Postuar më : 15 Shkurt 2017

Reforma e Shërbimit Konsullor për Shqipërinë e Gjeneratës Tjetër

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në prezantimin e platformës së Shërbimit Konsullor Online (SHKO):

Përshëndetje të gjithëve!

Dua ta nis me një fjalë të Faik Konicës që thoshte: “Duhet të jesh larg Shqipërisë, për të kuptuar se ç’forcë dhe ç‘bukuri të ëmbël ka për veshët kjo fjalë, Shqipëri.” Por duhet të shkosh në Konsullatë, për të kuptuar sesa e rëndë mund të bëhet kjo fjalë, në momentin kur të duhet ndihmë nga Shqipëria.

E vërteta është që, ashtu sikundër në të gjithë shërbimet e tjera, edhe në shërbimin konsullor, ne trashëguam një situatë katastrofike, përsa i përket cilësisë ndaj shërbimit të qytetarëve tanë dhe vuajtjeve të panumërta të tyre në çdo kontakt apo përpjekje për kontakt me konsullatat tona.

Sot besoj që jemi në të drejtën tonë që të ndjehemi krenar për faktin  se çka iku, iku, por çka vjen, nuk do t’i ngjajë më asaj që iku, si një përsëritje e lodhshme në 25 vjet rresht e së njëjtës histori të trishtueshme zvarritjesh dhe kostosh të larta, pavarësisht ndryshimeve të qeverive në Tiranë. Sot, ne kemi në kuptimin e gjerë të fjalës një vend që është shumë më i avancuar përsa i përket shërbimeve dixhitale dhe një portal shërbimesh e-Albania, që aktualisht ofron më shumë se 1000 shërbime të këtij lloji për qytetarët, për sipërmarrjen, për administratën.

Më lejoni t’ju jap një pikë referimi. Tre vjet e pak më parë kishte vetëm tre shërbime të tilla, sot ka mbi 1000 shërbime të kësaj natyre Pjesë e këtyre shërbimeve është edhe shërbimi konsullor, tanimë përmes një përpjekjeje shumë të lavdërueshme të Ministrisë së Punëve të Jashtme, që për nga natyra është një institucion konservator. Ministria ka kapërcyer një barrierë jo të ulët, por të konsiderueshme të një tradite, e cila peshonte shumë edhe në vendimmarrjet e ministrit tonë të Jashtëm, deri në momentin kur u angazhua për ta nxitur dhe për ta çuar përpara këtë projekt, suksesi i të cilit lidhet drejtpërdrejtë me 1.5 milionë qytetarë shqiptarë që jetojnë jashtë vendit dhe me cilësinë e shërbimit që Shqipëria u jep atyre.

Ofrimi i këtij shërbimi përmbush edhe një nga objektivat që ne kemi parë të theksohen fort gjatë Samitit të Diasporës, duke e çuar Shqipërinë shumë më afër njerëzve që jetojnë jashtë saj dhe që kanë nevojë për të. Janë 36 shërbime konsullore online me procedura të thjeshta, tërësisht të standardizuara dhe të unifikuara në një platformë të vetme. Për t’i krijuar një ide shumë të thjeshtë bashkatdhetarëve tanë jashtë kufijve të Shqipërisë, mjafton të sjellim në vëmendje dy nga këto shërbime që janë shfaqur për ta, për 25 vjet, në formën e një torture persistente, - pajisja me pasaportë dhe pajisja me leje kalimi.

Deri dje, pajisja me pasaporte ishte një histori më vete, me ecejake qindra kilometrike drejt konsullatave për të marrë informacionin për çfarë dokumentesh duhen, pastaj për të depozituar dokumentet dhe për t’u informuar se mungon ky, apo nuk është në rregull dokumenti tjetër, më pas për të shkuar për t’u paraqitur për procedurën e gjurmëve të gishtave dhe marrjen e pasaportës. Tanimë ka vetëm një kontakt me konsullatën dhe kontakti është vetëm për procedurën, pra, për të dhënë gjurmët e gishtave dhe për të marrë pasaportën aty për aty. Gjithë pjesa tjetër bëhet nga shtëpia, ose nga makina përmes telefonit dhe duke plotësuar dokumentacionin nga shtëpia. Kush niset për në konsullatë për të marrë pasaportën, e di që do kthehet me pasaportë dhe nuk do shkojë atje të bëhet pjesë e një radhe torturuese dhe në fund të ditës të kthehet mbrapsht, me atë që në shqip quhet “gisht në gojë”.

Për lejet e kalimit nuk ka më nevojë për kontakt me konsullatën. E gjithë procedura bëhet nga shtëpia dhe lejet e kalimit merren në shtëpi. Nuk ka nevojë të konsumosh asnjë minutë, asnjë litër karburant, asnjë qelizë të sistemit nervor, për të përballuar një procedurë që për 25 vjet ka qenë një torturë, brenda një sistemi të organizuar “torturash”, që shteti ishte rrjetëzuar me të gjithë konsullatat për qytetarët e vet.

Nga ana tjetër është shumë e rëndësishme të theksohet fakti që kostoja e përgjithshme e shërbimeve konsullore bie në mënyrë drastike. Një pjesë tyre që deri sot apo deri dje kushtonin, nuk do kushtojnë më asnjë qindarkë. Pjesa tjetër do të kenë ulje drastike, për shkak se shërbimi në një pjesë të konsiderueshme të vetën do të bëhet pa angazhuar burime njerëzore apo materiale, por nëpërmjet një click-u të vetëm.

Dua të theksoj se për ne mbetet sfida e sfidave që të sigurojmë pjesëmarrjen në procesin më të rëndësishëm të jetës demokratike, që janë zgjedhjet, të të gjithë qytetarëve që banojnë jashtë vendit. Sikundër edhe për shërbimet konsullore, që nga e thëna janë në mes disa muaj e vite, - ne do kishim dashur që këto shërbime t’i ofronim që ditën e  parë, por duhej  paraprakisht të kalonim nga labirinthet e qitapeve të Ministrisë së Jashtme, të dokumenteve, të regjistrave e të procedurave të hapërdara nga të katër anët, për të krijuar bazën mbi të cilën ngrihet i gjithë sistemi i shërbimit, - për të garantuar pjesëmarrjen në votime të shqiptarëve jashtë vendit, duhet që të regjistrojmë shqiptarët jashtë vendit.

Jemi i vetmi shtet në Europë, - nuk e di nëse në botë kemi ndonjë “koleg” të këtij niveli, por në Europë nuk kemi, - që nuk ka të regjistruar njerëzit e vet. Nuk dihet ku janë, as sa janë dhe as çfarë nevojash kanë. Pa bërë këtë regjistrim, ne e kemi të pamundur që t’i përfshijmë të gjithë shqiptarët në procesin e votimit.

Procesi ka filluar. Regjistrimi ka nisur brenda, sepse ne jemi edhe një vend me një specifikë të veçantë në familjen e madhe të vendeve europiane, qofshin “EU”, qofshin vetëm “E”, që brenda përbrenda vendit ne kemi migrantë që tjetërkund janë të regjistruar e tjetërkund banojnë. E nuk do ta ekzagjeroja po të thosha se kjo është një kategori tjetër specifike shqiptare, e trashëguar prej 25 vitesh rrumpallë, ku njerëzit figurojnë tjetërkund si banorë dhe jetojnë tjetërkund. Merreni me mend se çfarë katrahure kemi trashëguar dhe sesa e dëmshme është kjo katrahurë për të gjitha sistemet e brendshme të sistemit të shtetit, që nga sistemi i pagesave më elementare të energjisë elektrike dhe të ujit, tek sistemi i detyrimeve të tjera, sistemi i sigurisë e kështu me radhë.

Ky regjistrimi i përgjithshëm, që ka nisur e po zhvillohet intensivisht dhe do të shtrihet në të gjithë territorin ku jetojnë shqiptarë, përmes, aplikimeve online, do na japë mundësinë që më herët sesa vonë, ne të përfshijmë shqiptarët jashtë vendit në procesin demokratik, duke i dhënë mundësinë që të votojnë nga aty ku janë dhe të mos jenë të detyruar që të vijnë në Shqipëri për të votuar. Kuptohet që edhe kjo do të kërkojë kohën e vet. Ashtu sikundër do të kërkojë kohën e vetë dhe sinergjia e plotë e shërbimeve konsullore mes Shqipërisë dhe Kosovës.

Me shumë kënaqësi i uroj mirëseardhjen miqve nga Kosova në këtë event, sepse  këto shërbime do të afektojnë cilësinë edhe për qytetarët shqiptarë të Kosovës, duke u kthyer në shërbime të integruara. Unë besoj që edhe në këtë aspekt,  më herët se vonë do të kemi jo vetëm shërbime konsullore të përbashkëta, por dhe ambasada të përbashkëta. Nuk kemi pse të shpenzojmë dy herë për infrastrukturë, për njerëz apo për sisteme dixhitale, ndërkohë që fare mirë mund t’i bashkojmë të gjitha asetet dhe burimet njerëzore dhe t’ju shërbejmë në një sportel të vetëm qytetarëve shqiptarë të Shqipërisë dhe Kosovës.

Edhe në këtë aspekt, linja konservatore e Ministrisë së Jashtme ka shfaqur një fleksibilitet shumë të arsyeshëm dhe jam i bindur se më herët sesa vonë, ne do të arrijmë të kemi përfaqësim dhe shërbim të unifikuar. Nëse dikujt, kjo i duket Shqipëri e madhe, është problemi i tij. Kjo nuk është Shqipëri e madhe, kjo është ulje drastike e kostove dhe njëkohësisht afrim drastik me njëri-tjetrin i njerëzve. Nëse të tjerë do  duan të na bashkohen dhe të kemi konsullata të përbashkëta ballkanike, mirë se të vijnë! Ne jemi të gatshëm t’i pranojmë të gjithë, pa dallim feje, krahine, ideje dhe gjuhe!

Faleminderit!

Shkruaj Mesazh

Kontakto me Kryeministrin

Shkruaj Mesazh

Reportazhe Eksklusive

Dokumentarë

Reportazhe Eksklusive

Për Gazetarët

Hapësira Mediatike

Për Gazetarët

Raport publik

300 Ditë

Raport publik