Postuar më : 14 Shkurt 2017

Nis kompensimi i fermerëve për kafshët e dëmtuara nga dermatoza nodulare

Ashtu siç u ishte premtuar nisi sot procesi i kompensimit të fermerëve për kafshët e dëmtuara nga dermatoza nodulare. Fermerët e Hasit në Kukës janë të parët të cilëve iu zëvendësuan çdo kokë gjedhi e prekur nga kjo sëmundje. Kompensimi i fermerëve për gjedhët e prekur u bë pjesë e paketës më të madhe të solidaritetit, krahas dëmshpërblimit të përmbytjeve. 3 milionë dollarë u akorduan për vaksinimin për të parandaluar dëmet dhe për të kompensuar plotësisht të gjithë fermerët që humbën gjedhët nga kjo sëmundje. Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga Ministri i Bujqësisë Edmond Panariti u takuan me fermerë të Hasit. 

Fermerët vlerësuan jetike për ta jo vetëm kompensimin që iu bë, por edhe faktin se zëvendësimi i kafshëve të dëmtuara është bërë me kafshë me prodhimtari më të lartë, sikundër për fushatën e vaksinimit që frenoi rritjen e dëmeve. “Kam pasur 10 krerë, 3 ngordhën. Faleminderit për vaksinat, sepse sikur të mos ishin bërë vaksinat në kohë do të ngordhnin edhe të tjerat, se kishte qenë sëmundje shumë e rrezikshme,” – tha një fermer i cili sot mori tre lopë, një kompensim për ato që I ngordhën nga sëmundja.

Fushata e zëvendësimit kokë për kokë e kafshëve të dëmtuara do të vazhdojë në të gjithë zonat ku kjo sëmundje u ka shkaktuar dëme familjeve fermere. “E gjithë kjo zonë, - informoi Ministri Panariti - tashmë është vaksinuar me vaksinë falas, të siguruar nga shteti shqiptar dhe mbajtëm premtimin, që i kishim dhënë atëherë. Kjo racë është shumë më e mirë sesa lopët, mëshqerrat, që u dëmtuan. Është një racë e përzgjedhur me shumë kujdes, e importuar nga Danimarka, raca “xhersi”, e cila i përshtatet më së miri të gjitha karakteristikave të kësaj zone. Ne fillojmë sot procesin e kompensimit kokë më kokë të gjithë krerëve, të dëmtuar.” Hasi, Kukësi, Dibra janë tre bashkitë e para ku ka nisur dëmshpërblimi për gjedhët, më pas sipas ministrit procesi do të shtrihet edhe në Lushnje Fier, Korçë dhe gjithë fermerët e dëmtuar nga kjo sëmundje do të dëmshpërblehen ashtu siç është premtuar për çdo kokë gjedh të humbur nga sëmundja.

 

***

Pajisjet moderne dhe të teknologjisë bashkëkohore janë investimi më i ri në Spitalin Rajonal të Kukësit, e konkretisht në maternitetin e këtij spitali. Salla e imazherisë ofron një shërbim të specializuar, të munguar deri tani, përmes ECHO-s së re Obstetrike-Gjinekologjike të instaluar së fundmi. Janë rreth 700 nëna të reja, të cilat i drejtohen spitalit të Kukësit çdo vit për të sjellë në jetë fëmijët e tyre. Deri dje ato detyroheshin ta merrnin këtë shërbim të domosdoshëm për ecurinë e shtatzënisë, tek privati apo në qytete si Prizreni e Tirana. Ndërsa tani mund t’i kryejnë këto vizita në qytetin e tyre, duke shkurtuar ndjeshëm shpenzimet, pasi për çdo shtatzëni, sipas protokolleve, duhet të kryen 4 ekzaminime të tilla. Vetëm në muajt e fundit të vitit të kaluar në maternitetin e spitalit rajonal të Kukësit janë realizuar investime me vlerë rreth 90 milionë lekë, nga këto rreth 35 milionë lekë për ECHO-n obstetrike-gjinekologjike dhe rreth 55 milionë lekë për rinovimin e çatisë së maternitetit. Gjithashtu janë çelur procedurat për furnizimin e pajisjeve mjekësore me vlerë rreth 200 mijë euro ku, midis të tjerash, përfshihet një mamografi dhe një inkubator mobil për rastet kur bebet duhet të transferohen me autoambulancë drejt Tiranës.

Kryeministri Edi Rama i shoqëruar nga Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj ishte sot në maternitetin e Kukësit ku u takua me personelin mjekësor dhe pacientë. Për mjekët e maternitetit, shërbimi i imazherisë është tejet i rëndësishëm, sepse siguron të dhëna për mbarëvajtjen e shtatzanisë. ”Kemi pasur 5 vite pa Echo dhe kjo është diçka e rëndësishme për rrethin e Kukësit, pasi gratë kanë shkuar o në Prizren, o në privat, o në Tiranë për ta kryer dhe shpenzimet ishin të mëdha. Ne kemi rreth 700 lindje në vit, kështu që besoj e justifikon plotësisht, që të kemi një Echo të re”.

Ndërsa ministri Beqaj shpjegoi se shkurtimi i shpenzimeve për nënat e reja është mjaft i ndjeshëm dhe se zerimi i tarifave të ekzaminimeve bëhet realitet i prekshëm, duke ofruar kryerjen e tyre sa më pranë vendbanimit. “ Janë të paktën 4 echo që duhen kryer në një shtatzëni, që to të thotë 60 mijë lekë për një nënë, ose 42 milionë lekë në vit, për të gjitha nënat. Nënat që lindin në Kukës i bënin echot o në privat, o në Prizren bashkë me shpenzimet e transportit. Tarifat janë zero, janë falas, por përsa kohë që s’kishte echo mbetej një gjë që nuk prekej. Tani e shtrijmë këtë shërbim edhe këtu bashkë me rikonstruksionin që i kemi bërë. Janë rreth 55 milionë lekë që i kemi shpenzuar për çatinë, nyjet hidrosanitare, dhe rreth 35 milion për echo.”

Rikonstruksioni i godinës dhe gjithë infrastrukturës së saj ishte gjithashtu një investim i domosdoshëm për spitalin “Investimi që është bërë te çatia, të them të drejtën ka qenë tepër i domosdoshëm, sepse ca binte jashtë, binte brenda. Materniteti ka qenë i pa banueshëm”, - u shpreh një mjeke.

***

“Bajram Curri”, shkolla 9 vjeçare më e madhe e qytetit të Kukësit, vjen për 470 nxënësit e saj, tërësisht e rikonstruktuar dhe e pajisur me bazë mësimore të re dhe bashkëkohore. Si rezultat i numrit të madh të nxënësve, mësimi në këtë shkollë zhvillohej me 2 turne, duke bërë procesin mësimor të vështirë edhe për shkak të kushteve atmosferike të papërshtatshme.

Me investimin prej 113 milionë lekësh është realizuar një shtesë e re shkolle, si dhe rikonstruksioni i plotë i saj duke bërë të mundur në këtë mënyrë sistemin e mësimit me një turn të vetëm. Shkolla është pajisur me laborator kimie, laborator biologjie, si dhe laborator fizike.

Kryeministri Edi Rama i shoqëruar nga Ministrja e Arsimit Lindita Nikolla ishte sot në shkollën “Bajram Curri” ku pa nga afër mjediset e reja të rikonstruktuara.  “Janë rreth 79 mësues që janë bërë pjesë e trupës mësimore të Kukësit nga portali “Mësues për Shqipërinë”, u shpreh ministrja Nikolla. Ndërkohë që shkolla “Bajram Curri” ka në stafin e saj një mësuese të përzgjedhur nga ky portal. “Thashë shyqyr që më në fund u hap një rrugë e drejtë për t’u punësuar këtu”, - u shpreh ajo.

Ministrja Nikolla tha gjithashtu se “Projekti i 1 miliard dollarëve mundëson rikonstruksione shkollash në Kukës; 8 rikonstruksione dhe 2 shkolla të reja."

Shkruaj Mesazh

Kontakto me Kryeministrin

Shkruaj Mesazh

Reportazhe Eksklusive

Dokumentarë

Reportazhe Eksklusive

Për Gazetarët

Hapësira Mediatike

Për Gazetarët

Raport publik

300 Ditë

Raport publik