Postuar më : 17 Mars 2017

Njëmijë legalizime të reja falas në Shkodër

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në shpërndarjen e 1 mijë lejeve të legalizimit në Shkodër:

 

Në dy vjet e pak që ka filluar të funksionojë si duhet ALUIZN-i, ne kemi bërë 1528 legalizime vetëm në komunën Rrethina. E fundit që vlen për të bërë një krahasim shumë të thjeshtë është se në 8 vjet, ata që iu thoshin njerëzve mos votoni për Edi Ramën se do t’ju prishë shtëpitë dhe do ju kthejë andej nga keni ardhur, bënë vetëm 21 mijë legalizime, nga të cilat, mbi 80% lokale, hotele, motele, pishina, trampolina, magazina dhe pjesa tjetër shtëpi. Në dy vjet e gjysmë, pasi kërkuam, gjetëm dhe sistemuam dosjet e lëna rrugëve, ne bëmë 115 mijë legalizime. Sot, me këto 1 mijë legalizime që shpërndahen këtu bëhen 116 mijë legalizime.

Flasin vetë faktet, flet vetë realiteti i familjeve që pritën me vite të tëra dhe sot janë jo pak, por 116 mijë familje që kanë më të fund titullin e tyre të pronësisë. Më në fund, investimin e jetës së tyre, kursimet, gjakun dhe djersën i kanë kapital të regjistruar, me të cilin mund të bëjnë çfarë të duan. Mund ta shesin, mund ta vendosin kolateral në bankë, mund ta japin me qira. Askush nuk mundet dot t’ua prishë, ose do duhet t’u japë atë që u takon si pronarë të rregullt.

Legalizimet janë një pjesë e rëndësishme e betejës tonë për të rilindur ekonominë familjare, për t’iu dhënë njerëzve mundësi të reja dhe për t’ua kthyer atë investim të madh, ato para që i kanë investuar për tulla, llac e tjegulla, në një kapital që mund ta përdorin sipas nevojës, duke qenë zotërues të një titulli të ligjshëm pronësie.

Patjetër që nuk kanë përfunduar të gjitha legalizimet, sepse nuk mund të bëheshin në një hark kohe kaq të shkurtër, krahasuar me sa vite e vite janë ndërtuar e janë ngatërruar ato që nuk u bënë për 20 e ca vjet. Ju dhe të gjithë ata që kanë sot shtëpinë të legalizuar, janë dëshmitarët më të mirë të të vërtetës se ky është një proces që mund ta bënim vetëm ne dhe mund ta përfundojmë për të gjithë, vetëm ne.

Ana tjetër e medaljes, jo më pak e rëndësishme është që, siç mund të dëshmojnë ata që sot marrin legalizimet, në vitet e mëparshme aplikuan, paguan mbi dorë e nën dorë dhe morën asgjënë. Ndërkohë, ju jeni dëshmitarë që sot legalizimin e merrni, pasi këto vajza e djem që punojnë në zyrën e ALUIZNI-t të Shkodrës ju kanë ardhur nëpër shtëpi, ju kanë ndihmuar të plotësoni siç duhet dokumentet dhe ju kanë mundësuar që të mos keni nevojë të shkoni tek dera e ALUIZNI-t e të prisni ditë e net. Ky proces që është bërë me asistencën e ALUIZNI-t, për të cilin ju nuk keni paguar asnjë lek, është fals, nga pikëpamja e gjithë procedurës administrative.

Kush e ka tokën e tij, gjithçka e ka falas. Kush e ka tokën e tjetrit, paguan një kontribut për tokën, në mënyrë që ne me këto kontribute të garantojmë se nesër a pasnesër nuk do ju vijë nipave e mbesave tuaja tek dera, nipi, mbesa apo stërnipi e stërmbesa e pronarit t’u thotë se shtëpinë jua ka dhënë dikur qeveria, por toka është e imja. Aq më tepër që me këto kontribute, neve na jepet më shumë mundësi, për të bërë më shumë edhe për lagjen. Nuk mbaron tek legalizimi, nuk mbaron tek regjistrimi në hipotekë i pronës, por duhet të vazhdojë edhe me përmirësimin e situatës në lagje.

Dje kam folur gjatë me Artan Lamen, për të marrë një raport për Shkodrën dhe kam parë që Bashkia e Shkodrës është bashkia më shembullore për gjumë dhe për moskokëçarje për qytetarët dhe familjet. Më vjen shumë keq që atë që i bënë Tiranës deri në 2015-ën, tani po ia bëjnë Shkodra. Më vjen shumë keq që gjumin nga Tirana e kanë transferuar në Shkodër. Thonë “ç’rëndësi ka se po na mërziten, në fund të ditës, prapë do na votojnë”.

Ju e dini vetë për kë e si votoni. Unë nuk kam ardhur këtu të bëj fushatë. Vetëm një gjë është e sigurt, zgjedhjet do bëhen në 18 Qershor. Deri në 18 qershor ka akoma kohë. Gjykojeni me qetësi dhe në fund vendoseni, a doni me ik nga shtëpia ku sapo u bëtë pronarë, me u fut në çadër, apo doni që sëbashku të vazhdojmë rrugën që kemi nisur.

Ky është vend i lirë. Kush do të punojë në çadër, punon në çadër. Kush do të punojë tokën, punon tokën. Kush do të punojë në një front tjetër të jetës, punon në një front tjetër të jetës. Ashtu sikundër, edhe ne e kemi ndarë mendjen, unë e kam ndarë mendjen, që për sa kohë ju dhe ata që s’janë këtu, mendojnë që unë dhe ne duhet t’ju shërbejmë juve, nuk ka forcë që e ndryshon këtë vullnet.

* * *

Njëmijë legalizime të reja falas u shpërndanë në Shkodër, duke e çuar në 116  mijë numrin e legalizime në të gjithë vendin, në dy vjet e gjysmë. Elementi dallues me 21 mijë legalizimet e bëra në 8 vjet nga qeveria e shkuar, ku mbi 80% ishin njësi shërbimi dhe hotele, është se legalizimet e kryera tani janë objekte banimi. Procesi i legalizimit është njëri aspekt i mbështetjes, vëmendje të veçantë po i jepet edhe zhvillimit të zonës.  

“Ne kemi kushtuar vëmendje të veçantë për të gjithë zonën sipër, duke filluar nga pjesa e Malësisë së Madhe dhe edhe për pjesën tjetër. Në kushtet që kemi qenë, nuk kemi pasur mundësi që të bëjmë të gjitha përnjëherë, sepse nuk është se e morëm shtetin, shtet, por e morëm shtetin “çadër”. E tani ata janë futur aty që ta bëjnë çadër prapë. Janë po ata aty brenda, keni po ata që në mars të 1997, e kujtoni mirë se çfarë i bënë shtetit. Se ata vetëm atë dinë të bëjnë. Po se patën, ta kërkojnë duke i vënë zjarrin, po e morën, ta çmontojnë pa i qarë hallin. Na lanë borxhe pa fund. 720 milionë dollarë borxhe për punë, për shërbime, për ilaçe  që i kishin nisur pa patur lekët. Na u desh t’i shlyenim të gjithë ato borxhe. Po te mos i kishin pasur ato borxhe, do kishim bërë shumëfish, por po të mos i kishim shlyer ato borxhe, shteti dhe ajo  “çadra” që na lanë do ishte shembur. Kemi dy projekte që po punojmë. Kemi rrugën Shkodër-Velipojë, që do ta bëjmë më në fund. Për të premtuar, e  ka premtuar tjetërkush, por ne do jua bëjmë, si të gjitha gjerat e tjera. Shkodër-Velipojë do të bëjmë një rrugë turistike, siç meriton kjo zonë. Kemi dhe rrugën e Thethit. Të dyja bashkë.”  

Kryeministri apeloi edhe një herë për nevojën e pasjes nga qeverisja vendore, projekte të mirëstudiuara dhe eficente për zonën dhe komunitetin.   

“Ka gjëra që ne mund t’i bëjmë që janë rrugë me interes kombëtar, siç është rruga e Thethit dhe që i bëjmë me Fondin e Zhvillimit, por ka rrugë që janë me interes për zhvillimin e bashkisë dhe duhet që bashkia të bëjë projekte, duhet që bashkia të bëjë punën paraprake. Si t’ia japim kur  thotë nuk dua? Është e habitshme, por është e vetmja bashki që nuk ka sjellë një projekt që quhet projekt.”  

Pothuajse të gjithë përfituesit e sotëm kishte aplikuar prej 13 deri në 20 vjet për lejen e legalizimit të banesës së tyre. Kryeministri siguroi se procesi do të vazhdojë intensivisht deri në shpërndarjen e lejes së fundit të legalizimit.  

“Më vjen shumë mirë që u zgjidh problemi dhe për 1000 familje të tjera. Patjetër që duhet bërë punë shumë e madhe akoma, se janë 25 vjet rrëmujë dhe mundime, investime gjak e sakrifica, që më në fund po marrin të drejtën e qytetarisë. Unë dua t’ju siguroj se ne do të vazhdojmë invensivisht këtë punë dhe t’ju garantoj që nuk do ndalemi deri kur shtëpia e fundit të jetë bërë shtëpi e regjistruar si pronë e ligjshme e kujtdo që ka sakrifikuar vite jete për të ndërtuar një jetë më të mirë për fëmijët dhe ata që vijën pas,” – u shpreh në mbyllje Kryeministri, duke vënë theksin në rëndësinë e zgjedhjeve për vazhdimin e projekteve për komunitetin dhe nënvizoi se “rëndësi ka që të fiksohet që është 18 qershori dhe s’ka tjetër.”

Shkruaj Mesazh

Kontakto me Kryeministrin

Shkruaj Mesazh

Reportazhe Eksklusive

Dokumentarë

Reportazhe Eksklusive

Për Gazetarët

Hapësira Mediatike

Për Gazetarët

Raport publik

300 Ditë

Raport publik