Postuar më : 19 Prill 2017

Rilindja Urbane që po transformon Belshin e Cërrikun

Kantieret e Rilindjes Urbane janë shtrirë edhe në qendrën e lagjet e Cërrikut. Rikualifikimi urban i sheshit të qytetit, kthimi i tij në shëtitore, rehabilitimi i fasadave, një sistem i ri ndriçimi dhe gjelbërimi po transformojmë tërësisht pamjen e zymtë të derisotme të qytetit. Kryeministri Edi Rama inspektoi punimet për rikualifikimin e qendrës, i shoqëruar nga Kryetari i Bashkisë, Altin Toska dhe deputetët e Qarkut të Elbasanit.   

“Kemi parashikuar një shëtitore, riparimin e fasadave, rikualifikimin e gjithë sheshit, ndriçim e gjelbërim. Kemi parashikuar vendosjen tek sheshi të një orë të qytetit. Në fazën e dytë kemi vazhdimin e bulevardit deri tek gjimnazi “Tomorr Sinani”. Brenda një muaji mbarojmë parkun për fëmijë.  Impakti është i madh, ka dhënë shpresë për qytetarët,” – shpjegoi projektin, kryetari Toska.

“Një transformim i madh për qytetarët. I jep tjetër atmosferë e sens komunitetit. Vlera e apartamenteve, njësive të shërbimi rritet,” – e vlerësoi Kryeministri projektin, që ashtu si edhe në të gjithë qytetet e qendrat e tjera ku është shtrirë Rilindja Urbane rigjallëron jetën e qytetit dhe jetën ekonomike.

Edhe në Cërrik, Kryeministri u ndesh me të njëjtën problematikë absurde dhe abuzive, legalizimi i ndërtesave mbi trotuar, që kthehen në pengesë për qytetarët. “Është një ndër 8 legalizimet [një ndërtesë mbi trotuar] që ka pasur Cërriku gjatë 8 viteve të qeverisë së kaluar. 365 legalizime janë bërë në të gjithë Elbasanin gjatë 8 viteve të kaluara, një ndër to është edhe kjo ndërtesë,” – tha deputeti Taulant Balla, duke nënvizuar se edhe këto legalizime që janë bërë kanë qenë kryesisht lokale dhe motele.

* * *

Rilindja Urbane e ka rivlerësuar Belshin dhe 85 liqenet përreth tij, si një atraksion turistik kombëtar. Rilindja Urbane ka përfshirë prishjen e 30 ndërtimeve që i kishin zënë frymën liqenit dhe ndërtimin e sheshit në rreth 6'000 m2 , unifikimin e fasadave, ndriçimin, gjelbërimin, ndërtimin e shatërvanëve dhe një moli të vogël. Projekti i shëtitores parashikon edhe ndërtimin e pistës së biçikletave përreth liqenit dhe parkut në anën lindore të tij. Ky është investimi më i madh, i financuar nga qeveria për Belshin, në këto 25 vjet.

* * *

Ka rinisur rikonstruksioni i rrugës Cërrik – Urë Vajgurore, i ndarë në 3 lote, që pritet të shkurtojë me 20 kilometra distancën Tiranë-Berat. Kryeministri inspektoi punimet në lotin Belsh-Vlashuk, që lidh 10 fshatra të njësisë administrative Kajan. Ndonëse punimet, informoi drejtuesi i projektit, kishin nisur në vitin 2007, ato ishin lënë në mes, duke e degraduar edhe më shumë rrugën. Rruga po trajtohet me parametrat e rrugëve nacionale.  

“Ky është vetëm segmenti i parë nga e gjithë rruga Cërrik deri në Urën Vajgurore. Ky segment është 8.4 kilometra i gjatë dhe parashikohet me 9 metra asfalt gjerësi. Të gjithë zonat urbane do të jenë brenda parametrave, do trajtohen me trotuar, ndriçim dhe gjelbërim. Dy segmentet e tjera janë në fazë tenderimi dhe do dalin shumë shpejt në fazë zbatimi. Bazën e ka, por është lënë copë-copë, është lënë përgjysmë nga investimi i bërë përpara. Ka degraduar se ka mbi 8 vite që është në këtë fazë. Do trajtohet me gjithë parametrat e një rruge nacionale dhe do i japë gjallëri gjithë zonës.”

Kryeministri e vuri theksin tek cilësia e ndërtimit të rrugës, si një segment i rëndësishëm jo vetëm rrugor për lidhjen deri në Berat, por edhe për ndërlidhjen bujqësore të zonës.   

“E rëndësishme është të bëhet mirë, të bëhet me cilësi, të jetë e qëndrueshme në kohë të gjatë se kështu i duam rrugët, jo si bëheshin përpara. Kjo është rrugë shumë e rëndësishme dhe për fat të keq, për shumë vite është lënë në harresë dhe e vërteta është që gjithë kjo zonë merr një frymëmarrje të madhe. Kryetari i Belshit po bën punë të mirë dhe ai i Cërrikut po bën punë të mirë. Lidhja e të dyjave i jep energji të reja gjithë zonës, jo vetëm Rilindja Urbane kryesisht tek dy pikat kryesore të dy bashkive, por dhe ndërlidhja jashtë, në mënyrë që t’i jepet gjithë zonës një hov i ri dhe për rrugët e prodhimit.”

Deputeti Musa Ulqini theksoi një tjetër avantazh që rruga sjell për zonën, rivlerësimin e  85 liqeneve të Belshit dhe rigjallërimin e Belshit si zonë turistike.

“Distanca nga Tirana në Berat përmes kësaj rruge bëhet 20 kilometër më e shkurtër dhe nga Elbasani për të shkuar në Berat shkurtohet 40 kilometër dhe 85 liqenet e Belshit marrin një rivlerësim krejt tjetër nga pikëpamja e shfrytëzimit dhe turizmit,” – u shpreh deputeti Ulqini.

Shkruaj Mesazh

Kontakto me Kryeministrin

Shkruaj Mesazh

Reportazhe Eksklusive

Dokumentarë

Reportazhe Eksklusive

Për Gazetarët

Hapësira Mediatike

Për Gazetarët

Raport publik

300 Ditë

Raport publik