Postuar më : 26 Korrik 2016

Program i ri në mbështetje të agrobiznesit

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në prezantimin e Programit për Mbështetjen e Agrobiznesit në Shqipëri:

Dua t’i uroj mirëseardhjen Presidentit të rizgjedhur të Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Vizita e tij sot, në Tiranë, ka një rëndësi të posaçme. Për ne është kënaqësi që, pasi mori një mandat tjetër, edhe me mbështetjen e Shqipërisë, erdhi në Shqipëri me forcën e mandatit të ri, për të lançuar një projekt inovativ. Projekt që ne besojmë se do të ketë një impakt të jashtëzakonshëm në ekonominë tonë dhe do të përbëjë një shtysë të rëndësishme për ta çuar sektorin e fshatit në një fazë të re.

Do doja ta citoja Presidentin, i cili së fundmi ka thënë diçka shumë të thjeshtë, por shumë të vlefshme: “Në kohërat e turbullta që po jetojmë, vendet e Ballkanit duhet të vazhdojnë në rrugën e reformave modernizuese, ndërkohë që Europa duhet të shtrijë solidaritetin dhe mbështetjen e saj aktive për këto vende.”

Në këtë paralele qëndron, - besoj unë, - edhe çelësi i suksesit tonë për vitet e ardhshme. Nga njëra anë, ne nuk kemi asnjë rrugë tjetër, përveçse të shtyjmë reformat e vonuara për kaq shumë vite dhe t’i bëjmë ato të vërteta, të thella e me patjetër të certifikuara nga Familja Europiane, të cilës duhet t’i bashkohemi, por nga ana tjetër të gjejmë rrugët përmes partnerësh të besueshëm, siç është Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, që Europa të jetë solidare në raport me këtë përpjekje tonën.

Ky projekt që ne sot kthejmë në një marrëveshje është në formë dhe në përmbajtje, një instrument që i ka të dyja këto anë. Nga njëra anë, vullnetin tonë për të modernizuar, duke gjetur rrugë të reja në funksion të mbështetjes konkrete për njerëzit që janë pjesë e procesit të reformave. Nga ana tjetër, solidariteti, i shtrirë në mënyrë aktive prej BERZH, në funksion të suksesit të këtij projekti.

Është një projekt që kthehet në një marrëveshje dhe një marrëveshje që kthehet në një program, për të krijuar një hapësirë të panjohur më parë për të gjithë ata që duan të investojnë në zhvillimin rural; për të gjithë ata që duan të investojnë në projekte në fshat; sipërmarrës të mëdhenj, apo sipërmarrës të vegjël.

Është një program që sjell bashkë qeverinë, Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe disa banka komerciale të nivelit të dytë, të cilat, falë pjesëmarrjes së qeverisë dhe të BERZH-it në këtë program do të jenë shumë më dorëlëshuara me njerëzit që duan të investojnë në fshat, të investojnë në rritjen e mëtejshme të eksporteve, në rritjen e mëtejshme të qëndrueshmërisë së ekonomisë së fshatit. 

Ky program do të jetë një vlerë e shtuar në rrugën që ne tanimë kemi hapur, për të kaluar nga bujqësia e lëmoshës dhe mbijetesës, në bujqësinë e investimeve dhe të zhvillimit të qëndrueshëm. Një rrugë e hapur me mjete modeste, por me një vizion të qartë dhe me një këmbëngulje të madhe nëpërmjet AZHBR-së dhe një rrugë që tani ka gjithë potencialin për t’u shtrirë shumë më tutje, duke përfshirë gjithë këtë rrjet financiar në planet e njerëzve që duan të investojnë në bujqësi.

Ne kemi parë një ndryshim të rëndësishëm që po ndodh. Janë gjithmonë e më të shumta sipërmarrjet, që pasurinë e tyre e kanë bërë në rrugë të tjera, nga ndërtimi, tregtia e kështu me radhë, të cilat po diversifikojnë portofolin e tyre, duke kthyer sytë nga fshati dhe duke investuar në prodhimin dhe eksportin e prodhimit bujqësor.

Kjo është një tendencë që ne duam ta mbështesim shumë fort dhe ky program është një mbështetje e sigurt për ta zhvilluar më tutje këtë tendencë. Por nuk është vetëm kjo. Ne duam që t’i japim një mundësi të re të gjithë atyre që jetojnë në fshat dhe që kanë ngritur me shumë mundim fermat e tyre dhe që sot janë në gjendje që t’i shtrijnë ato më tutje, por kanë nevojë për një mbështetje të arsyeshme financiare.

Dua të theksoj edhe një fakt shumë domethënës. Ne kemi një problem, me të cilin po merremi seriozisht, që është ai i kredive të këqija, por ajo që është interesante është se nuk ka asnjë kredi të keqe nga fshati. Ajo pjesë e ekonomisë, që duket edhe pjesa më vulnerabël për shkak se është pjesa më e paformalizuar ende ashtu siç duhet dhe që krijon në pamje të parë, pasiguri evidente tek bankat, është pjesa që ka dëshmuar shumë më tepër qëndrueshmëri në raport me bankat. Këtë mund ta dëshmojë edhe Fondacioni “ Besa”, që është në avangardë të mbështetjes së fshatit, por edhe bankat komerciale, si “Credins” e të tjerë që kanë dhënë kredi për investime në fshat, që në asnjë rast nuk është provuar paqëndrueshmëri, e përkthyer në kredi të keqe, nga ana e atyre që kanë marrë kredi për të investuar në fshat. Kjo është një garanci e madhe psikologjike, megjithëse bankat përtej garancive psikologjike duan dhe garanci financiare. Tani i kanë, prandaj dhe Silvio Pedrazzi ishte kaq zemërgjerë dhe entuziast në fjalimin e tij, pasi me mbështetjen e BERZH-it, bankave i’u është dhënë një siguri e plotë, të cilën e garanton edhe qeveria shqiptare.

Ka qënë një proces jo i lehtë, për të kaluar nga një ide inovative e qeverisë sonë, tek një marrëveshje që ne e nënshkruajmë sot. Dua të falenderoj me gjithë zemër dhe jo për arsye protokolli, Presidentin e BERZH-it, i cili që nga dita një ka qënë një mbështetës i vendosur i Shqipërisë dhe i qeverisë sonë, në kuptimin jo politik, por të partneritetit. Roli i tij në arritjen e kësaj marrëveshjeje, për të krijuar këtë instrument që është një instrument i ri dhe i panjohur më parë, në rajonin tonë të paktën, ka qënë themelor. Dua të falenderoj ekipin e BERZH-it që është marrë me këtë projekt, i cili na ka dhënë një ndihmë të paçmuar me ekspertizën e vetë dhe është përfshirë tërësisht, hap pas hapi, në strukturimin e plotë të programit.

Pas firmosjes së marrëveshjes vjen një fazë tjetër dhe ne kemi rënë dakord që sëbashku me BERZH-in dhe bankat do organizojmë një fushatë sensibilizimi dhe informimi, në mënyrë që të gjithë ata që janë sipërmarrës në fshat, apo duan të investojnë në fshat të kenë një njohje të plotë për këtë program që, jam i bindur, shënon një moment historik për fshatin, sepse i hap rrugë një zhvillimi të ri, me instrumente alternativ të buxhetit të shtetit, të cilat do të sjellin shumë më tepër investime për fshatin. Potenciali është shumë i madh, por tani na duhet të investohemi seriozisht, për të krijuar kapacitetin e nevojshëm thithës të parave që janë në dispozicion.

Shumë faleminderit, me shumë mirënjohje!

Tani që kemi kaluar edhe Reformën në Drejtësi, gjërat me siguri do shkojnë më mirë dhe në aspektin psikologjik për të gjithë investitorët e huaj. Unë jam shumë i kënaqur që edhe Presidenti i BERZH ma konfirmoi këtë. Ndërkohë që, gjatë gjithë këtyre ditëve kam marrë shumë mesazhe, të papritura do të thosha, nga disa vende për Reformën në Drejtësi, që ka krijuar një optimizëm të madh dhe një shtysë të rëndësishme për investitorët e huaj, që të rrisin prezencën në Shqipëri dhe të investojnë më shumë në vendin tonë.

***

Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) dhe Qeveria shqiptare kanë prezantuar sot Programin për Mbështetjen e Agrobiznesit në Shqipëri - një platformë inovative për financimin e kompanive vendase të agrobiznesit. Gjashtë institucione financiare kanë shprehur angazhimin për t’iu bashkuar programit duke nënshkruar një Memorandum Mirëkuptimi.

Marrëveshja bashkon Qeverinë Shqiptare, BERZH dhe bankat Raiffeisen Bank Albania, Intesa SanPaolo Bank Albania, Societe Generale Albania dhe ProCredit Albania, si dhe dy institucione mikrokredie Fondi Besa dhe NOA. Banka të tjera pritet t’i bashkohen programit në të ardhmen.

Programi për Mbështetjen e Agrobiznesit në Shqipëri do të kontribuojë në përmirësimin e mundësive për financim për agrobizneset vendase duke ofruar linja të dedikuara kredie apo duke ndarë rrezikun e huadhënies në sektorin e bujqësisë me institucionet financiare partnere. Qeveria Shqiptare ka mundësuar një fond prej 36 milionë eurosh nga buxheti i saj përgjatë tre viteve në mbështetje të programit dhe BERZH siguron deri në 100 milionë euro në financim dhe instrumente të ndarjes së rrezikut.

Kontributi i BERZH dhe i Qeverisë do të mundësojë huadhënien nga institucionet financiare partnere prej 180 milionë euro, me një potencial prej 300 milionë euro hua për sektorin bujqësor në monedhën vendase apo të huaj me përfshirjen e iniciativave të tjera plotësuese. Me këtë kontribut të Qeverisë, Shqipëria i bashkohet komunitetit të donatorëve të BERZH.

Fuqizimi i sipërmarrjeve vendase është një prioritet kyç për BERZH sepse ndihmon vendet ku ajo investon në ri-energjizimin e rritjes. Aksesi i kufizuar në financim mbetet pengesë kryesore në zhvillimin e një sektori privat të fortë dhe të shëndetshëm.

Bujqësia është një sektor kyç i ekonomisë shqiptare; ai siguron punësim për më shumë se 50 për qind të popullësisë së zonave rurale dhe përbën rreth 20 për qind të PBB-së së vendit. Pavarësisht kësaj, sektori mbetet shumë pak i shërbyer nga institucionet financiare, kur kreditë për agrobiznesin përbëjnë vetëm 2 për qind të kreditimit total për ekonominë.

Programi per Mbështetjen e Agrobiznesit në Shqipëri e adreson këtë sfidë duke përmirësuar aksesin në financim në të gjithë vendin. Perveç instrumentave financues, ky program përfshin edhe asistencë teknike për ngritjen e kapaciteteve në institucionet financiare pjesëmarrëse për të zgjeruar huadhënien e tyre në këtë sektor, si edhe shërbime këshillimore për agrobizneset huamarrëse nëpërmjet programit të BERZH të Këshillimit për Bizneset e Vogla, për të ndihmuar ndërmarrjet e vogla dhe të mesme në këtë sektor të rrisin performancën e tyre në një larmi fushash dhe të bëhen më të kreditueshme. BERZH vazhdon gjithashtu të mbështesë institucionet shqiptare me asistencë teknike për ngritje kapacitetesh dhe me ndërmarrjen e iniciativave për reforma specifike, në koordinim me partnerë të tjerë zhvillimi.

Presidenti i EBRD, Sir Suma Chakrabarti u shpreh: ‘’Ne jemi shumë të kënaqur të nënshkruajmë këtë Memorandum Mirëkuptimi të rëndësishëm që do të mbështesë zgjerimin e potencialit të sektorit të bujqësisë në Shqipëri. Programi për Mbështetjen e Agrobiznesit në Shqipëri është një shembull i shkëlqyer se si përqasja e koordinuar e aktorëve të ndryshëm mund të prodhojë një nismë të plotë që është më e madhe se shuma e të gjithë pjesëve të saj. Ne jemi veçanërisht mirënjohës ndaj Qeverisë Shqiptare për angazhimin e saj dhe ndaj sektorit financiar për mbështetjen e tij.’’

Shkruaj Mesazh

Kontakto me Kryeministrin

Shkruaj Mesazh

Reportazhe Eksklusive

Dokumentarë

Reportazhe Eksklusive

Për Gazetarët

Hapësira Mediatike

Për Gazetarët

Raport publik

300 Ditë

Raport publik