Postuar më : 07 Shtator 2017

Në bashkëbisedim me gazetarët për 100 ditët e para të qeverisjes

-Përgjatë verës ne kemi patur gjëra për t’u marrë, kryesisht me viktimat që pati për shkak të pasigurisë bregdetare, por jo vetëm. Pwr shembull, pas shpinës tuaj është një kullë vrojtimi, por që nuk ka një roje dhe gjithmonë ka qenë ping-pong mes Bashkisë dhe Ministrisë. Bashkia thotë nuk kam lekë të paguaj rojën bregdetare. Nuk e di ju si e keni parë? A jeni angazhuar për ta ndjekur këtë shqetësim që ka patur një bilanc më të rëndë se vitet e tjera? 

Kryeministri Edi Rama: Pjesa dërrmuese e këtyre ndodhive nuk kanë lidhje fare me rojën bregdetare. Kanë ndodhur ose në plazhe të paautorizuara dhe në plazhe të paautorizuara ndodh, s’ke çfarë i bën, ose pastaj në rastet kur dikush shkon lahet dhe pëson infarkt. Ndodh.

 

-Padyshim, por fakti që s’ka pasur roje bregdetare ka qenë një konstatim.

Kryeministri Edi Rama: Dakord. Por nuk ka ndodhur si pasojë e mungesës së rojës bregdetare. Kjo është ajo që po them. Pastaj kjo është histori më vete. Administrimi i bregdetit është histori më vete që besoj që do ta vendosim në tjetër standard vitin e ardhshëm. Një nga qëllimet është që të kemi një ndryshim rrënjësor për vitin e ardhshëm për të gjithë aspektin e turizmit dhe besoj se kemi një plan shumë të mirë që do ia dalim plotësisht. 

 

-Bashkitë e reja janë ankuar për mungesë fondesh për rojet bregdetare.

Kryeministri Edi Rama: Nuk është një fushë që mund ta mbulojnë bashkitë kjo. Bashkitë kanë të drejtë që ankohen, por nuk është një fushë që mund ta mbulojnë bashkitë. Kjo është një fushë që do ta marrë në kontroll qeveria dhe duhet të bashkëpunojë me bashkitë për elementë të caktuar, por nuk mund ta mbajnë dot bashkitë. Pwr shembull, si mundet dot të pastrojnë bashkitë me efikasitet bregdetin, duke pasur parasysh që taksa e pastrimit që ato mbledhin, aq sa e mbledhin, është për një administrim normal të një territori me një popullsi të caktuar. Rritja eksponenciale e popullsisë në zona të caktuara për shkak të sezonit ua bën bashkive të pamundur që të administrojnë të gjithë sistemin e pastrimit ashtu siç duhet. Kështu që, edhe kjo kërkon një ndryshim. Mandati i parë ka shërbyer në shumë aspekte si një burim i madh eksperience dhe dijesh. Tani një sërë gjërash janë shumë të qarta se si do bëhen.

 

-Bashkitë në sezonin veror patën një problem për të menaxhuar, nuk kishin kapacitet për të menaxhuar sidomos numrin e lartë të zjarreve. Ishte gabim kalimi i kompetencave të tilla tek bashkitë në kushtet kur nuk kanë infrastrukturën akoma të nevojshme për të menaxhuar?

Kryeministri Edi Rama: Nuk është e mundur që bashkitë t’i përballojnë vetë ato situata. Kjo nuk ka lidhje me kompetencat, se atyre i ka kaluar një e drejtë administrimi pyjesh, për aq sa i ka kaluar, por nuk i ka kaluar edhe përgjegjësia që të luftojnë të vetëm me zjarret. Edhe në këtë aspekt duhet një ristrukturim i plotë i Emergjencave Civile për të cilat ne kemi folur edhe dje dhe besoj që Emergjencat Civile do të kalojnë tek Ministria e Mbrojtjes. Do ndërtojmë një sistem komplet tjetër Emergjencash Civile, plus, jemi duke punuar që tani për zbatimin e një aspekti të ligjit që nuk zbatohet, që në momentin e emergjencave civile duhet të mobilizohet edhe popullata në shtresat e caktuara dhe nivelet e caktuara. Do vëmë disa nivele detyruese dhe pastaj do shikojmë si do jetë rezultati. Por besoj do jetë shumë më nën kontroll situata. Shpresoj që ata që janë ndaluar dhe që janë në hetim e gjykim për vendosje të qëllimshme të zjarreve të marrin dënimet që meritojnë, sepse kjo histori me zjarret që vendosen qëllimisht është e pabesueshme. Megjithëse në këtë vit ka patur shumë, shumë probleme. Pwr shembull Italia, Spanja, Portugalia, Greqia kanë patur vuajtje të mëdha në këtë aspekt, sidomos Italia. Ne, faktikisht nuk morëm dot asnjë ndihmë nga Italia, megjithëse u morëm vesh që do na ndihmonim, por ata kishin zjarre pafund dhe nuk arritën dot të na japin asnjë ndihmë.

 

-Fakti që thoni që turizmi vitin tjetër do të ketë në standard tjetër, nuk ju ka pëlqyer ky vit në raport me turizmin?

Kryeministri Edi Rama: Ka shumë aspekte që kërkojnë adresim. Besoj që është e mundur që të adresohen me sukses. Edhe besoj që vitin tjetër do kemi një sezon turistik shumë më cilësor në shumë aspekte. Po e shikojmë nga të gjitha anët. Pwr shembull, ne do të kërkojmë që të gjitha hotelet dhe të gjitha njësitë e shërbimeve që kryejnë shërbime në bregdet deri në maj të vendosin dekoratoret e ujërave të zeza. Nuk do lejojmë të ketë aktivitet asnjë hotel dhe asnjë njësi shërbimi që nuk ka dekuratorin e ujërave të zeza dhe që hedh ujërat e zeza në det, ose vazhdon me gropa septike. Kjo nuk do të lejohet më. Është një investim jo i madh. Është një investim i arsyeshëm për një njësi shërbimi. Natyrisht për rastet kur janë komplekse turistike është një investim më i madh. Megjithatë është plotësisht i arsyeshëm dhe duhet ta bëjnë. Ne do t’ua bëjmë shumë të qartë që, përndryshe nuk do të kenë mundësi të hapin derën.

Do të ngremë një sistem pastrimi komplet të ri për të gjithë vijën bregdetare, një sistem pastrimi që do t’i ketë bashkitë partnere, por nuk do ua lëmë përgjegjësinë drejtpërdrejtë edhe vetëm bashkive. Edhe shumë elementw të tjerë deri tek gjithë zinxhiri i aktiviteteve që do të zhvillohen gjatë sezonit që do të organizohen në mënyrë të tillë që të mos jetë thjesht ujë, diell, rërë dhe ushqim, por edhe aktivitete që kanë të bëjmë me argëtimin, me traditën, me fëmijët. Njerëzit në të gjithë vijën bregdetare të Shqipërisë s’kanë ku të çojnë fëmijët.

 

-Meqë jemi tek bregdeti, do doja të ndaleshim pak tek kontrolli i kufijve bregdetarë. Një ditë më parë “News 24” ka publikuar dhe një shkëmbim mes Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë dhe Ministrit të Brendshëm, ku Drejtori i Përgjithshëm i konfirmonte dhe i shprehte shqetësim Ministrit të Brendshëm për mosfunksionimin e radarëve bregdetarë, çka, sipas tij, bëhet pengesë edhe për dështimin, madje dështonte edhe aksionet antikanabis. A keni një koment për këtë? A konfirmon kjo akuzat që Policia e Shtetit është e përfshirë në trafikun e drogës?

Kryeministri Edi Rama: Së pari, nuk diskutohet që jemi në një fazë përmbyllëse të kësaj beteje dhe që ne faktikisht e kemi fituar këtë betejë. Të dhënat janë kokëforta. Propaganda është propagandë. Përpjekja që bëhet për ta shpërndarë gjithandej këtë lloj propagande është një përpjekje, të themi, pak e turpshme, sepse faktikisht sot jemi në kushtet kur, siç e konfirmojnë vetë partnerët tanë, territori është krejtësisht i pastruar nga kjo mortje. Të gjitha këto që ndodhin në pikëpamje të transportit dhe të luftës që zhvillohet për të penguar, apo për të ndaluar trafikuesit është një inerci që unë parashikoj të vazhdojë dhe për një kohë të shkurtër dhe do minimizohet dhe kjo. Kështu që, kjo është një histori që nuk do të përbëjë më asnjë lajm dhe asnjë aktualitet.

 

-Kuptoj, por a është shqetësuese kur Drejtori i Përgjithshëm i Policisë i shpreh një shqetësim Ministrit të Brendshëm që kanë dështuar dhe aksione antikanabis? Të paktën Ministria e Mbrojtjes kishte, mund të them, edhe hije dyshimi, për shkak se Ministria e Mbrojtjes kishte kundërshti mes ministrive dhe agjencive kryesore.

Kryeministri Edi Rama: Ju s’e keni vënë re letrën, e cila nuk është letër e Ministrisë së Mbrojtjes, por është letër e përbashkët e të dyja institucioneve. Nga pikëpamja e marrëdhënieve me publikun është administruar keq. Por nga pikëpamja e qëllimit, qëllimi nuk ka qenë për të krijuar përplasje me institucionin, por për të mbajtur një qëndrim të përbashkët ndërinstitucional lidhur me këtë çështje.

 

-Ju kuptoj. Ju thoni që keni përparuar në luftën antikanabis. Por, pak ditë më parë edhe ambasadorja e BE-së i mëshonte faktit që Shqipëria duhet të bëjë më shumë për luftën kundër drogës, duke e kthyer në prioritet. 

Kryeministri Edi Rama: Nuk ka thënë që Shqipëria duhet të bëjë më shumë. Ka thënë thjesht që kjo temë është një temë e rëndësishme që do të konsiderohet patjetër dhe në momentin kur do të vazhdojë procesi për hapjen e negociatave. 

 

-A është kusht lufta kundër kanabisit për hapjen e negociatave?

Kryeministri Edi Rama: Nuk është çështje kushti. Është çështje konstatimesh që lidhen me gjendjen e vendit. Unë nuk e shoh atë që ka thënë ambasadorja ashtu siç e interpretuan. Unë e shoh thjesht si një vendosje të një çështjeje në qendër të vëmendjes, duke patur parasysh që edhe Bashkimi Europian edhe Komisioni Europian janë të mirëinformuar në kohë reale që progresi i bërë në këtë aspekt është i jashtëzakonshëm edhe që ky vit e mbyll këtë film. Kështu që, kush ka hyrë në rol për të luajtur në këtë film duhet të gjejë rol tjetër, se ky film mbaron këtë vit.

 

-Zoti Kryeministër për t’u rikthyer tek arsyeja pse ju jeni këtu, për takimin e dytë informal me ministrat e rinj; A jeni në fazën kur i keni saktësuar kompetencat e ministrive? Pwr shembull, a e dini sot se kush do ta menaxhojë territorin, cila Ministri?

Kryeministri Edi Rama: Patjetër që këto janë aspekte elementare të kësaj pune. Kështu që i dimë shumë mirë se kush do bëjë çfarë.

 

-Cila është Ministria përgjegjëse për menaxhimin e territorit?

Kryeministri Edi Rama: Territorin e menaxhojnë bashkitë.

 

-Padyshim, por ka qenë një Ministri për çështjet vendore dhe për zhvillimin urban që tashmë nuk janë më.

Kryeministri Edi Rama: Ministria e Zhvillimit Urban nuk ka qenë Ministri që menaxhon territorin. Ka qenë Ministri që merrej me planifikimin e territorit. Planifikimi i territorit është ndërkohë në përgjegjësinë e një Agjencie të Planifikimit të Territorit. Ka edhe një strukturë ndërministrore, që është Këshilli Kombëtar i Territorit. Kështu që këto janë të mjaftueshme. Ndërkohë që, Ministria e ka kryer funksionin e vet, sepse i ka dhënë drejtim të gjithë aspektit të programit tonë që lidhet me Planin e Përgjithshëm Kombëtar dhe me planet vendore. Kështu që, tani kemi dy Agjenci, njëra është për planifikim dhe tjetra është për zhvillim dhe një Këshill Kombëtar të Territorit, që do të merren me aspekte qoftë të planifikimit, qoftë edhe të reagimit për të gjitha nevojat që kanë bashkitë kur vjen puna për të konfirmuar lejet zhvillimore.

 

-Duke krijuar këto super drejtori, siç është p.sh, bashkimi i hipotekave me legalizimet, apo bashkimin e tatimeve me doganat, a po kërkoni ju të keni një pushtet absolut në qeveri? 

Kryeministri Edi Rama: Më fal që po ta them, sepse s’ka lidhje fare. Këto institucione janë shumë më funksionale nëse kompaktësohen në funksion të qëllimeve dhe të funksioneve që mbulojnë. Unë e kam thënë disa herë, por ju nuk e keni pasur mendjen, që ne kemi një administratë që nga pikëpamja e numrit është një administratë e vogël, krahasuar me shumë vende të tjera, por kemi shumë më tepër drejtorë sesa në shumë vende të tjera. Që do të thotë, ne kemi shumë drejtori që janë kot, ose që janë gjysmake, ose që, për shkak se janë krijuar në funksion të zgjerimit të influencës së partive në sistem nuk e kryejnë dot funksionin e tyre ashtu siç duhet. Bashkimi i tyre vetvetiu sjell shumë më tepër kompaktësi dhe bën që ato të realizojnë shumë më mirë qëllimin. Në fund të fundit, krijimi i Agjencisë së Titujve të Pronësisë nuk është për të patur një pushtet absolut, por është për të pasur një shërbim shumë më të shpejtë dhe shumë më të mirë për qytetarët. 

 

-Kjo Agjenci varet nga ju, apo nga ministrat e tu?

Kryeministri Edi Rama: Nga unë varen të gjitha, por kjo nuk ka ndonjë rëndësi. I gjithë qëllimi këtu është që t’ju shërbejmë më mirë qytetarëve. Nuk është që të kemi më shumë pushtet, sepse pushtetin e kemi. Nuk është se u bashkuan funksionet e një Drejtorie, apo të dy Drejtorive, një Ministrie, apo të dy Ministrive, kjo nuk është se e rrit pushtetin.

Burimet njerëzore janë të nevojshme nga pikëpamja e cilësisë së tyre. Bazuar në ligjin për Shërbimin Civil, në rastin kur ata janë në Shërbimin Civil, ne do të ndjekim një proces shumë të arsyeshëm dhe do të bëjmë testime për cilësinë e burimeve njerëzore, që do të thotë, që, nuk do kemi një prerje me thikë që cila ministri, apo cila drejtori shkrihet brenda një tjetre sjell automatikisht largimin nga puna të të gjithë atyre që janë në atë Ministri, apo në atë Drejtori.

 

-Të shtunën, në orën 10:00 nis legjislatura e re, nis Parlamenti. Ju e keni thënë që opozita me shumë gjasë do merret me ju, por me shumë mundësi do mund të shohim një rezistencë për zgjedhjen e Gramoz Rucit kryetar Parlamenti. 

Kryeministri Edi Rama: Do merret me ne, unë nuk flas vetëm për ne, ne është e gjitha kjo. Nuk është se do merren me mua personalisht.

 

-A mund të shohim një rezistencë për zgjedhjen e Kryetarit të Parlamentit, Gramoz Rucci?

Kryeministri Edi Rama: Unë do isha shumë i keqardhur nëse kjo do ndodhte, sepse kjo do ishte shenja e parë që opozita nuk ka kuptuar asgjë se çfarë ka ndodhur në këtë vend dhe çfarë ka ndodhur në 25 qershor. Do doja të shikoja të kundërtën, për të mirën e vendit. Nëse do ta shikonim në aspektin ngushtësisht politik, ne na intereson një opozitë që vazhdon bën atë që bëri 4 vjet, sepse është thjesht varrmihëse e vetvetes. Nëse e shikojmë në aspektin çfarë i duhet vendit, çfarë i’u duhet njerëzve dhe çfarë na duhet ne për të qeverisur më mirë patjetër që do të duhet një opozitë që nuk i referohet më burimeve të forcës fizike dhe të forcës irracionale të gjuhës, por i referohet arsyes, i referohet një misioni, një programi, një tërësie qëllimesh, që bëjnë diferencën edhe që sfidojnë qeverinë në një formë tjetër.

 

-Me këtë opozitë ju keni një pjesë akoma të pahapur të pjesës së marrëveshjes së 18 majit, që është reforma kushtetuese. A keni menduar, ose keni një plan, një projekt të përbashkët, ose tuajin për një sistem të ndryshëm zgjedhor, p.sh., sistem me prim, ose diçka që ju mund ta keni planifikuar kur keni nënshkruar këtë kapitull të marrëveshjes?

Kryeministri Edi Rama: Ne s’kemi planifikuar asgjë kur kemi nënshkruar marrëveshjen. Ne thjesht kemi qenë në një mendje. Unë vazhdoj të jem në atë mendje që ka disa çështje të zgjedhjeve që duhet të adresohen dhe për këtë kërkohet një reformë.

 

-Përfshirë dhe ndryshim sistemi?

Kryeministri Edi Rama: Kjo është një temë e hapur. Edhe kur kemi folur për ndryshimet kushtetuese nuk kemi pasur parasysh thjesht zgjedhjet. Në këtë aspekt, unë shpresoj që opozita të jetë e arsyeshme dhe e gatshme që të vazhdojë në këtë linjë. Nëse pastaj do shfaqet përsëri siç ka qenë në këto 4 vjet do jetë një lajm shumë i keq për vendin, do jetë një lajm shumë i keq për cilësinë e jetës politike, por do jetë një lajm shumë i mirë për Partinë Socialiste, në kuptimin më të ngushtë të fjalës dhe të interesit.

 

-Kur thoni opozitë e keni parasysh edhe LSI-në këtu si një parti që duhet të përfillet për ndryshimet zgjedhore, në qoftë se mund të bëhen si të tilla, se mund të jetë në kurriz të saj një sistem zgjedhor i ndryshëm p.sh. me prim që mund të jetë.

Kryeministri Edi Rama: Kurrizi i LSI-së nuk është asnjëherë pikë referimi për gjërat e mëdha, sepse s’ka qenë asnjëherë, pavarësisht se çfarë thuhet. Për sa i përket përfilljes, ne sigurisht që do përfillim çdo deputet të Partisë Socialiste, të Partisë Demokratike, të LSI-së, të PDIU-së, të cilësdo parti që është në parlament dhe do bëjmë çmos që të garantojmë një ndërveprim sa më të mirë midis qeverisë dhe të gjithë forcave parlamentare. Nuk diskutohet. Pastaj se çfarë opozite do jetë LSI-ja, kjo është një gjë që mbetet për t’u parë në veprim, sepse nuk është njësoj si Partia Demokratike. Është një tjetër lloj qenieje dhe një tjetër lloj tërësie arsyesh pse LSI-ja është në opozitë. 

 

- A do i shkoni sërish pas replikave, ta ktheni parlamentin ashtu si keni thënë, në një konkurrent të denjë të Portokallisë?

Kryeministri Edi Rama: Faktikisht, nëse do të shikonim si shkoi 4-vjeccari i Partisë Demokratike, për mua s’ka qënë asnjëherë e paparashikuar që do përfundonte ashtu siç përfundoi nga pikëpamja e mbështetjes elektorale. Ajo që ka munguar ka qënë pikërisht kjo që po them, që, njerëzit janë gjithmonë e më pak të prirur të ndjekin një politikë që bazohet tek gara se kush thotë fjalën e fundit, kush kërcet më shumë dhëmbët, kush e ul më shumë tjetrin. Ka gjithmonë e mw shumw njerwz më të interesuar që të kenë një mundësi që të kuptojnë se kush janë qëndrimet e ndryshme dhe kush ka argumentet më të forta për të bërë diçka në mënyrën si bëhet. Për sa më takon, ne do i qasemi parlamentit në funksion të njerëzve dhe jo në funksion të një inercie që, nëse Partia Demokratike do ta ketë, do jetë fatkeqësi e madhe për Partinë Demokratike edhe për parlamentin, por jo për ne.

 

-Zoti Rama gjëra shkuan mirë, kur ju bëtë një marrëveshjen me zotin Basha, e cila vijon të paktën një pjesë të jetë ende në fuqi. Ka patur një rekomandim të ministrave teknikë, pavarësisht që ju raportin e tyre nuk e keni pranuar, që praktika e bashkëqeverisjes opozitë-qeveri të përsëritet sërish 3 muaj para zgjedhjeve. Ishte një praktikë e mirë nga të dyja palët në këto zgjedhje parlamentare. A do e pranoni si rekomandim dhe do pranoni që kjo praktikë të ripërsëritet në zgjedhjet e tjera të ardhshme?

Kryeministri Edi Rama: Kjo mbetet për t’u parë, për t’u diskutuar. S’kam ndonjë paragjykim lidhur me këtë. Besoj që, pavarësisht se ka patur disa aspekte negative, sidomos në raport me individë që janë penalizuar pa të drejtë në një proces pak të rrëmujshëm, marrëveshja dhe çfarë solli ajo kanë qënë një e mirë e madhe për vendin. Kanë qënë zgjedhjet më të qeta dhe më të lira nga pikëpamja financiare, qoftë dhe për faktin që u pastrua i gjithë territori, apo më saktë, nuk u ndot territori me postera, me fytyra nga të katër anët e me flamuj e banderola. Sigurisht që, njerëzit e zakonshëm e kanë vlerësuar shumë marrëveshjen.

 

-Pra, e lini hapur mundësinë e përsëritjes?

Kryeministri Edi Rama: Ka qënë një moment çlirimi i madh nga një tension i paarsyeshëm. Po të shikoni, është hera e parë në historinë e zgjedhjeve që konsumi nuk ka rënë, që do të thotë, njerëzit s’kanë patur frikë, s’kanë patur pasiguri, nuk kanë thënë, “jo prit, s’po blej, s’po investoj, s’po bëj, sepse s’dihet çfarë do ndodhë,” që është reagimi i parë psikologjik ndaj një momenti tensioni ose periudhe zgjedhjesh. Kështu që, s’kam ndonjë kundërshti që ta shohim dhe këtë, natyrisht duke patur parasysh eksperiencën e krijuar, duke artikuluar më mirë, në mënyrë më efikase, se kishte dhe gjëra që ishin të panevojshme.

 

-Zoti Rama kur i referoheni opozitës së sotme, një prej përfaqësueseve të opozitës, ju personalisht, por edhe eksponentë te tjerë e trajtojnë në mënyrë të diferencuar. E kam fjalën për Majlinda Bregun që trajtohet me më shumë dinjitet, me më shumë respekt. Unë s’dua t’ju pyes a ishte ajo në planet tuaja për t’u vënë në qeveri, por dua t’ju pyes nëse Majlinda Bregu është një kandidate potenciale, ose e mundshme për të qënë kryenegociatorja e Shqipërisë në qoftë se hapen negociatat?  

Kryeministri Edi Rama: Unë nuk di ku keni parë ju trajtim të diferencuar të Majlinda Bregut!

 

-Është një ndër deputetet më të përkëdhelura në Partinë Socialiste, p.sh. në Komisionin e Integrimit nuk ka konflikte, ka marrëveshje, ka buzëqeshje.

Kryeministri Edi Rama: Më impresionove me këtë vështrim dhe po kërkoj fjalët tani, por, unë shoh asnjë trajtim të diferencuar të them të drejtën. Është e gjitha një histori mediatike kjo. Komisioni i Integrimit ka qënë i opozitës. Do të jetë i opozitës. Përsëri opozita do ketë të drejtën që të zgjedhë vetë kryetarin, apo kryetaren e Komisionit të Integrimit.

 

-Unë po ju pyes nëse Majlinda Bregu mund të jetë një kandidate potenciale ose e vlerësueshme nga ju për të qënë kryenegociatore për shkak edhe të eksperiencës së saj. 

Kryeministri Edi Rama: Unë pyetjen e dëgjova, por ju bëtë përpara pyetjes një shpërfaqje spektakolare të gjuhës së trupit. Kështu që po i përgjigjem dhe unë të gjithë shpërfaqjes, që do të thotë që, e përsëris që, e gjitha natyrisht lidhet edhe me sponsorizimin që i bëhet një përpjekjeje për të goditur njerëzit që kanë patur qëndrime të ndryshme brenda për brenda Partisë Demokratike. Kam parë p.sh., me shumë keqardhje, goditje të çuditshme kundër Astrit Patozit, që s’do të thotë që në këtë rast unë po përkëdhel Astrit Patozin, se Patozi s’ka asnjë lloj pikë puthjeje me mua, por është e gjitha një flluskë për të krijuar historira, ndërkohë që e përsëris që, ne në çështjen e integrimit duhet të jemi bashkë dhe sigurisht që duke patur përfaqësues të opozitës në pika kyçe, si Komisioni e Integrimit, apo Këshilli Kombëtar i Integrimit, kjo e lehtëson. E vërteta është që Majlinda Bregu ka qënë përfaqësuesja e Partisë Demokratike për këtë aspekt. Nuk e kemi zgjedhur ne. E ka zgjedhur Partia Demokratike. As ka patur në ndonjë rast në ndonjë moment, në ndonjë plan imagjinar ndonjë ide për të pasur Majlinda Bregun në qeveri. Ndërsa, përsa i përket kryenegociatorit, apo kryenegociatores kjo është një çështje që ne do ta trajtojmë në momentin kur do të na duhet. Aty pastaj do vlerësojmë se kush mund ta bëjë këtë punë më mirë. Por, që, sigurisht do ishte mirë që edhe në këtë rast ne të kishim një ndërveprim me opozitën dhe të mund ta zgjidhnim këtë gjë me opozitën. 

 

-Zoti Rama dua të ndalem pak tek seanca e parë parlamentare. Mw tepër se shqetësim i opozitës është një shqetësim i një tjetër grupimi, akoma më të madh mund të them, i ish të përndjekurve, të cilët e quajnë provokim zgjedhjen e Gramoz Rucit në krye të Kuvendit. A po e provokoni ju këtë shtresë të madhe dhe të rëndësishme të shoqërisë shqiptare me zgjedhjen e Gramoz Rucit në krye të Kuvendit, i cili akuzohet nga ata si një nga personat që ka kryer krime ndaj kësaj shtrese?

Kryeministri Edi Rama: Të përndjekurit politikë nuk janë disa spiunë birucash që marrin përsipër të flasin publikisht në emër të të përndjekurve politikë. Është një shtresë që ka shumë figura të respektuara, ka shumë njerëz të ndershëm që nuk kanë lidhje fare me këto zërat e ububushëm që sponsorizohen për të kënduar këngën e Saliut. Ndërkohë që kush ndihet i provokuar nga cilido qoftë, përfshirë dhe Gramozin, në emër të të përndjekurve dhe nuk është ndjerë i provokuar 27 vjet me Saliun në krye të Partisë Demokratike, për mua është thjesht një hipokrit që nuk meriton asnjë respekt dhe asnjë vëmendje. Kaq e thjeshtë është kjo histori. Vazhdimi i kësaj marrëzie dhe niveli pastaj të opozitës, të Partisë Demokratike në këtë rast me komunizma dhe antikomunizma, me komunistë e me antikomunistë, kur jemi në vitin 2017 është vetëm shprehje e boshllëkut të madh që Partia Demokratike duhet ta mbushë me vizion për të ardhmen, me program real për të qenë një alternativë, një skuadër të denjë për t’u përballur me sfidat edhe me konkurrentin në këtë rast, që jemi ne, përndryshe kjo është e gjitha një budallallëk i madh që s’meriton asnjë vëmendje dhe asnjë shqetësim.

 

-Përsa i përket qeverisjes, meqë e përmendët dhe Astrit Patozin, kishte bërë një status dje në “Facebook”, ku thoshte që kjo mund të jetë hera e fundit që ministrat dalin në një mbledhje jashtë programit, pasi nuk kanë marrë mandatin akoma, pasi kur të marrin mandatin, e kishte fjalën për ju, do i mbyllje brenda në kryeministri dhe do e merrje përsipër vetë sërish qeverinë. Qasja ndaj qeverisjes do jetë përsëri e personalizuar? Do i merrni ju të gjitha kostot përsipër përsëri?

Kryeministri Edi Rama: Unë e thashë që më bëjnë përshtypje sulmet e sponsorizuara ndaj atyre që kanë patur një qëndrim të ndryshëm brenda Partisë Demokratike, por nuk më bëjnë përshtypje kritikat e tyre, të Majlinda Bregut, të Astrit Patozit dhe të kujtdo qoftë tjetër ndaj qeverisë, ndaj meje, sepse, po t’i shikoni, janë të ngjashme si dy pika uji, nuk kanë asnjë ndryshim. Ata janë në garë me njëri-tjetrin se kush e shan më bukur qeverinë, pavarësisht se midis tyre kanë problemet që kanë. Në aspektin e atyre që Astrit Patozi thotë për qeverinë që nuk është se meriton më shumë respekt sesa Luli, apo Saliu, apo kushdo qoftë tjetër, sepse xhirojnë në të njëjtën vorbull boshllëku dhe në të njëjtin bosht të një politike që merret me persona dhe nuk merret me probleme, merret me anatemime dhe nuk merret me argumente. Çfarë t’i përgjigjesh kësaj?! “Është hera e fundit që do i shikoni ministrat”! Pse, ku do shkojnë ministrat?! Do mbyllen në kullë?! 

 

-Zoti Rama, në fund të këtij mandati të parë qeverisës, pas 4 vitesh, a ka Edi Rama diçka që e ka konsideruar, ose ka vlerësuar që e ka bërë gabim gjatë qeverisjes së tij? 

Kryeministri Edi Rama: Sa të duash, por nuk i kam për t’i ndarë me ju. Ajo që është e rëndësishme dhe që besoj është pika ku duhet vënë theksi, është që ne po ndërtojmë një mekanizëm qeverisës dhe një proces qeverisës që do të jetë shumë më i rëndësishëm për njerëzit seç ka qënë deri më sot, që do të zhbllokojë shumë energji të ndrydhura, forca të ndrydhura dhe do të lehtësojë shumë streset e njerëzve në raport me shtetin, në raport me burokracinë, në raport me zyrat. E shkruajta dje. Italia ka 70 milionë njerëz dhe prodhon më pak se 1 milionë certifikata në vit. Ne kemi, duke marrë dhe ata që janë jashtë, 4.2 milion dhe prodhojmë 4.5 milionë certifikata, që është një çmenduri. Heqja e certifikatave si një detyrim i njerëzve për të marrë një shërbim që duhet shkojnë të marrin certifikatën, noterin, etj., etj., dhe vendosja e barrës mbi burokracinë që të marrë certifikatën e kujtdo që kërkon një shërbim, apo dëshminë e penalitetit, apo dokumente te tjera që janë shtet me shtet është një lehtësim shumë i madh për njerëzit, kohe, edhe lehtësi financiare edhe lehtësim psikologjik që do të sjellë një çlirim shumë të madh. Pastaj po të shikojmë dokumentet që iu kërkohen njerëzve, një çmenduri më vete. Qëllimi që kemi vënë në çdo sektor dhe detyra që ka çdo ministër është që Shqipëria në asnjë sektor të mos kërkojë më shumë dokumente sesa cilido qoftë shteti që kërkon më pak dokumente në Europë. Kjo do të thotë që do të ketë një ulje drastike të numrit të letrave që iu kërkohen njerëzve për të marrë shërbime. Do të punojmë shumë me sistemin e vetëdeklarimit. P.sh., nuk do të kërkojmë më që fermerët kur aplikojnë të mbushin letra pa fund edhe certifikata familjare me noterë. Aplikimet do bëhen me vetëdeklarim dhe vetëm përfituesit, pra, në momentin që do të fitojnë aplikimin do t’ju kërkohet pastaj që të përmbushin detyrimet që burojnë nga aplikimi nw bazë të vetëdeklarimit. Pra, nëse kanë bërë një deklarim të rremë nuk do të përfitojnë gjë. Që do të thotë që, një pjesë e madhe e njerëzve lehtësohen përfundimisht nga kjo procedurë, ndërsa ata që do të jenë përfitues përsëri do të përfitojnë nga ky ndryshim radikal i qasjes së shtetit. Shteti nuk do jetë më pritës, por do të jetë reagues ndaj çdo kërkese për një shërbim duke bërë që të gjitha letrat që i’u kërkohen njerëzve dhe që janë shtet me shtet t’i sigurojë vetë. Do të fillojmë me certifikatën brenda 100 ditëve të para. Besoj që, në një kohë më shpejt sesa fundi i mandatit i gjithë ky sistem do të jetë një sistem komplet i ri shërbimi. Kjo është e rëndësishme për njerëzit. Nuk është e rëndësishme çfarë mendon Astrit Patozi dhe cili do jetë fati i Majlinda Bregut.

 

-Një gjë tjetër e rëndësishme është edhe Reforma në Drejtësi. Pse nuk e përmendët asnjëherë në fjalim në Asamble? Përmendët të gjitha objektivat e këtij 4-vjeçari, por asnjëherë Reformën në Drejtësi.

Kryeministri Edi Rama: Në Asamble nuk kam përmendur objektivat e këtij 4-vjeçari. Fjalimi i Asamblesë ka qenë një fjalim për asamblenë për socialistët, lidhur me qasjen tonë me pushtetin. Nuk ka qenë një fjalim për objektivat e 4 vjeçarit. Nuk kam folur në Asamble për bujqësinë. Nuk kam folur në Asamble për turizmin. Nuk kam folur në Asamble për rendin dhe për sigurinë. Nuk kam folur në Asamble për luftën kundër kanabisit. Nuk kam folur në Asamble për shumëçka tjetër. Kam folur për qasjen tonë ndaj pushtetit dhe për si ne duhet të shfrytëzojmë në katër vitet e ardhshme në funksion të të bërit shtet dhe në funksion të një ndryshimi rrënjësor të marrëdhënieve mes njerëzve dhe shtetit. Kështu që, s’ka qenë vendi dhe ora aty për të folur për këto tema që janë tema të cilat do trajtohen edhe në paraqitjen e programit të qeverisë edhe në ditët në vijim, në muajt në vijim e në vitet në vijim dhe me siguri do të ketë plot kohë për të folur për të gjitha. U tha edhe që nuk kam përmendur dhe fjalën integrim. Po e gjithë ajo që është diskutuar në Asamble ka qenë nga fillimi deri në fund në funksion të integrimit.

 

-Zoti Rama si përfundim, ndoshta një premtim për qytetarët, a do i ulni taksat dhe tarifat në këtë mandat 4-vjeçar? P.sh., ditët e fundit është përhapur një lajm që rritja e tarifës së licencimit të karburanteve do të rrisë edhe çmimet e karburanteve, çka do t’iu kushtojë portofolave të qytetarëve shqiptarë. 

Kryeministri Edi Rama: Nuk ka tarifë licencimi të karburanteve. Është tarifë bashkiake ajo. Nuk është e qeverisë dhe qeveria nuk ka lidhje me të.

 

-Por ama Shoqata e Karburanteve do të rrisë çmimin e karburanteve, çka do të ndikojë në portofolin e qytetarëve.

Kryeministri Edi Rama: Kjo është tarifë bashkiake dhe është e drejta e bashkive të vendosin tarifat e tyre. Këtu nuk ka punë qeveria. Duhet ta mësoni këtë gjë edhe ju, se mirë njerëzit  e zakonshëm shpeshherë e ngatërrojnë, por ju nuk duhet ta ngatërroni.

 

-Ju jeni pro, apo kundër?

Kryeministri Edi Rama: Unë nuk jam këtu për të qenë as pro, as kundër. Këto janë të drejta të pushtetit vendor. Është diskrecioni i pushtetit vendor të vendosë tarifa licencimi dhe sidomos për një aktivitet që është një aktivitet që ka sjellë kërpudhëzimin e pikave të karburanteve në territorin e vendit dhe të qyteteve si në asnjë vend tjetër.

Ne s’kemi asnjë rritje takse dhe s’kemi asnjë ulje takse. Kështu që, taksat janë në rregull siç janë. Barra e taksave është shumë e ulët në Shqipëri. Nuk është aspak e lartë, siç thonë. Sigurisht që, kush fiton më shumë do të paguajë më shumë, kjo nuk diskutohet. 

 

-Në fushatë thatë që do ta çonit 18% taksën mbi të ardhurat personale në fashën e sigurimeve.

Kryeministri Edi Rama: Jo menjëherë. Në fushatë bëhen premtime për 4 vitet e ardhshme dhe ballafaqohen premtimet pas 4 vitesh. Kështu që nuk do t’i bëjmë të gjitha menjëherë. 

Deri në fund të vitit do të kemi një paketë shumë agresive për stimulimin e turizmit, po. Për hotelet me 5 yje, që na mungojnë dhe flasim për yje reale, jo për yje që i vendosin vetë me çekanë dhe më gozhdë me kompensatë, pra flasim për yje reale, për yjet që janë yje të vendosura në bazë të marrëveshjes me një nga 30 “brand”-et e listuara globale. Edhe ato me 4 yje, përsëri me të njëjtën logjikë. Për to do të kemi incentiva shumë më inkurajuese.

Pastaj për pjesë të tjera do të shikojmë si do të ecim. Kemi diskutuar dhe me siguri do të bëjmë një rritje të ndjeshme të rrogës së mjekëve që punojnë jashtë Tiranë, jashtë vendbanimit. Kush shkon në një spital që është jashtë vendbanimit tij si mjek specialist do të ketë një rrogë që do të jetë në ato kufij, pak a shumë, që unë kam premtuar, aq sa fiton jashtë shtetit, duke hequr sigurisht taksat etj., etj., pra neto. Po ashtu, kemi folur për një rritje të rrogave për ambasadorët dhe trupin tonë diplomatik, sepse janë shumë nën nivelin e vetë rajonit.

Ndërkohë që ato që janë pikat ku do të fokusohemi kanë të bëjnë me disa operacione të 100-ditëshit, që janë operacione shumë të forta. Do fillojë lufta kundër informalitetit. Sigurisht që nuk mbaron për 100 ditë, por do të filloj shumë fort. Do fillojë një operacion për pastrimin e akseve kombëtare nga të gjitha llojet e aktivitete që zhvillohen jashtë perimetrit të godinave që janë ndërtuar në akset kombëtare. Pra, të gjitha to që ne shohim kur ecim në akset kombëtare, tulla, gurë, rrota, varreza makinash e ku di unë do pastrohen komplet. Të gjithë ata që zhvillojnë aktivitet në akset kombëtare do të duhet ta bëjnë aktivitetin brenda mureve, për aq sa janë aty. Do të bëjmë një operacion shumë të fortë për të filluar luftën kundër abuzimeve me ujin. Uji është një pasuri që nuk mund të shpërdorohet më, kështu siç shpërdorohet. Ndërkohë do përgatisim një buxhet të ri, me një qasje të re, për të përmbushur një objektiv që, brenda 4-vjeçarit e gjithë struktura, i gjithë rrjeti rrugor i Shqipërisë, flas për rrugët nacionale, të jetë i ripërtërirë dhe të jetë me standarde dhe jo më një rrjet rrugor kështu si ky që trashëguam, një maskaradë nga fillimi deri në fund, ku rrugët fillojnë me një standard, vazhdojnë me një standard, përfundojnë me një standard. Kemi akse rrugore që kanë 17 standarde brenda një aksi dhe për më tepër janë burime aksidentesh. Menjëherë, do të fillojmë me një fushatë të madhe sensibilizimi për sigurinë rrugore e kështu me radhë.

 

-Kam ndjekur mbledhjet që bëni në zyrën e operacionale të situatave dhe më ka bërë përshtypje lufta ndaj të fortëve që keni iniciuar si hap për pastrimin e territorit nga kanabisi. Nuk e di nëse ju vijnë informacione, por ka denoncime nga qytetarët që flasin edhe për të fortë të lidhur me deputetë të zonës, apo njerëz të fuqishëm. Lufta ndaj të fortëve nuk duhet të njohë kompromise edhe nëse ka lidhje? Duket si pyetje naive, por a do i rezistojnë të fortët e lidhur me pushtetarët kësaj lufte? 

Kryeministri Edi Rama: Ne po përgatisim një plan operacional shumë të detajuar që do të jetë i kopsitur edhe nga pikëpamja legale në mënyrë që mos të jetë një operacion që fillon me sukses me Policinë dhe dështon me të tjerët. Do të shtrijmë këtë proces deri kur feudali i fundit të jetë dorëzuar, sepse kjo historia e Shqipërisë së ndarë në feude të fortësh është një histori e vjetër e trashëguar, por për ne është e papranueshme. Patjetër që kush ka pasuri të çfarëdollojshme, që nga pasuritë e mëdha me 4 rrota, e deri tek pasuritë e bëra me shumë kate dhe nuk ka bërë një punë në jetën e vet do duhet të justifikojë pasuritë se përndryshe do të kalbet në burg.

 

-P.sh, ju jeni i kujdesshëm kur shkoni në një resort, ose në një ambient që të verifikoni paraprakisht që nuk janë resorte që janë ndërtuar me paratë e pista?

Kryeministri Edi Rama: Jo. Unë nuk merrem fare me këtë punë, sa për dijeninë tuaj, sepse për sa kohë njerëzit janë të lirë, janë edhe të pafajshëm. Kështu unë nuk nisem fare nga këto marrëzira se ku shkoj për të pirë një kafe, apo ku shkoj që të shëtis, apo ku më kërkojnë të bëj një fotografi. Këto janë budallaqe me të cilat unë nuk merrem. Ndërkohë, patjetër që të gjithë ata që sillen në mënyrë të papranueshme me ligjin dhe me njerëzit duke përfituar nga një status që e kanë marrë dhe i’u është njohur për shumë vite do të duhen të ballafaqohen me një reagim shumë të vendosur të shtetit dhe të Policisë së Shtetit në radhë të parë, kjo nuk diskutohet.

Shumë faleminderit!  

Shkruaj Mesazh

Kontakto me Kryeministrin

Shkruaj Mesazh

Reportazhe Eksklusive

Dokumentarë

Reportazhe Eksklusive

Për Gazetarët

Hapësira Mediatike

Për Gazetarët

Raport publik

300 Ditë

Raport publik