Edi Rama: Pyetje me vlerë, por besoj që as ju nuk dyshoni se kush do i fitojë zgjedhjet vitin e ardhshëm, siç nuk dyshoj as unë, siç nuk e dyshojnë as ata që duan t’i fitojnë, por e dinë që nuk i fitojnë dot. Kështu që ne nuk kemi asnjë arsye të marrim masa për të afruar zgjedhësit me politika ekonomike apo financiare elektorale. Më lejoni të them atë që, nëse nuk gaboj, e nënvizoi edhe përfaqësuesi i Fondit Monetar Ndërkombëtar, që është hera e parë në historinë e 25 viteve që qeveria shqiptare nuk përgatit një buxhet elektoral. Buxheti i vitit të ardhshëm është një buxhet që nuk ngjan në asgjë me të gjitha buxhetet paraelektorale të qeverive të mëparshme. Është një buxhet që ruan në mënyrë strikte të gjithë parametrat e domosdoshëm, në funksion të ambicies tonë për të ardhmen. E ardhmja jonë si qeveri nuk e ka kufirin në 18 qershorin e vitit që vjen, por e ka diku më larg. Besoj që edhe fakti që ne dhamë këtë paketë të madhe solidariteti është kuptimplotë, jo sepse janë zgjedhjet vitin e ardhshëm, por sepse reformat kanë filluar të japin rezultate. Detyra jonë është që rezultatet e reformave t’i ndajmë me njerëzit. T’i ndajmë me ata, pa të cilët reformat nuk do ishin të mundura.

 

Para rreth 3 vitesh, kreu i opozitës foli për dekriminalizimin dhe në atë kohë ju e konsideruat si një deklaratë politike, por realisht sot, pas implementimit të ligjit kemi jashtë parlamentit deputetë dhe zyrtarë të tjerë, të cilët ndoshta tashmë duhet të përballen me drejtësinë. A kishte të drejtë zoti Basha në pretendimin që ngriti para 3 vitesh?

Kryeministri Edi Rama: Ndoshta sot një pyetje duhet t’ia drejtoni zotit Basha. Si shpjegohet që në aktin e parë të zbatimit të ligjit, zoti Basha dhe partia e tij shkelën ligjin? Kjo është pyetja për zotin Basha. Unë e di përgjigjen, por jam këtu për të dhënë përgjigjet e mia, jo përgjigjet për zotin Basha. Dua t’ju them juve e përmes jush të gjithë atyre që nuk kanë lënë urë pa qëlluar e sasi balte pa hedhur ndaj meje dhe Partisë Socialiste, se për mua, procesi i ashtuquajtur i dekriminalizmit ka përfunduar ditën kur kemi votuar ligjin. Janë institucionet që duhet të zbatojnë ligjin dhe jo frymëzimi i të shkuarës që përkthehet shumë rëndom, këtu në këtë vend, në gjueti shtrigash, apo në nxitje për të bërë gjueti shtrigash. Unë nuk bëj gjueti shtrigash. E kam neveritur dhe një nga arsyet themelore pse i jam kundërvënë atij regjimi, ka qenë gjuetia e shtrigave. Për mua, ligji është aty, institucionet duhet të zbatojnë ligjin.

Përsa na takon, jo vetëm që kurrë nuk i jemi bërë pengesë zbatimit të ndonjë ligji, por nuk do i bëhemi në asnjë çast pengesë zbatimit të këtij ligji. E përsëris, mbledhja e djeshme e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dha një shembull kuptimplotë të këtij qëndrimi parimor dhe të këtij vullneti të fortë politik. Ashtu sikundër dha një shembull kuptimplotë të hipokrizisë së Partisë Demokratike dhe të drejtuesit të saj personalisht, që tjetër thonë, tjetër mendojnë, tjetër bëjnë. Le t’iu tregojnë shqiptarëve, pse, në rastin e parë që patën mundësi të zbatojnë ligjin, e shkelën ligjin? Si ka mundësi që për ta, kur vjen puna tek vetvetja, ligji është një letër pa vlerë?

 

Kryeministri Edi Rama: Ta bëjmë pak më popullore konferencën. Po i përgjigjem dikujt që pyet në rrjetet sociale: Je mirditor, apo të pëlqen fakti të jesh mirditas?  

E vërteta është se si familja e nënës time, edhe shumë familje të tjera, të cilat prej shumë gjeneratash janë në Vuno të Himarës, e kanë origjinën e tyre nga Mirdita. Janë mirditorë, të zbritur në buzë të detit përpara disa shekujsh. Nëse kjo quhet origjinë e imja nga Mirdita; po, kam një pjesë të origjinës nga Mirdita.

 

Kryeministër, edhe në fund të mandatit tuaj, edhe duke iu referuar buxhetit që kaloi para disa ditësh, nuk do ketë mbulim shëndetësor universal të plotë. A mund ta quajmë këtë premtim të mosrealizuar?

Ju thatë që viti që vjen do jetë viti me më shumë investime të huaja direkte në Shqipëri. A mund ta dimë nga vijnë këto investime të huaja?

Po ashtu, 300 mijë vendet e punës do jenë fund të qershorit apo jo?

Kryeministri Edi Rama: Ne kemi bërë një program qeverisës dhe sinë çdo program  qeverisës në çdo vend demokratik ka vizion, ka objektiva, ka edhe qëllime të përcaktuara. Vizioni ynë për mbulimin universal në funksion të kujdesit shëndetësor, jo vetëm që nuk ka ndryshuar, por është konsoliduar për shkak të hapave që kemi hedhur në atë drejtim. Objektivi ynë për të realizuar mbulimin shëndetësor universal nuk është i përmbushur, por më lejoni t’ju sjell në vëmendjen tuaj, që një zotim i ngjashëm, natyrisht, në kushte të tjera dhe në një dimension krejt tjetër, u bë nga Presidenti Obama, për të kaluar nga një sistem i caktuar i mbulimit me kujdes shëndetësor në një sistem tjetër dhe sot e gjithë ditën, sistemi është aty, por ende ka diskutime nëse është i plotë apo jo, që do të thotë që është një proces.

Për të shkuar te shërbimi shëndetësor universal duhet krijuar një sërë mekanizmash që kërkojnë kohën e tyre. Por, konkretisht, mjeku i familjes ishte me pagesë, është falas. Tarifat në spitale ishin 5-6 herë më të larta, sesa janë sot. Sot ka ende tarifa në spitale, por janë jo vetëm më të ulëtat në historinë e 25 viteve, por janë jo larg nga zero, pra, janë tarifa minimale. Kjo nuk nënkupton se jemi në përmbushje të objektivit, por nënkupton se jemi drejt përmbushjes së objektivit. Në vitin e ri 2017, 600 mijë njerëz të pasiguruar do të marrin falas të gjitha ilaçet e rimbursueshme, njësoj siç i marrin të siguruarit. Ashtu sikundër një sërë shërbimesh që të mos i numëroj, janë tërësisht falas, që nga hemodializa, tek check-up e me radhe shërbime  të tjera specifike.

Por ndërkohë, për të shkuar te mbulimi i plotë universal, na duhet paraprakisht të kemi dy gjëra që ne jo nuk i kishim, por që duhet t’i bëjmë nga zero. E para, të kemi një pasqyrë statistikore plotësisht të konsoliduar të të gjithë gjendjes shëndetësore të popullsisë, gjë që kemi filluar ta krijojmë me check-up-in falas. E dyta, të kemi protokolle kostosh për çdo kurë që bëhet në shërbimin tonë shëndetësor. Protokolle kostosh do të thotë që në çdo spital të ketë një kosto uniform për të gjithë shpenzimet spitalore në funksion të kurave. Kjo kërkon një bazë statistikore të jashtëzakonshme dhe një transformim të brendshëm strukturor historik, që ka filluar. Nga protokollet kalojmë tek autonomia spitalore dhe mbi bazën e autonomisë spitalore ndërtojmë edhe pjesën tjetër të ngrehinës së sistemit shëndetësor me mbulim universal, ku kujdesi shëndetësor jepet sipas nevojës dhe jo sipas xhepit. Pra, nëse e shohim në raport me objektivin përfundimtar, nuk jemi në përmbushje të objektivit. Nëse e shohim në raport me pikënisjen, jemi drejt përmbushjes së objektivit.

Përsa i përket investimeve nuk janë shifra të nxjerra nga opinionet. Janë shifra të nxjerra nga të gjithë kontributet e drejtpërdrejta në ekonomi dhe mund të merrni të gjithë regjistrin e këtyre kontributeve dh të shikoni që shifrat për të cilat po flas janë reale, pavarësisht se propaganda dhe gënjeshtra bëjnë punën e tyre dhe influencojnë edhe perceptimin, patjetër, se për këtë punë janë dhe propagandat dhe gënjeshtrat.

Për vendet e punës, 187594 punonjës sot janë plus në sektorin jobujqësor. Kur kam folur për 300 mijë vende pune, mund t’i referoheni edhe atyre që kam thënë publikisht, kam pasur parasysh çfarë nënkupton një vend pune në një shoqëri demokratike, jo vetëm krijimin e vendeve të reja, por dhe nxjerrjen nga skllavëria të atyre që punojnë në të zezë. Kjo është gjë që e kam thënë shprehimisht.

Megjithatë, nga pikëpamja e punësimit, Shqipëria sot ka rije të punësimit, nuk ka rritje të papunësisë. Këtë nuk e themi ne. Referojuni raporteve zyrtare të INSTAT-it, referojuni Bankës së Shqipërisë, referojuni Bankës Botërore dhe kujt të doni, rritja e punësimit është evidente. Ashtu sikundër rënia e papunësisë është evidente. Por dy gjëra dua t’ju kujtoj; E para, shifrën e papunësisë, ne e kemi rivlerësuar në vitin 2013, ashtu siç premtuam. Nga një shifër që fabrikohej në mjediset e kësaj godine, doli një shifër tjetër, që u publikua bazuar në anketimin real, pra, shumë më e lartë. Ndërkohë nuk jam duke pretenduar që nuk ka në Shqipëri një problem të madh të papunësisë, por jam duke nënvizuar që në Shqipëri kemi rritje të punësisë dhe rënie të papunësisë. Natyrisht, jo në përmasën që do të na duhej dhe që do të donim.

Ashtu sikundër, një nga komponentët themelorë të papunësisë në Shqipëri është mungesa e krahu të kualifikuar të punës, që vjen nga mungesa e plotë e një sistemi shtetëror të arsimit profesional në 23 vjet. E kemi nisur reformën e arsimit profesional me shkolla profesionale me 3 mijë vetë, ë cilët ishin njerëz tërësisht të braktisur, që thjesht merrnin një certifikatë, por nuk merrnin arsim profesional, sot jemi në vitin kur kemi 27 mijë nxënës dhe nxënëse të regjistruar në arsimin profesional. Kjo është një tjetër bazë për të synuar që vendet e lira të punës të plotësohen falë faktit që njerëzit do të jenë të kualifikuar. Ju jeni gazetarë. Unë e kam bërë disa herë këtë ftesë. Po jua bëj edhe juve. Shkoni nga Zogu i Zi deri në Durrës, trokisni në të gjitha ndërmarrjet që janë në dy anët e rrugës dhe kur të gjeni një ndërmarrje të vetme që s’ka asnjë vend pune të lirë, më lajmëroni. Në çdo derë do të gjeni 1,2,3 deri në 50-60 vende të lira pune vetëm në ato ndërmarrje që janë në buzë rruge.  Shkoni takoni sipërmarrësit, që nga sipërmarrësit në turizëm, në shërbime, në prodhim, ku të doni dhe diskutoni këtë që po them. Kur të gjeni një sipërmarrës që do t’ju thotë që nuk kam asnjë vend pune dhe kur të gjeni një sipërmarrës që nuk do t’ju thotë që kemi nevojë për krah të kualifikuar të punës, ejani më lajmëroni që e gjetët.

 

Kryeministri Edi Rama: Dikush shkruan të kam pyetur disa herë, por i keni bërë bisht pyetjes: A do ishit Kryeministër më i mirë, sikur mos kishe asnjë bashkëpunëtor dhe të kishe pushtet absolut 101%, pa u varur nga asgjë dhe askush?

Ky profil quhet “Luigji i XIV”. Unë jam thjesht Edi Rama.

 

Në paketën e investimeve më të madhe të 25 viteve, siç thoni ju, a parashikohet edhe ndërtimi i rrugës së Arbrit, apo përfundimi i rrugës së Kombit. Në takimin pas zgjedhjeve  lokale në Dibër iu keni premtuar dibranëve se do ta përfundoni këtë rrugë derisa të jeni në karrigen e kryeministrit, apo e keni bërë bazuar në bindjen tuaj se do fitoni edhe një mandat tjetër?

Kryeministri Edi Rama: Pse, ju keni menduar se kam thënë se do ta mbaroj rrugën e Arbrit, sa të mbaroj mandatin?! E para nuk e kam thënë kështu, por se rruga e Arbrit do të fillojë përpara mbarimit të mandatit. Patjetër kam thënë që do ta mbaroj unë si kryeministër, por unë si kryeministër do vazhdoj punën pas 18 qershorit.

Ndërkohë që rruga e Arbrit është në proces, ka filluar procedura nga Ministria e Transporteve. Po, do të financohet edhe Rruga e Arbrit nga ky program investimesh. Ndërkohë që, sipas llogarive të bëra, në pranverë do të kemi kontratën me fituesin e garës dhe do të çelim punimet për rrugën e Arbrit.

Patjetër që procedurat kanë elementët e tyre të paparashikueshëm. Sepse ka ankime, etj., siç na ka ndodhur me disa procedura, ku për fatin tim më të keq, si deputet i Vlorës më është dashur të nënshtrohem ndaj zvarritjes së procedurave, qoftë për lungomaren, qoftë për rrugën e lumit të Vlorë, dy projekte të mëdha të bëra me donatorë. Donatorët kanë edhe ata procedurat e tyre. Bashkimi Europian i ka të “mosozotshme”. Por edhe donatori tjetër, ai i rrugës së lumit të Vlorës, ka procedurat e veta. Janë procedura më të gjata sesa procedurat e shtetit shqiptar. Sidoqoftë, rruga e Arbrit është me procedurat e shtetit shqiptar. Duke marrë parasysh edhe ankimime të mundshme, ngado që të shkojmë, viti i ardhshëm do të jetë viti i fillimit të punës, gjysma e parë e vitit të ardhshëm shpresoj shumë. Ndërkohë që për rrugën e lumit të Vlorës jemi në fund të procedurës. Kam shumë këtu [në rrjetet sociale] nga lumi që vënë kujën sa herë që flitet për një program infrastrukture dhe nuk kanë faj. Ka 20 e ca vjet që as nuk i ka shkuar ndërmend se mund të vijë ta bëjë njeri rrugën e lumit të Vlorës. Tani kanë të drejtë që thonë se do e bëjë ky patjetër, se është edhe deputet i ynë. Edhe rruga e lumit të Vlorës do të fillojë brenda pranverës.

 

Meqë jemi tek Vlora zoti Rama, nuk është shumë larg 18 qershori, do të vazhdoni të jeni ju deputet i Vlorës?

Kryeministri Edi Rama: A keni parë apo keni lexuar për ndonjë që ikën nga Vlora, nëse ka një lidhje me Vlorën? Unë nuk njoh ndonjë. Unë di që kush ka lidhje me Vlorën, nuk e harron dot asnjëherë, edhe kur spostohet nga Vlora për të jetuar  në Tiranë, siç ka ndodhur me time më, asnjëherë nuk i shkon mendja se është nga Tirana, apo se Vlora vjen mbas Tiranës. Vlora është gjithmonë e para.

 

Pyetja tjetër ka të bëjë me presidentin meqë jemi afër dhe përsa i takon zgjedhjeve presidenciale. A ka mazhoranca një kandidat për president në këto momente, duke pasur parasysh edhe Presidentin aktual zotin Bujar Nishani, i cili ka shprehur ambicie për të vazhduar me një mandat të dytë?

Kryeministri Edi Rama: Zgjedhja e presidentit në Shqipëri nuk është një zgjedhje si në Amerikë. Shprehja e ambicieve më duket kohë e humbur, sepse nuk e vendos individualisht askush, nëse bëhet apo s’bëhet president. Individualisht, thjesht vendos t’i përgjigjet apo jo pozitivisht ftesës që i bëjnë për t’u bërë president. Ky është sistemi që kemi ne, nuk kemi një republikë presidenciale, kemi një republikë parlamentare. Vendos parlamenti dhe presidentin e ri do ta vendosi Aleanca për Shqipërinë Europiane.

 

Nuk ka një emër akoma?

Kryeministri Edi Rama: Jemi në vitin 2016, emri i presidentit të ri i takon vitit të ri 2017 dhe periudhës kur do të zgjidhet presidenti. Ju siguroj që jo vetëm nuk jemi keq për një emër, por do të kemi mundësi të diskutojmë me koalicionin dhe do të kemi atë që quhet vështirësia për të zgjedhur.

 

Kryeministri Edi Rama: Në Facebook, Enida Boceku thotë: “Kjo situatë e pashpresë e dëshirës së shqiptarëve për të abandonuar vendin, të rinjve të aftë që nuk gjejnë punë, pasi moto e punësimit është ose sahanlëpirës partiak, ose i nënshtruar pa të drejtë...”

Unë mendoj që, së pari, është bërë një propagandë e shfrenuar dhe mjaft deformuese e të vërtetës lidhur me njerëzit që zgjedhin të provojnë fatin e tyre në një vend tjetër. Shqiptarët e patën mundësinë e lëvizjes më vonë sesa gjithë të tjerët për shkak të regjimit. Edhe shtetasit e vendeve të tjera komuniste që jetonin në diktatura e kishin mundësinë të lëviznin dhe të zgjidhnin për të shkuar diku tjetër, shqiptarët jo. Vendi më i izoluar në Europë. E ashtu siç ka ndodhur në kohëra të ndryshme, në vende që sot janë shumë më të zhvilluara dhe shumë më të stabilizuara, edhe shqiptarët patën dallgën e tyre të madhe migratore, si rezultat i nevojës për një jetë më të mirë. Shqiptarët kanë ikur, ikin dhe do të ikin, kanë ardhur, vijnë dhe do të vijnë. Ne jetojmë në një botë, sot, ku është krejtësisht demagogjike të pretendosh se cilado qeveri në Shqipëri, apo kudo qoftë në vende që nuk quhen Gjermani, Austri, Suedi dhe këtu kam parasysh edhe gjithë Europën e jugut, Italinë e jugut, Greqinë, Portugalinë, Spanjën, do të mund t’i mbajë njerëzit dhe të frenojë ambicien e tyre për një jetë më të mirë, në një kohë më të shpejtë. Ashtu sikundër, nga ana tjetër nuk ka demagogji më të turpshme sesa demagogjia që thotë se shqiptarët po ikin se kjo qeveri i bëri të ikin etj. dhe Shqipëria do të zbrazet. Numërojnë ata që ikin, nuk numërojnë ata që kthehen. Dhe deri kur të ketë një balancë të plotë midis të dyjave, mund të duhet ende kohë, por askush nuk mund t’i thotë një të riu apo një të reje në Tiranë, në Kukës, në Shishtavec, në Devoll, në Dropull apo Konispol, se ti nuk duhet ta çosh nëpërmend se mund të realizosh ambicien tënde diku tjetër, sot, pa pritur që kjo gjë të ndodhin në fshatin tënd. 

Nga ana tjetër, unë dua t’ju kujtoj që, nëse shqiptarët nuk do të kishin emigruar në këto 25 vjet, ky vend nuk do të kishte rezistuar dot.  Janë emigrantët, burimi kryesor i rritjes ekonomike të 20 e kusur viteve në Shqipëri. Janë emigrantët që i dhanë Shqipërisë mundësinë të kompensojë boshllëqet e tmerrshme që trashëgoi nga e shkuara, siç i dhanë mundësinë Italisë të bëhet Italia. Italia pa emigrantët nuk do të ishte Itali. Çfarë do të ishte Irlanda pa emigrantët?! Nuk do të ekzistonte. Kjo nuk do të thotë që, nga ana tjetër, problemet e këtushme nuk janë probleme reale. Kjo nuk do të thotë që kushtet e këtushme, në zonat sidomos më të vështira, nuk janë arsyet. Janë edhe ato, arsye të forta. Ama, kujt tregon gishtin ndaj kësaj qeverie, a thua se varfëria, papunësia, braktisja e zonave të vështira, largimin nga Shqipëria i sollëm ne, se këto ishin fenomene që nuk diheshin, nuk njiheshin e nuk i shkonin njeriu nëpërmend deri para 3 vjetëve, thjesht kërkon t’i bëjë për budallenj dhe ku gjen budallenj, bën budallenj, por shumica dërmuese e shqiptarëve janë shumë të qartë për këtë fenomen.

Përsa i përket pjesës tjetër, punësimit, patjetër që ka probleme me mënyrën e punësimit në Shqipëri, por unë mund t’ju them se sot, Shqipëria është më e mirë me njerëzit që kanë aftësi dhe që aftësitë e tyre mund t’i tregojnë përmes konkurrencës, sepse shërbimi ynë civil, sot ka hyrë në një rrugë tërësisht të re. Unë mund t’i them vajzës që pyet dhe mund t’i them të gjithë vajzave dhe djemve që është e kundërta. Nëse i referohemi vajzave dhe djemve që fitojnë konkurset e shërbimit civil, nuk janë se janë sahanlëpirës partiakë, nuk janë njerëz të paaftë, por janë njërëz që fitojnë konkurse, ku 25 % e konkurseve mesatarisht nuk nxjerrin fitues. Nëse konkurset do të ishin për sahanlëpirësit, siç i quan Enida, nuk do të kishim një konkurs që s’do të nxirrte një fitues. Si shpjegohet që 25% e konkurseve nuk nxjerrin fitues?! Sepse janë konkurse reale. Jo më larg se mbrëmë kam folur me një djalë, - nuk dua t’i përmend emrin, - i cili më ka shkuar disa herë. Është anëtar i Partisë Socialiste dhe kërkonte ndihmë për t’u futur në administratë. I thashë, nëse do të hysh në administratën publike, duhet të shkosh në konkurs. E dëgjoi fjalën time dhe ka fituar konkursin. Jo më larg se mbrëmë më thoshte se kishte fituar konkursin, por akoma nuk ishte futur në punë, sepse janë marrë 3 veta, ndërkohë që janë 7 fitues. Thjesht është çështje kohe, që të 7-të do të hyjnë në punë. Por nuk kam parë asnjëherë që një njeri i aftë, insistues, të mos fitojë konkursin. Ka fitues të konkurseve të administratës publike që e fitojnë atë për herën e 6-të e të 7-të dhe janë njerëz realë. E nuk flasim për 10 veta, nuk flasim për 100 veta, flasim për mbi 2 mijë persona, të cilët mund të kontaktohen dhe të pyeten. Ashtu sikundër janë afro 3 mijë mësues dhe mësuese  që kanë hyrë me konkurs në punë. Shkoni takojini dhe pyetini. Ata nuk janë njerëz që dalin nëpër konferenca shtypi, nuk humbasin kohë duke bërë aktivitet gazetaresk, opozitar online, por janë njerëz realë të kësaj Shqipërie. Patjetër që ka probleme, patjetër që ka abuzime. Nëse do të thosha të kundërtën, patjetër që do të gënjeja, por patjetër që ka ndryshime të rëndësishme dhe në harkun e një 10 vjeçari, administrata publike e Shqipërisë do të jetë diçka krejt tjetër nga ajo që ishte, apo që është. Administrata është ajo që bën dallimin themelor mes vendeve dhe shteteve. Ato shtete, që në i shohim me admirim, i kanë ngritur administratat kur ne nuk kishim shtet fare. Është proces dhe për fat të keq, në 20 e ca vite nuk u bë asgjë për të vendosur gurët e themelit të një ngrehine që kërkon vitet e veta për t’u ngritur dhe për t’u konsoliduar kështu siç duhet.

 

Nga grupi juaj parlamentar apo nga aleanca juaj e maxhorancës, përfshi kryebashkiakun e Kavajës, janë larguar deri tani të paktën 5 zyrtarë të lartë. Në dijeninë tuaj, a ka të tjerë në parlament apo zyrtarë të tjerë të lartë të PS, apo të aleatëve me të cilët ju qeverisni, që i kap ligji i dekriminalizimit? A ju erdhi keq për zotin Roshi?

Kryeministri Edi Rama: Së pari, në dijeninë time, unë jam kryetari i parë i një partie politike, që kur kam bërë listën e deputetëve, kam kërkuar dëshminë e penalitetit dhe të gjithë ata që kanë hyrë në listën e deputetëve kanë sjellë dëshminë e penalitetit. Në vitin 2013, në Shqipëri i vetmi dokument zyrtar për të provuar pastërtinë e figurës së një personi ishte dëshmia e penalitetit. “Virgjëreshave” që më tregojnë imoralitetin në raport me këtë aspekt, ju shpreh vetëm përçmimin tim më të madh, pa hyrë në diskutim për shkallën e virgjërisë së tyre, sepse ajo është e njohur publikisht. Ndërkohë që ligjin e kemi votuar pa rezervë. E përsëris, nuk mendoj që është e ndershme, që është etike, që është demokratike që të sulmosh njerëz si në kohën e qëmotit, ndërkohë që njerëzit duhet të përgjigjen përpara ligjit. Sipas Partisë Demokratike, ligji duhej, sepse 19 deputetë të Partisë Socialiste ishin kriminelë. Edhe kjo prapë është një shkelje shumë e rëndë e etikës; t’i quash njerëzit kriminelë, pasi mund të jenë dënuar, apo mund të jenë ndaluar. Në cilin vend të botës, në cilën kushtetutë, në cilin ligj, në cilën të drejtë i lejohet njeriut t’i thotë njeriut kriminel, pasi tjetri ka bërë një dënim dhe e ka paguar?!

Kur vjen puna tek raporti me politikën, këtu flasim për një tjetër gjë. Flasim për një ligj që ka vënë kufizime, sepse kështu e kanë parë të arsyeshëm ligjvënësit lidhur me kandidueshmërinë. Kush nuk është i kandidueshëm për arsyet e të shkuarës së tij, nuk duhet të kandidojë, por kjo “kriminel” është e turpshme, është barbare, është kriminale, nëse doni ta dini deri në fund se si e mendoj unë. T’i ngresh dhe t’i ulësh njerëzit si kriminelë për arsye faktesh të së shkuarës së tyre, për të cilat mund të jenë dënuar, ose nuk janë dënuar hiç. E kush e bën këtë gjyq popullor shtrigash?! Me çfarë të drejte?! Në këtë pikë unë jam qartësisht në një pozicion tjetër dhe me krenari e mbaj këtë pozicion, sepse i përkas një gjenerate që u nda nga regjimi i vjetër edhe për këtë arsye, ndër shumë arsye të tjera. Ku janë 19 deputetët me rekorde kriminale në PS?! Ashtu sikundër unë nuk mund të ngre e të ul kriminel deputetin e Partisë Demokratike që humbi mandatin. E humbi mandatin për arsye të ligjit.  Kaq! Si qenka kriminel?! Kush e përcakton këtë?! Kush ua vë njerëzve këtë damkë?! E dini që Gjykata Kushtetuese italiane - dhe në shumë gjykata kushtetuese të vendeve demokratike sot, - ka vendosur të drejtën e harresës për të gjithë njerëzit e ndaluar, të dënuar, në raport me internetin. Brenda 3 vjetësh duhet të zhduken nga interneti të gjitha pamjet, lajmet, zërat, etj., që flasin për fajet, krimet apo çfarëdo qoftë, të dikujt që ka kryer dënimin. Kryen dënimin, 3 vjet mbas kryerjes së dënimit nuk mundet dot më të gjejë njeri gjurmë për ty. Aq më tepër që jemi i vetmi vend në botë që kemi këtë ligj dhe këtë e kemi bërë me vetëdije. Por ky kriminalizim i vazhdueshëm i politikës është barbar. Është jo edukativ, është ç’edukues, është pabesi ndaj fëmijëve tanë dhe ndaj të gjithë të rejave dhe të rinjve që dëgjojnë “kriminel ky, kriminel ajo, kriminalë ata, kriminelë të gjithë”.

Kush ka bërë një faj, për të cilin është dënuar për një vepër nga ato që parashikon ligji, sipas ligjit nuk duhet të kandidojë. Kush bën një deklarim të rremë, qoftë edhe për një vepër për të cilën po të kishte deklaruar, nuk do ta kapte ligji, nuk duhet të kandidojë.

Afatet janë të përcaktuara nga ligji, por njerëzit duhen lënë në jetën e tyre, në të drejtën e tyre, me familjet e tyre, me të afërmit e tyre, me miqtë e tyre, me fqinjët e tyre, sepse nuk jemi në Mesjetë dhe nuk jemi as në kohën e vjetër, kur tregoheshin njerëzit me gisht, sikur kishin sëmundje ngjitëse dhe nuk duhej t’i afrohej njeri. Këto janë skandale etike.

Duke ju falënderuar për pyetjen, unë ju them se e kam treguar me vepra që për mua, miqtë, shokët, bashkëpunëtorët janë të tillë dhe kur mes meje, miqve, shokëve dhe bashkëpunëtorëve hyn ligji, ligji nuk kapërcehet. Kur mes meje, miqve, shokëve, miqve dhe bashkëpunëtorëve hyjnë rregullat e bashkëpranuara të bashkëjetesës në Partinë Socialiste për çështje të rëndësishme etike, në raport me Partinë Socialiste, këto rregulla nuk kapërcehen. Por thënë kjo, askush nuk mund të më drejtojë mua gishtin në funksion të kriminalizimit të personit. E për më tepër mbas asaj që ndodhi dje në KQZ është shumë e qartë,  kush e ka seriozisht dhe kush nuk e ka seriozisht punën e shtetit. Se kjo është puna e shtetit. Qoftë dekriminalizimi, qoftë reforma në drejtësi, vetting-u, qoftë reforma në energji, reforma në arsim, reforma e universiteteve, janë punët e shtetit. Tek punët e shtetit, njerëzit, kundërshtarët mund të ndahen për mënyrën si bëhen punët e shtetit, por nuk mund të ndahen a duhet bërë, apo nuk duhet bërë puna e shtetit. Dhe këtu ndahemi ne me PD. Për Partinë Demokratike, punët e shtetit varen nga punët e veta. Për ne, puna jonë është puna e shtetit.  Ky është ndryshimi themelor.

 

 Ju tregoheni i sigurt që do t’i fitoni zgjedhjet e 18 qershorit, por pyetja ime është, do t’i fitoni vetëm, pa LSI-në?

Kryeministri Edi Rama: Kjo është pyetje e shumëpërsëritur e këtij viti. Shpresoj që mos ta kemi edhe në fillim të vitit tjetër. Por për mua përgjigja është shumë e qartë; partneriteti i Partisë Socialiste me Lëvizjen Socialiste për integrim nuk është partneriteti im me Ilir Metën. Unë dhe Ilir Meta jemi 2 drejtues të këtyre dy partive që i japim këtij partneriteti strategjik formën e koalicionit, por ky partneritet strategjik është përtej nesh. Në këndvështrimin tim është një domosdoshmëri shoqërore për vendin, për të pasur dy parti dhe një forcë të madhe progresive të qendrës së majtë që bën reformat që ka bërë.

Pastaj dallimet, problemet, defektet janë të gjitha gjëra, të cilat janë absolutisht të rëndësishme, por nuk janë arsye për të vënë në diskutim partneritetin strategjik. Aspektet taktike janë të mirëkuptueshme. Për ne s’ka një nevojë taktike që të bëjmë sikur s’duam, që të bëjmë sikur “ta shikojmë”, që të bëjmë sikur të presim etj., Për LSI është kjo nevojë taktike e respektueshme. Por partneriteti strategjik është afatgjatë dhe shkon përtej mandatit tim dhe mandatit të Ilir Metës, në këndvështrimin tim. Sigurisht që liderët e partive janë themelorë në mishërimin e duhur apo në hedhjen në erë të një programi apo të një partneriteti strategjik, por ama thelbi është që Shqipëria ka vuajtur kur kjo forcë ka qënë e ndarë. Ilir Meta mendon që koalicioni me PD ka qënë i suksesshëm. Unë mendoj që ai mandat i PD-së ka qënë një mandat vuajtjeje për Shqipërinë,  jo për shkak të LSI natyrisht, e kundërta e saj që thotë PD-ja  “që po të mos kishim LSI do kishim bërë çudira”. Asnjë çudi s’bënin dot ata se ata s’dinë të bëjnë shtet, s’kuptojnë shtetin.  

Por çfarë ka ndodhur më 8 vitet e qeverisjes së PD, çfarë ka ndodhur në vitin ‘92 deri në 97, dhe pse? Sepse PD është një forcë që nuk ka raport të shëndetshëm me shtetin, nuk ka raport me institucionet dhe i vetmi institucion në PD është Sali Berisha. Të gjitha gjërat e tjera janë relative. Çdo gjë mund të jetë, mund të mos jetë në varësi nga institucioni i vetëm që ka dhe që njeh PD dhe kjo nuk është personale, nuk ka asnjë lidhje, por kjo është e vërteta.

Më thoni një reformë reale shtetndërtuese që ka bërë PD në funksion të shtetit. Më thoni një sektor, ku ne nuk gjetëm gërmadhat e mosreformimit pa hyrë në të tjerat - dhe nuk po hyjmë tek pjesa “korrupsion, pa korrupsion” etj. Korrupsion në Shqipëri ka sot patjetër, por sot edhe më shumë se dje unë jam i bindur që korrupsioni nuk është një çështje individësh, është çështje sistemesh.

Patjetër që sistemi i drejtësisë është pjesë e sistemit që e pengon korrupsionin, por që korrupsioni të tkurret në mënyrë të qëndrueshme dhe pa kthim, duhet që institucionet të mos lejojnë nga boshllëqet e tyre korrupsionin që të jetë alternativa e institucionit.

 

Ka patur ndonjë dështim qeveria juaj këtë vit?

Kryeministri Rama: Ne nuk kemi dështime. Ne mund të bëjmë gabime, por dështime nuk kemi, në këndvështrimin tim, kuptohet! Nëse ju mendoni, ma thoni se jam kurioz, çfarë do quani dështim, mund bëjmë një diskutim.

 

Pyetja e fundit është për azilkërkuesit. “Le monde” ka shkruar sot se janë rreth 100 mijë azil kërkues shqiptarë dhe është numri më i lartë nga vendet e rajonit dhe flet për një letër të ambasadorit francez dërguar qeverisë shqiptare ku shpreh shqetësimin për këtë fakt.

Besoj që kjo është një e dhënë e vërtetë dhe nëse është e tillë a ka ndonjë rrezik Shqipëria që t’i rikthehen vizat ?

Kryeministri Edi Rama: Të fillojmë nga A-ja. Pse shqiptarët kërkojnë azil? Sepse shqiptarët kërkojnë punë, kërkojnë akses në tregun europian të punës që nuk e kanë, siç e kanë polakët, bullgarët, rumunët etj. Nëse do të numëronin polakët që kanë lënë Poloninë që kanë shkuar të punojnë në Gjermani apo në Angli në vitet qysh se janë në BE, shifra është mbi 1 milionë. Nuk e kam shifrën zyrtare, por po ju them janë miliona njerëz nga vendet e zhvilluara ish komuniste që s’postohen drejt vendeve më të zhvilluara brenda BE, sepse janë të lirë në një treg pune të hapur. Shqiptarët nuk e kanë këtë gjë dhe kërkojnë azil për të ndenjur aty. Në këtë proces ka një element që e kam thënë dhe e përsëris, shqiptarët lëvizin nga Shqipëria, lëvizin edhe nga Greqia, lëvizin edhe nga vende të tjera brenda për brenda që synojnë të qëndrojnë, duke përdorur procedurën e azilit.

Nga ana tjetër shqiptarët janë të parët për kthimin vullnetar në Shqipëri -se edhe kjo është një shifër - pas mosrealizimit të kësaj dëshire. Kështu që ky është një moment në të cilin politika europiane për arsyet e veta e nënvizon shumë, e rrotullon thikën në këtë plagë dhe e bën shumë të madhe këtë histori, por e vërteta është që në këndvështrimin tim, këtu s’ka asgjë të re. Është një proces absolutisht natyral i një historie 25 vjeçare ku ka patur dallgë të mëdha, ka patur dallgë më të ulëta, ka patur momente siç ishte momenti kur u duk sikur Gjermania mezi po priste që të shkonin të gjithë atje për t’ju dhënë punë dhe këto kanë qënë, janë dhe do jenë. Unë nuk i shoh këto si një arsye për të vënë kujën, ashtu sikundër nga ana tjetër e refuzoj me përçmim çdolloj lidhje të këtij procesi me qeverisjen në Shqipëri. E refuzoj me përçmim. Mbështetjen më të madhe kjo qeveri e ka nga shqiptarët që jetojnë jashtë. Nëse ne do të kishim votën e emigrantëve, PD do t’i ngjante PBDNJ në parlament, më besoni për këtë. Do ishte një PBDNJ e madhe, jo një Parti Demokratike e vogël, siç është sot në parlament. Kjo shpjegohet me faktin që janë dy gjëra që nuk janë të lidhur kështu siç përpiqet t’i lidhi propaganda me njëra-tjetrën, kanë lidhjet e tyre por jo kështu.

Përsa i përket letrës së ambasadorit, nuk lexoj unë kështu letra ambasadorësh, sa për dijeninë tuaj. Letrat e ambasadorëve i lexon ministri i jashtëm.

Nuk ka rrezik Shqipëria t’i vihen vizat. Ç’domethënë kjo? Nuk ka asnjë rrezik Shqipëria ti vihen viza. Është një pyetje e pakuptimtë. Ka përpjekje, ka zëra, ka parti që  kërkojnë të rishikojnë Shengenin, që kërkojnë të rishikojnë normat, që kërkojnë të rivënë kufijtë, që kërkojnë të vënë mure, por kjo nuk presupozon rrethimin e Shqipërisë. Kjo presupozon Europën. Nëse Evropa e bashkuar do vendosi të kthejë vizat për të gjithë, do kthejë vizat dhe për ne, por unë nuk mendoj se kjo do ndodhë, por nuk është se do vënë vizat për Shqipërinë siç thotë Saliu!

 

Ju e nisët për ekonominë që për ne është shumë e rëndësishme ekonomia. Paketa e investimeve publike prej 1 miliard euro si do të funksionojë. A do të jenë para që do të injektohen nga buxheti i shtetit apo do përqendrohet në partneritetin publik privat?!

Kryeministri Rama: E gjitha partneritet publik-privat.

 

Do jetë viti i koncesioneve, viti i ardhshëm?

Kryeministri Edi Rama: Sigurisht buxheti i shtetit ka kontributin  e vet sepse është buxheti i shtetit që do garantojë gjithë programin, por është e gjitha partneritet publik-privat. Ne sa më shumë na kritikojnë për partneritet publik-privat, aq më shumë nxitemi që ta çojmë atë më tutje.

 

Do ketë kosto të shtuara për qytetarët? Partneriteti gjithmonë sjell kosto.

Kryeministri Rama: Partneriteti publik-privat, ashtu siç e kuptojmë ne, nuk nënkupton asnjëherë kosto të shtuar për qytetarët. Po ua shpjegoj megjithëse ju duhet t’ia shpjegoni të tjerëve normalisht se jeni gazetare. Ka dy mënyra për të dhënë koncesione. Njëra është mënyra e vjetër. Vendosim skanerat në doganë dhe ju rrisim faturën atyre që kalojnë në skaner. Pra sipërmarrjeve, pra qytetarëve dhe me lekët e tyre paguajmë privatin. Kjo është mënyra e vjetër. Japim koncesion për kolaudim makinash, iu rrisim faturën qytetarëve, ua u bëjmë  radhën 45 km, siç e keni parë atje dhe - të gjitha ata që rrinë në radhë për leje makinash, ju lutem të mos e harrojnë që atë radhë aty e kanë kështu pagesë për politikën e PD kur ishte në qeveri. Këto janë koncesione me kosto për qytetarët. Këto janë koncesione që ne i kemi goditur dhe që ne nuk i bëjmë.

Ne ia u japim, ia u bëjmë shërbimin e hemodializës njerëzve në nevojë përmes partneritetit me privatin, por nuk i themi njerëzve paguani ju dhe shteti nuk paguan më shumë sesa ç’paguante më parë spitalet private. Ne kemi marrë një privat që bën investimin dhe ne shlyejmë investimin. Pra, pse bëhet një partneritet publik-privat? Për çfarë arsye shteti sot duhet te thërrasë kompanitë që të ndërtojë rrugët me një partneritet publik privat? Sepse shteti nuk i ndërton dot vetë. Sepse duhet që të gjitha paratë t’i hedhë menjëherë. Nuk i ka. Atëherë shteti thotë: merri ti paratë në bankë, fillo investo dhe unë gjatë viteve do të shlyej pak nga pak. Kjo nuk hyn në borxhin publik, kjo nuk nënkupton pagesa të qytetarëve për rrugët, për shkollat apo për spitalet. Pra, është vënie e parasë private në funksion të shërbimeve publike me interes reciprok. Shteti bën një shërbim shumë më të mirë, privati nxjerr fitimin e vet, patjetër se nuk do e bëjë për sadaka, por ama është e gjitha brenda parametrave të buxhetit dhe në diskutim me Fondin Monetar Ndërkombëtar. Në buxhetin e ri, ne kemi vendosur një tavan për të financuar këto operacione të mëdha, të cilat janë operacione që nuk i kemi shpikur ne. E keni parë infrastrukturën e Turqisë, çka ndodhur? E gjitha infrastruktura e Turqisë është ngritur kështu. Pra ti shumëfishon buxhetin tënd dhe bën të mundur veprën në një kohë shumë më të shpejtë, falë përfshirjes private!

 

Për të qëndruar tek paketa ekonomike për 2017 ju thatë që do të injektoni në ekonomi rreth 1 miliard euro. Është goditur herë pas here në Gjykatë Kushtetuese  ligji i pronave. Mendoni juve që ky e cënon sigurinë juridike, goditja e herëpashershme e këtij ligji në Gjykatë Kushtetuese?

Kryeministri Rama:  Ligji i pronave u godit në Gjykatë Kushtetuese nga interesa tërësisht të errëta dhe Gjykata Kushtetuese dha një vendim që është vendimi i parë në historinë e marrëdhënieve të gjykatave kushtetuese të një vendi demokratik me Komisionin  e Venecias, ku nuk mori në konsideratë të plotë opinionin e komisionit, nuk e rrëzoi ligjin, nuk preku një pjesë të konsiderueshme, por preku një pjesë që cenon frymën dhe funksionimin e duhur të ligjit. Presim zbardhjen  e vendimit. Fatmirësisht nuk bëri të njëjtën gjë me vettingun. Vettingu doli ashtu siç ishte dhe kjo ishte një gjë shumë e mire.

 

A ka një përqasje të re në politikën e jashtme të qeverisë shqiptare duke patur parasysh që këto kohët e fundit përfaqësuesit e partive politike shqiptare në Maqedoni, në Mal të Zi, por edhe në Serbi janë konsultuar herë pas here me ju?

Kryeministri Rama: Kemi bërë konsulta shumë vëllazërore do thosha, shumë konstruktive për situatën. Unë mendoj dhe ne mendojmë që situata në Maqedoni sot i jep shqiptarëve një mundësi të jashtëzakonshme, nëse shqiptarët do jenë në gjendje të bëjnë atë që duhet, si shqiptarë, në radhë të parë dhe pastaj secila parti si parti më vete, sepse është një moment pas zgjedhjeve kur shqiptarët mund të vendosin një vijë të qartë ndarëse midis politikës së përditshme dhe objektivave të shqiptarëve që janë të mishëruar më së miri në marrëveshjen e Ohrit dhe që janë neglizhuar për vite të tëra me radhë. Duhet t’ju them që jam shumë optimist për përparimin e vijës së arsyetimit në këtë drejtim nga të gjitha partitë shqiptare.

I kam takuar dje liderët e partive parlamentare, në pritje që dhe Partia Demokratike e shqiptarëve në Maqedoni të zgjedhë kryetarin dhe jam optimist, jam shumë optimist. Ashtu sikundër më vjen shumë mirë që edhe faktorët e tjerë politikë në Shqipëri kanë luajtur një rol pozitiv dhe jemi pothuajse në një sinkron tërësor, në këndvështrimin tim.

 

Zoti Rama, sidomos pas përshkrimit që i bëtë mbrëmë shtëpisë tuaj...

Kryeministri Edi Rama: Çfarë problemi ka shtëpia ime? Ju si ABC News e keni treguar shpesh shtëpinë time dhe nuk keni bërë asgjë tjetër, veçse keni shpifur. Ajo çfarë ju keni bërë në raport me shtëpinë time është krejtësisht jo korrekte, jo etike dhe jashtëzakonisht negative, e qëllimshme, për të manipuluar opinionin publik. Kjo është pikëpamja ime, meqë më dole tek shtëpia ime. Unë nuk kam dashur kurrë të hyj në këto lloj debatesh. Shtëpia ime është shumë më modeste sesa shtëpitë e shumë prej atyre që bëjnë opinionistin në Shqipëri. Po, ka mur të madh, sepse unë jam i gjatë.

 

Qoftë edhe nga një aspekt personal, a ndiheni i keqardhur që gjatë vitit 2016 humbët dy miq që i kishit gjithashtu edhe në politikë, të cilët çuditërisht ju akuzojnë për të të njëjtën gjë, për një drejtim të Partisë Socialiste në një mënyrë jo demokratike? Besoj e kuptuat që e kam fjalën për zotin Blushi dhe zotin Kokëdhima.

Kryeministri Edi Rama: Së pari, mund t’ju them që as njërin e as tjetrin nuk i kam bërë miq si anëtarë partie. I kam pasur miq si individë. Miqësitë e mia nuk më ndikojnë në moskryerjen e detyrës time, ashtu siç unë mendoj se duhet të kryej detyrën. Miq apo jo miq, unë nuk bëj dallime në momentin kur cenohet Partia Socialiste, në momentin kur cenohet puna jonë e përbashkët. Përsa i përket keqardhjes, kur hyn në këtë punë, ka gjithmonë keqardhje për shumë gjëra, por është pjesë e punës. Unë i kam marrë parasysh që të gjitha.

 

Pak ditë më parë është ndryshuar ligj që spostonte lojërat e fatit nga qendrat e banuara. Ky ligj duhet të hynte në fuqi këtë vit, ndërkohë që është shtyrë me disa vite të tjera. Ndërkohë që po për lojërat e fatit ju në vitin 2013, kur erdhët në pushtet, ju zoti Rama deklaronit, më lejoni t’ju citoj: “E ardhmja e vendit nuk mund të ketë asgjë të përbashkët me bixhozin. Shqipërisë nuk i duhet një aktivitet i tillë, qoftë edhe i ligjshëm”, pasi ju këtë aktivitet e cilësonit një krim që cenon harmoninë familjare deri dhe ekuilibrat psikikë të shumë njerëzve. Çfarë ka ndryshuar nga ky qëndrim i 2013-ës në 2016-ën, pasi për këtë ndryshim të qëndrimit tuaj keni dhe një akuzë nga opozita? Akuza e opozitës është që jeni ju që e kontrolloni bixhozin, ndaj dhe keni ndryshuar këtë qëndrim.

Kryeministri Edi Rama: Në momentin kur opozita bën një akuzë të tillë, detyra juaj është të më pyesni mua, a është e vërtetë apo nuk është e vërtetë? E kuptoni sa e rëndë është që unë të jem njeriu që luaj bixhoz dhe mbroj bixhozin në Shqipëri për gjithë shqiptarët? Detyra juaj nuk është t’ju tregoni shqiptarëve, në mënyrën më të deformuar, shtëpinë time, por t’ju tregoni shqiptarëve a është e vërtetë, apo nuk është e vërtetë kjo akuzë. Këtë nuk mund ta mësoni nga unë, se natyrisht, edhe nëse do isha unë, siç thonë ata, kontrollori i bixhozit në Shqipëri, mos prisni t’ju përgjigjesha e t’ju thosha Po, unë jam kontrollori. Natyrisht që unë do them të vërtetën time, po ku është gazetaria në këtë mes? Ku është investigimi në këtë mes? Ku është e vërteta në këtë mes?

Njësoj se me shtëpinë, një gjë që e keni bërë në mënyrë të përsëritur. Mund të më kishit pyetur edhe mua. Nuk kishit nevojë të tregonit shtëpinë, sikur të ishte shtëpia e Drakulës. Të më pyesni dhe mua, pastaj ju bëni tuajën, natyrisht. Unë nuk ju pengoj, askënd nuk pengoj. Unë e neveris këtë mënyrë të të bërit gazetari ping-pong; Ai thotë kështu, po ti çfarë thua, se ka zëra që thonë kështu... Atëherë, njerëzit çfarë duhet të besojnë? Ata që më besojnë mua, më besojnë mua. Ata që besojnë opozitën, besojnë opozitën dhe askush nuk ndryshon mendim. Sepse në mes nuk është dikush që u thotë, - në këtë rast - ky nuk është kontrollori i lojërave, ose ky është kontrollori i lojërave të fatit, kontrollori i bixhozit. Por njerëzit nuk kanë ndërmjetës, nuk kanë persona që i referohen fakteve. Ata shikojnë opinionistë që janë parti politike, janë militantë. Dalin dhe mbajnë qëndrime, njësoj sikur do votohen nesër. Ndërkohë që kur vjen puna tek e vërteta, e vërteta mbetet gjithmonë diçka në mes dhe njerëzit natyrisht thonë se këta janë të gjithë njësoj. Jo, nuk jemi të gjithë njësoj. Nuk jam unë kontrollor i lojërave të fatit.

E vërteta është që unë nuk kam ndryshuar asnjë presje nga ajo që kam thënë dhe ashtu e kam bindjen time. Ashtu siç është e vërtetë që nuk ia kam dalë të imponoj këtë bindje në një mazhorancë parlamentare, që është e përbërë nga njerëz që kanë bindjet e tyre, kanë idetë e tyre, etj.. Kemi arritur të bëjmë një disiplinim të konsiderueshëm, jo të mjaftueshëm, të lojërave të fatit. Kemi arritur ta ndalojmë hemorragjinë e tmerrshme të të gjithë pisllëkut që vinte nga informaliteti masiv dhe nga abuzimet masive, por nuk ia kemi dalë në këtë aspekt. Kjo është e vërteta. Pra, nuk kam ndryshuar unë mendim dhe nuk jam unë kontrollori i bixhozit. Unë jam që në Shqipëri nuk duhet të ketë fare salla lojërash, por në këtë pozicion s’jam mazhoritar. Nuk jam unë, shumicë e mjaftueshme për ta bërë këtë ndryshim. Kjo është e vërteta. Mos mendoni asnjëherë që çdo gjë që ndodh, ndodh ekzaktësisht siç unë dua që të ndodhë, sepse unë nuk jam Luigji XIV dhe lavdi Zotit që nuk jam.

Ju lutem shumë kuptoni që shqiptarët, qytetarët, publiku ka nevojë për ndihmë. Nuk mundet dot të jetë historia e këtyre shpifjeve, një histori ku ju jeni thjesht spektatorët e ping-pongut. Ndryshe janë spektatorët e tjerë, ju keni zë. I vetmi ndryshim i juaji me ata që nuk kanë mikrofon, nuk kanë kamera, nuk kanë gazetë, është se ju flisni, ata s’flasin. Ndryshim tjetër s’ka. Pse nuk e pyet atë që thotë se “ky i kontrollon”, më tregoni si i kontrollon, nëpërmjet kujt i kontrollon dhe ku i keni faktet që është ai që i kontrollon? Ose shkoni gjejeni ju. Por unë po të them që kjo është një shpifje si shumë gjëra të tjera që janë shpifje. Kur ju vini në diskutim edhe shifrat e ekonomisë, sepse nuk lexoni, nuk informoheni dhe nuk doni që të jenë të vërteta, çfarë do të thonë njerëzit! Ju vini në diskutim këto, jo më të mos vini në diskutim kush i kontrollon lojërat e fatit. Absolutisht, kjo është çështje fenomenale, jo personale.

 

Jam dakord me ju që akuza është e rëndë, por përballë saj nuk është normale që Kryeministri të heshtë. Besoj një akuzë e tillë duhet sqaruar . 

Kryeministri Edi Rama: Kryeministri i vendit sqaron në një vend normal, që funksionon normalisht, që ka media normale, që bëjnë punën e tyre. Nëse unë do t’iu përgjigjesha, më beso, të gjitha akuzave që bën opozita, do duhet të mbyllja zyrën dhe të rrija tek salla e konferencave të shtypit, të gdhihesha aty e të ngrysesha aty, bashkë me ju, sepse nuk mbarojnë dhe nuk do të zgjidhja asgjë, për faktin se nuk ka një të tretë që të thotë se kush ka të drejtë. Ky është thelbi i problemit. Nëse akuza është e rëndë, në qytetërimin tonë është vendosur që në kohën e romakëve që i takon akuzuesit të provojë akuzën, nuk i takon të akuzuarit ta provojë që nuk është ai personi që akuzohet. Unë po ju them: Jo nuk jam. Ti do thuash prapë “ka zëra që thonë kështu, apo se opozita mendon ashtu”. Ndërsa njerëzit, ata që janë me mua do thonë “jo, ç’lidhje ka ky”’; ata që janë me atë do thonë “ja ky maskarai që kontrollon dhe bixhozin” dhe këtu mbaron.

 

E thatë edhe në  Asamblenë e PS-së, e thatë dhe sot që qeverisja në këto 3 vjet ka bërë dhe gabimet e saj. A mund të na thoni një?

Kryeministri Edi Rama: Ju nuk keni nevojë t’i dëgjoni nga unë. Ju i numëroni gabime, edhe ato që s’janë gabime. Ç’ju duhet të keni dhe ca të tjera, apo ju ka mbaruar fantazia. Vazhdoni fantazoni. Të gjitha gabime i quani. Më thoni një gjë që, për ju, ne nuk e kemi bërë gabim.

 

Zoti Kryeministër, në Asamblenë e Partisë Socialiste ju thatë se nuk pranoni leksione për të arrestuar Klement Balilin. Pak orë më parë, ambasadori amerikan kishte deklaruar se prokuroria de ministri i Jashtëm dhe i Drejtësisë duhet të vihen në lëvizje për ta arrestuar atë. Ndërkohë që kanë kaluar 7 apo 8 muaj, ju çfarë mënyre keni për të arrestuar zotin Balili, përsa kohë nuk pranoni leksione nga të tjerët?

Kryeministri Edi Rama: E përsëris që është njësoj si të thuash që Eskobari nuk arrestohej sepse nuk donte Presidenti i Shteteve të Bashkuara, nuk donte Sekretari i Shtetit, nuk donte DEA, CIA dhe nuk di kush tjetër u përfshi me vite, për të kapur një person që e bëri kufirin e Amerikës autostradë dhe që xhironte në Shtetet e Bashkuara të Amerikës para kokaine sa General Motors dhe që e bëri policinë në Florida, lolo. Po jap një shembull, ashtu sikundër mund t'ju them që sot e gjithë ditën ka në Itali, njerëz shumë të kërkuar që nuk janë kapur akoma. Ashtu sikundër Italia për të kapur bosat e jugut, ka harxhuar burime financiare, energji njerëzore dhe kohë me dhjetëra vite. E mbani mend atë plakun që doli nga një zgafellë, që e kapën mbas, nuk e di sesa vitesh në kërkim? Aty ishte ai, në fshat. Që do të thotë që ne jemi 100% të angazhuar për ta kapur, policia është 100% e angazhuar për ta kapur. Nuk ka asnjë dyshim në këtë aspekt. Fakti që nuk kapet ende, nuk tregon që dikush e mbron, dikush e mbështet dhe aq më pak pastaj, është një arsye për t’i thënë qeverisë shqiptare, ato që ne dëgjojmë përditë nga të katër anët. Absolutisht jo! Kjo qeveri e ka treguar që është e ndarë qartësisht kur vjen puna tek zbatimi i ligjit. Policia e Shtetit e ka treguar qartësisht këtë gjë, por sigurisht që nuk është njësoj si të më kapësh mua tek PS-ja, se është e lehtë. Rri atje, e di kur vij unë dhe më kap. Është shumë më e komplikuar.

 

Zoti Shalsi, Kryetari i Komisionit të Veprimtarive Prodhuese, ka dërguar një letër ku deklaron shtyrjen e afatit të ligjit për mbetjet, pra për të diskutuar për dekretin deri në datën 25 janar, për të pritur të gjitha propozimet që kanë grupet e interesit dhe personat e përfshirë që kanë interes në këtë ligj. Pse po mbetet peng ky ligj, pra le të themi Dekreti i Presidentit? A është peng i aleatit tuaj, zotit Meta? Nuk keni vota për ta kaluar?

Kryeministri Edi Rama:  Ne kemi krijuar të gjitha kushtet dhe duam t’i krijojmë deri në fund, që kjo ndjeshmëri ndaj këtij ligji, që në këndvështrimin tim lidhet me të shkuarën dhe jo me ligjin, të adresohet. Për këtë arsye iu është dhënë kohë të gjitha palëve që të kontribuojnë me idetë e tyre. Ne ndërkohë kemi bërë disa ndërhyrje të tjera, për të dhënë më shumë garanci në raport me ndjeshmërinë. Jo se në këndvështrimin tonë ka probleme reale. Në këtë aspekt nuk është punë pengjesh, se nuk funksionon me pengje, pavarësisht se juve ju duhen këto lloj metaforash për t’u bërë më interesantë me publikun. Nuk funksionon me pengje koalicioni, funksionon me diskutim të brendshëm dhe me ndërveprim dhe për këtë arsye është pozitiv. Për këtë arsye është jashtëzakonisht i nevojshëm ky koalicion për këtë vend, sepse ka balanca të brendshme, që sa gjëra diskutojmë ne dhe sa gjëra na vendosin në kushtet kur bëjmë edhe debate shumë të forta brenda nesh, aq më mirë.

 

Ju lutem, meqenëse jemi në fundvit, çfarë note do t’i vendosnit qeverisjes suaj për 2016-ën, zoti Rama?

Kryeministri Edi Rama:  Nuk jam unë që duhet t’i vë notë qeverisjes. Jemi ju që duhet t’i vini notë, kështu që sa më keq, aq më mirë.  

 

Zoti Rama, edhe një kuriozitet në lejoni. Doja t’ju pyesja për Presidentin e ardhshëm. Ju flisni shpesh për rolin e grave në politikë dhe sa shumë u besoni atyre. A do të ishte një grua preferenca juaj, ndoshta më shumë sesa një burrë, në krye të shtetit? Nuk po ju pyes për emër.

Kryeministri Edi Rama:  Nuk ndërtohet mbi bazë gjinie, preferenca për Presidentin e Republikës.

 

Një pyetje për politikën e jashtme të Shqipërisë. Para një jave, ambasadori rus tha në një intervistë se pak më pak se para një viti është takuar me përfaqësues shqiptarë, për të ndërtuar komitetin ndërqeveritar për bashkëpunimin mes Shqipërisë dhe Rusisë, ku më pas do të flitej dhe për një vizitë tuajën në Rusi. Ndërkohë që është shprehur shqetësimi se pala shqiptare nuk e ka zgjedhur ende kryetarin e këtij komiteti. A do ta zgjedhë pala shqiptare kryetarin, si dhe drejtimin e bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Rusisë dhe a do të kemi një vizitë tuajën në Rusi?

Kryeministri Edi Rama: Ka një dokument të hershëm partneriteti që është diskutuar në nivel ministror prej vitesh. Sigurisht që marrëdhënia jonë ka kufizimet e veta për arsye që dihen, s’ka nevojë që t’i shpjegojmë këtu, por nga ana tjetër e kam thënë, ne kemi qenë një nga vendet që edhe në kuadrin e NATO-s kemi mbështetur qasjen e re të NATO-s, që pastaj u kthye në qasje zyrtare, shtrëngim dhe dialog. Në këtë aspekt, ne nuk kemi absolutisht asnjë rezervë për të dialoguar dhe për të komunikuar me Rusinë. S’ka asnjë problem në këtë drejtim, por qëndrimi ynë dhe pozicioni ynë është ai që ka qenë dhe nuk diskutohet  si anëtar i NATO-s dhe si vend që i ka të lidhura qartësisht interesat e veta strategjike me Shtetet e Bashkuara dhe me Bashkimin Europian.

Ju falënderoj shumë për gjithçka. Ju falënderoj edhe për kritikat. Ju falënderoj edhe për përpjekjet e pasuksesshme për të thënë të vërtetën, sidoqoftë janë përpjekje që duhen falënderuar. Ju uroj vërtetë çdo të mirë për vitin e ardhshëm.

Shumë faleminderit!

Shkruaj Mesazh

Kontakto me Kryeministrin

Shkruaj Mesazh

Reportazhe Eksklusive

Dokumentarë

Reportazhe Eksklusive

Për Gazetarët

Hapësira Mediatike

Për Gazetarët

Raport publik

300 Ditë

Raport publik