Postuar më : 09 Shtator 2017

Me gazetarët pas votimit për Kryetarin e ri të Kuvendit

Kryeministri Edi Rama i përgjigjet interesit të medias pas përfundimit të seancës plenare ku u zgjodh Kryetari i ri i Kuvendit:

E rëndësishme është që sot, ne startuam me drejtimin e ri të Kuvendit. Ambicia jonë është që Kuvendit t’i rikthehet dinjiteti i nëpërkëmbur për 4 vjet nga një gjendje kaosi permanente dhe në shkelje permanente të rregullores të miratuar me konsensus. E rëndësishme është që në Kuvend, ne të sjellim një frymë të re, një frymë bashkëpunimi, ndërveprimi, natyrisht brenda logjikës fare normale të pozicioneve të kundërta, sepse në fund fare jemi këtu për t’u ballafaquar dhe ndeshur me vizione, programe, ide, qasje të kundërta. E rëndësishme është që t’u japim shqiptarëve një shembull pozitiv të përpjekjes për ta dhe me ta dhe t’ua kursejmë shfaqjen e përjavshme të një banaliteti krejtësisht të shëmtuar dhe krejtësisht të padenjë për besimin që ata na japin, duke na votuar për të ardhur në sallën e këtij Kuvendi.

 

Zoti Rama, çfarë prisni nga deputetët, kam pasur refleksionet gjatë të hënës në paraqitjen e programit tuaj, duke pasur parasysh qëndrimin e opozitës sot, ku grupi i LSI nuk mori pjesë në votimin e Kryetarit të Kuvendit dhe opozita tjetër pati rrjedhje votash.

Unë do ta mirëkuptoja qëndrimin e sotëm të aleatëve tanë të deridjeshëm, sepse nuk anë dashur të ballafaqohen me një rrjedhje votash të konsiderueshme dhe besoj është një zgjedhje pragmatike, për të mos pasur rrjedhje votash. Në fund nuk ka rëndësi sa vota më shumë, sa vota më pak. Rëndësi ka që këtu, ne të kryejmë në radhë të parë, atë që njerëzit na kanë sjellë dhe është që secili të bëjë detyrën. Detyra jonë është të udhëheqim dhe të punojmë sa më mirë për të adresuar kaq shumë gjëra që shqiptarët duan  të adresohen. Detyra e opozitës është të merrte me ne, të na kritikojë, të na godasë, të na akuzojë, por të japë një alternativë. Është zgjedhja e tyre. Unë nuk jam këtu për të mësuar opozitën, apo për të treguar ç’të bëjë opozita. Ne jemi këtu për të bërë detyrën tonë. Ditën e hënë do të paraqesim kabinetin e ri dhe programin. E falënderoj Presidentin e Republikës për shpejtësinë me të cilën ka reaguar, duke e bërë të lehtë nga pikëpamja procedurale rrugën drejt seancës së ditës së hënë. Pastaj, sigurisht do të dëgjojmë me vëmendje të gjithë kundërshtitë e natyrshme të opozitës, do të mundohemi të reagojmë ndaj çka mund të jetë racionale dhe në përputhje me programin tonë dhe do të vazhdojmë të shpresojmë që opozita të jetë në këtë sallë, një sfidë e vërtetë për ne dhe jo një shprehje permanente e boshllëkut të ideve, e boshllëkut të programit,  e boshllëkut të lidershipit, siç ka qenë në 4 vitet që shkuan.

 

Zoti Rama, ka tashmë një marrëdhënie të re mes jush e Ilir Metës?

Për mua personalisht marrëdhënia ka qenë gjithmonë e njëjta dhe ajo që ka rëndësi nuk është marrëdhënia ime me Ilir Metën, sepse në aspektin individual, kjo nuk i intereson askujt, por është marrëdhënia ime si Kryeministër me Ilir Metën si President i Republikës. Në këtë aspekt, unë e kam thënë edhe më parë, edhe kur situata nuk dukej dhe aq premtuese, se me të mbaruar dallgët e larta të fushatës, eksperienca dhe rifitimi i qetësisë pas humbjes në zgjedhje do të triumfojnë mbi inercinë e një momenti që ishte fatkeq për Ilirin.

 

Zoti Rama, ju nuk ishit sot në Presidencë për të marrë dekretin, siç keni qenë në 2013, kur u mandatuat për Kryeministër?

Më vjen keq, gjërat kanë radhën e tyre dhe unë kam respektuar radhën, duke ardhur këtu për të ndjekur procesin e zgjedhjes së Kryetarit të Kuvendit. Dhe as mos keni merak se unë do të jem në Presidencë, jo vetëm për qeverinë e re, por edhe sa herë të jetë nevoja për të komunikuar me Presidentin e Republikës lidhur me çështje të interesir kombëtar, apo të interesave të përbashkëta të shqiptarëve.

 

Zoti Rama, mendoni ta rigjallëroni marrëveshjen e 18 majit me opozitën, duke qenë se është folur se në legjislaturën e re do të ketë një rikthim të  diskutimit për reformë kushtetuese dhe reformë zgjedhore?

Në radhë të parë më duhet të shoh dhe të kuptoj nëse marrëveshja është gjallë, apo ka vdekur. Unë shpresoj të jetë gjallë. Me thënë të drejtën, sot, qëndrimi i Partisë Demokratike ka qenë super korrekt, institucional. Do të thosha se është një shenjë pozitive. Pastaj si do vazhdojë, kjo mbetet për t’u parë, pa pasur asnjëherë iluzionin se do të ketë paqe politike nën filizin e brishtë të ullirit të paqes që u mboll në 18 maj. Por duke shpresuar që atë filiz ta ushqejmë në funksion të Shqipërisë dhe shqiptarëve për të gjitha ato aspekte që kanë të bëjnë me interesat e përbashkëta të tyre. Kështu që të jemi të qartë që, nëse opozita dhe kontestualisht PD do të jetë e ashpër, kjo nuk do të thotë se marrëveshja ka vdekur.  Nëse do të shkelen principet e asaj marrëveshjeje, kjo është një çështje tjetër. Por kjo mbetet për t’u parë. Unë personalisht nuk jam as optimist, as pesimist. Kam shumë kuriozitet të shoh si do të qaset opozita, e dalë nga një palë zgjedhje me një rezultat negativ, në një mandat të ri 4 vjeçar, për të bërë detyrën e saj si opozitë.

Shkruaj Mesazh

Kontakto me Kryeministrin

Shkruaj Mesazh

Reportazhe Eksklusive

Dokumentarë

Reportazhe Eksklusive

Për Gazetarët

Hapësira Mediatike

Për Gazetarët

Raport publik

300 Ditë

Raport publik