Postuar më : 16 Nëntor 2016

Projektligje të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 16 Nëntor 2016

Projektligje të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 16 Nëntor 2016
 
P R O J E K T L I GJ
PËR
 
DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR.10129, DATË 11.5.2009, “PËR GJENDJEN CIVILE”, TË NDRYSHUAR
 
Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
 
V E N D O S I:
 
Në ligjin nr.10129, datë 11.5.2009, “Për gjendjen civile”, të ndryshuar, bëhen shtesat dhe ndryshimet, si më poshtë vijon:
 
Neni 1
 
Në pikën 2, të nenit 2, pas fjalëve “Regjistri Kombëtar i Gjendjes Civile”, shtohen fjalët “...i vitit 2010 (në vijim Regjistri Kombëtar)...”.
 
Neni 2
 
Në nenin 11, pas fjalës “...shtetësia...”, shtohen fjalët “...ushtrimi i përgjegjësisë prindërore...”.
 
Neni 3
 
Neni 13, ndryshohet, me këtë përmbajtje: 
 
“Neni 13
 
Gjendja civile e një personi mund të jetë:
 
a) “beqar/e”, shtetasi, i cili nuk ka lidhur akt martese;
b) “i/e martuar”, shtetasi, i cili është lidhur me akt martese;
c)  “i/e ve”, shtetasi, të cilit i ka vdekur bashkëshorti/ja, me të cilin ishte i/e lidhur me akt martese;
ç) “i/e divorcuar”, shtetasi, martesa e të cilit është zgjidhur me vendim gjyqësor të formës së prerë.”.
 
Neni 4
 
Në pikën 1, të nenit 14, pas fjalës “...së Shqipërisë...”, shtohen fjalët “...ose jashtë vendit...”. 
 
Neni 5
 
Neni 17 ndryshohet, si më poshtë vijon:
 
“Neni 17
 
1. Një person apo një ose më shumë familje kanë të drejtë të banojnë në vendbanimin e një personi apo të një familjeje tjetër kur nuk kanë lidhje familjare, kur plotësohen standardet e sipërfaqes së banimit për frymë, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Në këtë rast, kryefamiljari i familjes pritëse dhe personi apo kryefamiljari që kërkon të banojë në vendbanimin e tij shprehin vullnetin e tyre për këtë qëllim para nëpunësit të zyrës së gjendjes civile, në juridiksionin e së cilës është vendbanimi i familjes pritëse.
 
2. Në rast të lidhjeve familjare të vërtetuara, pranimi i personit apo i familjes në vendbanimin e ri bëhet në bazë të deklarimit të tyre para nëpunësit të zyrës së gjendjes civile, në juridiksionin e së cilës është vendbanimi i familjes pritëse.
 
3. Nëpunësi i ngarkuar i bashkisë/njësisë administrative, në juridiksionin territorial të së cilës ndodhet vendbanimi i ri, kryen verifikimet përkatëse, në lidhje me plotësimin e standardeve të sipërfaqes së banimit për frymë. Pas kryerjes së verifikimit, nëpunësi përgatit një raport, i cili është pjesë e praktikës që administron nëpunësi i zyrës së gjendjes civile për këtë qëllim.”. 
 
Neni 6
 
Pas nenit 21, shtohet neni 21/1, me këtë përmbajtje:
 
“Neni 21/1
Deklarimi dhe regjistrimi i adresës së shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë
 
Deklarimi dhe regjistrimi i adresës së shtetasve shqiptarë, të cilët jetojnë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, bëhet sipas legjislacionit përkatës.”.
 
Neni 7
 
Neni 23 ndryshohet, si më poshtë vijon:
 
“Neni 23
Veprimet për fitimin dhe lënien e shtetësisë shqiptare
 
1. Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile përcjell në zyrën e gjendjes civile ku do të regjistrohet shtetasi dekretin e Presidentit të Republikës për fitimin e shtetësisë shqiptare. Në këtë rast, zyra e gjendjes civile, në momentin e paraqitjes së shtetasit, cakton datën dhe orën e kryerjes së betimit.
 
2. Në rastin e dekretit të Presidentit të Republikës për lënien e shtetësisë shqiptare, zyra e gjendjes civile, ku shtetasi rezulton i regjistruar, kryen veprimet për çregjistrimin e tyre nga Regjistri Kombëtar brenda 30 ditëve, nga marrja e dekretit. Kopje e këtij dekreti i përcillet Ministrisë së Punëve të Jashtme, nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile.
 
3. Rregullat, procedurat për kryerjen e betimit dhe teksti i betimit përcaktohen me udhëzim të ministrit që mbulon shërbimin e gjendjes civile.”.
 
Neni 8
 
Pika 3 e nenit 27, ndryshohet, me këtë përmbajtje:
 
“3. Aktet e martesës, të mbajtura në postet konsullore, si dhe deklarimet e lindjes e të vdekjes, të mbajtura në shërbimin e gjendjes civile të vendeve të huaja, për shtetasit shqiptarë që jetojnë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, përcillen, periodikisht, nëpërmjet Ministrisë së Punëve të Jashtme në Drejtorinë e Përgjithshme të Gjendjes Civile, e cila ia dërgon për regjistrim zyrës së gjendjes civile përkatëse.”.
 
Neni 9
 
Pas pikës 3, të nenit 32, shtohet pika 3/1, me këtë përmbajtje:
 
“3/1. Për kryerjen e veprimeve, zyrat e gjendjes civile pranojnë vetëm akte ose dokumente origjinale.”.
 
Neni 10
 
Në nenin 33 bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
 
1. Pika 1 ndryshohet, si më poshtë vijon:
 
“1. Regjistri Kombëtar është dokumenti unik shtetëror ku pasqyrohen përbërësit e gjendjes civile për çdo shtetas shqiptar, shtetas të huaj, person pa shtetësi si dhe për personat, të cilët kanë fituar statusin e refugjatit dhe statusin e mbrojtjes plotësuese, për faktet juridike, të cilat kanë ndodhur në territorin e Republikës së Shqipërisë.”.
 
2. Pas pikës 1, shtohet pika 1/1, me këtë përmbajtje:
 
“1/1. Në Regjistrin Kombëtar transkriptohen të dhënat për shtetasit shqiptarë sipas akteve të zyrave të gjendjes civile të vendeve të huaja. Pasqyrimi i këtyre akteve bëhet kronologjikisht, në përputhje me legjislacionin në fuqi, pasi nga nëpunësi i zyrës së gjendjes civile janë kryer verifikimet e nevojshme për përputhshmërinë e të dhënave në dokumentacionin e administruar me ato të shërbimit të gjendjes civile.”.
 
Neni 11
 
Në nenin 41, bëhen këto ndryshime:
 
1. Pika 3 shfuqizohet.
 
2. Pika 5 ndryshohet, si më poshtë vijon:
 
“5. Fondi për shpërblimin për regjistrimin e lindjes brenda afatit, sipas përcaktimit të bërë në pikën 4, të këtij neni, përballohet nga buxheti i shtetit. Procedurat për përfitimin e shpërblimit përcaktohen me udhëzim të ministrit që mbulon shërbimin e gjendjes civile.”.
 
Neni 12
 
Neni 50 ndryshohet, si më poshtë vijon:
 
“Neni 50
 
1. Nëpunësi i gjendjes civile kryen veprimet për mbajtjen e aktit të martesës në Regjistrin Kombëtar dhe përditëson të dhënat, në përputhje me dispozitat e Kodit të Familjes.
 
2. Transkriptimi i të dhënave referuese të aktit të martesës, që shtetasit shqiptarë kanë lidhur në zyrat e gjendjes civile në vende të huaja, në Regjistrin Kombëtar bëhet në përputhje me legjislacionin në fuqi.
 
3. Shtetasi, që pretendon se i është cenuar një e drejtë nga pasaktësi në aktin e martesës, mund t’i drejtohet gjykatës kompetente, sipas legjislacionit në fuqi, për të rivendosur të drejtën e cenuar.”.
 
Neni 13
 
Neni 51 ndryshohet, si më poshtë vijon:
 
“Neni 51
 
1. Akti i vdekjes është dokumenti që vërteton ligjërisht vdekjen e shtetasit dhe mbahet për çdo të vdekur. Ky akt nënshkruhet nga nëpunësi i gjendjes civile dhe deklaruesi, pasi të jetë administruar dokumenti “skedë vdekjeje”, i lëshuar nga institucionet e autorizuara shëndetësore, që kanë të drejtë të vërtetojnë këtë fakt.
 
2. Akti i vdekjes përmban:
a) zyrën e gjendjes civile në bashki/njësi administrative ku mbahet akti i vdekjes;
b) numrin dhe datën e mbajtjes së aktit të vdekjes;
c) vendin dhe orën e vdekjes;
ç) shkakun e vdekjes, të përcaktuar sipas dokumentit shëndetësor;
d) identitetin dhe numrin personal të të vdekurit ose konfirmimin e të ngarkuarit të posaçëm, për kufomat e gjetura, që nuk mund të identifikohen;
dh) numrin personal, emrin dhe mbiemrin e mjekut ose të ekspertit mjeko-ligjor, që ka plotësuar skedën e vdekjes;
e) të dhënat referuese të njoftimit përkatës të institucionit të prokurorisë, që autorizon kryerjen e veprimeve për raste të përcaktuara në këtë ligj;
ë) emrin, mbiemrin e nëpunësit të zyrës së gjendjes civile.”.
 
Neni 14
 
Në nenin 52 bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
 
1. Pika 1 ndryshohet, si më poshtë vijon:
 
“1. Deklarimi i vdekjes bëhet nga:
a) çdo pjesëtar madhor i familjes;
b) nga persona të afërt të familjes;
c) për personat e vetmuar, nga i ngarkuari i posaçëm i bashkisë/ njësisë administrative, në zyrën e gjendjes civile ku shtetasi që ka ndërruar jetë ka patur vendbanimin/vendqëndrimin e tij të fundit, ose në zyrën e gjendjes civile, në juridiksionin e së cilës është gjetur kufoma apo ka ndodhur fakti juridik i vdekjes.”.
 
2. Pika 3 ndryshohet, si më poshtë vijon:
 
“3. Afati për deklarimin e vdekjes në zyrën e gjendjes civile është 10 ditë, nga data e vdekjes, për vdekjet brenda vendit, dhe 90 ditë, nga data e vdekjes, për vdekjet jashtë vendit.”.
 
3. Pas pikës 3 shtohet pika 3/1, me këtë përmbajtje:
 
“3/1. Për vdekjen aksidentale, afati i deklarimit në zyrën e gjendjes civile është 10 ditë nga lëshimi i lejes nga prokurori, e cila paraqitet në zyrën e gjendjes civile nga subjektet e përcaktuar në pikën 1, të këtij neni.”.
 
Neni 15
 
Pika 1, e nenit 56, ndryshohet, me këtë përmbajtje:
 
“1. Nëpunësi i zyrës së gjendjes civile, në juridiksionin e së cilës ka ndodhur lindja, pasi administron deklaratën e shkruar të personave të përcaktuar në nenin 40, të këtij ligji, lidhur me:
a) emrin që do t’i vendosin fëmijës së lindur, përveç emrave të klasifikuar të papërshtatshëm, sipas përcaktimeve të këtij ligji;
b) mbiemrin që do të mbajë fëmija, në përputhje me Kodin e Familjes, i pasqyron këta përbërës të gjendjes civile në aktin e lindjes.”.
 
 
Neni 16
 
Pika 2, e nenit 60, ndryshohet, si më poshtë vijon:
 
“2. Shërbimi i gjendjes civile, krahas detyrave të përcaktuara në pikën 1, të këtij neni, i jep informacion subjekteve të përcaktuar nga ky ligj dhe aktet nënligjore në zbatim të tij, mbi bazën e dokumentacionit që administron, në përputhje me legjislacionin për mbrojtjen e të dhënave personale, kundrejt tarifës që përcaktohet sipas parashikimit të nenit 73, të këtij ligji.”.
 
Neni 17
 
Neni 61 ndryshohet, me këtë përmbajtje: 
 
“Neni 61
 
1. Shërbimi Shtetëror i Gjendjes Civile organizohet, si më poshtë vijon:
a) Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile;
b) Zyrat e arkivës së gjendjes civile pranë Prefektit të Qarkut;
c) Zyrat e gjendjes civile në bashki/njësi administrative;
ç) Shërbimi i gjendjes civile në përfaqësitë diplomatike dhe konsullore shqiptare.
Shërbimi i gjendjes civile në përfaqësitë diplomatike e konsullore shqiptare funksionon në përputhje me dispozitat e këtij ligji. Veprimet e nëpunësve të autorizuar e të trajnuar në Regjistrin Kombëtar, në postet konsullore, përcaktohen me udhëzim të përbashkët të ministrit që mbulon shërbimin e gjendjes civile dhe të ministrit të Punëve të Jashtme.
 
2. Shërbimi i gjendjes civile mund të ofrohet, në mënyrë të kufizuar, edhe nga institucione të tjera shtetërore, të përcaktuara nga legjislacioni përkatës.
 
3. Shërbimi i gjendjes civile mund të ofrohet edhe në forma ose mënyra të tjera, sipas zhvillimeve më të fundit inovative.
 
4. Rregullat, llojet dhe procedurat për ofrimin e shërbimeve të përcaktuara në pikat 2 e 3, të këtij neni, përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.”.
 
Neni 18
 
Neni 66 ndryshohet, si më poshtë vijon:
 
 
 
“Neni 66
Emërimi dhe lirimi i nëpunësit në Zyrën e arkivës së gjendjes civile, pranë Prefektit të Qarkut
 
1. Emërimi i nëpunësit në Zyrën e arkivës së gjendjes civile, pranë Prefektit të Qarkut, bëhet nga prefekti i qarkut, me miratimin e drejtorit të Përgjithshëm të Gjendjes Civile, sipas kritereve të përcaktuara nga kjo drejtori.
 
2. Lirimi nga detyra i nëpunësit në Zyrën e arkivës së gjendjes civile, pranë Prefektit të Qarkut, bëhet nga prefekti i qarkut, me miratimin e drejtorit të Përgjithshëm të Gjendjes Civile.”.
 
Neni 19
 
1. Në shkronjën “b”, të nenit 67, fjalët “...shkallë rrethi...”, zëvendësohen me fjalët “...nivel qendër qarku...”.
 
Neni 20
 
Pas nenit 69 shtohet neni 69/1, me këtë përmbajtje:
 
“Neni 69/1
 
1. Dokumenti “certifikatë”, që sipas dispozitave të këtij ligji lëshohet sipas të dhënave të Regjistrit Kombëtar, nga zyra e gjendjes civile në njësi administrative, mund të lëshohet edhe nga zyra e gjendjes civile në bashki, në juridiksionin e së cilës ndodhet njësia.
 
2. Në rastin e ofrimit të shërbimit, sipas parashikimit të bërë në pikat 2 dhe 3, të nenit 61, të këtij ligji, dokumenti “certifikatë” lëshohet sipas të dhënave të Regjistrit Kombëtar, me nënshkrimin dhe/ose vulën elektronike të Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile.”.
 
Neni 21
 
Neni 73, ndryshohet, si më poshtë vijon:
 
“Neni 73
 
1. Informacionet që jepen nga shërbimi i gjendjes civile për subjektet private, të përcaktuara nga ky ligj dhe aktet nënligjore në zbatim të tij, kryhen me pagesë, sipas tarifave të miratuara me udhëzim të përbashkët të ministrit që mbulon shërbimin e gjendjes civile dhe të ministrit të Financave.
2. Të ardhurat e siguruara nga tarifat, sipas pikës 1, të këtij neni, derdhen 100% në buxhetin e shtetit.”.
 
Neni 22
 
Në pikën 1, të nenit 74, bëhen këto ndryshime:
 
1. Në shkronjën “a” hiqen fjalët “...në nenin 15, pika 3...”.
 
2. Pas shkronjës “c” shtohet shkronja“ç”, me këtë përmbajtje:
 
“ç) Shkelja ose mosrespektimi i dispozitës së përcaktuar në pikën 3, të nenit 15, dënohet me gjobë, në masën 10 000 lekë, dhe me pezullim të shërbimit deri në vjeljen e gjobës, të cilën e vendos dhe e vjel nëpunësi i gjendjes civile.”.
 
Neni 23
 
Kudo në ligj, fjalët:
 
1. “...njësi bashkiake/komuna...” zëvendësohen me “...njësi administrative...”;
 
2. “...Regjistri Kombëtar i Gjendjes Civile...” zëvendësohen me “...Regjistri Kombëtar i Gjendjes Civile i vitit 2010...”;
 
3. “...Degët e gjendjes civile në qark...” zëvendësohen me “...zyrat e arkivës së gjendjes civile pranë prefektit të qarkut...”.
 
Neni 24
Dispozitë kalimtare
 
Gjoba e parashikuar për shkeljen ose mosrespektimin e dispozitës së përcaktuar në nenin 22, të këtij ligji, pezullohet për 6 muaj, nga hyrja në fuqi e këtij ligji.
 
Neni 25
Nxjerrja e akteve nënligjore
 
1. Ngarkohet Këshilli i Ministrave të nxjerë vendimin në zbatim të nenit 17, të këtij ligji.
 
2. Ngarkohet ministri që mbulon shërbimin e gjendjes civile që, brenda 3 muajve, nga hyrja në fuqi e këtij ligji, të nxjerrë udhëzim në zbatim të neneve 7 dhe 11, të këtij ligji.
3. Ngarkohet ministri që mbulon shërbimin e gjendjes civile dhe ministri i Punëve të Jashtme të nxjerrin udhëzim të përbashkët, në zbatim të nenit 17, të këtij ligji.
 
4. Ngarkohet ministri që mbulon shërbimin e gjendjes civile dhe ministri i Financave të nxjerrin udhëzim të përbashkët në zbatim të nenit 21, të këtij ligji.
 
Neni 26
Hyrja në fuqi
 
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
 
 
K R Y E T A R I
ILIR META
# # #
V E N D I M
PËR
 
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR.10129, DATË 11.5.2009, “PËR GJENDJEN CIVILE”, TË NDRYSHUAR”
 
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave
 
V E N D O S I:
 
Propozimin e projektligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.10129, datë 11.5.2009, “Për gjendjen civile”, të ndryshuar”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
 
K R Y E M I N I S T R I
EDI  RAMA
***
P R O J E K T L I GJ
PËR
 
SIGURINË DHE SHËNDETIN NË PUNË, EMERGJENCAT E SHPËTIMIN NË VEPRIMTARINË MINERARE DHE NË NDËRTIMIN E PUNIMEVE NËNTOKËSORE NË VEPRAT HIDROENERGJETIKE
 
Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
 
V E N D O S I:
 
KREU I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
 
Neni 1
Objekti
 
Objekti i këtij ligji është përcaktimi i parimeve të përgjithshme që rregullojnë sigurinë dhe shëndetin në punë, emergjencat dhe shpëtimin në veprimtarinë minerare dhe në ndërtimin e punimeve nëntokësore  të veprave hidroenergjetike.
 
Neni 2
Qëllimi
 
Ky ligj ka për qëllim të garantojë sigurinë e jetës dhe mbrojtjen e shëndetit të punëmarrësve e të personave të tjerë, që kryejnë punë në veprimtarinë minerare dhe ndërtimin e punimeve nëntokësore të veprave hidroenergjetike.
 
Neni 3
Përkufizime
 
Në këtë ligj, termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:
 
1. “Emergjencë”, situata e pazakontë që sjell prishjen e regjimit normal të punës në minierë apo në punime nëntokësore të veprave hidroenergjitike, e shkaktuar nga faktorë natyrorë (gjeologo-minerarë), teknologjikë apo njerëzorë, shoqëruar me avari, aksidente në punë ose për shkak të punës, incidente të rrezikshme apo ngjarje;
2. “Shpëtim”, operacion i organizuar e i drejtuar me burime njerëzore e materiale për ndërhyrjen në përballimin dhe ndalimin e emergjencës;
3. “Avari”, prishja e regjimit normal të punës në veprimtarinë minerare; 
4. “Shpëtues”, punëmarrës i kualifikuar, i specializuar dhe i trajnuar për ndërhyrje në përballimin e ndalimin e emergjencave dhe në operacione shpëtimi nëntokë; 
5. “Inspektor”, punëmarrës i kualifikuar i AKSEM-it, me eksperiencë profesionale, që ushtron  kontroll në zbatimin e kërkesave ligjore e teknike për sigurinë dhe shëndetin në punë në veprimtarinë minerare dhe  ndërtimin e punimeve nëntokësore në veprat hidroenergjetike;
6. “Subjekt”, person juridik ose fizik që zotëron leje minerare, marrëveshje kontraktuese për punë në miniera apo në ndërtimin e punimeve nëntokësore të veprave hidroenergjetike;
7. “Autoriteti Kombëtar për Sigurinë dhe Emergjencat në Miniera” (AKSEM), autoriteti shtetëror kompetent për inspektimin e sigurisë, vlerësimin e rreziqeve, përcaktimin e masave parandaluese, vendosjen e sanksioneve dhe ndërhyrjen për përballimin e emergjencës dhe shpëtimit në veprimtarinë minerare dhe të punimeve nëntokësore të veprave hidroenergjetike;
8. “Punime nëntokësore në veprat hidroenergjitike”, tunele, puse, kanale, xhepa që ndërtohen ose hapen nëntokë nga subjekti që kryen veprimtari për ndërtimin e veprave hidroenergjetike;
9. “Veprimtari minerare”, veprimtaritë e kërkimit, të zbulimit, shfrytëzimit, përpunimit, mbylljes, konservimit dhe rehabilitimit të mjedisit minerar; 
10. “Vepra hidroenergjetike”, vepra të ndërtuara në përputhje me legjislacionin në fuqi, të cilat, me anë të proceseve shndërruese, shfrytëzojnë potencialin e rënies së ujit për prodhimin e energjisë elektrike;
11. “Pajisje vetëshpëtuese”, aparate që shërbejnë për mbrojtjen e organeve të frymëmarrjes nga veprimi i gazeve helmuese, për një periudhë të caktuar kohe;
12. “Ministri”, ministri përgjegjës për veprimtarinë minerare. 
 
Neni 4
Fusha e zbatimit
 
Dispozitat e këtij ligji janë të detyrueshme për t’u zbatuar nga:
 
a) institucionet qendrore shtetërore, që përcaktojnë me anë të akteve nënligjore procedurat për realizimin dhe mbrojtjen e sigurisë e të shëndetit të punëmarrësve në veprimtarinë minerare dhe në ndërtimin e punimeve nëntokësore të veprave hidroenergjetike.
b) subjektet publike e private, vendase ose të huaja, që administrojnë, kryejnë punë në veprimtarinë minerare, punimet nëntokësore të veprave hidroenergjetike.
c) subjektet publike e private, vendase ose të huaja, që kryejnë e miratojnë studime, përgatisin dhe zbatojnë projekte teknike, hartojnë e miratojnë programe e planizim të zhvillimit të punimeve në veprimtarinë minerare dhe punime nëntokësore në vepra hidroenergjetike.
ç) autoriteti shtetëror kompetent për inspektimin e sigurisë në punë në veprimtarinë minerare dhe punimet nëntokësore në veprat hidroenergjetike, për vlerësimin e rreziqeve dhe të ndërhyrjeve në emergjenca e shpëtim.
 
 
KREU II
 KËRKESA DHE DETYRIME PËR SIGURINË DHE SHËNDETIN NË PUNË, EMERGJENCAT E SHPËTIMIN
 
Neni 5
Kërkesat e sigurisë në punë
 
1. Të gjitha subjektet që kryejnë veprimtari në miniera dhe në ndërtimin e punimeve nëntokësore në veprat hidroenergjetike, si dhe studime ose projekte në këto fusha, janë të detyruara të zbatojnë kërkesat e sigurisë në punë në veprimtarinë minerare dhe në ndërtimin e punimeve nëntokësore të veprave hidroenergjetike, të emergjencave dhe shpëtimit.
 
2. Kërkesat e sigurisë teknike në punë dhe në veprimtarinë minerare e ndërtimin e punimeve nëntokësore të veprave hidroenergjetike, të emergjencave dhe shpëtimit, hartohen nga Ministri, në bashkëpunim me AKSEM-in, dhe miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
 
Neni 6
Detyrimet e subjekteve
 
1. Çdo subjekt që zotëron një leje minerare, që kontrakton një shërbim të specializuar mbi një të drejtë minerare, si dhe ato që kanë marrëveshje kontraktore për ndërtim të punimeve nëntokësore të veprave hidroenergjetike, para fillimit të veprimtarisë regjistrohen në AKSEM.
 
2. Subjektet, në momentin e regjistrimit të tyre në AKSEM, deklarojnë personat përgjegjës, të ngarkuar me drejtimin administrativ, drejtimin teknik dhe problemet e sigurisë në punë si dhe informojnë, jo më vonë se 5 ditë pune, për çdo ndryshim të këtij personeli. 
 
3. Çdo vend pune, objekt, instalim dhe impiant, që lidhet me veprimtarinë minerare dhe që ka punëmarrës që kryejnë punë, duhet të jetë i projektuar dhe nën kontrollin e mbikëqyrjen e një personi përgjegjës.
 
4. Subjektet njoftjonë menjëherë AKSEM-in për çdo rast aksidenti, me rrezik ose humbje jete, si dhe për raste të emergjencave serioze, që kërkojnë ndërhyrjen e trupës së emergjencave dhe shpëtimit, si dhe këqyrjen e vendit të ngjarjes nga ky institucion. 
 
5. Çdo subjekt minerar apo ndërtues i punimeve nëntokësore të veprave hidroenergjetike me palët nënkontraktore përcakton, me marrëveshje të firmosur, përgjegjësitë për zbatimin e kërkesave ligjore për sigurinë e jetës dhe mbrojtjen e shëndetit në punë të punëmarrësve.
 
6. Subjektet duhet të njoftojnë AKSEM-in, brenda 5 ditëve pune, për ndërprerjen apo rifillimin e punës në objekt.
 
Neni 7
Emergjenca dhe shpëtimi
 
1. Çdo subjekt që kryen punime nëntokësore, ku vërtetohet prania e gazit metan ose gazeve të tjera shpërthyese apo ekzistojnë mundësitë e shfaqjes së tyre, siguron organizimin dhe funksionimin e skuadrës për emergjencë dhe shpëtim.
 
2. Çdo subjekt, që kryen punime nëntokësore, është i detyruar të përgatisë planin e emergjencave, si një dokument për planizimin dhe përballimin e emergjencave nëntokësore, ku pasqyrohen, në mënyrë të hollësishme, parashikimi, masat parandaluese dhe burimet njerëzore e materiale për të përballuar rastin dhe shpëtimin e njerëzve.
 
3. Për subjektet e përmendura në pikën 1 dhe subjektet e tjera që kryejnë punime në nëntokë, në miniera apo në ndërtim të punimeve nëntokësore të veprave hidroenergjetike, rregullat për organizimin dhe funksionimin e emergjencave dhe shpëtimin si dhe procedurat e hartimit, përmbajtjes e miratimit të planit të emergjencës miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
 
4. Çdo punëmarrësi të nëntokës i sigurohen pajisje të mbrojtjes personale dhe pajisje vetëshpëtimi personale.
 
Neni 8
Mbikëqyrja shëndetësore
 
1. Mbikëqyrja shëndetësore e punëmarrësve është detyrim i punëdhënësit.
 
2. Punëdhënësi u siguron punëmarrësve mbikëqyrje shëndetësore të përshtatshme, me risqet për sigurinë e shëndetin në vendin e punës, në përputhje me legjislacionin në fuqi për sigurinë dhe shëndetin në punë e mjekësinë e punës.
 
3. Punëdhënësi siguron mbikëqyrje shëndetësore në momentin e fillimit të punës dhe mbikëqyrje shëndetësore periodike, në përputhje me përcaktimet e kuadrit rregullator në fuqi për kërkesat minimale të sigurisë dhe shëndetit në punë të punëmarrësve në industritë minerare nxjerrëse, sipërfaqësore e nëntokësore.
 
4. Çdo kosto financiare për mbikëqyrjen shëndetësore të punëmarrësve është detyrim i punëdhënësit.
 
5. Pranë çdo objekti minerar, punëdhënësi siguron mbikëqyrje shëndetësore në momentin e fillimit të punës dhe mbikëqyrje shëndetësore periodike, në përputhje me përcaktimet e kuadrit rregullator në fuqi për kërkesat minimale të sigurisë dhe shëndetit në punë të punëmarrësve në industritë minerare nxjerrëse, sipërfaqësore e nëntokësore.
 
Neni 9
Sinjalizimi dhe komunikimi
 
1. Subjekti merr masat e nevojshme për të siguruar e garantuar sistemin dhe pajisjet e sinjalizimit, të dallueshme qartë për çdo vend pune që paraqet rrezik për jetën e shëndetin e punëmarrësve, si dhe për të parandaluar apo mënjanuar hyrjen e personave të tjerë në sipërfaqen e lejuar të veprimtarisë së tij apo në punimet që kryhen në veprën e tij nëntokësore.
 
2. Subjekti siguron funksionimin e sistemit të komunikimit të çdo niveli drejtimi me punëmarrësit në vendin e punës, si në kushte normale, ashtu edhe në raste për të përballuar e shmangur rreziqe apo për të realizuar ndërhyrje të menjëhershme, në raste emergjencash e fatkeqësish.
 
 
KREU III
 ZHVILLIMI I PUNIMEVE NË OBJEKT
 
Neni 10
Zhvillimi i punimeve
 
1. Subjektet zhvillojnë punime në rastet kur:
a) ka projekte teknike e pasaporta teknologjike të miratuara për punimet dhe punët që do të kryejnë;
b) plotësojnë kërkesat e parashikuara në rregulloret e sigurimit teknik e të mbrojtjes në punë dhe sigurojnë normat për ruajtjen e mbrojtjen e mjedisit;
c) janë marrë masa që punimet në miniera, punimet nëntokësore në veprat hidroenergjetike, makineritë, pajisjet dhe lënda plasëse të mirëmbahen në një nivel të tillë, që të plotësojnë kërkesat e sigurisë në punë;
ç) zotëruesi i lejes minerare zbaton kërkesat e përcaktuara në projektin e miratuar tekniko- teknologjik.
                                                                                                                                                                                                                                                      
Neni 11
Informimi i punëmarrësve
 
1. Subjektet që kryejnë veprimtari minerare dhe punime nëntokësore në veprat hidroenergjetike marrin masa që punëmarrësit të përvetësojnë të dhënat dhe instruksionet e duhura për përdorimin e makinerive, të pajisjeve, të lëndës plasëse dhe të materialeve që kanë në përdorim.
 
2. Të dhënat dhe instruksionet e përdorimit të makinerive, pajisjeve e të lëndës plasëse duhet të përmbajnë informacione për sigurinë dhe shëndetin në punë.
 
Neni 12
Formimi i punëmarrësve
 
Subjektet që kryejnë veprimtari minerare dhe punime nëntokësore në veprat hidroenergjetike marrin masat e nevojshme që punëmarrësit:
a) e ngarkuar për përdorimin e makinerive, të pajisjeve dhe të lëndës plasëse të kenë formimin e mjaftueshëm për rreziqet që përmban përdorimi i tyre;
b) e ngarkuar me riparimet dhe mirëmbajtjen të kenë kualifikimin dhe formimin e duhur për kryerjen e këtyre detyrave;
c) që kryejnë punë me lëndë plasëse dhe ata të skuadrave për emergjenca e shpëtim në subjekte të testohen, të vlerësohen e të pajisen me dëshmi çdo 5 vjet, nga komisionet teknike të ngritura në AKSEM.
 
Neni 13
Këqyrja e avarive
 
1. Për çdo rast aksidenti ose avarie të rëndë në minierë, në karrierë apo punim nëntokësor, në veprat hidroenergjetike, subjekti duhet të njoftojë menjëherë AKSEM-in, Drejtorinë e Përgjithshme të Emergjencave Civile dhe çdo institucion tjetër, në përputje me legjislacionin në fuqi.
 
2. AKSEM-i shqyrton aksidentet e avaritë e rënda që ndodhin gjatë veprimtarisë dhe përcakton shkaqet e përgjegjësitë si dhe masat që duhen marrë për përmirësimin e gjendjes.
 
3. Zotëruesi i lejes minerare dhe subjekti që kryen punime nëntokësore në veprat hidroenergjetike është i detyruar t’i japë inspektorit që shqyrton aksidentin ose avarinë çdo të dhënë që ka lidhje me të.
 
 
KREU IV
AUTORITETI KOMBËTAR PËR SIGURINË DHE EMERGJENCAT NË MINIERA (AKSEM)
 
Neni 14
Autoriteti Kombëtar për Sigurinë dhe Emergjencat në Miniera
 
Autoriteti Kombëtar për Sigurinë dhe Emergjencat në Miniera (AKSEM) është person juridik publik, buxhetor, i organizuar në nivel qendror, i cili kryen veprimtari në fushën e sigurisë në punë, të emergjencave dhe shpëtimit në veprimtarinë minerare dhe punimet nëntokësore të veprave hidroenergjetike. 
 
Neni 15
Organizimi
 
1. AKSEM-i organizohet si drejtori në varësi të ministrit dhe e ka selinë e tij në Tiranë.
 
2. Organizimi dhe funksionimi i AKSEM-it rregullohet me vendim të Këshillit të Ministrave.
 
3. Marrëdhëniet e punës së titullarit të AKSEM-it dhe nëpunësve të tij rregullohen në bazë të legjislacionit për nëpunësin civil.
4. Marrëdhëniet e punës së punonjësve administrativë rregullohen në bazë të dispozitave të Kodit të Punës.    
 
Neni 16
Detyrat e AKSEM-it
 
1. Për përballimin e emergjencave në subjekte, AKSEM-i realizon këto detyra:
a) Për çdo situatë emergjente në veprimtari në miniera dhe punime nëntokësore në veprat hidroenergjetike siguron gatishmërinë e në plotë të personelit, të pajisjeve e të mjeteve për të ndërhyrë e përballuar situatën e shpëtimit të jetës së njerëzve;                                
b) Kërkon, nga çdo subjekt që kryen punime nëntokësore, të parashikojë në praktikën e punës së tij situatat emergjente dhe të ketë të përgatitur planin e emergjencave, në lidhje me masat për përballimin e tyre, një kopje e të cilit dorëzohet në AKSEM çdo vit dhe sa herë subjekti praktikon punë në nëntokë për herë të parë;
c) Inspekton, bashkëpunon, bashkëvepron e kryen stërvitje të përbashkët me personelin e emergjencave të subjekteve në kushtet konkrete të zhvillimit të punimeve apo në situata të improvizuara emergjence;
ç)  Monitoron e mbikëqyr minierat e mbyllura dhe jashtë përdorimi.
d) Vlerëson, mbyll dhe monitoron grykat e punimeve minerare në minierat e braktisura;
dh)   Regjistron çdo subjekt që kryen veprimtari minerare dhe në ndërtimin e punimeve nëntokësore në veprat hidroenergjetike;
e) Vlerëson aftësitë teknike dhe profesionale të çdo personi fizik që kërkon të përdorë e të kryejë punë me lëndë plasëse në subjekte apo të punojë si specialist për emergjenca dhe shpëtim;
ë)  Regjistron rastet e emergjencave dhe të aksidenteve të rënda me rrezik apo humbje jete;
f) Kryen analizat dhe verifikon rezistencën në tërheqje të litarëve të çelikut, që përdoren në impiantet ngritëse vertikale e të pjerrëta të transportit në subjekte;
g) Verifikon e vlerëson territorin e vendndërtimit të depove për magazinimin e lëndëve plasëse të subjekteve dhe miraton projektin e ndërtimit të këtyre depove;
gj) Kryen vlerësimin e projekteve teknike, me qëllim pajisjen e subjekteve me autorizimin e përdorimit civil të lëndëve plasëse;
h) Çdo detyrë tjetër të përcaktuar nga legjislacioni në fuqi.
 
Neni 17
Të drejtat e AKSEM-it
 
1. Inspektorët e AKSEM-it kanë të drejtë të hyjnë, sipas programit të inspektimit të miratuar, në çdo kohë në territorin dhe në vendet e punës të subjekteve që kryejnë punë në veprimtarinë minerare dhe në punime nëntokësore të veprave hidroenergjetike.
 
2. Në zbatim të programit dhe të objektit të inspektimit, inspektorët e AKSEM-it kanë të drejtë të kërkojnë e të marrin një kopje të dokumenteve administrative e teknike të veprimtarisë së subjektit.
 
3. Inspektorët dhe personeli i emergjencave të AKSEM-it kërkojnë mbështetjen dhe ndërhyrjen e forcave të rendit kur:
a) pengohen dhe cenohen gjatë kryerjes së detyrës;
b) nuk zbatohet urdhri i ndalimit dhe ndërprerja e punës, në rastet me rrezik serioz për jetën e njerëzve;
c) nuk lejohen të hyjnë në hapësirat e punës së subjekteve.
 
Neni 18
Inspektimi i subjekteve nga AKSEM-i
 
1. AKSEM-i kryen inspektime në subjekte private dhe publike, vendase e të huaja, që ushtrojnë veprimtari minerare dhe punime nëntokësore në veprat hidroenergjetike në territorin e Republikës së Shqipërisë, në përputhje me këtë ligj dhe me ligjin nr.10433, datë 16.6.2011, “Për inspektimin në Republikën e Shqipërisë”.
 
2. Veprimtaritë minerare, punimet nëntokësore në veprat hidroenergjetike u nënshtrohen inspektimeve të programuara të AKSEM-it, në përputhje me ligjin nr.10433, datë 16.6.2011, “Për inspektimin në Republikën e Shqipërisë”.
 
3. Minierat dhe punimet nëntokësore të veprave hidroenergjetike u nënshtrohen inspektimeve teknike jashtë programit të AKSEM-it në çdo kohë, kur paraqiten rrethana të veçanta, që lidhen me rreziqe për jetën e njerëzve, avari ose aksidente.
 
Neni 19
Vlerësimi i subjekteve nga AKSEM-i
 
AKSEM-i kryen inspektime në subjektet që ushtrojnë veprimtari minerare dhe punime nëntokësore në veprat hidroenergjetike, ku vlerëson nëse:
a) ushtrimi i aktivitetit minerar apo punimet nëntokësore në veprat hidroenergjetike kryhen në përputhje me kërkesat e këtij ligji dhe të legjislacionit në fuqi;
b) është përgatitur dokumentacioni teknik i nevojshëm për ushtrimin e sigurt të aktivitetit minerar apo për punimet nëntokësore në veprat hidroenergjetike;
c) janë marrë masat e nevojshme për kujdesin shëndetësor të punëmarrësve, në  përputhje me legjislacionin dhe aktet teknike në fuqi.
               
Neni 20
Masat urgjente
 
1. Kur inspektori i AKSEM-it konstaton se një minierë ose punim nëntokësor në veprat hidroenergjetike rrezikon sigurinë e njerëzve dhe të mjedisit, me vendim të ndërmjetëm, sipas nevojave të rastit, merr masa urgjente, në përputhje me ligjin nr.10433, datë 16.6.2011, “Për inspektimin në Republikën e Shqipërisë”.
 
2. Kundër vendimit që vendos masa urgjente mund të bëhet ankim i veçantë, në përputhje me ligjin për inspektimin.
 
Neni 21
Konflikti i interesave
 
1. Punëmarrësve të AKSEM-it u ndalohet të kenë interesa të drejtpërdrejta ose të tërthorta me subjektet ku ata ushtrojnë kontroll.
 
2. Punëmarrësit e AKSEM-it kanë detyrim të përmbushin çdo kërkesë tjetër, sipas parashikimeve të ligjit nr.9367, datë 7.4.2005, “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike”, të ndryshuar.
 
Neni 22
Burimet financiare
 
1. Burimet financiare të AKSEM-it janë:
a) buxheti i shtetit;
b) të ardhurat me destinacion, që realizohen nga shërbimet për të tretët.
 
2. AKSEM-i realizon të ardhura nga shërbimet që kryen për subjektet private ose publike, nga pagesa e tarifave për:
a) lëshimin e dëshmive dhe dublikatave për zjarrmëtarët dhe shpëtuesit e subjekteve;
b) realizimin e provave dhe analizave të rezistencës në tërheqje të litarëve të çelikut të impjanteve ngritëse të subjekteve;
c) regjistrimin fillestar të subjekteve;
ç)  monitorim, verifikim e inspektim, të kërkuara nga vetë subjekti.
 
3. Tarifat për këto të ardhura caktohen me udhëzim të përbashkët nga Ministria e Financave dhe ministria që mbulon veprimtarinë minerare.
 
KREU V
DISPOZITA TË FUNDIT
 
Neni 23
Kundërvajtjet administrative
 
1. Shkeljet e mëposhtme, kur nuk përbëjnë vepër penale, përbëjnë kundërvajtje administrative dhe dënohen me gjobë nga AKSEM-i, si më poshtë vijon:
a) Kur subjekti kryen shkelje të pikave 1, 2 e 6, të nenit 6, masa e gjobës është 150 mijë lekë;
b) Kur subjeki nuk njofton AKSEM-in në rast aksidenti ose avarie të rëndë në minierë, në karrierë apo në punim nëntokësor në veprat hidroenergjetike, masa  e gjobës është 100 mijë lekë;
c)  Kur subjekti nuk ka  zbatuar detyrat e lëna e të përcaktuara në aktet e inspektimit të mëparshëm të AKSEM-it, masa  e gjobës është 200 mijë lekë;
ç) Kur shkelen pikat e nenit 7, masa  e gjobës është 200 mijë lekë;
d) Kur konstatohet se mungon plani vjetor i zhvillimit të punimeve apo punohet jashtë këtij plani, nuk ka sigurim jete për të gjithë punëmarrësit, urdhrat e punës dhe udhëzimet teknike nuk respektojnë normat teknike të vendosura, mungojnë pasaportat teknologjike për procese të ndryshme të praktikës së punës, planimetria e punës së objektit nuk plotësohet sipas rregullave teknike të sigurisë, masa  e gjobës është 300 mijë lekë;
dh) Kur inspektori ose grupi i inspektorëve të AKSEM-it pengohet të kryejë detyrën, në zbatim të dispozitave të kreut IV, të këtij ligji, masa  e gjobës është 400 mijë lekë.
 
2.  Shqyrtimi i kundërvajtjeve administrative, procesi i ankimit dhe ekzekutimi i vendimeve të AKSEM-it bëhet në përputhje me ligjin nr.10279, datë 20.5.2010, “Për kundërvajtjet administrative”.
 
3. Të ardhurat nga masat administrative, të aplikuara sipas pikës 1, të këtij neni, derdhen tërësisht në buxhetin e shtetit.
 
Neni 24
Pezullimi i punimeve
 
1. Në rastet e përfundimit të inspektimeve të programuara apo të inspektimeve jashtë programit, inspektori ose grupi i inspektorëve të AKSEM-it, kur vlerëson prezencë të rreziqeve serioze për jetën e punëmarrësve, shkelje të rënda të ligjit e të rregullave teknike për sigurinë dhe shëndetin në punë, pezullon kryerjen e punimeve në objekt.
 
2. Pezullimi i punimeve mund të jetë tërësor ose i pjesshëm, për vende e fronte pune të veçanta, i përkohshëm ose i përhershëm.
 
3. Pezullimi i punimeve pasqyrohet në procesverbal dhe i bëhet i ditur, menjëherë, përfaqësuesit të subjektit. Në procesverbal pasqyrohen qartë hapësira, koha e pezullimit dhe detyrat konkrete.
 
4. Në rastet kur merret vendim për pezullim tërësor të punimeve, pavarësisht nga koha, përgatitet relacioni me problematikën e subjektit dhe i dërgohet Ministrit.
 
5. Kur subjekti nuk respekton vendimin e pezullimit të punimeve të inspektorëve, AKSEM-i i propozon Ministrit revokimin e lejes së subjektit dhe njofton organet e policisë së shtetit e të prokurorisë, në territorin ku kryen aktivitet subjekti.
 
Neni 25
E drejta e subjekteve për ankimim
 
1. Kundër vendimit me gjobë, të vendosur nga inspektorët minerarë të AKSEM-it, subjekti ka të drejtën e ankimimit me shkrim pranë komisionit të shqyrtimit të gjobave në AKSEM, në përputhje me Kodin e Procedurave Administrative.
 
2. Komisioni i shqyrtimit të gjobave në AKSEM, i miratuar sipas rregullave dhe procedurave të përcaktuara me udhëzim të ministrit, shqyrton ankimimin, merr vendimin dhe njofton subjektin për vendimin e marrë brenda 15 ditëve, nga data e regjistrimit të ankimimit.
 
3. Subjektet kanë të drejtën që, kundër vendimit të Komisionit të Shqyrtimit të Gjobave, të bëjnë padi për shqyrtim të mosmarrëveshjes administrative në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë, Tiranë.
 
4. Kundër vendimit për pezullim apo ndalim të punimeve në mënyrë tërësore, subjekti ka të drejtë të bëjë ankim te Ministri, brenda 10 ditëve, nga data e marrjes së vendimit të inspektorëve të AKSEM-it.
 
5. Brenda 15 ditëve, nga data efektive e ankimimit, Ministri shqyrton ankimimin, ngre grup pune për rivlerësim të problematikës dhe merr vendim përfundimtar.
 
6. Subjektet kanë të drejtë që, kundër vendimit të Ministrit, të bëjnë padi për shqyrtim të mosmarrëveshjes administrative në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë, sipas legjislacionit në fuqi.
 
Neni 26
Shfuqizime
 
1. Ligji nr.8741, datë 15.2.2001, “Për sigurinë në punë në veprimtarinë minerare”, shfuqizohet.
 
2. Aktet nënligjore, që rregullojnë veprimtaritë e sigurisë në punë, të emergjencave dhe shpëtimit në veprimtarinë minerare apo në punimet hidroenergjetike, të miratuara përpara hyrjes në fuqi të këtij ligji, do të zbatohen për aq sa nuk bien në kundërshtim me këtë ligj, deri në rishikimin e tyre dhe daljen e akteve të reja, në përputhje me kërkesat dhe afatet e vendosura në këtë ligj.
 
Neni 27
Ndryshim emërtimi
 
Në çdo akt ligjor ose nënligjor, apo marrëdhënie juridike të krijuar, emërtimi “Reparti i Inspektim-Shpëtim Miniera”, zëvendësohet me “Autoriteti Kombëtar për Sigurinë dhe Emergjencat në Miniera”. Titullari dhe punëmarrësit e ish-Repartit të Inspektim-Shpëtim Miniera konsiderohen të emëruar, sipas legjislacionit në fuqi.
 
Neni 28
Hyrja në fuqi
 
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
 
K R Y E T A R I
ILIR META
###
V E N D I M
PËR
 
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR SIGURINË DHE SHËNDETIN NË PUNË, EMERGJENCAT E SHPËTIMIN NË VEPRIMTARINË MINERARE DHE NË NDËRTIMIN E PUNIMEVE NËNTOKËSORE NË VEPRAT HIDROENERGJETIKE”
 
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Energjisë dhe Industrisë, Këshilli i Ministrave
 
V E N D O S I:
 
Propozimin e projektligjit “Për sigurinë dhe shëndetin në punë, emergjencat e shpëtimin në veprimtarinë minerare dhe në ndërtimin e punimeve nëntokësore në veprat hidroenergjetike”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi. 
 
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
 
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
 
*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.
Shkruaj Mesazh

Kontakto me Kryeministrin

Shkruaj Mesazh

Reportazhe Eksklusive

Dokumentarë

Reportazhe Eksklusive

Për Gazetarët

Hapësira Mediatike

Për Gazetarët

Raport publik

300 Ditë

Raport publik