Postuar më : 31 Korrik 2017

Largim drejtuesve të spitaleve, konkurs për një profil të ri drejtuesi menaxher

Fjala e Kryeministrit Edi Rama me drejtuesit e spitaleve:

 

Faleminderit që keni ardhur! 

Sot dëshiroj të komunikoj me ju, lidhur me një pasqyrë të aktualitetit të spitaleve dhe me një plan paraprak masash. Natyrisht, nëse kthejmë kokën pas dhe shikojmë se prej ku jemi nisur, padiskutim që janë bërë gjëra të rëndësishme, por, nëse shikojmë në sy njerëzit që marrin shërbimin dhe perspektivën se ku duhet të jemi, situata është larg së qeni e kënaqshme.

Është e vërtetë që është zgjuar ndjeshëm lista e barnave për përdorim spitalor dhe është garantuar një furnizimi vijueshëm i spitaleve tona me barna dhe materiale mjekësore, duke kuruar ndoshta jo plotësisht, por në një masë të konsiderueshme plagën e vjetër të mungesës kronike të barnave dhe është arritur që të dyfishohen fondet për barnat citostatike.  

Po ashtu është siguruar funksionimi i vijueshëm i pajisjeve kryesore biomjekësore, sepse së pari, u arrit që të vihen në gjendje të plotë pune ato që ishin në dispozicion si pajisje dhe janë më në fund, nën regjimin e kontratave të  mirëmbajtjes afatgjatë, të mirëmbajtjes me mbulim të potë të rrezikut nga defektet e mundshme, apo të garancisë për zëvendësim të pjesëve që konsumohen nga volumi i përditshëm i përdorimit. Së dyti, janë shtuar pajisje të reja të rëndësishme dhe të munguara prej kohësh, edhe pse nevoja për pajisje biomjekësore nuk është ezauruar.

Sot, shërimi ofrohet edhe në qendra të reja apo të rikonstruktuara tërësisht, sidomos në shërbimet e QSUT-së, por dhe në institucionet e tjera të rrjetit tonë spitalor.

Padiskutim që ka ndryshime të dukshme dhe të prekshme përsa i takon pajisjeve diagnostikuese dhe kuruese. Mjafton të përmend skanerin dhe rezonancën magnetike në Spitalin Universitar të Traumës, apo akseleratorin linear te neurokirurgjia dhe onkologjia, kabinetin e hemodinamikës e kështu me radhë, duke filluar nga spitali rajonal i Shkodrës, deri te spitali rajonal i Beratit e me radhë. Ndërkohë po financohet edhe fillimi i zbatimit të një plani modernizimi rrënjësor të QSUT-së, shërbimet e Kirurgjisë së Përgjithshme, Pediatrisë, si dhe ndërtimi i një spitali tërësisht të ri dhe ultramodern të sëmundjeve të brendshme.

Ofrimi i shërbimeve nëpërmjet Partershipit Publik Privat, Hemodializa, sterilizimi i instrumenteve të rinj kirurgjikalë e kanë rritur shumë ndjeshëm cilësinë e ofrimit të shërbimeve, qoftë për një grup, për një kohë të gjatë realisht të persekutuar pacientësh në nevojë për hemodializë, qoftë në tërësi për të gjithë shërbimet operatore.

Përfundimi i kontratës së partneritetit për shërbimin e laboratorëve do t’i japë fund, besoj, njëherë e mirë fenomenit të mungesës së realizimit të ekzaminimeve laboratorike në spitale.

Edhe Urgjenca Mjekësore është në një proces transformimi rrënjësor. Me ngritjen e Shërbimit Kombëtar të Urgjencës ka nisur ky transformim. Ne besojmë që me shtrirjen e plotë të sistemit të ri të Urgjencës do të kemi një ndryshim cilësor të këtij shërbimi për qytetarët në të gjithë territorin e republikës.

Sot janë 10 paketa shëndetësore falas, të rishikuara, edhe në spitalet jopublike nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor. Po ashtu ka një numër të konsiderueshëm përfituesish për shërbime, deri dje të paaksesueshme për këto kategori. Këtu s’kam parasysh vetëm 1050 pacientët që kryejnë dializën, por dhe 14 mijë pacientë që kanë përfituar pa pagesë, falas, ndërhyrje kardiologjie në spitalet publike dhe jopublike.

Ka qenë një histori suksesi edhe transplanti i veshkave në spitalet private, me financim publik, për 33 pacientë. Funksionon 24 orë shërbimi i Urgjencës Kardiake. Edhe shërbimi i Urgjencës Cerebrale Vaksulare që nuk ekzistonte fare më parë.

Në këtë vit që jemi zgjerohet financimi i kujdesit shëndetësor për sëmundjet kardiovaskulare, duke parashikuar edhe financimin e kujdesit për ndërhyrje të kardiologjisë intervencioniste për rreth 5900 pacientë, apo 250% më shumë se në vitin 2013.

Po ashtu është i akorduar buxheti për financimin e protezave ortopedike, jo vetëm në Tiranë, por dhe në disa spitale të vendit. Janë ngritur kabinete kimioterapie në Shkodër, Durrës, Elbasan, Korçë, Vlorë dhe në Spitalin Universitar “Shefqet Ndroqi”. Kemi një ulje të ndejshme të radhës së pritjes për ekzaminime të ndryshme, nga 6 muaj në 2 javë për angiografitë koronare; nga 6 muaj në 2 javë për provën e ngarkesës së zemrës; nga 3 muaj në 1 muaj për rezonancë magnetike; nga 2 muaj në 2 javë për skanerin.

Padyshim është shumë e rëndësishme, që pas një boshllëku të pashpjegueshëm dhe shumë të dëmshëm 3-vjeçar u rikthyen specializimet në mjekësi. Ka rreth 600 mjekë të rinj në specialitete të ndryshme, që po formohen për t’iu shtuar trupës mjekësore në vend.

Me buxhetin e këtij viti financohet edhe një rritje e ndjeshme e pagave të personelit të shëndetësisë, mesatarisht 10%, duke bërë që në të ardhurat neto të këtij personeli të kemi një rritje prej 25%, krahasuar me fillimin e kësaj pune në vitin 2013.

Ana tjetër e kësaj medaljeje është shqetësuese dhe tregon diçka që unë besoj është thelbësore, por të vërtetën e thjeshtë se shëndetësia padiskutim është e shtrenjtë, padiskutim kërkon financime, padiskutim kërkon infrastrukturë, por shëndetësia kërkon menaxhim të spitaleve, në radhë të parë. Të gjitha të dhënat, qoftë të marra në rrugë zyrtare, qoftë nëpërmjet ankesave të publikut,

Flasin për një nivel menaxhimi të papranueshëm.

Spitalet tona dhe unë besoj që një ndër shkaqet themelore e të pathëna, edhe për një dozë të madhe negativiteti me të cilën është ngarkuar figura e mjekut në Shqipëri, vjen nga keqmenaxhimi i spitaleve. Natyrisht, mjekët kanë përgjegjësinë e tyre, por është detyra e menaxhimit që t’i motivojë, të bëjë që ata të gjenden në kohën e duhur dhe në vendin e duhur dhe të mos mjaftohet me deklarata shtypi keqardhjeje, kur sulmohet pastaj një mjek, që është  padiskutim një fenomen barbarie, por edhe një fenomen, të cilin ne do ta shohim në brendësinë e tij si shprehje edhe e një energjie që akumulohet në territoret e spitaleve për shkak të keqmenaxhimit.

Spitalet tona mund të mos e kenë akoma infrastrukturën që dëshirohet dhe që synohet, domethënë, një infrastrukturë spitalesh moderne, me shërbime cilësore në të gjithë spektrin, por asgjë nuk e justifikon dhe asgjë nuk e kapërcen dot, ndjenjën e turpit për shtetin, që spitalet të mos jenë shembuj pastërtie dhe higjiene. Kjo është A-ja për çdo mjedis të shërbimit publik dhe për spitalet është A-ja, pas të cilës gjithë germat e tjera humbasin vlerat e tyre.

Sot, spitalet tona nuk janë pasqyrë e pastërtisë dhe higjienës. Përgjegjësinë për këtë e keni ju që jeni këtu, drejtuesit e spitaleve!

Territore spitalesh pis, mjedise spitalesh pis. Thjeshtë që kanë nevojë për të pasur sy dhe për të pasur duar. S’ka nevojë as për para, as për infrastrukturë, as për reforma, as për plane madhështore.

Spitalet tona janë sot dëshmi e një trashëgimie të rëndë të shumë viteve rrënim. Sidomos, kur flitet për plotësimin e nevojave me mjekë specialistë në spitalet rajonale bashkiake në të gjithë vendin. Kjo është një plagë e trashëguar, por, nga ana tjetër, personelit tonë mjekësor nuk mund t’i mungojë kurrsesi dhe për asnjë çast, gatishmëria për t’ju përgjigjur në kohë dhe me cilësi pacientit. Tek e fundit, pacienti meriton këtë të parën.

Nuk dua të bëj krahasime pavend, por nuk besoj se spitalet përpara vitit ’90-të ishin shëmbëlltyra të infrastrukturës moderne, të pajisjeve moderne, të ultra financimit. Ama po të bëjmë një krahasim të nivelit të higjienës dhe të nivelit të gatishmërisë së personelit nuk jemi 27 vjet përpara, por jemi 270 vjet mbrapa.

Kush e ka përgjegjësinë për këtë? Drejtimi i spitaleve, menaxhimi. E keni ju!

Spitalet kanë nevojë të financohen mbi bazën e aktivitetit që kryejnë dhe mbi bazën e performancës së tyre dhe nuk diskutohet që ky është një proces që duhet çuar përpara në funksion të autonomisë spitalore. Por ama elementi thelbësor sot, nesër dhe gjithmonë në këtë proces është stafi drejtues i spitalit. Është pikërisht ky staf që ka përgjegjësinë e madhe të mirëadministrimit si të burimeve njerëzore, ashtu dhe të atyre financiare që kanë në dispozicion.

Mbi të gjitha është ky staf që duhet të jetë në krye të punës për të marrë vendimet e duhura dhe në kohë, me qëllim që t’i përgjigjet siç duhet të gjitha nevojave, me etikë dhe me dinjitet. E në këtë pikë, padyshim që ka ende shumë për të bërë, për të pasur një shërbim shëndetësor të merituar për njerëzit.

Por në gjithë këtë amulli rastesh dhe shembujsh dëshpërues, përsa i përket gjërave më elementare, janë dhe shembujt shumë kuptimplotë, qoftë të QSUT-së, qoftë të spitalit “Shefqet Ndroqi”, qoftë dhe të Spitalit të Traumës. E këtu s’bëhet fjalë për të bërë një krahasim financimesh me spitalet e tjera. Këtu bëhet fjalë për të bërë një krahasim midis çfarë mund të bëjë një drejtues dhe një staf drejtues me të njëjtat para. Mjediset e jashtme të QSUT-së, mjediset e “Shefqet Ndroqit”, apo ato të Spitalit të Traumës nuk janë rezultat i ndonjë mbifinancimi, janë rezultat i faktit që drejtimi ka sy dhe ka duar.

Një nga plagët e mëdha që përmenda është mungesa e specialistëve. Ju të gjithë që keni ardhur nga jashtë Tiranës. Por si t’i përgjigjem unë pyetjes, pse, pasi qeveria ka ndërmarrë një nismë të kushtueshme për buxhetin e shtetit, për kompensim financiar për të gjithë mjekët që marrin shërbime, pra, marrin përsipër misione shërbimi në spitale jashtë Tiranës, ku ka lindur nevoja për një shërbim të posaçëm shëndetësor, për konsulta dhe ndërhyrje kirurgjikale, nuk rezulton asnjë kërkesë? Zero kërkesë, nga ana e drejtuesve të spitaleve rajonale apo bashkiake, për të marrë këto shërbime. Ma thoni kush mban përgjegjësi për këtë, përveç jush që jeni këtu.

Ideja jonë ka qenë jo thjeshtë që ata mjekë të ofrojnë shërbime për të cilat paguhen 100 mijë lekë në ditë, por edhe të përcjellin eksperiencë, si pjesë e trajnimit të vazhdueshëm të mjekëve të spitaleve rajonale dhe sidomos në ato spitale ku ka vakume të rëndësishme për specialitete.

Jo vetëm mbani përgjegjësi që nuk keni bërë një kërkesë të vetme, por mbani përgjegjësi për faktin që si pasojë e mosbërjes së këtyre kërkesave, njerëzit në nevojë të këtyre shërbimeve turren të gjithë në Tiranë. Mbani përgjegjësi për shërbimet e tyre ekstra, se duhet të marrin rrugën për të ardhur deri këtu e jo vetëm, por bashkë me familjarët që i shoqërojnë. Mbani përgjegjësi për mbingarkesën e spitaleve këtu, të cilat jo vetëm që nuk lehtësohen, siç do të duhej nga kjo e masë e marrë nga qeveria, por përkundrazi duhet të përballojnë flukse që detyrimisht rrisin përtej një norme të arsyeshme stresin e personelit të tyre, gjë që patjetër ndikon edhe në cilësinë e shërbimeve. Mbani ju përgjegjësi për sorollatjet pafund të njerëzve. Pacientët bëjnë kilometra të tëra dhe po të marrim numrin e kilometrave të paguara nga njerëz në hall për një shërbim shëndetësor, janë miliona kilometra. E kjo sepse ju nuk bëni dot një kërkesë, për ta sjellë mjekun nga Tirana te pacienti.

Për më tepër, gatishmëria e këtyre mjekëve, por, mbi të gjitha, gatishmëria e të tre drejtuesve të spitaleve të Tiranës është e plotë dhe mjafton të sjell një rast, protezat në Gjirokastër, një rast skandaloz. Në vend që të bashkëpunohej me stafin drejtues dhe me drejtorin e Spitalit të Traumës këtu për protezat, refuzoheshin protezat se s’kemi specialist. Dhe këto refuzime kthehen në kosto për njerëzit, që duhet të turren atje për të bërë këtë punë dhe kjo është përgjegjësia juaj.

Ne flasim për paketa shërbimesh spitalore, sipas sistemit të referimit, që nuk duhen dërguar sa në një derë në derën tjetër, në një sorollatje pa fund, sepse spitali bashkiak nuk përgjigjet. Jo se s’ka mundësi të përgjigjet, por se nuk do të përgjigjet. Spitali rajonal nuk do që të mbajë përgjegjësi dhe të gjithë bëjnë vetëm një gjë, përcjelljen e kujt të munden tek spitalet universitare në Tiranë. Kjo i rrit në mënyrë artificiale listat e pritjes edhe për ndërhyrje kirurgjikale që kanë kompleksitet të ulët apo të mesëm. Kjo krijon radhë të pafundme dhe të pajustifikueshme moralisht për shtetin, për konsulta me pacientë që mund të trajtohen fare mirë në spitalet e vendit të origjinës, nga shtyhen për të ardhur këtu. E kujt është kjo përgjegjësi? Kjo s’është as buxhet, as infrastrukturë. Kjo është vetëm sy dhe zemër për ata njerëz, në drejtim pa sy dhe pa zemër. Kështu e vetëm kështu mund të quhet, ndërkohë që duhet të ishte e kundërta.

Ndërkohë që duhet të ankoheshin drejtuesit e spitaleve universitare në Tiranë për mbingarkesë kërkesash nga ana juaj, që t’ju çojnë mjekë specialist. Jo vetëm që s’kanë si ankohen, por s’ju ka ardhur një kërkesë e vetme. Buxheti i vënë nga qeveria për shërbimet e specializuara të mjekëve jashtë Tiranës dhe gatishmëria e tyre, - unë kam folur vetë personalisht me shumë nga ata mjekë dhe s’kanë asnjë problem - për të ardhur në shërbim është përgjegjësia juaj.

Pastaj vijmë tek pjesa tjetër, që është pjesa më dramatike, më e dukshme dhe më fyese për njeriun e zakonshëm. Sa përqind e njerëzve në nevojë për një shërbim përplasen në derë të mbyllur dhe nuk gjejnë mjekët apo infermierët në vendin e punës, në momentin kur shkojnë? I keni bërë ndonjëherë llogari? Ju ka munduar ndonjëherë kjo pyetje, sa njerëz në hall, që për fatin e keq nuk i keni kushëri, apo për të cilët nuk ju merr në telefon ndonjë deputet që të dilni t’i prisni te dera, dergjen në oborr, apo mbrapa hekurave të ndryshkur të ca spitaleve skandaloz, vetëm e vetëm se nuk keni ju sy për të parë, ngaqë nuk gjejnë aty mjekun apo infermierin? Kush e ka përgjegjësinë? E ka programi i qeverisë? E ka infrastruktura, buxheti? E keni ju!

E pjesa tjetër, që këta njerëz nuk kanë ku ankohen, sepse në zyrat e drejtuesve të spitaleve nuk ka veshë për t’i dëgjuar, jo më pastaj të marrësh ankesën dhe ta zgjidhësh. Mjafton që ta dëgjosh ankesën, që erdha dhe nuk e gjeta mjekun apo infermierin dhe mjafton ta zgjidhësh një herë, pastaj nëntë herë të tjera mjekët dhe infermierët do jenë aty, se do kuptojnë se ky pacienti nuk është njeri pa njeri dhe në qoftë se unë nuk i gjendem në atë moment, më vjen rrufeja nga zyra e drejtorit. Çfarë janë këta të paprekshëm, që i lejojnë vetes të braktisin detyrën me orë të tëra, i lejojnë vetes të rrinë më shumë në kafene, sesa në vendin ku kanë detyrën për t’i shërbyer njerëzve! Kush ua ka dhënë këtyre, këtë paprekshmëri! Ua keni dhënë ju, si gjen asnjë gjë! Sillen me detyrën, jo sikur janë në tokë private, se në tokë private nuk do silleshin kurrë ashtu, por sikur janë agallarë që përtojnë t’ju hedhin sy skllevërve.

Shfrytëzimi i shtratit në spitalet bashkiake dhe në spitalet rajonale, në një pjesë të konsiderueshme është i ulët. Sot kemi spitale me norma shumë të ulëta të shfrytëzimit të shtratit, në të dyja nivelet, që kanë nevojë të transformohen në spitale që t’ju përgjigjen nevojave të njerëzve.

E gjithë mënyra si bëhet shpërndarja e kujdesit spitalor është problematike. Kështu, ajo që ndodh në mënyrë paradoksale, por të kuptueshme është që shqiptarët përdorin një pjesë të vogël të kujdesit të përgjithshëm spitalor që Shqipëria paguan, që taksapaguesit kontribuojnë për ta mbajtur në këmbë. Kjo sjell dhe si rezultat që edhe kërkesa për kujdes spitalor në nivel spitalor, rajonal, apo bashkiak të shkojë duke rënë.

Është e qartë që largimi juaj menjëherë nesër nga detyra nuk është zgjidhja e këtij problemi, po është vetëm fillimi i zgjidhjes.

Objektivi është autonomia spitalore, por çfarë autonomie spitalore mund të kemi në realitet, nëse nuk kemi menaxhim të spitaleve, kapacitet për të pasur autonomi menaxheriale! Spitalet janë ndërmarrje në fund të ditës, nuk janë stalla ku veterinerët, ca lopë i shohin e ca jo, sipas humorit të tyre. Janë ndërmarrje e nuk drejtohen, siç i bihet fizarmonikës, pa partiturë, me vesh, siç për fat të keq drejtohen prej kaq shumë vitesh në Shqipëri. Që ne të kemi një autonomi spitalore të besueshme e të realizueshme dhe që transferimi i parave nga buxheti i centralizuar i Ministrisë së Shëndetësisë tek spitalet të mos kthehet në një problem të ri humbjeje parash dhe korrupsioni, na duhet që stafet drejtuese të spitaleve dhe strukturat klinike të marrin përgjegjësinë e autonomisë menaxheriale.

Kjo kërkon, në radhë të parë, vetëdijesimin që sfida në vetvete nuk është një fjalë goje. Mund të jesh mjek i shkëlqyer, por nuk do të thotë se je drejtor spitali i zoti. Ashtu sikundër mund të jesh një drejtor spitali ekselent si menaxher, por nuk do të thotë të marrësh vesh nga sëmundjet.

Prandaj, unë dua që ju të mirëkuptoni kërkesën time që të jepni dorëheqjen, të gjithë drejtuesit e spitaleve rajonale e bashkiake. Ndërkohë, çdo ekip drejtues në çdo spital, përfshirë dhe 3 ekipet drejtuese të Tiranës, drejtuesve të cilëve unë nuk kam sesi t’i them “jepni dorëheqjen”, sepse kanë dëshmuar se kanë sy,  kanë vesh e kanë duar, do i nënshtrohen një konkursi publik, qëllimi i të cilit do të jetë që të ftohen të gjithë ata që kanë kapacitete dhe kompetenca menaxheriale, kushdo që mendon që i ka, përfshirë e kushdo ndër ju, nëse mendon se i ka, për të kandiduar për drejtimin e këtyre strukturave kaq të rëndësishme për shërbimin spitalor.

E njëjta gjë do bëhet edhe me hallkat e tjera, por këtu jemi për të folur për shërbimin spitalor. Këto konkurse publike do t’ju besohen për gjykim njerëzve kompetentë. Nuk do jenë komisione partie që do marrin në shqyrtim kapacitetet menaxheriale të atyre që mund të kandidojnë, të cilët mund të vijnë nga të gjitha rrugët e jetës, mund të vijnë nga brenda, mund të vijnë nga jashtë, nga Tirana, Tropoja apo Konispoli, mund të vijnë nga biznesi, nga akademia dhe nga shëndetësia.

Si mund të vazhdojmë të mendojmë që mund të krijojmë shërbim shëndetësor dinjitoz, etik, jo fyes, nëse ne nuk i japim fund, fyerjes së profesionistëve, duke filluar nga infermierët. Këtu nuk është përgjegjësia juaj, këtë nuk mund ta përcjell si përgjegjësi nga politika, nga partitë e tepsisë tek ju, sepse një pjesë e konsiderueshme jeni produkte vetë të kësaj politike, por është e pabesueshme që në mes të Europës, në shekullin e XXI, infermierët t’i caktojnë partitë. Është fyese për çdo infermiere që di të bëjë detyrën, por që nuk është anëtare partie. Pa llogaritur faktin e nepotizmit në emërimin e infermiereve. Nepotizmin, lidhjeve të gjakut me politikën. Është katastrofë!

Ne po punojmë që sistemi i punësimit dhe i promovimit të të gjithë stafeve infermierore të organizohet krejtësisht shkëputur nga politika dhe të bëhet njësoj si për mësuesit, përmes një platforme online, bazuar në testime të përvitshme dhe në spitalet e Republikës së Shqipërisë të shkojnë infermierët më të mirë që ka në dispozicion ky vend. Rekrutime me transparencë maksimale dhe mbi të gjitha, një sistem i drejtë konkurrueshmërie, që çdo person që vesh bluzën e bardhë të infermieres apo infermierit ta provoje vetë sa vlen dhe të mos ketë nevojë të kapë ndonjë parti, apo të jetë medoemos kushërira, nusja, krushka, komshija e vajzës apo konfidentia e nuses, për t’u futur në sistem.

Ne duhet të transformojmë disa spitale të vogla në spitale ditore, për të ofruar vizita mjekësore nga specialistë dhe për të siguruar urgjencën mjekësore 24 orë në shtatë ditë. Ndërsa shtrimet të referohen në spitalet më të mëdha, kryesisht rajonale, por ndërkohë duhet të vlerësohet transformimi i funksioneve të këtyre spitaleve edhe në qendra shëndetësore komunitare, në mënyrë që të maksimizojmë efiçensën e burimeve njerëzore dhe të të ardhurave që shpenzojmë për shëndetësinë. Për një periudhë tranzitore deri në plotësimin përfundimtar, ose le të themi në tërësi të nevojave me mjekë specialistë në të gjithë vendin, duhet të fokusohemi me të gjithë forcën tek kërkesa e përgjigja e mjekëve specialistë të spitaleve universitare dhe rajonale, që janë të gatshëm të shkojnë më thellë për shërbime klinike të specializuara, gjë që e kemi financuar, por nuk ndodh.

Po ashtu na duhet të ecim përpara me koston për ekzaminim që të shkojmë drejt autonomisë spitalore, në mënyrë që Ministrinë e Shëndetësisë ta ndajmë një herë e mirë nga tenderat. Por paratë që iu dedikohen ndërmarrjeve spitalore t’ju dedikohen mbi bazën e kostove dhe një protokolli shumë të detajuar kostosh për ekzaminim, jo “option”, që të përfundojnë edhe më keq sa kanë përfunduar në gjithë këto vite.

Unë besoj që ne i kemi të gjitha mundësitë të dalim nga një fazë drejtimi pa sy, pa zemër, pa duar të spitaleve. Ne i kemi të gjitha mundësitë që, pavarësisht mangësive, po të doni mund t’ua vë edhe fjalën më të fortë, varfërisë, të mos kemi pisllëk, të mos kemi ndryshk, të mos kemi rrënim, kur hyjmë në territoret e spitaleve. Mbi të gjitha të kemi gatishmëri të të gjithë personelit, për aq kohë sa ata paguhen për të qëndruar në krye të detyrës.

Duke shpresuar shumë në mirëkuptimin tuaj, të drejtuesve të spitaleve, për të marrë përsipër përgjegjësinë morale për gjithçka ka munguar e mungon, edhe si kontribut për rritjen e vetëdijes se kushdo që do marrë përsipër të drejtojë spitalet, këto gjëra duhet t’i ketë A-në e punës së vet, unë inkurajoj këdo që mendon që çka po them, nuk qëndron, të konkurrojë për të provuar që mund të jetë një menaxher i mirë. Mund të jetë menaxheri më i mirë i mundshëm nga ata që do paraqiten për të drejtuar në katër vitet e ardhshme, spitalet rajonale e bashkiake të Republikës së Shqipërisë.

Dua të besoj se pjesa tjetër e stafit drejtues do ta bëjë punën, duke i adresuar këto probleme në këtë periudhë tranzitore, përpara sesa të fillojë konkursi publik në rang territori, që besoj se do të nisë në shtator, menjëherë me krijimin e qeverisë së re. Vendimi i parë i drejtuesit të ri të Ministrisë së re të Shëndetësisë do të jetë hapja e konkursit publik për gjithë ekipin drejtues të çdo spitali.

Shumë faleminderit për ardhjen tuaj këtu dhe shumë faleminderit për mirëkuptimin e kujtdo që është mirëkuptues ndaj kësaj që thashë. Kush nuk është mirëkuptues, nuk mbetet gjë vetëm thjesht ta ngushëlloj, duke i thënë se koha do ta provojë se kush ka të drejtë dhe do të isha njeriu më i lumtur që të jem unë gabim.

Shkruaj Mesazh

Kontakto me Kryeministrin

Shkruaj Mesazh

Reportazhe Eksklusive

Dokumentarë

Reportazhe Eksklusive

Për Gazetarët

Hapësira Mediatike

Për Gazetarët

Raport publik

300 Ditë

Raport publik