Postuar më : 11 Nëntor 2016

Projektligje të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 11 Nëntor 2016

Projektligje të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 11 Nëntor 2016
 
P R O J E K T L I GJ
PËR
 
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË LIGJIN NR. 9975, DATË 28.7.2008, “PËR TAKSAT KOMBËTARE”, TË NDRYSHUAR
 
Në mbështetje të neneve 78, 83, pika 1, dhe 155, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
 
V E N D O S I:
 
Në ligjin nr.9975, datë 28.7.2008, “Për taksat kombëtare”, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
 
Neni 1
 
Në shkronjën “b”, të pikës 5, të nenit 2, fjalët “... më shumë se 7 000 000 lekë ...” zëvendësohen me “... më shumë se 5 000 000 lekë ...”.
 
Neni 2
 
Në nenin 3 bëhen shtesat e mëposhtme:
 
a) Në pikën  2, në fund të fjalisë bëhet shtesa, me këtë përmbajtje:
 
“... si dhe për benzinën ose gazoilin që gjendet në përmbajtjen e biokarburantit (sipas kodeve tarifore të NKM-së 27102011 deri në kodin 27102019, 27102090 si dhe klasifikimin në nënkreun 38 26 00).”.
 
b) Në pikën  6, në fund të fjalisë bëhet shtesa, me këtë përmbajtje:
 
“... si dhe për benzinën ose gazoilin që gjendet në përmbajtjen e biokarburantit (sipas kodeve tarifore të NKM-së 27102011 deri në kodin 27102019, 27102090 si dhe klasifikimin në nënkreun 38 26 00).”.
 
Neni 3
 
Në nenin 4 bëhen shtesa dhe ndryshimet e mëposhtme: 
 
a) Në pikën 2, pas fjalisë ekzistuese, shtohet fjalia me këtë përmbajtje: 
 
“Kjo taksë paguhet për sasinë e benzinës dhe të gazoilit të importuar apo të prodhuar në vend, me përjashtim të sasisë së benzinës dhe të gazoilit të prodhuar në vend, por të eksportuar jashtë territorit të Shqipërisë.”.
 
a) Në pikën 3, pas fjalisë që pëfundon me fjalët “... vjetor të detyrueshëm të mjetit.” shtohet paragrafi, me këtë pëmbajtje:
 
“Kontrolli tenik i mjeteve rrugore me motor dhe rimorkiove të tyre kryhet brenda periudhës së vlefshmërisë 365-ditore të taksës vjetore të mjeteve të përdorura.”.
 
c) Në pikën 4 bëhen këto ndryshime: 
 
i. Në fjalinë e dytë, të paragrafit të parë, fjalët “... masën sa 2/3...” zëvendësohen me “... masën sa 1/2 ...”.
ii. Paragrafi i tretë ndryshohet, si më poshtë vijon:
 
“Në rastin kur taksa e rentës minerare aplikohet në përqindje, kjo taksë  llogaritet duke shumëzuar vlerën e shitjes së produktit (pa TVSH) me përqindjen e rentës. Kur taksa e rentës minerare aplikohet në vlerë fikse për njësi, shuma e rentës minerare llogaritet duke shumëzuar sasitë e shitjes së produktit me vlerën e rentës minerare. Në rastin e shitjes së mineralit të grupit të parë (I), “Mineralet metalike”, për përpunim brenda vendit, nga nxjerrësi te përpunuesi, përqindja e rentës aplikohet në masën sa 1/2 e normës së rentës së përcaktuar në shtojcën nr.2, mbi vlerën (çmimin) e shitjes, e cila, për efekt të përllogaritjes së rentës minerare nuk mund të jetë më e vogël se çmimi i shitjes për eksport të mineralit të papërpunuar.”.
 
ç) Numërtimi i pikës 9, “Taksa mbi primet e shkruara ...”, bëhet 10.
   
 
Neni 4
 
Në shkronjën “g”, të nenit 5, në fund të fjalisë shtohen fjalët: 
 
 “Për qëllime të mbledhjes së taksës, këto shoqëri e evidentojnë atë veçmas nga primi.”. 
 
Neni 5
 
Në pikën 1, të nenit 4/1, hiqen fjalët “… pikat 1, 2, 3, 4, 5, 6, 7 dhe 8 …”.
 
 
Neni 6
 
Në nenin 9 bëhen këto ndryshime:
 
a) Shkronja “c”, e pikës 1, ndryshohet, si më poshtë vijon:
 
“c) pagesat e taksës së mjeteve të bllokuara me vendim të gjykatës, të prokurorisë, për periudhën në të cilën mjeti ka qenë i bllokuar, dhe pagesat e taksës së mjeteve të vjedhura, të djegura, të shkatërruara nga aksidentet, të vërtetuara nga organet e prokurorisë.”. 
 
b) Në shkronjën “ç”, të pikës 1, fjalët “... autoveturat tip 4+1 vende ...”, zëvendësohen me “... autoveturat tip deri në 4+1 vende ...”.
 
c) Pika 6 ndryshohet, si më poshtë vijon:
 
“6. Përjashtohen nga pagimi i taksës së qarkullimit dhe taksës së karbonit anijet e peshkimit. Aplikimi i këtij përjashtimi bëhet nëpërmjet rimbursimit të taksës së paguar. Procedura e rimbursimit të taksës së qarkullimit dhe taksës së karbonit, sasitë, kushtet dhe kriteret përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave dhe kjo procedurë fillon të aplikohet nga data 1 korrik 2017.”.
 
ç) Shkronja “c”, e pikës 7, ndryshohet, si më poshtë vijon: 
 
“c) pagesat e taksës së mjeteve të bllokuara me vendim të gjykatës, të prokurorisë, për periudhën në të cilën mjeti ka qenë i bllokuar, dhe pagesat e taksës së mjeteve të vjedhura, të djegura, të shkatërruara nga aksidentet, të vërtetuara nga organet e prokurorisë.”.
 
 
Neni 7
 
Shtojca nr.2, bashkëlidhur ligjit në fuqi, zëvendësohet me shtojcën nr.2, që i bashkëlidhet këtij ligji.
 
Neni 8
 
Ky ligj botohet në “Fletoren zyrtare” dhe hyn në fuqi më 1 janar 2017. 
 
K R Y E T A R I
ILIR META
###
V E N D I M
PËR

PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË LIGJIN NR.9975, DATË 28.7.2008, ‘PËR TAKSAT KOMBËTARE’, TË NDRYSHUAR”

 
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave 
 
V E N D O S I:
 
Propozimin e projektligjit “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.9975, datë 28.7.2008, ‘Për taksat kombëtare’, të ndryshuar”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionin shoqërues që i bashkëlidhen këtij vendimi.
 
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
 
K R Y E M I N I S T R I
EDI  RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
P R O J E K T L I GJ
PËR
 
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË LIGJIN NR.61/2012, “PËR AKCIZAT NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË”, TË NDRYSHUAR
 
 
Në mbështetje të neneve 78, 83, pika 1, dhe 155, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
 
V E N D O S I:
 
Në ligjin nr.61/2012, “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime dhe shtesa: 
 
Neni 1
 
Shkronja “d”, e pikës 3, të nenit 10, shfuqizohet.
 
Neni 2
 
Në pikën 1, të nenit 14, bëhen ndryshimet e mëposhtme:
 
a) Në shkronjën “d”, në pjesën e fundit të fjalisë, ndërmjet fjalëve “... sipas ...” dhe “... kushteve ...” shtohen  “... masës, kritereve ...”. 
 
b) Shkronja “dh” ndryshohet, si më poshtë vijon:
 
“dh) për biokarburantet që përdoren në sektorin e transportit dhe mishelohen në territorin e Republikës së Shqipërisë për vlerën e detyrimit të akcizës së paguar që i korrespondon masës së produktit “BIO” që gjendet në produktin e deklaruar për konsum pas konfirmimit nga laboratori kimik doganor dhe pas verifikimit prej autoritetit doganor, deri në masën 5%.  Llogaritja e rimbursimit në nivelet e mësipërme  maksimale bëhet në raport me sasinë totale të karburanteve. Procedurat dhe kriteret për rimbursim përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave. Rimbursimi për sasinë e biokarburanteve kryhet deri në vitin 2020.”.
 
c) Pas shkronjës “dh” shtohet shkronja “e”, me këtë përmbajtje:
 
“e)  për karburantin e përdorur në anijet e peshkimit në sasitë, kushtet dhe sipas kritereve të përcaktuara me vendim të Këshillit të Ministrave.”.
 
Neni 3
 
Në pikat 7 dhe 8, të nenit 41, kudo në përmbajtje, pas fjalëve “... magazinë fiskale stokimi ...” shtohen “... ose magazinë doganore sipas përcaktimeve në Kodin Doganor ...”.
 
Neni 4
 
Pas pikës 2, të nenit 51, shtohet pika 3, me këtë përmbajtje:
 
“ 3. Produktet energjetike që klasifikohen në grupin E500 me kodet e NK 27 11 i nënshtrohen pagesës së akcizës sipas shtojcës nr.1 të këtij ligji, vetëm nëse këto produkte janë për përdorim si lëndë djegëse për automjetet në transportin rrugor. Procedura e aplikimit të kësaj dispozite përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave.”. 
 
Neni 5
 
Në pikën 2, të nenit 86, pas fjalës “... lëvizjes ...” shtohen fjalët “... nën pezullim të detyrimeve të akcizës ...”.
 
Neni 6
 
Neni 87 ndryshohet, si më poshtë vijon:
 
“Neni 87
Shmangia nga verifikimi ose pagimi i akcizës
 
1. Pa rënë ndesh me Kodin Penal, kryen kundërvajtje administrative në fushën e akcizës kushdo që:
 
a) shmang, me çfarëdolloj mjeti apo mënyre, produktet e akcizës nga verifikimi dhe/ose nga pagimi i akcizës; 
b) u jep operatorëve, që u nënshtrohen detyrimeve të akcizës, produkte të përjashtuara nga akciza ose me akcizë të reduktuar; 
c) kryen operacione përzierjeje të paautorizuara të produkteve të akcizës, prej të cilave përftohet një produkt që i nënshtrohet një akcize më të lartë, krahasuar me akcizën e secilit komponent veçmas; 
ç) rigjeneron produkte të denatyruara, me qëllim përdorimin abuziv të  tyre dhe shmangien e pagesës së detyrimit të akcizës; 
d) mban produkte akcize të denatyruara në kushte të ndryshme nga ato të përcaktuara për të pasur një trajtim të diferencuar; 
dh) mban ose përdor produkte të përftuara nga fabrikimi klandestin apo nga përzierje të paautorizuara; 
e)  mban, tregton ose përdor produkte të denatyruara, të përziera me produkte që i nënshtrohen pagesës së akcizës;
 ë)   përdor, përzien, shet produkte akcize me përjashtim apo reduktim, për qëllime të ndryshme përdorimi nga ai për të cilin kanë përfituar përjashtim apo reduktim; 
 f) tregton produkte që i nënshtrohen akcizës, pa dokumentacion fiskal.
 
2. Shkeljet e referuara në pikën 1, të këtij neni, dënohen: 
 
a) për herën e parë të konstatuar, me gjobë sa 2-fishi i detyrimeve të akcizës që duheshin paguar; 
b) për herën e dytë të konstatuar, me gjobë sa 3-fishi i i detyrimeve të akcizës që duheshin paguar; 
c) për herën e tretë të konstatuar dhe më pas, me gjobë sa 5-fishi i detyrimeve të akcizës që duheshin paguar dhe revokim i autorizimit për një periudhë dyvjeçare.
 
Përveç gjobës që zbatohet, mallrat e akcizës të gjetura pa dokumentacion fiskal sekuestrohen. Mallrat çlirohen nga sekuestroja nëse brenda 30 ditësh nga njoftimi i vendimit paguhet i gjithë detyrimi dhe sanksioni përkatës. Nëse nuk plotësohen këto kushte, mallrat konfiskohen dhe shkatërrohen ose shiten në përputhje me dispozitat e ligjit për kundërvajtjet administrative, për të mbuluar detyrimin dhe sanksionin e vendosur. Nëse nga shitja gjenerohen të ardhura të cilat kalojnë shumën e detyrimit dhe gjobës, teprica shkon në buxhet të shtetit.
 
3. Gjoba për shkeljet e parashikuara në shkronjën “c”, të pikës 1, të këtij neni, llogaritet jo vetëm për produktet tërësisht të përfunduara, por edhe për ato që mund të përftoheshin nga lëndët e para gjatë përpunimit ose në pritje për t’u përpunuar apo që gjenden në fabrikë ose në ambientet ku është kryer shkelja. 
 
4. Gjoba për shkeljet e parashikuara në shkronjën “ç”, të pikës 1, të këtij neni, llogaritet, jo vetëm për produktet që janë duke u rigjeneruar ose tërësisht të rigjeneruara, por edhe për produktet e denatyruara, që gjenden në ambientet ku është kryer shkelja. 
 
5. Depozituesit të miratuar, i cili ka kryer për herë të tretë shkeljen e parashikuar në shkronjat “e” dhe “ë”, të pikës 1, të këtij neni, i hiqet për dy vjet e drejta për të përfituar nga përjashtimet.
 
Neni 7
 
Neni 88 ndryshohet, si më poshtë vijon:
 
“Neni 88
Prodhimi klandestin i produkteve të akcizës
 
1. Pa rënë ndesh me Kodin Penal, kushdo, që prodhon në mënyrë të padeklaruar dhe të paautorizuar (klandestine) nga autoritetet doganore produkte që i nënshtrohen pagesës së akcizës, dënohet me:
 
a) gjobë sa 5-fishi i detyrimeve fiskale që duheshin paguar për këto produkte të akcizës, të prodhuara në mënyrë të padeklaruar dhe të paautorizuar (klandestine). Gjoba, përveç produkteve tërësisht të përfunduara, aplikohet edhe për produktet që mund të përftoheshin nga lëndët e para në përpunim ose në pritje për t’u përpunuar apo që gjenden në mjediset, në fabrikë a në lokalet ku është kryer shkelja;
b) sekuestrim të makinerive, pajisjeve, mjeteve ndihmëse të prodhimit, lëndës së parë, çdo materiali të nevojshëm për prodhimin e këtyre produkteve si dhe të gjitha produktet e akcizës të gjetura në çdo kohë. 
 
2. Në kuptim të pikës 1, të këtij neni, me prodhim të paautorizuar kuptohet prodhimi i produkteve të akcizës që kryhet në ambiente dhe me pajisje të padeklaruara dhe të pakontrolluara paraprakisht ose të ndërtuara apo të modifikuara, në mënyrë që produkti të shmanget nga verifikimi.
 
3. Prodhimi i paautorizuar provohet me praninë në të njëjtin ambient ose në ambientet ngjitur të lëndëve të para të nevojshme për përgatitjen e produkteve të akcizës dhe linjave të prodhimit, të nevojshme për prodhimin e produkteve të akcizës.
 
4. Mallrat çlirohen nga sekuestroja nëse brenda 30 ditësh nga data e njoftimit të vendimit paguhet i gjithë detyrimi dhe sanksioni përkatës. Nëse nuk plotësohen këto kushte, mallrat konfiskohen dhe shkatërrohen ose shiten në përputhje me dispozitat e ligjit për kundërvajtjet administrative, për të mbuluar detyrimin dhe sanksionin e vendosur. Nëse nga shitja gjenerohen të ardhura të cilat kalojnë shumën e detyrimit dhe gjobës, teprica kalon në buxhetin e shtetit.”.
 
Neni 8
 
Neni 88/1 shfuqizohet.
 
Neni 9
 
Neni 89 ndryshohet, si më poshtë vijon:
 
“Neni 89
Manipulimi i pajisjeve dhe shenjave
 
1. Pa rënë ndesh me Kodin Penal, kryen kundërvajtje administrative kushdo që shmang produktin nga verifikimi,:
 
a) duke hequr, prishur ose bërë të palexueshëm matësit, plumbçet, pullat, markuesit, ngjyruesit, vulat, treguesit e verifikimit ose pajisje të tjera të nevojshme, të kërkuara apo të vendosura nga autoritetet doganore për qëllime verifikimi dhe kontrolli, sipas këtij ligji dhe akteve nënligjore në zbatim të tij;
b) ose duke mbajtur apo përdorur plumbçet, vulat, pullat, markues, ngjyrues, treguesit e verifikimit ose shenja të tjera të manipuluara ose pa autorizim, të cilat përdoren për qëllime verifikimi dhe kontrolli nga autoritetet doganore, sipas këtij ligji dhe akteve nënligjore në zbatim të tij.
 
2. Shkeljet e referuara në pikën 1, të këtij neni, dënohen, si më poshtë vijon: 
 
a) Për herën e parë të konstatuar, me gjobë sa 2-fishi i detyrimeve të akcizës të shmangura të produkteve të akcizës, të konvertuara në sasitë përkatëse sipas parashikimeve të këtij ligji.
b) Për herën e dytë të konstatuar, me gjobë sa 3-fishi i detyrimeve të akcizës të shmangura të produkteve të akcizës, të konvertuara në sasitë përkatëse sipas parashikimeve të këtij ligji.
c) Për herën e tretë të konstatuar dhe më pas, me gjobë sa 5-fishi i detyrimeve të akcizës të shmangura të produkteve të akcizës, të konvertuara në sasitë përkatëse sipas parashikimeve të këtij ligji.
 
3. Pavarësisht nëse është përfshirë ose jo në shkeljet e parashikuara në pikën 1, të këtij neni, depozituesi i miratuar, i cili ka për detyrë të marrë masat e duhura për ruajtjen dhe mirëfunksionimin e matësve, pajisjeve pullave dhe shenjave të tjera të sipërpërmendura, dënohet me gjobë 500 000 lekë.”. 
 
 
Neni 10
 
Nenet 89/1 dhe 89/2 shfuqizohen.
 
Neni 11
 
Neni 90 ndryshohet, si më poshtë vijon:
 
“Neni 90
Teprica ose mangësi në magazinën fiskale dhe në qarkullimin e produkteve që i nënshtrohen akcizës
 
1. Mangësitë mbi 2 për qind, krahasuar me regjistrat kontabël, të konstatuara në magazinat fiskale, përbëjnë kundërvajtje administrative dhe dënohen me gjobë në masën sa 3-fishi i detyrimeve të akcizës të munguara që duheshin paguar. 
 
2. Në rastin e produkteve të denatyruara, kur mangësitë e konstatuara janë mbi 1 për qind deri në 2 për qind, krahasuar me regjistrat kontabël, përveç pagesës së akcizës me tarifën më të lartë të këtij produkti, aplikohet gjobë në masën 200 000 lekë. 
 
3. Në rastin e produkteve të denatyruara, kur mangësitë e konstatuara janë mbi 2 për qind, krahasuar me regjistrat kontabël, aplikohet gjobë në masën sa 3-fishi i detyrimeve të akcizës me tarifën më të lartë që duhej paguar, por jo më pak se 200 000 lekë. 
 
4. Nëse konstatohen sasi tepër, krahasuar me regjistrat kontabël dhe nëse sasia tepër nuk kalon 2 për qind të sasisë së raportuar, depozituesi i miratuar gjobitet me 200 000 lekë. Sasia tepër pasqyrohet në regjistrat kontabël.
 
5. Për teprica në magazinat fiskale si dhe teprica të produkteve të denatyruara, mbi 2 për qind dhe të pajustifikuara në dokumentacionin përkatës, aplikohet:
 
a)  për herën e parë të konstatuar, gjobë sa 2-fishi i detyrimeve të akcizës që duheshin paguar, por jo më pak se 200 000 lekë; 
b) për herën e dytë të konstatuar, me gjobë sa 3-fishi i detyrimeve të akcizës që duheshin paguar, por jo më pak se 200 000 lekë; 
c)  për herën e tretë të konstatuar dhe më pas, me gjobë sa 5-fishi i detyrimeve të akcizës që duheshin paguar, por jo më pak se 200 000 lekë. 
 
6. Për mangësi mbi firot e lejueshme, të konstatuara në mbërritjen e produkteve që transportohen në regjim pezullues, aplikohet një gjobë sa njëfishi i shumës së detyrimit të akcizës që duhej paguar të sasisë mangët. Nëse mangësia, përveç firove të lejuara, është mbi 2 për qind e sasisë totale të produkteve të akcizës, aplikohet gjobë:
 
a)  për herën e parë të konstatuar, sa 2-fishi i detyrimeve të akcizës që duheshin paguar; 
b)  për herën e dytë të konstatuar, gjobë sa 3-fishi i detyrimeve të akcizës që duheshin paguar; 
c)  për herën e tretë të konstatuar dhe më pas, gjobë sa 5-fishi i detyrimeve të akcizës që duheshin paguar për tentative për të shmangur produktin nga pagesa e akcizës.
 
7. Depozituesi i miratuar, të cilit i gjenden produkte akcize ose lëndë të para të paautorizuara, dënohet; 
 
a) për herën e parë të konstatuar, me gjobë sa 2-fishi i detyrimeve të akcizës që duheshin paguar për këto mallra akcize të paautorizuara; 
b) për herën e dytë të konstatuar, me gjobë sa 3-fishi i detyrimeve të akcizës që duheshin paguar për këto mallra akcize të paautorizuara;  
c)  për herën e tretë të konstatuar dhe më pas, me gjobë sa 5-fishi i detyrimeve të akcizës që duheshin paguar për këto mallra akcize të paautorizuara. 
 
     Gjoba, përveç produkteve tërësisht të përfunduara, aplikohet edhe për produktet e akcizës që mund të përftoheshin nga lëndët e para të paautorizuara, në përpunim ose në pritje për t’u përpunuar, që gjenden në ambientet e magazinës fiskale.
 
8. Për diferenca të konstatuara në cilësi ose në sasi të produkteve të destinuara për eksport, që i nënshtrohen akcizës dhe atyre të deklaruara për t’u përjashtuar ose për t’u rimbursuar, aplikohet gjobë sa 5-fishi i detyrimeve të akcizës që duheshin paguar.
 
9. Për diferenca të konstatuara në cilësi të produkteve që i nënshtrohen akcizës, aplikohet gjobë sa 3-fishi i detyrimeve të akcizës që duheshin paguar.
 
10. Tepricat ose mangësitë në pulla fiskale, të konstatuara gjatë kontrollit të magazinave fiskale, përbëjnë kundërvajtje administrative dhe ndëshkohen si diferencat në produkte akcize të konvertuara në sasitë përkatëse, sipas parashikimeve të këtij ligji. 
 
11. Për efekt të përllogaritjes së masës së detyrimeve të akcizës për mangësitë apo tepricat në magazinat e prodhim/stokimit të lëndëve të para për prodhimin e produkteve të akcizës, niveli i akcizës do të llogaritet në masën e produktit me taksimin më të lartë që mund të prodhohet me këto lëndë të para.
 
12. Në rastet kur lëndët e para janë të garantuara, përllogaritja e detyrimeve të akcizës bëhet sipas shkallës së taksimit mbi të cilën është llogaritur garancia e tyre.”. 
 
Neni 12
 
Neni 91 shfuqizohet.
 
Neni 13
 
Pika 3, e nenit 91/1, ndryshohet, si më poshtë vijon:
 
 “3. Për teprica në mjediset e pritësit të regjistruar mbi 2 për qind dhe të  
    pajustifikuara në dokumentacionin përkatës aplikohet:
 
a) për herën e parë të konstatuar, gjobë sa 2-fishi i detyrimeve të akcizës që duheshin paguar, por në çdo rast jo më pak se 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë; 
b) për herën e dytë të konstatuar, gjobë sa 3-fishi i detyrimeve të akcizës që duheshin paguar, por në çdo rast jo më pak se 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë; 
c) për herën e tretë të konstatuar e më pas, gjobë sa 5-fishi i detyrimeve të akcizës që duheshin paguar, por në çdo rast jo më pak se 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë. 
 
Sasia tepër pasqyrohet në regjistrat kontabël.”.
 
Neni 14
 
Në nenin 94 bëhen ndryshimet dhe shtesat e mëposhtme:
 
1. Në shkronjën “a”, të pikës 1, dhe në pikën 2, termi “... fiskale ...” zëvendësohet me “... të akcizës ...”.
 
2. Pas shkronjës “b”, të pikës 1, shtohet shkronja “c”, me këtë përmbajtje:
 
“c) Kur shkelja konstatohet gjatë transportit, mjeti i transportit në të cilin gjenden mallrat në fjalë sekuestrohet. Mjeti i tansportit çlirohet nga sekuestroja nëse brenda 30 ditësh nga data e njoftimit të vendimit paguhet i gjithë detyrimi dhe sanksioni përkatës. Nëse nuk plotësohen këto kushte, mjeti i transportit konfiskohet dhe shitet në përputhje me dispozitat e ligjit për kundërvajtjet administrative, për të mbuluar detyrimin dhe sanksionin e vendosur.
Mjetet e transportit përjashtohen nga sekuestrimi ose sekuestrimi i vendosur revokohet apo anulohet kur, në bazë të provave që disponohen, rezulton se pronari i tyre nuk është i përfshirë në shkeljen në fjalë. Nëse nga shitja gjenerohen të ardhura të cilat kalojnë shumën e detyrimit dhe gjobës, teprica kalon në buxhetin e shtetit.”.
 
3. Pika 3 ndryshohet, si më poshtë vijon:
 
“3. Mallrat e konfiskuara trajtohen në përputhje me ligjin nr.10279 datë 20.5.2010, “Për kundërvajtjet administrative”.
 
Neni 15
 
Neni 95 ndryshohet, si më poshtë vijon:
 
“Neni 95
Mbajtja, transportimi ose shitja e produkteve të akcizës pa shenjues ose ngjyrues
 
1. Mbajtja, hedhja në qarkullim të lirë, tregtimi, eksportimi, importimi, shpërndarja, transportimi, rafinimi ose kryerja e çdo aktiviteti tjetër me produktet që markohen/shenjohen apo ngjyrosen apo që nuk kanë markuesin/shenjuesin apo ngjyruesin në sasinë dhe përqendrimin e duhur dënohen, si më poshtë vijon:
 
a) Për herën e parë të konstatuar, me gjobë sa 2-fishi i detyrimeve të akcizës që duhet të paguhet për të gjithë sasinë e produktit të gjendur në depozitë, për herën e dytë të konstatuar me gjobë  sa 3-fishi i detyrimeve të akcizës që duhet të paguhet për të gjithë sasinë e produktit të gjendur në depozitë dhe për herën e tretë të konstatuar dhe më pas, me gjobë sa 5-fishi i detyrimeve fiskale që duhet të paguhen për të gjithë sasinë e produktit të gjendur në depozitë;
b) Me sekuestrimin e të gjithë sasisë së produktit të gjendur në depozitë dhe të mjetit të transportit, kur shkelja është verifikuar gjatë këtij procesi. Mjetet e transportit përjashtohen nga sekuestrimi ose sekuestrimi i vendosur revokohet ose anulohet kur, në bazë të provave që disponohen, rezulton se pronari i tyre nuk është pëfshirë në shkeljen në fjalë;
 
Mallrat dhe mjeti i transportit të sekuestruara çlirohen nëse paguhet i gjithë detyrimi dhe sanksioni përkatës dhe më pas mallrat shenjohen ose ngjyrosen në mënyrën e duhur. Nëse nuk plotësohen të gjitha këto kushte, këto mallra dhe mjete konfiskohen dhe shiten në përputhje me dispozitat e ligjit për kundërvajtjet administrative, për të mbuluar detyrimin dhe sanksionin e vendosur ose shkatërrohen në rastet kur nuk plotësojnë standardet për të qarkulluar në Republikën e Shqipërisë. Nëse nga shitja gjenerohen të ardhura të cilat kalojnë shumën e detyrimit dhe gjobës, teprica shkon në buxhetin e shtetit.”.
 
Neni 16
 
Nenet 95/1 dhe 95/2 shfuqizohen.
 
Neni 17
 
Në nenin 96 bëhen ndryshimet e mëposhtme:
 
1. Në paragrafin e parë, termi “... fiskale ...” zëvendësohet me “... të akcizës ...”.
 
2. Paragrafi i dytë ndryshohet, si më poshtë vijon:
 
“Për efekt të përllogaritjes së masës së detyrimeve të akcizës për mangësitë apo tepricat në magazinat e prodhim/stokimit të lëndëve të para për prodhimin e produkteve të akcizës, niveli i akcizës do të llogaritet në masën e produktit me taksimin më të lartë që mund të prodhohet me këto lëndë të para.
Në rastet kur lëndët e para janë të garantuara, përllogaritja e detyrimeve të akcizës bëhet sipas shkallës së taksimit mbi të cilën është llogaritur garancia e tyre.”.
 
Neni 18
 
Neni 96/1 shfuqizohet.
 
Neni 19
 
Pas nenit 97 shtohen neni 97/1, me këtë përmbajtje:
 
 
“Neni 97/1
Raste të tjera
 
1. Shkeljet, të cilave u referohet shkronja “a”, e pikës 1, të nenit 85, të parashikuara shprehimisht në këtë kre, të cilat nuk kanë sjellë mospagim të detyrimeve që duheshin paguar, dënohen me gjobë 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë.
 
2. Kur i njëjti person ka kryer disa kundërvajtje administrative në të njëjtën kohë, çdo shkelje ndëshkohet në veçanti.
 
3. Shkelja e mbetur në tentativë ndëshkohet si shkelje e kryer.”.
 
Neni 20
 
Shtojca 1, që i bashkëlidhet ligjit në fuqi, zëvendësohet me shtojcën me të njëjtin numër, që i bashkëlidhet këtij ligji.
 
Neni 21
 
Ky ligj botohet në “Fletoren zyrtare” dhe hyn në fuqi në datën 1 janar 2017, me përjashtim të neneve 1 dhe 2, shkronja “e”, të cilat hyjnë në fuqi në datën 1 korrik 2017.
 
K R Y E T A R I
ILIR META
###
V E N D I M
PËR
 
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT ‘PËR DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË ligjin nr.61/2012 “PËR AKCIZAT NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË”, TË NDRYSHUAR”
 
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100 të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave 
 
V E N D O S I:
 
Propozimin e projektligjit “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.61/2012, “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar” për shqyrtim dhe miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.
 
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
 
 
K R Y E M I N I S T R I
EDI  RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
P R O J E K T L I GJ
PËR 
 
DISA NDRYSHIME NË LIGJIN NR.9981, DATË 8.9.2008, “PËR MIRATIMIN E NIVELEVE TË TARIFËS DOGANORE”, TË NDRYSHUAR
 
 
Në mbështetje të neneve 78, 83, pika 1, dhe 155, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
 
V E N D O S I:
 
Neni 1
 
Nivelet tarifore të disa artikujve, të përcaktuar në lidhjen nr.1, që i bashkëlidhet ligjit nr.9981, datë 8.9.2008, “Për miratimin e niveleve të tarifës doganore”, të ndryshuar, ndryshojnë sipas aneksit 1, që i bashkëlidhet këtij ligji.
 
Neni 2
 
Ky ligj botohet në “Fletoren zyrtare” dhe hyn në fuqi më 1 janar 2017.
 
K R Y E T A R I
ILIR META
###
V E N D I M
PËR
 
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR DISA NDRYSHIME NË LIGJIN NR.9981, DATË 8.9.2008, “PËR MIRATIMIN E NIVELEVE TË TARIFËS DOGANORE”, TË NDRYSHUAR”
 
 
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave 
 
V E N D O S I:
 
Propozimin e projektligjit “Për disa ndryshime në ligjin nr.9981, datë 8.9.2008, “Për miratimin e niveleve të tarifës doganore”, të ndryshuar”, për shqyrtim dhe miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.
 
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
 
K R Y E M I N I S T R I
EDI  RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
P R O J E K T L I GJ
PËR
 
NJË SHTESË NË LIGJIN NR.8438, DATË 28.12.1998, “PËR TATIMIN MBI TË ARDHURAT”, TË NDRYSHUAR
 
Në mbështetje të neneve 78, 83, pika 1, dhe 155, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
 
V E N D O S I: 
 
Neni 1
 
Në nenin 21, të ligjit nr.8438, datë 28.12.1998, “Për tatimin mbi të ardhurat”, të ndryshuar, pas pikës 3, shtohet pika 4, me këtë përmbajtje:
 
“4. Përveç sa parashikohet në pikat 2 dhe 3, të këtij neni, në rastet e kredive, të huamarrjes ose financimeve nga personat e lidhur, nuk njihen si shpenzime të zbritshme të periudhës tatimore teprica e shpenzimit të interesit neto që tejkalon 30 për qind të fitimit të tatueshëm para interesit, tatimit, zhvlerësimit dhe amortizimit (EBITDA). Fitimi i tatueshëm para interesit, tatimit, zhvlerësimit dhe amortizimit, përcaktohet në përputhje me nenin 19, të këtij ligji. 
 
Me termin “Tepricë të shpenzimit të interesit neto”, nënkuptohet teprica që del nga diferenca e shpenzimeve të interesit me të ardhurat nga interesi.
 
Çdo shpenzim interesi, që nuk zbritet sipas kësaj pike, mbartet në periudhat e ardhshme tatimore, përveç nëse 50 për qind të aksioneve ose të të drejtave të votës në shoqëri janë transferuar. 
 
Përcaktimet e këtij paragrafi nuk zbatohen për bankat, institucionet financiare jobankare të kredidhënies, shoqëritë e sigurimeve dhe kompanitë e leasing-ut.
 
Rregullat për zbatimin e këtij paragrafi përcaktohen me udhëzim të ministrit të Financave.”.
 
Neni 2
 
Ky ligj botohet në “Fletoren zyrtare”, dhe hyn në fuqi më 1 janar 2018.
 
 
K R Y E T A R I
ILIR META
###
V E N D I M
PËR 
 
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR NJË SHTESË NË LIGJIN NR.8438, DATË 28.12.1998, “PËR TATIMIN MBI TË ARDHURAT”, TË NDRYSHUAR”
 
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave 
 
V E N D O S I:
 
Propozimin e projektligjit “Për një shtesë në ligjin nr.8438, datë 28.12.1998, “Për tatimin mbi të ardhurat”, të ndryshuar”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.
 
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
 
K R Y E M I N I S T R I 
EDI  RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
 
*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.
Shkruaj Mesazh

Kontakto me Kryeministrin

Shkruaj Mesazh

Reportazhe Eksklusive

Dokumentarë

Reportazhe Eksklusive

Për Gazetarët

Hapësira Mediatike

Për Gazetarët

Raport publik

300 Ditë

Raport publik