Postuar më : 12 Qershor 2017

Drejt një transformimi epokal për Shkodrën

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në inaugurimin e rikonstruksionit të Urës së Bunës:

 

Mirëdita të gjithëve!

Më vjen shumë mirë që sot jemi këtu në Shkodër dhe fillojmë ditën me disa punë të mira që janë vazhdim i asaj që jemi përpjekur e do vazhdomë të përpiqemi për Shkodrën edhe pse dihet vështirësia e jashtëzakonshme që kemi për të gjetur përkthyes për të komunikuar me bashkinë.

Së pari, më vjen mirë që sot, ura e Bunës e cila u ndërtua që në vitin 1889 dhe ishte katandisur si në vitin 1959, është e rindërtuar plotësisht. Wshtë një vepër me rëndësi të veçantë arkitekturore, projektuar nga inxhinierët turk me iniciativën e guvernatorit të Shkodrës, kryetarit të Bashkisë të asaj kohe dhe është një urë që mban realisht histori të qytetërimit të Shkodrës, gjithë formën, por edhe moshën e saj, çka e bëri të domosdoshme ndërhyrjen tonë emergjente në kushtet ku ura, e cila është edhe monument kulturore, jo vetëm po degradonte për ditë, por ishte në rrezik shembjeje.

Është fatkeqësi që në vend që Kryetarja e Bashkisë të dëgjonte zërin tonë e të pranonte ftesat e përsëritura që i bëmë nga unë, deri tek Ditmiri, që në mënyrë këmbëngulëse kërkoi deri në fund, madje dhe në momentin kur filluan punimet që ajo të ishte këtu prezente, kjo nuk ndodhi, përkundrazi, u krijua një debat idiot mbi kush e ka urën në pronë dhe na doli që ky monument kaq i rëndësishëm për Shkodrën, na qenka pronë e ministrisë së mbrojtjes, por kjo natyrisht nuk është e vërtetë.

Sidoqoftë, le të mos merremi me këmbët e prishura të urës së atyre që qeverisin sot Shkodrën, por le të merremi me atë çka do të vazhdojmë të bëjmë. Përpara se të vinim këtu, pamë fillimin e punës në kantieret për rindërtimin tërësor të rrugës turistike Shkodër – Velipojë, e cila brenda 18 muajsh do të jetë krejt tjetër nga ajo që është sot, e kështu besoj se realizohet një nevojë e kahershme dhe një dëshirë e madhe e gjithë banorëve të kësaj zone, për të pasur një lidhje dinjitoze me plazhin dhe nga ana tjetër besoj që i jepet një shtysë reale ekonomisë së turizmit, duke krijuar këtë lidhje që do të jetë realisht krejt tjetër, në përmasa krejt tjetër, në shije nga çka ishte deri më sot.

Por nuk mbaron këtu sepse për ne është me rëndësi të madhe që të çojmë përpara një projekt zhvillimor strategjik për Shkodrën, që e kemi nisur sëbashku me Benet Becin, një shkodran që mishëron sintezën mes të majtës e të djathtës në qenien e tij dhe falë edhe bashkëpunimit me arkitektin tanimë të njohur për Shkodrën, i cili konceptoi Muzeun Kombëtar të fotografisë “Marubi” që është një nga perlat e arkitekturës bashkëkohore të kombinuar me tradicionalen e që tanimë është bërë një muze që ka hyrë në hartën e muzeve të fotografisë, në Europë.

Çfarë është projekti? Projekti kërkon që bregu i liqenit të Shkodrës, bregu perëndimor deri në Shirokë të transformohet rrënjësisht e nga ura deri poshtë, të krijohet një akses krejt tjetër për të gjithë ata që jetojnë në Shkodër apo vizitojnë Shkodrën.

Të mos harrojmë që qysh prej vitit 2005, liqenit të Shkodrës i është dhënë një status i veçante që e detyron shtetin ta mbrojë këtë pasuri. Megjithatë, çfarë ka ndodhur në 8 vitet që pararendën 44 muajt e qeverisjes sonë ishte vetëm shkatërrimi i kësaj pasurie, çka ka sjellë dhe jo pak përplasje diplomatike me Malin e Zi, për të cilat ne jemi ulur dhe kemi diskutuar për t’i lënë pas e për të parë përpara, sepse trashëgimia në këtë aspekt ishte shumë e rëndë e papërgjegjshmëria e gjithë strukturave të shtetit, në raport me këtë pasuri ishte alarmante.

Projekti do të rigjenerojë gjithë bregun perëndimor, duke ndërhyrë në infrastrukturën publike dhe duke u bërë një nxitës real i zhvillimit të turizmit dhe të ekonomisë për gjithë këtë zonë.

Muzeu i liqenit të Shkodrës dhe qendra e vizitorëve që do të kthehet në një pikë referimi identifikuese për zonën e liqenit pranë Shirokës, do të jenë një vlerë e rëndësishme e shtuar e zonës e po ashtu, ajo që është me rendësi është që projekti do të unifikojë bregun liqenor dhe do të krijojë jo vetëm një shëtitore, por edhe hapësira komplementare për aktivitete kulturore dhe sportive.

Nuk po hyj të numëroj gjithçka që më kanë shkruar këtu për investimet që ne kemi bërë në këtë zonë, por vetëm dua të theksoj një fakt, që Rilindja Urbane, e cila nga injorantët dhe për shkak të trashëgimisë shumë të rënduar që i mësoi të gjithë të bashkëjetojnë qetësisht me plehrat, me gropat, me pluhurin, me makinat, duke mos menduar asnjëherë për faktin që njerëzit që bashkëjetojnë në një komunitet kanë më shumë se për çdo gjë nevojë që të kenë hapësirën e tyre të përbashkët publike, - e kanë vizatuar si një histori sipërfaqeje, si një histori që siç e quajnë ata, “fasadat”.

Unë fjalën fasadë nuk e konsideroj negative sepse ia thashë dhe Lulit kur e takova, “po të ishte fasada e parëndësishme, ti nuk ke pse i kreh flokët kur del, dil i pakrehur, dil i pa veshur, dil i palarë dhe ti po ky je, nuk ka asnjë problem”. E kështu është për të gjitha. Parafytyroni një moment sikur të gjithë gratë të mos kriheshin më, të mos visheshin më, të mos kujdeseshin më, gjithë burrat të mos qetheshin më, të mos rruheshin më e të gjithë të dilnin e të merreshin me barkun që duhet mbushur dhe me shqisat që duhen vënë në gjumë, si do ishte sot qytetërimi.

E njëjta gjë vlen dhe për mjedisin dhe për hapësirat urbane. Unë nuk kam parë ndonjë vend ku hapësirat publike të jenë të shkatërruara e të ketë mirëqenie. Nuk e kam parë. Nuk di që ekziston një vend ku qyteti apo fshati të jenë të rrënuar e të ketë mirëqenie. Jo, nuk ka mirëqenie, ka vetëm mbijetesë dhe lëmoshë. Ndërkohë që “çuditërisht”, në vendet që kanë hapësira publike të bukura dhe që kanë fasada e që kanë ndriçim e trotuare, palma e pemë ka dhe mirëqenie. Një lidhje duhet të ketë këtu apo jo?!

Ndërkohë që aspekti tjetër i rëndësishëm është se ne kemi ngritur 641 kantiere nga Tropoja deri në Konispol që janë baza e një transformimi rrënjësor epokal, një transformimi qytetërues për Shqipërinë e nesërme. E në këto 641 kantiere, janë punësuar 49 326 njerëz shqiptarë, nuk kanë qenë as kinez, as turq, as pakistanez, por shqiptarë.

Gjithë ky program, jo vetëm që ka impaktuar seriozisht qytetet në radhë të parë e tani do shtrihet më tutje, më thellë në zonat rurale të bashkive të reja duke nxitur ekonominë, duke nxitur sipërmarrjen e vogël, duke nxitur konsumin, duke nxitur turizmin, por edhe ka injektuar para në ekonominë tonë kombëtare e ka krijuar punësim. Janë 49 326 vende pune të krijuara nga ky program dhe flasim për punonjës të regjistruar me sigurime shoqërore, e me të gjitha të tjerat.

Ne besojmë fort se pavarësisht se çfarë thonë gjithë shakaxhinjtë e përparimit e sharlatanët që mesa duket nuk dinë si të përballen me të bukurën e si të përballen me ndryshimin do të vazhdojmë fuqimisht me këtë program. E natyrisht, siç e thashë tani vjen faza ku do duhet të përfitojë shumë më tepër zona e fshatit nga ky program, por një gjë është me rëndësi, që ne besojmë që nëse turistët janë rritur si numër me 48% në Shqipëri, kjo lidhet patjetër dhe me këtë program. E nëse njerëzve do t’u lindë dëshira për t’u rikthyer në Tiranë, patjetër që do ketë një influencë në dëshirën e tyre edhe sheshi i rilindur “Skënderbej” apo gjithë transformimet urbane. E njëjta gjë për Shkodrën, e njëjta gjë për Vlorën dhe për gjithë Shqipërinë.

Shumë faleminderit për praninë tuaj këtu dhe dua t’i them gjithë shkodranëve se pavarësisht se na kanë vënë në pozitë të vështirë duke na e bërë të pamundur që të gjejmë përkthyes për të bashkëpunuar me kryetaren e bashkisë dhe me bashkinë ne do vazhdojmë për Shkodrën çdo muaj e çdo vit e më shumë. Në katër vitet e ardhshme, jam i bindur që e gjithë kjo zonë për të cilën por flasim sëbashku me Velipojën, do jenë pasqyra e një transformimi epokal për Shkodrën, e natyrisht edhe për Shqipërinë se Shkodra e reflekton dhe Shqipërinë.

Shumë faleminderit! 

Shkruaj Mesazh

Kontakto me Kryeministrin

Shkruaj Mesazh

Reportazhe Eksklusive

Dokumentarë

Reportazhe Eksklusive

Për Gazetarët

Hapësira Mediatike

Për Gazetarët

Raport publik

300 Ditë

Raport publik