Postuar më : 19 Prill 2017

Në rrugën e Rilindjes së Shëndetësisë, një spital modern çel dyert në Tiranë

Fjala e Kryeministrit Rama në inaugurimin e “Spitalit Amerikan 3”:

Përshëndetje të gjithëve!

Në radhë të parë dua t’ju uroj shëndet dhe sukses të gjithë ekipit të këtij spitali të ri, ku janë punësuar rreth 500 persona, por numrin e saktë do ta marrim nga Sigurimet Shoqërore dhe janë krijuar kushte optimale për të rritur cilësinë e shërbimit shëndetësor, jo vetëm për kryeqytetin, por edhe më gjerë.

Është gjithmonë e vështirë të jesh në aktivitete ku flitet për përparimet në fushën e shërbimit shëndetësor, sepse vetëdija që ka ende shumë më shumë për të bërë, është ndoshta më e fortë sesa në aktivitetet ku bëhet fjalë për fusha të tjera. Nga ana tjetër, edhe perceptimi negativ, i krijuar ndër vite tek qytetarët për shërbimin shëndetësor në Shqipëri, është shumë më i fortë, sesa perceptimi negativ për sektorëve të tjerë të jetës. Megjithatë, prapëseprapë nuk mund të mos thuhet me krenari se ne kemi bërë të mundur që shërbimi shëndetësor në Shqipëri të marri një kthesë të rëndësishme. Një kthesë, e cila ende është e paplotë e pas të cilës do të kemi një rrugë të gjatë, një rrugë të vështirë, por pa diskutim do të kemi një rrugë të drejtë për të ecur më tutje dhe për të bërë të mundur që në Shqipërinë që duam, shërbimi shëndetësor të jetë pasqyrë e respektit për dinjitetin e çdo njeriu. Në të njëjtën kohë, edhe mishërim i kujdesit për jetën dhe shëndetin e kujtdo, pavarësisht mundësive ekonomike apo statusit shoqëror.

Sot jemi në një strukturë private, por ajo që është e rëndësishme të thuhet dhe të rithuhet për të gjithë, është se tanimë ne kemi çelur një epokë të re ndërveprimi mes shërbimit publik dhe shërbimit privat dhe siç kemi bërë dhe do të bëjmë në të gjitha fushat e tjera, një epokë partneriteti serioz mes qeverisë dhe sipërmarrjes private. E faktikisht, kjo përkthehet në hapjen e një rruge që do të shkojë duke u zgjeruar, për të gjithë ata të cilët nuk i kanë mundësitë që të marrin një shërbim tek privati, por që kanë nevojë për këtë shërbim dhe në fusha të caktuar të këtij shërbimi, ky shërbim do të paguhet 100% nga shteti. Ata që do të vijnë këtu, do e kenë atë falas.

Deri më sot janë 10 paketa, të financuara 100% nga shteti, që zbatohen jo vetëm në spitalet publike, por edhe në spitalet jopublike ose private. Janë paketa të rëndësishme që përshijnë shërbime bazë të kardiokirurgjisë, kardiologjisë, nefrologjisë dhe implantit koklear.

Shëndetësia, ndoshta në mënyrë shumë më të ndjeshme dhe më të prekshme sesa fushat e tjera, është e lidhur drejtpërdrejtë me kapacitetin financues të shtetit. Ne jemi shumë krenarë që buxheti i këtij viti për shëndetësinë është buxheti më i madh në të gjitha vitet e këtij tranzicioni të vështirë dhe ka kapur nivelin 3% të Prodhimit tonë të Përgjithshëm Kombëtar. Është shumë më shumë seç ishte, por nuk është aq shumë sa duhet. Nga ana tjetër na duhet në ndërkohë të ecim më tutje me transformimin e infrastrukturës spitalore, në shembullin e shkëlqyer të transformimit të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, që është një model në këtë aspekt, për të cilin ne jemi realisht krenarë, për t’u shtrirë në të gjithë spitalet rajonale. Njëkohësisht për të zbatuar përmes programit tonë të ri “Një miliardë për rindërtim” një projekt tërësor të përmirësimit e infrastrukturës gjatë tre viteve të ardhshme, me spitalin e ri rajonal të Fierit dhe me 10 qendra të ekselencës të kujdesit shëndetësor në rang republike.

Përmes këtij programi special financimi, që do të jetë një financim plus buxhetit të deritanishëm të venë në dispozicion të Shërbimit Kombëtar Shëndetësor, ne besojmë shumë se jo vetëm do të krijohen hapësira të reja dhe do të ketë një rritje të ndjeshme të punësimit, por ajo që është edhe më e rëndësishme, do të na krijohet mundësia që profesionistët e shëndetësisë që mungojnë jashtë Tiranës të mund të financohen nga shteti në shërbimin tonë publik, me një pagë të barabartë me atë që do të merrnin, nëse do të iknin jashtë shtetit. Që do të thotë se është krejtësisht e mundur që ne tani ta vëmë në jetë këtë stimul dhe është krejtësisht e mundur që të mos kemi më as mangësitë e rënda, të trashëguara nga e kaluara në Shërbimin Kombëtar Shëndetësor, në zonat jashtë Tiranës, por të kemi një rritje të konsiderueshme të cilësisë së burimeve njerëzore, duke ulur ndjeshëm nivelin e largimeve të mjekëve nga Shqipëria.

Po ashtu do jetë me një rëndësi të veçantë edhe çuarja përpara e programit tonë të autonomisë spitalore. Ne tanimë jemi në një fazë kur kemi një shëndetësi që nuk bazohet në gojëdhëna, por bazohet në të dhëna, bazohet në statistika, bazohet në shifra kostosh. Me përfundimin e gjithë kostimit të protokolleve të shërbimit shëndetësor, ne do të jemi në gjendje që përfundimisht ta ndajmë Ministrinë e Shëndetësisë nga gjithë infrastruktura spitalore, duke i lënë vetë shërbimit spitalor autonomi në administrimin e fondeve në dispozicion. Duke bërë kështu të mundur që shërbimi ynë spitalor të hyjë në një epokë të re dhe Ministria e Shëndetësisë të hyjë në një epoke të re, duke qenë një pushtet shumë i rëndësishëm ekzekutiv i politikave të qeverisë, duke bërë politika, duke monitoruar rezultatet e politikave, por duke mos qenë më pika ku grumbullohen të gjitha kërkesat dhe ku administrohen të gjitha paratë dhe ku bëhen të gjitha prokurimet, që me thënë të vërtetën është një atavizëm i një të kaluare që ne e kemi lënë pas 27 vjet më parë.

Ajo që është shumë e rëndësishme, njësoj si për reformën në arsim dhe për reformën në shëndetësi është që ne të garantojmë që autonomia spitalore të krijojë një sistem ku, pavarësisht nëse është një spital që financohet plotësisht nga shteti, apo është një spital që financohet nga privati, rregullat, procedurat për akreditimin, rivlerësimet periodike, këmbimi informacionit shëndetësor, klinik dhe individual të jenë të unifikuara. Në këtë pikëpamje besoj që ky është modernizimi që i duhet sistemit tonë shëndetësor, në mënyrë që shërbimi, pavarësisht nëse kapërcen pragun e një ndërmarrjeje spitalore publike, apo një ndërmarrjeje spitalore jo publike, të jetë një shërbim i unifikuar në të gjitha aspektet.

Për të gjithë ata që sot e gjithë ditën kanë një problem alergjie me sipërmarrjen private dhe me shërbimet publike të ofruara nga privatët, unë dua të them se rritja në sasi dhe cilësi e këtyre shërbimeve është ilaçi më i mirë për të shëruar edhe vetë shërbimin publik. Nëse s’do të kishim universitete cilësore të financuara nga privatët, nëse s’do të kishim spitale cilësore të financuara nga privatët, nuk do kishim konkurrencën e domosdoshme që nxit universitetet dhe spitalet publike për t’u ngritur në lartësinë e sfidës së konkurrencës. Një konkurrencë që ndryshe nga konkurrenca në fushën e ekonomisë së lirë të tregut, patjetër që duhet të jetë e gjitha e monitoruar nga afër dhe e garantuar në cilësi nga shteti. Ashtu sikundër duhet të jetë e tillë që të mos krijojë dy nivele shërbimi për qytetarë të dorës së parë dhe qytetarë të dorës së dytë.

Kjo nuk ndodh, nëse ajo çka duhet të bëjë shteti, bëhet me rigorozitet dhe nëse shteti nuk shikon të vetët si të nënës dhe privatët si të njerkës, por nëse i shikon të gjithë si potencial në dispozicion për t’i shërbyer më mirë qytetarëve që do të marrin një shërbim cilësor e të barabartë, pavarësisht nëse kanë para apo s’kanë para, pavarësisht nëse shkojnë në një spital publik, apo në një spital jo publik.

Së fundi, dua të theksoj që ne po i shohim frytet e para të partneriteteve publike- private që kemi ndërtuar mes shtetit dhe sipërmarrjes edhe në shëndetësi. Sot kemi një transformim fantastik të gjithë instrumenteve mjekësorë. Transformim që do të shtrihet në të gjithë spitalet e vendit deri në fund të vitit, duke i dhënë fund një historie absurde dhe dramatike infeksionesh post-operatore, vetëm për shkak të instrumenteve deri dhe të ndryshkura të kohës përpara ardhjes së demokracisë dhe duke i krijuar nënave që lindin në maternitet, apo të gjithë të tjerëve që marrin shërbim në spital për rreth 50 mijë operacione në vit, garancinë që mbas operacionit nuk do të kenë as kosto shtesë në shëndet për shkak të infeksioneve, as kosto shtesë për shkak të antibiotikëve dhe as kosto shtesë për spitalet për shkak të zënies së shtratit për më shumë ditë, sesa do të ishte e nevojshme mbas një operacioni të caktuar.

Po kështu është çelur një epokë e re me hemodializën. Ne po shikojmë sesi po mbarojnë pak nga pak të gjitha kalavaret e individëve që janë mbi njëmijë, që marrin këtë shërbim 3 herë në javë dhe që deri dje ishin të detyruar të vinin të gjithë në Tiranë, ta merrnin me tre turne dhe të shpenzonin gjithçka që kishin për transportin, duke marrë me vete dhe dikë nga familja. Ndërkohë që sot, falë rrjetëzimit të qendrave të hemodializës, në partneritet me privatin, ne kemi siguruar dy gjëra shumë të rëndësishme; E para, që shërbimi merret pranë banimit dhe e dyta, ndërkohë që për atë shërbimin mizerabël, shteti paguante 90 euro për çdo seancë për çdo individ, sot shteti paguan 80 euro dhe të njëjtët individë marrin një shërbim të shkëlqyer dhe e marrin falas. Kjo falë partneritetit publik-privat. Ashtu sikundër, falë partneritetit publik- privat, ne shumë shpejt do të kemi një sistem tërësisht të ri laboratorësh dhe do të kemi një kapacitet tërësisht tjetër të analizave laboratorike.

Ne do të vazhdojmë të krijojmë partneritete me privatët, pavarësisht akuzave, pavarësisht shpifjeve, pavarësisht gjithë baltës që hidhet, a thua se jemi akoma në kohën kur disa ishin partizanë dhe disa ishin kulakë. Jemi të bindur se jo vetëm nuk po bëjmë asgjë tjetër ndryshe nga ç’kanë bërë vende që e kanë nisur me vështirësi të mëdha, - le të marrim thjesht shembullin e Turqisë, për të mos përmendur vende të tjera që sot janë në avangardë të shërbimeve publike, të financuara dhe të administruara në partneritet me privatët, - por, mbi të gjitha, ajo që na intereson është se falë këtyre partneriteteve ne marrim baltën, por njerëzit marrin shërbim cilësor, të kualifikuar, të sigurt dhe  dinjitoz.

Edhe njëherë shumë urime për këtë spital të ri. Edhe njëherë shumë mbarësi dhe sukses gjithë ekipit të mjekëve, infermiereve, sanitareve që janë të punësuar këtu në këtë spital. Edhe njëherë shumë kurajo dhe shumë sukses nismëtarëve të kësaj iniciativë, që është një tjetër histori suksesi në një rrugë të vështirë, por, siç dëshmon dita-ditës transformimi që po ndodh në shërbimin shëndetësor, absolutisht jo të pamundur.

Shumë faleminderit dhe njëherë!

 

* * *

Një tjetër spital modern në shërbim të qytetarëve shqiptarë ka çelur dyert në Tiranë.

Spitali Amerikan 3 është investimi më i madh në sistemin shëndetësor në vend dhe me infrastrukturën më moderne në Ballkan. Ai shtrihet në një sipërfaqe prej 25 mijë metrash katror, me një staf prej rreth 500 të punësuarish, me 100 dhoma, 170 shtretër, 5 salla operatore dhe dy koronarografi, duke ofruar kushte optimale dhe cilësi të lartë shërbimi për pacientët.

Spitali Amerikan, i cili ka dhe 2 pika të  tjera në Tiranë është një investim i cili në tërësi  arrin në shifrën e 65 milionë eurove. Ai është një investim i Badminster Capital Management Fund; dhe është sponsorizuar nga qeveria amerikane, nëpërmjet agjencisë së saj të investimeve OPIC, si dhe nga BERZH.

Një prej arritjeve të kardiologëve të këtij spitali, ishte realizimi për herë të parë në Shqipëri i transportit me helikopter ambulance dhe ndërhyrjes së shpejtë të stafit të kardiologëve, duke shpëtuar jetë. Ndërkohë që për herë të parë në historinë e mjekësisë në Shqipëri, qeveria vendos të mbështesë oferta të shërbimeve mjekësore të sistemit miks publik-privat. Janë 10-të paketa pa pagesë, të financuara 100 % nga qeveria, që kanë nisur të zbatohen, jo vetëm në spitalet shtetërore, por edhe në ato jopublike, në rastin konkret edhe në Spitalin Amerikan 3.

Paketat përfshijnë shërbimet bazë të kardiokirurgjisë, të nefrologjisë, të kardiologjisë dhe të implantit koklear.

Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu ishin sot në ceremoninë e organizuar me këtë rast.

Shkruaj Mesazh

Kontakto me Kryeministrin

Shkruaj Mesazh

Reportazhe Eksklusive

Dokumentarë

Reportazhe Eksklusive

Për Gazetarët

Hapësira Mediatike

Për Gazetarët

Raport publik

300 Ditë

Raport publik