Postuar më : 18 Prill 2017

Më shumë punë për fshatin e Shqipërisë që Duam

Kryeministri Edi Rama ishte sot mik në familjen e Osman Rexhës në Shushicë të Elbasanit. Osmani është një fermer, i cili ka investuar jetën e tij në bujqësi e blegtori e përmes së cilës ka arritur të ndërtojë një ekonomi familjare të konsoliduar. Pavarësisht se nuk punon më si më parë, Osmani është një vëzhgues i kujdesshëm i çdo të reje në bujqësi dhe njësinë e tij. Rruga e re, thotë ai, është një ndihmë e madhe, pasi ia ka lehtësuar shumë nxjerrjen e produkteve më shpejt në treg në Elbasan. “Ne jetojmë me bujqësinë, kështu që çdo gjë që kemi bërë e kemi bërë me djersë. Tani prodhojmë dhe i shesim në qytet, falë rrugës së ndërtuar”, - shprehet kryefamiljari. 

Në këtë tavolinë bujare të të zotit të shtëpisë, Kryeministri Rama, i shoqëruar nga kryebashkiaku i Elbasanit zoti, Qazim Sejdini dhe deputeti i zonës Taulant Balla, garantoi se, pavarësisht se është bërë shumë punë, akoma më shumë mbetet për t’u bërë. “Kemi bë punë shumë. Ka shumë akoma për t’u bërë, por e rëndësishme është të ecim përpara e të mos ndalojmë. Nëse ndalojmë, u kthyem mbrapsht. Ka akoma më shumë edhe për Elbasanin. Ishim tek spitali dhe e pabesueshme. Ndërtime pa leje në oborr të spitalit. Drejtoria e spitali bën kërkesë për të marrë leje për mur, aty ku ka qenë i vjetri, gjykata i jep të drejtë atyre që kanë ndërtime pa leje dhe nuk lejon spitalin të bëjë murin,” – shprehet Kryeministri Rama.

Edhe djemtë e Osmanit e kanë të lidhur jetën me fshatin, me këtë zonë pjellore, siç shprehen ata, me njerëz punëtorë që kanë rritur gamën e prodhimeve që nxjerrin në treg. Ata shprehen se janë jo vetëm dëshmitarë të ndryshimeve në bujqësi, por edhe përfitues të reformave të tjera. “Janë rregulluar shumë gjëra. Shushica është si lagje e qytetit. Këtu prodhohen gjithçka, nga perimet tek frutat. Në këto katër vite ka shumë ndryshime. Jemi stabilizuar me energji e ujë. Ne i kemi pas paguar lekët e dritave e ujit muaj për muaj. Një pjesë nuk paguanin dhe ne rrinim pa ujë. E ata qeshnin me ne, na thoshin pse e paguani. Pse mos ta paguaj? Unë e harxhoj. Prandaj kemi kënaqësi të madhe për sa ke bërë, se e ke futur shtetin në rrugë”, - thotë një nga djemtë.

“E lanë popullin rrugëve shumë vite. Shembulli që u dha ishte kush është më shkathët me shkel ligjin, ai respektohet, kush është i rregullt, ai është budalla dhe 20 e ca vjet, pa shtet, pa institucione, pa punë. Por, siç e the edhe ti, puna do kohën e vet, mundin, mendjen dhe investimet, se nuk bëhen dot të gjitha menjëherë. Ka 20 e ca vjet që janë bllokuar kanalet. Jo që nuk u hapën të reja, por u bllokuan të gjitha. Tani po punohet me intensitet, por janë 25 vjet llum,” - shprehet Kryeministri. 

Kryebashkiaku Sejdini thotë se në Elbasan janë investuar në tre vjet më shumë saç janë investuar në 25 vjet, ndërkohë që investime të tjera janë në proces. “Elbasani ka fituar 61 milionë dollarë nga qeveria për tre vet. 25 vjet nuk u morën kaq.” Një investim i rëndësishëm për njësitë administrative që shtrihen në zonat rurale të Elbasanit është ai për ndriçimin. “Na ka asistuar USAID, ambasada e SHBA dhe është 102 kilometra ndriçim i ri për zonat rurale të Elbasanit, që është shumë e nevojshme, po të kemi parasysh sa e madhe është bashkia e re dhe Shushica është njësia më e madhe administrative e zonës,” – shpjegon investimin deputeti Balla. 

Një surprizë i kishte rezervuar deputeti Balla kryefamiljarit, lejen e legalizimit të shtëpisë. 

Kryefamiljari kërkoi të kuptonte arsyen e ngritjes së çadrës në mes të bulevardit në Tiranë, për të cilin Kryeministri shprehet: “Kanë frikë të madhe nga drejtësia. Këtu është problemi.”  

Shkruaj Mesazh

Kontakto me Kryeministrin

Shkruaj Mesazh

Reportazhe Eksklusive

Dokumentarë

Reportazhe Eksklusive

Për Gazetarët

Hapësira Mediatike

Për Gazetarët

Raport publik

300 Ditë

Raport publik