Postuar më : 13 Mars 2017

Në rrugën e Rilindjes së shëndetësisë

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në prezantimin e projekteve të reja të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”:  

Mirëdita të gjithëve!

Është një koincidencë e bukur, në fakt. Ky event ishte organizuar më parë dhe përkoi me eventin e ndryshimit të ministrit të Shëndetësisë me ministren e re të Shëndetësisë dhe pikërisht këtu, në zemrën e fushës së betejës tonë për transformimin e sistemit tonë shëndetësor. Në një territor ku deri 3 vjet e gjysmë më parë as nuk mund të imagjinohej çka është bërë dhe çka përgatitet të fillojë në pak javë. Në një territor ku deri 3 vjet e gjysmë më parë duhej të kaloje mes zarzavateve dhe rrobave të varura në hyrjen e spitalit, nën hijen e të cilave shitej byrek dhe pastaj duhej të vije vërdallë për të gjetur rrugën për në derën e duhur.

Sot patjetër që ka ende nevoja të rëndësishme. Pikërisht për këtë jemi këtu, për të prezantuar vazhdimin e kësaj rruge, por ku, çka vërehet edhe nga vetë njerëzit në nevojë për kujdes shëndetësor, ndryshimi është rrënjësor.

Ky ndryshim rrënjësor nuk lidhet vetëm me reformën e thellë që ka ndërmarrë ministri i Shëndetësisë, nuk lidhet as me një vëmendje të shumëfishuar të qeverisë ndaj sistemit, çka e tregon vetë buxheti, por lidhet edhe me atë çka keni bërë të gjithë sëbashku, ju këtu në sallë apo jashtë kësaj salle, si pjesë e kolektivit të këtij kompleksi spitalor kaq të rëndësishëm, nën drejtimin e ministres së sapopërcaktuar të Shëndetësisë, - e cila do të dekretohet më pas, për t’u bërë zyrtarisht ministre, - duke qenë shumë më pak problem seç mund të ishit. E vërteta është se ka pasur reagime të vazhdueshme ndaj ndryshimeve lidhur me ristrukturimet, lidhur me partneritetet publike private. Rasti më i freskët, ai i laboratorëve. Frika e ndryshimit krijoi një panik komplet të pabazë tek laborantët, pasi e vërteta është që ky ndryshim, jo vetëm nuk ul numrin e laborantëve, pra, askush nuk humbet punën, përkundrazi kërkon më shumë laborantë, jo vetëm nuk e ul numrin e analizave, përkundrazi bëhet për të rritur numrin e analizave.

Përtej perceptimit, që sigurisht nuk është i ngritur në ajër, por i bazuar në realitet, se mjekët, infermierët, trupa e shërbimit shëndetësor është “gjakpirëse” e popullit, e vërteta është se mjekët, infermierët dhe trupa e shërbimit shëndetësor është baza e këtij ndryshimi dhe se ata, të cilët e kanë njollosur dhe e njollosin bluzën e bardhë, nuk janë shumica, madje janë larg të qenit shumica. Ashtu sikundër, ata që drejtojnë si shefa, ata që operojnë nëpër salla, ata që zgjohen edhe në mes të natës për të ardhur këtu, bëjnë një punë që është larg së qeni një punë e lehtë, por mund të quhet me plot gojën, një punë me sakrifica.

Nuk është e vështirë të shikosh se kemi të bëjmë me një profesion dhe profesionistë, të cilët kanë mundësi që profesionin e tyre ta ushtrojnë jo vetëm në sektorin privat, por edhe jashtë shtetit. Për fat të mirë, në këtë territor, ne kemi profesorë, kemi njerëz me shumë eksperiencë, kemi dhe të rinj, të cilët pa as më të voglin dyshim mund të punonin në klinikat më të mira të botës dhe kanë punuar në klinikat më të mira të botës, në periudhat e stazheve të rritjes së tyre profesionale.

Unë nuk e quaj absolutisht të pavend, përkundrazi e quaj një domosdoshmëri dhe shprehje respekti për të gjithë këtë trupë prej 13 mijë njerëzish, punën e të cilës nuk e asgjëson dot sjellja tërësisht e papranueshme e atyre që brenda kësaj trupe iu krijojnë njerëzve në nevojë, shqetësimin e madh të detyrimit për të dhënë ryshfet, rritjen e pagave. E jo thjesht rritja e pagave, por dhe disa konsiderata të tjera janë më shumë sesa domosdoshmëri.

Kush thotë të kundërtën, ose i vjen natyrshëm të më shkruajë mua (marr shumë nga këto) që vetëm atyre s’iu duhen rritur rrogat, se ata janë pasanikë që jetojnë me gjakun tonë, ose është viktimë e një propagande të shfrenuar që është bërë kundër bluzave të bardha, ose e disa sjelljeve të tmerrshme që qeveritë kanë bërë jo për të luftuar korrupsionin, por për të larë ndërgjegjen e tyre. Më kujtohet koha kur arritën të fusnin edhe shërbimin sekret, këtu në QSUT. Ju kujtohet, besoj, kur arritën të fusnin edhe njerëz, për të provokuar me kamera dhe histori të tilla, vetëm për të bërë koka turku dhe për të thënë që ne po luftojmë korrupsionin.

Korrupsioni nuk luftohet, nëse nuk ndryshon sistemi, nëse nuk ndryshon konteksti në të cilin njerëzit punojnë. Korrupsioni nuk luftohet, nëse ata që punojnë në Urgjencë dhe Reanimacion kanë rroga që janë larg së qeni të mjaftueshme, jo për ta çmuar, por të paktën për ta justifikuar sakrificën e tyre.

Për këtë arsye, ne, përveç 10%-it të rritjes së pagës, do të rrisim 25% pagën për ata që punojnë në Reanimacion apo Urgjencë.

Për këtë arsye, ne do të dyfishojmë pagën e shërbimit të rojes. Nuk mund të jetë shërbimi i rojës si turni i tretë në kohën e komunizmit. Shkonin turn i tretë në torno e ju thuhej vazhdoni tornoni detajet se do të bëjmë traktorin  e parë të markës shqiptare, ndryshe s’keni ku shkoni tjetër. Si mund të jetë shërbimi i rojes pa asnjë incentivë dhe pa asnjë pagesë plus! Dyfish, shërbimin e rojës.

Ashtu sikundër, ne kemi një problem shumë të madh, mungesën e mjekëve specialistë jashtë Tiranës. Por ne nuk kemi mungesë mjekësh. Bëmë një provë që na dha disa rezultate, por jo rezultatet që prisnim. Vendosëm bonus për ata që pranojnë të punojnë në spitale të tjera nga Tirana. E para, bonusin do ta rrisim, sepse, nëse kursejmë, ose nuk gjejmë mundësinë që t’i japim cilitdo mjek që shkon jashtë Tiranës, një pagë që të konkurrojë, ose ta tejkalojë pagën që ai mund të marrë në emigracion, ne s’ kemi bërë asgjë.

Ne do ta bëjmë këtë.

Nuk është shumë, në krahasim me sa shumë dramatike është mungesa këtyre mjekëve specialistë dhe sa shumë problem krijohet për sistemin këtu, duke qenë se vijnë të gjithë në QSUT. Kostot, këtu super rriten.

Ne do të rrisim pagat e tyre në këto nivele, që ata të shkojnë e të jenë atje me dinjitet të plotë dhe drejtues dhe të justifikojnë plotësisht këtë sakrificë, me të ardhura që nuk do t’i kishin më shumë, po të shkonin të punonin jashtë shtetit.

Nga ana tjetër do të japim 100 mijë lekë në ditë për çdo mjek të QSUT-së që shkon në një spital rajonal, për të bërë një konsultë apo një shërbim. Po ashtu, 50 mijë lekë në ditë, mjekëve të spitaleve rajonale që shkojnë në bashki.

Jemi në kushtet kur po kthejmë mbrapsht disa investime të bëra, duke bërë reformë. Nuk do ishim këtu, duke bërë këtë paraqitje që duket e pabesueshme. nëse ne nuk do t’i kishim bërë këto reforma. Në fund të fundit, të gjitha këto duan para. Paratë i gjenerojnë reformat, të cilat bëjnë të mundur që të zvogëlohen humbjet dhe të rriten përfitimet. 

Mjafton të kujtojmë, -mua ma kujton memoria, juve ua kujton kurrizi, - kronikat e televizioneve 3 vjet e gjysmë më parë, kur mblidheshin njerëzit dhe ulërinin nëpër kangjella me receta nëpër duar, se s’kishte ilaçe. Ndërkohë mbi këtë tavan të sistemit shëndetësor rëndonte një borxh i jashtëzakonshëm për të gjitha shërbimet e papaguara, për ilaçe që ishin marrë dhe nuk ishin paguar, duke bërë që distributorët të thoshin “Stop! Na jepni lekët, përndryshe do të falimentojmë.”

40 milion euro për shërbime të papaguara ndaj sistemit të shëndetësisë. Nuk ishte një shaka, por një peshë që mund të thyente tavanin e gjithë sistemit.

Sot kemi 30% rritje të shpenzimeve për shëndetësinë, pasi kemi shlyer edhe borxhet, krahasuar me momentin që sapo referova në kujtesën tuaj. Buxheti i shëndetësisë sot është jo vetëm më i larti në 26 vitet e fundit, por është 500 miliardë [të vjetra].

Kemi arritur të fusim në buxhetin për shëndetësinë, para nga buxheti i shtetit dhe nga xhepat e privatëve. Partneritetet apo koncesionet e famshme dhe të mallkuara janë në fakt, një instrument suksesi, të cilin e garantoi ministri në detyrë, për një arsye shumë të thjeshtë, sepse janë koncesione që janë investime pa futur duart në xhepin e qytetarëve. Ata që janë këtu dhe që operojnë e dinë mirë, kaluam nga ajo sharra që prisje këmbën në kohën e luftës, tek instrumente të standardeve më të larta dhe tek një shërbim me instrumente në nivel europian. Sigurisht, kjo kushton. Kur shteti nuk i ka paratë që të bëjë edhe këtë, edhe atë dhe kur ka interes privati ta bëjë, shteti i thotë privatit ta bëjë dhe se do të shlyhet nga shteti në “x” vite.

Qenka normale të shkojmë në një bankë të marrim borxh dhe nuk qenka normale të marrim paratë nga arka e sipërmarrjes, t’i fusim në investime për shtetin dhe t’i rikthejmë në arkën e sipërmarrjes ndër vite. Ku është ndryshimi?

Kur i marrim paratë nga banka, kemi treguar dy gjëra; E para, kemi pasur një kapacitet shumë të ulët të administrimit të borxhit; E dyta, kemi treguar që me ato para nuk kemi bërë sukses, sepse kapacitetet menaxhuese i kemi pasur mizerabël. Ndërkohë që një kompani “x” apo “y” nuk japin paratë vetëm, bëjnë investimin dhe garantojnë cilësinë.

Si mundet të pranojmë që në sallat e dializës nëpër spitale, të bëra me Partneritet Publik Privat, të duket sikur shkon nga një shtet në një shtet tjetër, kur kalon nga një kat në katin tjetër dhe është i njëjti spital. Pse shteti nuk i pati dhe nuk i ka këto mjedise?

Për njëmijë e një arsye.  Por ajo që ka më shumë rëndësi është se, nëse dikush operohet sot në salla operacioni të pajisur me standarde të reja, për të cilat privati ka bërë investimin dhe shteti do paguajë çdo vit, atij nuk i thuhet se tani ke edhe një faturë të vogël, se do të operohesh me bisturi, jo me sharrë. Qytetari merr një shërbim shumë më të mirë, shumë më pa risk dhe nuk paguan nga xhepi. Këto janë koncesionet tona. Nuk janë si koncesionet që bëheshin më parë, për të cilat, për çdo shërbim i vihej faturë qytetarit. Për shembull, është shteti, ai që ka nevojë dhe jo eksportuesi apo importuesi, që të kalojë trajlerin në skaner, për të parë çfarë ka brenda. Atëherë, si mund t’u thotë shteti, skanerin do ta paguni ju dhe do t’ia paguani privatit, se ai ta bëri skanerin!

Janë dy gjëra komplet të ndryshme. Këto janë Partneritete Publike Private të shëndetshme, që na japin mundësinë të japim një shërbim më të mirë dhe të kemi një kohë të arsyeshme shlyerjeje, duke bërë më shumë investime në njësinë e kohës.

500 miliardë lekë në një vit për shëndetësinë janë shumë, në krahasim me ç’ishin.

Nëse tani do të bëjmë Spitalin Rajonal të Fierit, do të bëjmë një spital rajonal të këtyre standardeve. Nuk mund të bëjmë më spitale rajonale si ato që u bënë në të kaluarën. Kjo kushton shumë, por duhet bërë patjetër. Do ftojmë sipërmarrjen dhe do t’i themi “bëje dhe ne do ta paguajmë në vite”. 

Për më tepër, kjo nuk është shpikja jonë, as jemi të parët në këtë punë. Të tjerët janë shumë më përpara. Këtu ka me siguri shumë nga ju që kanë një dijeni të plotë në kohë për ecurinë e shërbimit shëndetësor turk. Ai ndryshim marramendës lidhet pikërisht me Partneritetin Publik Privat. Shteti turk nuk ndërton më spitale me lekët e veta. Prej shumë kohësh nuk vë më asnjë lirë për të ndërtuar spitale. Madje, shteti turk ka hyrë në një formulë edhe më agresive, me të cilën ka filluar projektin gjigand për ato që ata i quajnë spitalet publike me 7 yje. Cila është formula?

Merr me qira spitalet që i ndërton privati. Qiraja është formula për të shlyer investimin, duke e harmonizuar me autonominë. Duke iu thënë edhe mjekëve se ky është spitali juaj për shërbim publik dhe për shërbimin tuaj jashtë orareve në shërbimin publik, një transformim tjetër ky dhe ne drejt kësaj rruge po shkojmë. Nëse ne nuk u japim mjekëve mundësinë të ndihen bashkëpronarë, në kuptimin më të mirë të fjalës, jo të godinës, por bashkëpronarë me shtetin dhe nëse ne nuk u japim mundësinë trupave, përmes bordeve të tyre të vendosim buxhetin, të administrojnë kohën, të administrojnë teknologjinë, e kemi shumë vështirë, sepse në fund të ditës, godina të bukura mund të ndërtosh, por janë njerëzit brenda, ata të cilët bëjnë që ato ta japin apo mos ta japin mbrapsht investimin e bërë.

Ju e dini shumë mirë që kjo është e bukur e thënë, por si mund ta bësh këtë, nëse nuk ke protokolle, nëse nuk di koston e çdo protokolli dhe mbi bazën e kostos së çdo protokolli, jep buxhetin. Nuk është që i njëjti operacion, e njëjta analizë, i njëjti veprim kushton ndryshe në kat të parë, ndryshe në kat të dytë, ndryshe në kat të tretë dhe ndryshe në rajonin tjetër.  Për shembull, konstatimi që deri në vitin 2013 blinim ilaçe që skadoheshin dhe kishim ilaçe që mbaroheshin është tragjik. Porosi të bëra kuturu, ose me prapaskena të tjera. Është e pabesueshme, por arka të tëra me ilaçe kot dhe mungesë ilaçesh për nevoja plot.

Unë besoj që 7 sallat e reja të operacionit, të standardeve europiane, që do furnizohen me pajisje të reja mjekësore, spitali i ri për Sëmundjet e Brendshme e me radhë, nga Kardiologjia tek Hematologjia, Nefrologjia dhe të tjera sëmundje të brendshme, Njësia e Rehabilitimit Fizik, rikonstruktimi rrënjësor dhe zgjerimi i Pediatrisë me gjithë njësitë, Urgjencën, Reanimacionin, sallën e operacioneve; furnizimi me instrumente të reja mjekësore dhe me një kosto totale 34 milionë euro, është diçka që deri përpara tre vjet e gjysmë do dukej një përrallë. Do dukej sikur ne kishim ardhur këtu të ekspozonim tramin e Tiranës për fushatë.

Por ky nuk është trami Tiranës. Ky është një projekt që do fillojë në maj dhe për të cilin ka tre vjet që punohet. Përkon me majin, me fushatën, por nuk është bërë për fushatë. Për fushatë mund të bësh vizatimin, por jo të fillosh punimet, sepse është një histori e tërë negocimi, garancish etj.. Në fund të ditës, më shumë se 800 veta do rilindin profesionalisht.

Unë e di që këtë duhet të kesh gjithmonë kujdes, sepse pluralizmi këtu është shumë i nxehtë, por do rilindin faktikisht, të gjithë sëbashku, profesionalisht.

Krahas projekteve të mësipërme, pas pak javësh do të sjellim akseleratorin e  dytë linear, që do t’i vendoset në dispozicion Onkologjisë, investim 700 mijë euro. Kur erdhi akseleratori i parë, dukej si raketë kozmike, ndërkohë për ata që e kanë parë jashtë, dukej një normalitet.

Investimet e bëra në QSUT këto tre vjet janë çka është më e rëndësishme, jo në shumë, por në eficencë të pakrahasueshme me 20 e ca vjet, sepse janë pjesë integrale e një plani. Ne nuk themi kemi disa lekë për mirëmbajtje dhe po shtrojmë me pllaka korridorin e tretë. Kur vjen në spital, të duket vetja si në një zonë arkeologjike, me shtresa. Korridore që deri në një pikë të caktuar kanë një lloj pllake dhe vazhdon me një tjetër lloj. Ti e kuptoje që aty kishte mbaruar tenderi i një drejtori dhe kishte filluar tenderi tjetër. Kjo ishte arkeologjia e drejtimit dhe e menaxhimit financiar të shpenzimeve. Pa folur për ashensorët, tavanet e të tjerat. Arno, qep, shqep.

Ndërkohë investimet që po bëjmë, nuk janë qep dhe shqep. Këto janë shprehje natyrisht, edhe e pamundësisë për t’i bërë të gjitha përnjëherë, por e vetëdijes se hap pas hapi, çfarë bëhet mirë, është pjesë e një sistemi që rindërtohet. Çfarë është keq, është thjesht në pritje për t’u bërë pjesë e sistemit që rindërtohet.

Po e mbyll me një thënie të “profetit” tuaj, Hipokratit: “Shërimi është çështje kohe, por është edhe çështje mundësish”. Pyetja që i bëj vetes është: A kemi shfrytëzuar të gjitha mundësitë, në kohën e shkurtër që kemi pasur?

Mbase jo të gjitha, por sot, cilido nga ju, ma ha mendja edhe brenda vetes dhe ata që rilindjen e shikojnë me skepticizëm, nuk e mohojnë dot që ajo që është bërë në këtë spital, as nuk pritej dhe as nuk mund të mendohej se do të ndodhte. Vetëm për kaq, unë besoj se ne mund të shohim me shumë besim vitet në vijim dhe të themi me plot gojën që kjo është një garanci, në fund të fundit. Është e lehtë të vish këtu dhe të thuash “kemi bërë mrekulli”, por është po kaq e lehtë të bëhesh edhe qesharak, duke e thënë. Ne nuk kemi bërë mrekulli. Ashtu sikundër është e lehtë të shikosh vetëm gjërat e mira që ke bërë, por në fakt, sytë, unë i kam tek gjërat që nuk i kemi bërë.

Ato që kemi bërë i shikojnë të gjithë. Ato që nuk kemi bërë, janë ende shumë. Mbi të gjitha, më e rëndësishme është ajo që na pret, autonomia reale. Ministrja e re, e cila ka qënë që ditën e parë, një mbrojtëse e flaktë e autonomisë reale, kur të shkojë në zyrë, të mendojë për autonominë reale dhe të mos mendojë “nuk është akoma koha, meqë unë erdha këtu, tani”. Sot ka një bazë që mund të themi se i jemi afruar shumë autonomisë reale.

Ogerta ka edhe eksperiencën e brendshme këtu me ju. Ajo nuk e dinte çfarë do t’i ndodhte sot dhe e vetmja gjë që i thashë, kur e takova, ishte një këshillë “mos u ndaj nga këta që do takojmë këtu.

Shumë faleminderit!

Shkruaj Mesazh

Kontakto me Kryeministrin

Shkruaj Mesazh

Reportazhe Eksklusive

Dokumentarë

Reportazhe Eksklusive

Për Gazetarët

Hapësira Mediatike

Për Gazetarët

Raport publik

300 Ditë

Raport publik