Postuar më : 09 Tetor 2017

Siguria Ushqimore prioritet jetik i qeverisë së re

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në takim e sotëme drejtues të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU) në Sallën e Hartave në Kryeministri, ku u prezantua drejtori i ri i AKU,  Agim Ismaili.

 

Përshëndetje të gjithëve!

Është e mirëkuptueshme, pse ky takim duhet zhvilluar edhe me praninë e publikut përmes mediave, sepse Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, i cili ka nisur punën në vitin 2010, është një institucion i lidhur drejtpërdrejtë me shqetësime tejet serioze të publikut, të familjeve e të prindërve të këtij vendi. Natyrisht, e fundit në radhë, sepse shqetësimet e publikut dhe të çdo familjeje janë më të rëndësishme se shqetësimet e qeverisë, edhe me shqetësimin shumë serioz të qeverisë për gjendjen, për performancën dhe për sjelljen e këtij institucioni që vetëm institucion nuk është.

Kemi një situatë praktikash absolutisht të papranueshme, absurde në tërësinë e tyre, që e kanë bërë këtë institucion një problem kombëtar. Mbi të gjitha, ky është një institucion që lidhet drejtpërdrejtë me sigurinë e jetës, me sigurinë e shëndetit dhe me standardet që Shqipëria duhet të përmbushë në raport me ambicien për të qenë pjesë e familjes europiane.

Ky është një institucion që vë gjoba, që i nxin jetën sipërmarrjes, që terrorizon dyqane dhe tregtarë të vegjël dhe që në fund fare nuk përmbush misionin e vet.

Historitë e AKU-së në doganat e Shqipërisë janë të pafundme dhe natyrisht do të marrin fund njëherë e mirë, sepse AKU nuk do të shkelë më nëpër dogana. Është tërësisht e panevojshme, ashtu sikundër edhe historia e analizave deri për mallrat e cilësisë më të lartë që vijnë nga vendet e Bashkimit Europian, në emër të kontrolleve, gjoja, për të parë sa të sigurta janë, ndërkohë që rrugët e Shqipërisë jenë të mbushura me thertore të paligjshme, do marri fund.

Ne jemi plotësisht të vetëdijshëm edhe për mangësitë në infrastrukturë, për mangësitë në mjete lidhur me punën inteligjente që duhet të bëjë AKU për analizat dhe standardet, me mangësitë lidhur me mungesën e njohjes dhe diturive, në radhë të parë, por edhe me faktin që sot ka ende pajisje laboratorike që janë në kuti prej vitesh për shkak se s’di t’i përdorë njeri. Natyrisht që nuk ka kush t’i përdorë, kur njerëzit janë futur në AKU për t’ju dhënë një rrogë dhe jo për t’i gjetur punës, njerëzit e duhur.

Nuk dua të zgjatem me panoramën e frikshme që krijon gjithë përmbajtja dhe pamja e këtij institucioni. Edhe në AKU si kudo në administratë ka njerëz të zot, ka njerëz të dinjitetshëm, njerëz që duan të bëjnë punën dhe që e kanë punën me pasion, por ajo çka këta njerëz nuk i ka lejuar dhe s’mund t’i lejojë që të bëjnë punën e tyre, është vendosja e AKU-së nën thundrën e pushtetit të tepsisë. Edhe këtu ndër ju ka plot njerëz që duhet ta kuptojnë vetë që duhet të largohen vetë, për shkak të faktit se kanë ardhur si rezultat i partive dhe jo si rezultat i ndonjë lidhjeje profesionale, apo emocionale me këtë fushë të veprimtarisë së shtetit, që është një fushë e minuar nga të katër anët, edhe për shkak se AKU është degraduar aty ku s’thuhet.

Besoj se të gjithë drejtorët e AKU-së duhet të rivihen në provë dhe një pjesë e konsiderueshme e tyre duhet të ikin vetë. E dini vetë si keni ardhur, kush ju ka sjellë, pse ju ka sjellë dhe pse nuk mund të jeni drejtorë të AKU-së. Kjo është e vetëkuptueshme, kështu që s’ka nevojë ta zgjasim. Ndërkohë, ata që janë në këto pozicione si rezultat i arsimimit të tyre, si rezultat i profesionalizimit dhe eksperiencës së tyre do të rivihen në provë dhe do të kenë gjithë kohën e nevojshme, por jo të pafundme, për të provuar që janë njerëzit e duhur në vendin e duhur.

AKU është një vatër e mbushur me korrupsion. Një vatër e infektuar nga korrupsioni dhe një vatër ku gjobëvënia për qëllime korruptive është standard.

Sigurisht, unë nuk kam as ndërmend dhe as arsye të akuzoj drejtpërdrejtë askënd këtu prej jush, por ju e dini shumë mirë se për çfarë po flas dhe natyrisht, edhe mes jush ka protagonistë të këtij korrupsioni. Kjo është e qartë, besoj.

Ne kemi detyrimin moral karshi shqiptareve që të veprojmë në të gjitha aspektet dhe në të gjitha institucionet, për të kaluar në një fazës të re dhe posaçërisht, në institucionet që lidhen drejtpërdrejtë me shërbimet ndaj qytetarëve, aq më tepër në një institucion që lidhet me garancinë e jetës dhe të shëndetit për qytetarët.

Fillimi i punës, paralelisht me të gjitha aspektet e tjera të reformës së brendshme, të krijimit të kushteve për punë, të rivënies në punë të laboratorëve etj., që janë të gjitha punë të përditshme, është që brenda 100 ditëve, në Republikën e Shqipërisë nuk duhet të ketë asnjë pikë gjaku në rrugë. Therje në rrugë nuk mund të ketë më. Jemi i vetmi vend në kontinent që ther në rrugë. Kush nga ju këtu është realisht në punë se e njeh këtë punë, - nuk e kam për ata  tjerët që janë këtu rastësisht, - e di shumë mirë që në asnjë vend të rajonit dhe të Europës nuk theret gjë e gjallë rrugëve dhe për gjakun e derdhur në rrugë shkon në burg në të gjitha vendet normale. Këtu thertoret janë nga të katërta anët, njësoj si dyqanet që shesin rroba.

Mbyllja e të gjitha thertoreve që janë jashtë standardeve dhe që therin në rrugë është plani prioritar i AKU-së për këto 100 ditë. Ndalimi i gjobave për sipërmarrësit dhe për njerëzit që tregtojnë normalisht është detyrim i këtyre 100 ditëve, derisa të vendosen gjërat në standarde, derisa të vendosen procedurat, ashtu siç duhet, derisa secili të dijë kush bën çfarë dhe derisa t’i pritet fyti babëzisë që e ka pushtuar AKU-në me gjobaxhinj që terrorizojnë kë t’i dalë përpara.

Të jemi shumë të qartë, nga njëra anë mbyllja e thertoreve, nga ana tjetër ndalimi i gjobave rrugëve. Për çdo gjobë që do të vendoset, duhet të ketë një argumentim shumë të qartë, përndryshe kush vë gjobë, do të largohet menjëherë nga puna, në qoftë se nuk argumentohet siç duhet. Është e papranueshme një institucion gjobash! AKU është institucion standardesh, nuk është institucion gjobash. AKU është një institucion për të garantuar standarde sigurie dhe cilësie, nuk është institucion për t’u turrur çdo ditë e për të vënë gjoba. Nuk është ky qëllimi, pse është ngritur ky institucion. Është e papranueshme, është e turpshme.

Kam shumë besim që drejtuesi i ri i AKU-së, i cili edhe vetë është në provë në këto 100 ditë, me eksperiencën, integritetin dhe aftësitë e tij menaxheriale do të ndryshojë thelbësisht drejtimin dhe sjelljen e këtij institucioni.

Shkruaj Mesazh

Kontakto me Kryeministrin

Shkruaj Mesazh

Reportazhe Eksklusive

Dokumentarë

Reportazhe Eksklusive

Për Gazetarët

Hapësira Mediatike

Për Gazetarët

Raport publik

300 Ditë

Raport publik