Postuar më : 29 Dhjetor 2016

Dhurata për fëmijët e kryeqytetit në këtë fundviti

Si një dhuratë e bukur fundviti për fëmijët e kryeqytetit, çeli dyert sot Qendra e re Kombëtare Kulturore për fëmijë, një hapësirë krejt moderne, plot gjallëri dhe ngjyra, e tjetërsuar dhe e konceptuar enkas për artistët e vegjël.

Shtëpia e re e artit, investim prej 65 milion lekësh rilindi në ngrehinën e vjetër, aspak funksionale, me kushte tejet të papërshtatshme, e cila u rikonstruktua tërësisht dhe u shndërrua në mjedise plot fantazi, ku fëmijët mësojnë dhe argëtohen.

Kryeministri Edi Rama ishte në Qendrën e re për të parë nga afër hapësirat ku fëmijët zhvillojnë çdo javë kurset jashtëshkollore të profilizuara në degët e arteve figurative, skenike e muzikore. Kryeministri vizitoi klasat e muzikës, pianos, këngës, baletit, pikturës skulpturës dhe aktrimit. Të pranishëm ishin edhe Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro, drejtues të qendrës, stafi pedagogjik i saj, prindër, etj.

Ministrja e Kulturës Kumbaro vlerësoi se ajo që përfitojnë artistët e vegjël nuk është vetëm një ndërtesë, por një program i mirëfilltë edukues përmes artit dhe kulturës.

Kryeministri Rama premtoi se qendra të tilla do të shtrihen në të gjithë vendin, duke formuar një rrjet kombëtar qendrash formimi artistik dhe argëtimi. “ Jam shumë i gëzuar që sot shikoj të realizuar këtë dëshirë për të krijuar një qendër të vërtetë formimi artistik dhe argëtimi për fëmijët. Jo të gjithë nesër do të vendosin të bëhen artistë, por në këtë rrugë duke marrë edhe këtë ushqim të veçantë shpirtëror dhe estetik, patjetër çfarëdo që të bëheni nesër do të jeni me siguri më të pasur në botën tuaj të imagjinatës, të mendimeve, të shikimit, të dëgjimit, të të folurit. E për këtë arsye ne duam që këtë mundësi të re që i krijohet fëmijëve këtu në Tiranë ta bëjmë të mundur edhe në qytetet e tjera.

Po ndërtojmë një qendër të madhe dhe shumë moderne fëmijësh në Korçë. Kemi një tjetër projekt në Berat në bashkëpunim me drejtuesit e bashkive të qyteteve të tjera, po kërkojmë të nxisim këtë proces për të pasur një rrjet të tërë kombëtar, ku fëmijët që kanë dëshirë të hyjnë në këtë labirint magjik të tingujve, të ngjyrave, të fjalës, të mund ta kenë të mundur dhe padyshim për të lehtësuar dhe mbështetur edhe prindërit që kanë nevojë që krahas përpjekjeve të tyre në muret e shtëpisë, të kenë edhe hapësira të tjera ku të mund t’i japin fëmijëve të tyre mundësinë që të socializohen me bashkëmoshatarë, të dëgjojnë mësues që mund t’i udhëheqin me kujdes për të marrë sa më shumë nga ky ushqim i posaçëm shpirtëror. Patjetër që Tirana është shumë e madhe për një qendër që nuk është e madhe sa Tirana, por duke parë edhe pjesëmarrjen, duke parë pastaj edhe si do zhvillohet qendra në vijim, me siguri, ne këtë eksperiencë mund ta shtrijmë dhe me pak të tjera më lokale, në njësi të ndryshme të Tiranës.

Sidoqoftë kjo është një eksperiencë e re, e bukur dhe patjetër që varet shumë nga prindërit, varet shumë edhe nga mësuesit sesa do ta bëjnë të vlefshme për fëmijët.

Sidoqoftë puna jonë nuk mbaron këtu. Ne do vazhdojmë të kemi vëmendje për ta përmirësuar në vijim këtë qendër, sepse është një eksperiencë tërësisht e re. Qendra ka ekzistuar si emër, ka patur disa mure dhe disa hapësira tërësisht jo funksionale që nuk kishin asnjë kusht dhe sot është një realitet krejt tjetër.

Unë nuk dua të zgjatem më shumë. Dua që t’i falenderoj prindërit që janë këtu sot. T’i komplimentoj që kanë zgjedhur që t’i japin fëmijëve këtë ushqim të veçantë, të ftoj prindër të tjerë ta bëjnë të njëjtën gjë dhe t’ju uroj një Vit të Ri, të gëzuar. Viti tjetër fillon me këtë qendër dhe shpresojmë shumë që koha, jo vetëm do na japë të drejtë, por do të na mësojë edhe ne se si ta përmirësojmë dhe më shumë atmosferën dhe si ta rrisim dhe më shumë cilësinë në këtë rrugë të re të bashkëpunimit me prindërit, në funksion të fëmijëve. Këtu janë disa mosha. Nuk janë vetëm fëmijët e një moshe dhe kjo e bën edhe më të larmishme, por edhe më komplekse punën e qendrës. Kështu që dua ta nënvizoj se prania e prindërve dhe nxitja e prindërve është e një rëndësie themelore dhe sa më shumë prindërit të jenë të përfshirë, dhe sa më shumë prindërit të na drejtohen ne për të shprehur, jo vetëm shqetësimin por edhe sugjerime, aq më mirë do të bëhet kjo punë e përbashkët.

Respekte prindërve!

Gëzuar fëmijëve!

Patjetër edhe suksese drejtuesve dhe animatorëve të qendrës!

Shkruaj Mesazh

Kontakto me Kryeministrin

Shkruaj Mesazh

Reportazhe Eksklusive

Dokumentarë

Reportazhe Eksklusive

Për Gazetarët

Hapësira Mediatike

Për Gazetarët

Raport publik

300 Ditë

Raport publik