Postuar më : 25 Tetor 2013

Vendime të mbledhjes së Këshillit të Ministrave, të datës 25.10.2013

Kryeministri Edi Rama drejtoi sot, më 25 tetor 2013, mbledhjen e Këshillit të Ministrave, në të cilën u miratuan vendimet dhe projektligji, si më poshtë:

PROJEKTLIGJ:

1. Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe e Irlandës së Veriut, për shmangien e tatimit të dyfishtë dhe parandalimin e evazionit fiskal, për tatimin mbi të ardhurat dhe mbi kapitalin.

Projektligji që do t’i dërgohet për miratim Kuvendit ka për qëllim ratifikimin e marrëveshjes për shmangien e tatimit të dyfishtë dhe parandalimin e evazionit fiskal, për tatimin mbi të ardhurat dhe mbi kapitalin.

 

VENDIME:

1. Për ngritjen e grupit të punës për zgjidhjen e mosmarrëveshjes, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe shoqërisë CEZ, a.s.

Vendimi ka si qëllim ngritjen e grupit të punës të kryesuar nga ministri i Energjisë dhe Industrisë dhe me përbërje përfaqësues të Kryeministrisë, të Ministrisë së Financave, Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes dhe Avokaturës së Shtetit për negocimin me CEZ, a.s. për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të lindura me shtetin shqiptar. 

2. Për miratimin, në parim, të dokumentit të ndryshimit nr.1, të marrëveshjes së kredisë për eksport, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë që vepron në emër të Republikës së Shqipërisë dhe përfaqësohet nga Ministria e Financave, dhe UniCredit Bank Austria AG, për financimin e projektit mbarëkombëtar të radioterapisë.

Projekti Mbarëkombëtar i Terapisë parashikon pajisjen me aparaturë mjekësore bashkëkohore moderne të Shërbimit të Onkologjisë, në QSUT, konkretisht akseleratorit linear për mjekimin radioterapeutik i kancerit me rrezatim. 

3. Për disa ndryshime dhe shtesa në vendimin nr.718, datë 29.10.2004, të Këshillit të Ministrave, “Për listën e personave të shpallur si financues të terrorizmit”, të ndryshuar.

Vendimi propozon miratimin e ndryshimeve në listën e personave të shpallur si financues të terrorizmit, në kuadër të kontrollit dhe përditësimit që i është bërë listës së shpallur nga Organizata e Kombeve të Bashkuara, nga data 20.5.2013 deri në datën 25.9.2013. 

4. Për miratimin, në parim, të marrëveshjes me shkëmbim notash, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë, për projektin “Fondi i studimeve dhe i specialistëve”.

Objektivi i vendimit është financimi i studimeve dhe i aktiviteteve teknike për përgatitjen paraprake të projekteve të bashkëpunimit teknik, nëpërmjet kontributit të qeverisë gjermane në vlerën e 1’000’000 eurove. Projekti do të zbatohet nga GIZ (shoqëria gjermane për bashkëpunimin ndërkombëtar). 

5. Për miratimin, në parim, të marrëveshjes së bashkëpunimit ushtarak financiar, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Turqisë e të protokollit të zbatimit të ndihmës financiare, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Turqisë.

Marrëveshja e bashkëpunimit ushtarak financiar konsiston në dhurimin, nga pala turke, të një shume prej 2’275’000 lirave turke ekuivalente me 1’137’500 dollarë, për blerje materialesh e pajisjesh ushtarake, vizitash, trajnimesh e kursesh personeli dhe si kontribut për projektin e modernizimit të Aeroportit të Kuçovës. 

6. Për miratimin e marrëveshjes së financimit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, të përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Bankës Evropiane të Investimeve, për asistencën teknike për projektin e rrugëve dytësore dhe lokale nr.2 - mbështetje për zbatimin dhe qëndrueshmërinë.

Marrëveshja e financimit ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, të përfaqësuar nga Ministria e Financave, dhe Bankës Evropiane të Investimeve, për shumën 1’250’000 euro, ka për qëllim mbështetjen nga Fondi i Përbashkët Evropian i Ballkanit Perëndimor, të shërbimeve të konsulencës dhe asistencës teknike për projektin e rrugëve dytësore dhe lokale nr.2. 

7. Për mënyrën e organizimit e të funksionimit të Komitetit të Menaxhimit të Integruar të Mbetjeve.

Vendimi përcakton mënyrën e organizimit dhe të funksionimit të Komitetit të Menaxhimit të Integruar të Mbetjeve, si një strukturë ndërministrore që do të shqyrtojë, do të analizojë dhe do të propozojë masa të domosdoshme ligjore dhe administrative për menaxhimin e integruar të mbetjeve. 

8. Për miratimin, në parim, të marrëveshjes së grantit nr.TF014761, ndërmjet Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim (IBRD) e Shoqatës Ndërkombëtare për Zhvillim (IDA) që veprojnë si administratore të fondeve grant të siguruara nga disa donatorë, për përgatitjen e projektit të bazuar në rezultate për mirëmbajtjen dhe sigurinë rrugore.

Grandi prej 700’000 dollarë që i japin IBRD dhe IDA qeverisë shqiptare, nëpërmjet kësaj marrëveshjeje, do të përdoret për përgatitjen e projektit të Sigurisë dhe Mirëmbajtjes së Rrugëve, për të rritur kapacitetin e Autoritetit Shqiptar të Rrugëve. 

9. Për lirimin nga detyra të z. Zhani Ciko dhe emërimin në detyrë të drejtorit të Përgjithshëm të Teatrit Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor të z. Ilir Kërni. 

10. Për lirimin nga detyra të z. Rubens Shima dhe emërimin në detyrë të drejtorit të Galerisë Kombëtare të Arteve të z. Artan Shabani. 

11. Për marrjen e masave për sigurimin fizik dhe garantimin e ushtrimit të funksioneve të drejtorit të Njësisë së Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit.

 

Shkruaj Mesazh

Kontakto me Kryeministrin

Shkruaj Mesazh

Reportazhe Eksklusive

Dokumentarë

Reportazhe Eksklusive

Për Gazetarët

Hapësira Mediatike

Për Gazetarët

Raport publik

300 Ditë

Raport publik