Postuar më : 28 Korrik 2017

Reformim i thellë i administratës, fuqizim i qytetarit

Nga fjala e Kryeministrit Edi Rama në dëgjesën publike me qytetarë në Gjirokastër:

Problemet mund të fillojnë të zgjidhen, nëse ne ndërtojmë një koalicion qeverisës real me njerëzit. Kjo nuk është as propagandë, as parullë, apo fjalë e bukur në vetvete, por është konkrete. Në mënyrë që kush ka një problem të mos mbetet më prapa dyerve, sepse s’ka mundësi ta çojë problemin më lart, por të ketë mundësi që ta çojë problemin deri lart në qeveri menjëherë dhe që gjithë qeveria të jetë e angazhuar paralelisht me punën që ka bërë gjithmonë, edhe me këto probleme, ne na duhet ky koalicion.

20 apo edhe 10 vite më parë, kjo do ishte diçka shumë e vështirë, në mos e pamundur, por sot, ne kemi teknologjinë që na jep mundësinë të jemi në komunikim, mjafton një celular, një kompjuter.

Midis njerëzve dhe qeverisë ka një shtresë që është administrata, ku bllokohet lidhja e qeverisë me njerëzit dhe e njerëzve me qeverinë. E në këtë shtresë ka shumë elementë problematikë që duhen shkulur që aty. Administrata jonë ka njerëz të aftë, të ndershëm, por ka edhe shumë parazitë e grabitqarë që duhen larguar një orë e më parë, përndryshe këto probleme që kanë vite e vite do vazhdojnë dhe do shtohen. Ama këta nuk luftohen dot, as nga ju, as nga ne. Këta luftohen vetëm nga ne dhe ju sëbashku.

Nëse ne arrijmë që çdo njeri i zakonshëm, që do të bëhet pjesëtar i koalicionit dhe nëse këtë akses ne ia japim secilit nëpërmjet platformës të bashkëqeverisjes online përmes internetit, që ne po ndërtojmë, ku mbrapa ekranit ku shkruhen problemet, ankesat,  kërkesat, opinionet është një armatë e tërë njerëzish që i ndjek këto probleme, duke bërë që, kur problemi nuk zgjidhet në nivelin e një drejtori apo të një shefi agjencie, të shkojë deri te ministri dhe të marrë zgjidhje, atëherë situata mund të ndryshojë shumë.

Paralelisht me këtë duhet dhe do reformojmë sistemin. Po të dëgjoni të gjitha dëgjesa nga Kukësi deri në Sarandë, 99% të çështjeve nuk janë çështje buxheti, por janë çështje shteti, çështje njerëzish, çështje shkresash dhe nga ato kryefjala është “prona”, e lidhur me të ALUIZNI, hipoteka, Komisioni i Kthimit të Pronave gjykata etj.. Ne do t’i bashkojmë në një, edhe ALUIZNIN, edhe hipotekat, edhe pronat dhe njerëzit do kenë vetëm një derë.  

Po ashtu, njerëzit kanë tortura të mëdha për të mbledhur letra. Për një shërbim minimal duhet të marrësh certifikatë, vërtetime, të shkosh në gjendjen civile. Dikujt i kërkonin për të hipotekuar truallin bujqësor të sillte të gjithë anëtarët e familjes me noteri, kur dihet që kryefamiljari është ai që regjistron pronën dhe kur kryefamiljari regjistron pronën, të gjithë anëtarët e familjes janë pjesë e pronës. Te gjitha këto, ne do bëjmë që t’i marrë shteti. Nëse do duhen 5 dokumente për një shërbim dhe këto 5 dokumente merren në zyrat e shtetit, atëherë këto nuk duhet t’i kërkojë qytetari, por i duhet thënë eja pas “x” ditësh dhe ato 5 dokumente duhet t’i kërkojë zyra vetë.

Në këtë platformë qeverisje, çdokush do mund të regjistrohet, ama jo si qytetar dixhital, por me emër, mbiemër, kartë identiteti, me numër telefoni, që t’i dalë për zot ankesave që bën dhe jo të shpifë e të sajojë.

Kryeministria përgjigjet për të gjitha ankesat, por nuk mjafton, sepse përgjigja e Kryeministrisë është se e drejton problemin aty ku duhet të zgjidhet. Kryeministria nuk e zgjidh dot problemin që duhet ta zgjidhë një zyrë, se nuk e lëshon Kryeministria një vërtetim a dokument, por zyra. Dhe këtu ka një hallkë që mungon, se Kryeministria e çon letrën atje, zyra vazhdon punën e vet. Tani këtë hallkë do ta plotësojmë, duke e bërë ne verifikimin. Nëse ngrihet një shqetësim, do të merren njerëzit e qeverisë që ta verifikojnë, për të gjithë ata që janë të regjistruar në këtë platformë. Natyrisht kush është anëtar i këtij koalicioni mund të ngrejë probleme edhe për komunitetin, nuk është vetëm për ankesa, por është edhe për politikat, për investimet, për komunitetin.

Të gjitha këto, ne mund t’i bëjmë, por mund t’i bëjmë vetëm po të jemi bashkë. Sepse duhet të vëmë nën presion maksimal administratën. Pse administrata reagon, nëse shkon një person i njohur dhe pse të  mos lëvizë, kur shkon çdo qytetar? Nëse ne e ndërtojmë këtë koalicion, drejtori i një zyre nuk e di më se kë ka përballë. Në atë moment, ai person nuk është më vetëm, është pjesëtar i këtij koalicioni, është pjesëtar i qeverisë, pavarësisht se është qytetar i zakonshëm.

Në Gjirokastër kemi hapur para disa javësh, zyrën e shërbimeve të përqendruara. Ajo zyrë do të fuqizohet dhe aty do të merren të gjithë shërbimet në një zyrë të vetme. Nga ana tjetër, ajo që duam të bëjmë dhe do ta bëjmë, është që të kemi mbrapa një armatë njerëzish që i ndjek problemet për llogarinë tuaj. Në qoftë se problemi ngec, e ndjek dikush tjetër që ka fuqi. Ia vë përpara ministrit dhe thotë se “x” qytetar nuk e ka marrë hipotekën, padrejtësisht. Ministri i Drejtësisë, nga ku varet hipoteka, merr drejtorin e hipotekës dhe i thotë largohu menjëherë nga zyra, sepse ke shkelur të drejtat. Nëse pastaj ka edhe çështje korrupsioni etj., kjo është histori penale. Në këtë mënyrë, edhe administrata do të vendoset në pozita të tjera.

Gjirokastra dhe çdo bashki e Shqipërisë i ka aq njerëz të zotë, profesionistë, me integritet që të marrin drejtimin e zyrave dhe ne të ndryshojmë komplet filozofinë, nga t’i gjejmë punë njerëzve, të shkojmë t’i gjejmë punës njeriun. Pra, është puna që imponon se kush do shkojë. Ne i kemi njerëzit dhe është e pamundur që ne të pranojmë që të ketë më drejtor hipoteke infermier. Drejtorët e hipotekës ose janë inxhinierë, ose janë juristë, ose janë arkitektë, domethënë me disa kritere. Do shpallim konkurs publik në të gjitha bashkitë. Kush i thotë vetes se është i zoti ta drejtojë hipotekën e Gjirokastrës, le të jetë i kujt të dojë, po të jetë i zoti, do e drejtojë atë.

Duhet të bëjmë të gjithë ndryshimin e domosdoshëm që të përputhim hartat, sepse e merr te ALUIZNI, shkon në hipotekë dhe të thonë “kjo nuk përputhet”. Në fakt, harta e ALUIZNI-t është e drejtë, sepse ALUIZNI e verifikon në terren. Hipoteka ka një hartë të vjetër që s’ka koordinatë. Do të bëjmë të gjithë përputhjen e hartave, në mënyrë që të arrijmë aty ku sot duket  e pabesueshme, por e kanë vendet e tjera. Hipoteka të merret për pesë minuta, për gjysmë ore maksimumi. Hipoteka është e drejtë, është titull që e merr në arkiv.

Kjo është gjëja që duhet të bëjmë. Çdo njeri duhet të ketë fuqinë që ka një përfaqësues në Parlament, pavarësisht se nuk ka votën për qeverinë që duam të bëjmë ne. Kjo nuk është fare fantazi, nuk është fare e pamundur, sepse na e mundëson teknologjia. Vetëm se ndryshimi është që aty nuk mund të bësh thjesht komente, por do thuash “unë kam këtë kërkesë”; “unë kam këtë ankesë”; “unë kam këtë sugjerim”.  

Në këtë platformë do të vendosim edhe të drejtën e një grupi anëtarësh të këtij koalicioni për të thirrur ministrin në interpelancë, jo në parlament, por në platforma të tjera. Të dalë ministri në ekran dhe t’i përgjigjet shqetësimeve të komunitetit “x”, i cili ka një problem. Njerëzit e meritojnë 100 mijë herë më shumë t’ua japësh vëmendjen dhe përgjigjen, saç mund ta meritojë një deputet.

Shkruaj Mesazh

Kontakto me Kryeministrin

Shkruaj Mesazh

Reportazhe Eksklusive

Dokumentarë

Reportazhe Eksklusive

Për Gazetarët

Hapësira Mediatike

Për Gazetarët

Raport publik

300 Ditë

Raport publik